SPORT

Shorti i Kupave të Europës, klubeve nuk u buzëqesh fati

10:48 - 19.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Është hedhur në Nion të Zvicrës shorti për turin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Partizani ka mësuar kundërshtarët që do të ketë përballë në këtë raund të parë. Kryeqytetasit do të ndeshet me Karabakun në raundin e parë të Champions-it. Ish-skuadra e Ansi Agollit, e cila fitoi titullin në Azerbajxhan, do të jetë kundërshtari i të kuqve. Ndeshja e parë mes Partizanit dhe Karabakut do të luhet në Tiranë në datën 10 korrik, ndërkohë që ndeshja e kthimit luhet një javë më vonë në Azerbajxhan. Karabak ka fituar çdo titull në Azerbajxhan prej vitit 2013 dhe nga 2008 drejtohet nga Gurban Gurbanov, i cili drejton njëkohësisht edhe kombëtaren e Azerbajxhanit.




Në Nion është hedhur edhe shorti për turin e parë të Ligës së Europës aty ku marrin pjesë Kukësi, Teuta dhe Laçi nga Kategoria Superiore. Për Kukësin pritej një short më i lehtë në letër duke qenë se renditej në grupin e favoritëve megjithatë goglat nuk kanë qenë fort me fat për verilindorët. Kukësi luan në ndeshjen e parë ndaj hungarezëve të Debrecenit ndërkohë që Teuta do të ketë mundësi të marrë hak për Luftëtarin. Bregdetarët do të luajnë ndeshjen e tyre të parë në Europë përballë Ventspilsit, skuadër e cila në sezonin e kaluar turpëroi Luftëtarin duke e mundur dhe njëkohësisht duke bërë që ndaj bluzinjve të nisin hetimet për rezultat të dyshimtë. Sakaq, një ndeshje të vështirë ka edhe Laçi ku përballë do të ketë izraelitët e Hapoel Ber Sheva, skuadër kjo surprizë në vitet e fundit ku ka luajtur edhe në grupet e Ligës së Europës duke turpëruar pak vite më parë edhe Interin. Prishtina në rast se kalon turin e parë, luan ndaj Rejnxhërsit ndërsa Shkupi ndaj Piunikut.

Shkëndija dhe Ferronikeli
Goglat janë treguar bujare për kuqezinjtë e Tetovës, të cilët kanë “peshkuar” kampionët e Estonisë, Nome Kalju. Një përballje e lehtë në letër për skuadrën shqiptare. Shkëndija do ta luajë ndeshjen e parë në transfertë, ndërkohë që një javë më pas do të presë skuadrën estoneze në Shkup. Nga ana tjetër Feronikeli arriti të mbyllte sezonin në mënyrën më të mirë duke fituar titullin kampion dhe Kupën e Kosovës. Titulli i fituar këtë sezon, i jep mundësi Feronikelit që të luajë në Ligën e Kampionëve dhe pak ditë më vonë ka ndeshjet paraeliminatore ku në gjysmëfinalen luan ndaj Linkolnit të Gjibraltarit.

Të tjerat
Është hedhur shorti i turit të parë eliminator për Ligën e Europës, teksa skuadrat e Prishtinës dhe Shkupit kanë njohur kundërshtarët e tyre. Kështu, nënkampionët e Kosovës, në rast se kalojnë në turin paraeliminatore, ekipin nga Gjibraltari, Saint Xhozef. Prishtinalitë nisen të favorizuar në atë ndeshje, por pjesa e vështirë do të vijë më pas teksa do t’iui duhet të përballen me një ekip me shumë eksperiencë si Rejnxher Gllazgou. Skuadra skoceze do të jetë padyshim favorite për të kaluar më tej, ndërsa në organikën e futbollistëve bën pjesë edhe lojtari i Kombëtares së Shqipërisë, Eros Grezda. Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, do të luhet në Prishtinë. Ndërkohë, nga krahu tjetër, skuadra e Shkupit nga kampionati i Maqedonisë do të sfidojë ekipin e Pjunik, ekip armen. Një ndeshje e cila duket në ekuilibër, por Shkupi duken më i favorizuar për të kaluar në raundin pasardhës. Ndërkaq, ndeshja e parë do të luhet në Armeni.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.