SPORT

Demi: Trajneri dhe merkato janë çështje të Olsi Ramës

10:44 - 20.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Gazmend Demi nuk është nga ata presidentë që kërkon të ndërhyjë në çwshtjet e brendshme të klubit. Preferon që me to të merret stafi. Natyrisht, vulën e vendos ai, por siç rrëfen në intervistën e dhënë “Report Tv”, drejtori Olsi Rama është personi që ka zgjedhur trajnerin dhe do të merret me merkaton. Ai shpreson të përfundojë sa më shpejt “shtëpinë e kuqe” dhe nuk ia kursen një përgjigje Safet Gjicit.




Trajneri i ri Franko Lerda, zgjedhja e juaj apo e drejtorit Olsi Rama?
Siç e dini, e ka thënë edhe drejtori, mbas ikjes së Gegës për një problem familjar, mbetëm dhe bëmë disa interesime. E morëm italian, sepse duam të arrijmë një nivel më lart, sepse kuptohet për teknikën dhe të gjitha. Kishim disa trajnerë, por drejtori zgjodhi Franko Lerdën, të cilit unë i kam dhënë besimin e plotë. Mendojmë se do bëjmë një ekip më të mirë se sa e kemi pasur në aspektin teknik, rregullit dhe disiplinës.

Shorti në Champions me Karabak, do dëshironit një skuadër tjetër?
Kuptohet që Karabak është një ekip më me eksperiencë se ne. Ka shumë vite kampion i Azerbajxhanit, me kualitete të mira, ka qenë deri në grupet e Champions League. Gjithsesi, unë nuk kisha pretendim për ndonjë ekip tjetër, sepse tek e fundit 11 me 11 luajmë. Unë kam besim tek ekipi im, te stafi im, te drejtori. Me disa përforcime që do tw bëjmë besoj se është i kalueshëm.

Kompleksi i Partizanit. Gjici ka thënë se stadiumi i Kukësit do përfundojë më shpejt…
Nuk e di çfarë ka thënë presidenti Gjici, sepse atij stadiumin ia bën bashkia dhe federata. Ne si Partizanin po e bëjmë vetë. Unë nuk jam në garë se çfarë bën Gjici, unë shpresoj që ta mbaroj sa më shpejt.

Ka ndonjë datë se kur do të rinisin punimet?
Shpresoj shumë që kampionatin ta nisim te ky ministadiumi ynë.
Përse u largua trajneri Gega? Thuhet për arsye personale, por këto ditë ai është parë në Shqipëri…

Trajnerin Gega e uroj për fitoren e titullit. Ka qenë një trajner i respektuar. Gegën e kam sjellë unë te Partizani. Kjo është hera e parë dhe e vetme që unë sjell trajner te Partizani. Kemi dhënë dorën si burrat dhe ka ardhur pa kontratë te Partizani. Pas disa muajsh me drejtorin Rama pa më thënë mua bënë kontratën. Që të jemi korrekt ajo kontratë u bë me të gjitha kushtet që donte Gega. Më ka ardhur një ditë të bukur, mbasi ka folur me drejtorin, për një problem familjar. I kam dhënë dorën dhe i kam thënë familja është mbi të gjitha. Kështu që ka qenë një ndarje xhentëlmenësh. Ka patur vetëm një problem familjar, asnjë prapaskenë tjetër unë nuk e di të ketë. E dija që ka ikur në Amerikë, ju po thoni që është këtu, nuk kam informacion. Megjithatë unë i uroj fat dhe gjithë të mirat. Nëse ikën në një skuadër tjetër pastë fat dhe ishalla mos të ketë ato problemet që më tha mua.

Tirana shumë aktive në merkato. Ka marrë dy lojtarë të Partizanit. Mendoni se do ndryshojë historia në derbi? Keni thënë që nuk fitojnë sa të jem unë president…
Tani, derbi dihet që është derbi. Unë i pari po gëzohem shumë që Tirana po përforcohet. Tek e fundit këto dy ekipe kanë qenë vlera e shumë viteve në kampionatit shqiptar. Me oshilacionet e të dyjave, sepse Partizani ka patur të vetat dhe gjithashtu edhe Tirana. Për lojtarët që ka marrë nuk kam informacion sepse unë nuk i ndjek skuadrat e tjera. Derbi do të jetë prapë derbi, të tri rezultatet janë brenda, por besoj se ne do të jemi gjithmonë më të fortë.

Për merkaton flitet se do të afrohet Balaj dhe Ramadani…
Në informacionin tim, sepse me këtë punë merret drejtori, e ka ekskluzive, e ka marrë vetë përsipër. Shpresoj se do sjellë lojtarë shumë të mirë, të cilët besoj se do bëjnë diferencën. Është në punë çdo ditë për të sjellë lojtarë cilësorë, siç e dinë të gjithë nuk është e lehtë, sepse dihet opinioni për Shqipërinë, megjithatë jemi në rrugë të mbarë. Për dy prurjet nga kampionati shqiptar flitet se janë lojtarë shumë cilësorë. Si Melo ashtu edhe ish-lojtari jonë që luante te Teuta (Hakaj). Drejtori është shumë entuziast për të sjellë disa prurje shumë serioze dhe shumë të forta.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.