KULTURË

Denoncimi i aktorit: Mesazhet nga Teatri, duan të na kthejnë në komisionerë zgjedhjesh

17:00 - 20.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përshëndetje, në zbatim të VKM nr. 283, datë 10.5.2019 “Për marrjen e masave te monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore për vitin 2019″, ju bëjmë me dije se në rast të angazhimit tuaj si komisioner zgjedhor në KZAZ apo KQZ, duhet të paraqiteni pranë sekretarisë së TK, për të plotësuar kërkesën me shkrim për këtë angazhim. Flm”.




Ka qenë ky mesazhi që i është dërguar nga administrata e Teatrit Kombëtar, aktorit Neritan Liçaj, i punësuar në këtë teatër. Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, aktori thotë se kjo është një shkelje e rëndë e Kushtetutës.
“Xhevahiret e Ministrisë së Kulturës dhe ministreshës (që ka firmosur prishjen e Teatrit Kombëtar), që shkel kushtetutën si gjithë çeta e saj e Rilindjes dhe banditët e administratës që u shërbejnë.
Lajmërohemi nga administrata e TK me kërkesë të Ministrisë së Kulturës për këto xhevahire. Këtu keni masazhin që kam marrë nga administrata dhe përgjigja që i kam dhënë. Kam fshirë emrin e punonjëses për hir të privatësisë. Kjo i është dërguar aktorëve të TK për t’i kthyer ata në komisionerë siç e shihni!”, thotë Liçaj.

Mesazhit të dërguar nga një punonjëse e TK, ai i është përgjigjur: “Këtë mesazh do e hedh në media. Kontrata ime me TK nuk ka asnjë pikë që të më detyrojë mua të zbatoj këtë gjë. E drejta e votës është individuale dhe s’ka asnjë ligj që të më detyrojë të zbatoj vendimet e kundraligjshme me dekretin e kreut të shtetit që është botuar në Fletoren Zyrtare. Prandaj e konsideroj këtë lajmërim nga administrata si shkelje”.

Për Liçajn, kjo është një shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe ligjit, që e shpreh qartë se institucionet e artit dhe të kulturës janë të depolitizuar. “Sigurisht këtë mesazh, që shkel dhe kontratën që ne aktorët kemi me administratën e TK unë do e çoj në të gjitha institucionet e këtij vendi dhe do jua bëj me dije dhe organizmave ndërkombëtare për të vërtetuar para gjithë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve sulmin politik që artistët dhe institucionet e artit pësojnë nga qeveria e Rilindjes dhe mazhoranca ilegjitime e Republikës së Shqipërisë”, e mbyll reagimin e tij, aktori i Teatrit Kombëtar, Neritan Liçaj.

Kujtojmë se prej më shumë se një viti Neritan Liçaj është pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe si i tillë, ai proteston çdo mbrëmje kundër vendimit të qeverisë për rrafshimin e dy teatrove kombëtarë dhe ndërtimin e një të vetmi të ri, me PPP. Duke qenë se artistët kanë përllogaritur humbje të truallit të teatrit dhe shndërrim të zonës historike përreth tij përveç rrafshimin të dy godinave, përplasja e qeverisjes lokale dhe qendrore me ta vijon prej marsit të vitit 2018.
Liçaj është mes atyre aktorëve të qëndresës që ka refuzuar të lëshojë teatrin dhe është betuar se do ta mbrojë edhe me trup në rast se qeveria dërgon grupe për shembjen e dy teatrove.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.