AKTUALITET

Imzot Frendo-politikanëve: Në emër të Zotit, tregoni dashuri më të madhe ndaj Shqipërisë!

18:58 - 20.06.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Situata në  Shqipëri është tejet e tensionuar prej kohësh, madje kritike e Imzot George Frendo, në emër të Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, edhe një herë, i drejtohet udhëheqjes politike të vendit, për të ndalur përshkallëzimin e krizës, e “shmangur çdo rrezik që e keqja të na çojë drejt një të keqeje më të madhe”.




“Jini të sigurt  se shumica e popullit tonë kërkon prej jush vullnet të mirë për të shmangur çdo rrezik që do të na çojë drejt një humnere vdekjeprurëse”. Prandaj, nënvizon me forcë imzot Frendo duke iu drejtuar klasës udhëheqëse të vendit: “të gjithë janë të shqetësuar për këtë situatë të rëndë që po kalon vendi”, u takon ju të ”, mos lejoni që politika të bëhet shkak përçarjeje për popullin tonë”.

Kisha katolike e Komunitetet fetare e kanë përzemër të mirën dhe fatin e popullit e të vendit, prandaj, “në emër të Zotit, ne, përfaqësuesit e besimeve të ndryshme në Shqipëri, me shumë besim, ju lutemi të tregoni dashuri më të madhe e të sinqertë ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve”,  insistoi sot pasdite kryetari i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, imzot Frendo para gazetarëve në selinë e kryedioqezës Tiranë-Durrës.

Deklarata e Imzot George Frendos

“Të dashur përfaqësues të popullit shqiptar,

Edhe një herë ju drejtohemi, me shpresë që thirrja jonë të mos mbetet një zë në shkretëtirë, por të gjejë jehonë në mendjet dhe zemrat tuaja.

Jemi shumë të vetëdijshëm për situatën tepër kritike në vendin tonë të dashur, Shqipëri. Veçanërisht gjatë ditëve të fundit, kemi lexuar shkrime të një sërë personash, shumica prej të cilëve janë mjaft të njohur në shoqërinë tonë. Të gjithë këta kanë shprehur shqetësimin e tyre të madh për këtë situatë, duke menduar se ka shumë rrezik që do të përkeqësohet, me pasoja tepër të rënda për vendin tonë. Do të jeni ju shkaku i pasojave të rënda që qëndrimi juaj mund të shkaktojë dhe, si na ka mësuar historia, në të ardhmen shoqëria jonë do t’ju bëjë përgjegjës për dëmtimin që do t’i keni shkaktuar atdheut.

Në emër të Zotit, ne, përfaqësuesit e besimeve të ndryshme në Shqipëri, me shumë besim, ju lutemi të tregoni dashuri më të madhe dhe të sinqertë ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve, duke na treguar që me vendosmëri kërkoni një zgjidhje serioze e paqësore për këtë situatë, duke shmangur çdo rrezik që e keqja të na çojë drejt një të keqeje më të madhe. Paqja e vërtetë nuk do të thotë të mbyllim sytë për anomalitë që ekzistojnë. Nuk ka paqe të vërtetë, nëse nuk ndërtohet mbi drejtësi e vërtetë.

Ju lutemi të hapni një kapitull të ri në politikën tuaj. Harroni fjalët e forta që ju vetë u keni drejtuar kundërshtarëve tuaj, harroni gjithashtu fjalët që kundërshtarët tuaj ju kanë drejtuar juve. Harroni planet që kishit hartuar për t’i luftuar kundërshtarët. Harroni edhe premtimet me të cilat kishit mbushur mendjet e ndjekësve tuaj.

Jini të sigurt se asnjë shqiptar, që e do atdheun dhe të mirën e përbashkët më shumë sesa të mirën e partisë, nuk do t’ju qortojë apo t’ju akuzojë që nuk keni mbajtur fjalën, nëse arrini të kërkoni një rrugë te ndryshme nga rruga që keni ndjekur deri më sot. Jini të sigurt se shumica e popullit tonë kërkon prej jush vullnet të mirë për të shmangur çdo rrezik që do të na çojë drejt një humnere vdekjeprurëse.

Ka pasur raste kur të gjithë ju jeni shprehur me krenari për fatin tonë të lum që mes besimeve të ndryshme, në këtë vendin tonë të dashur, ekziston një traditë bashkëjetese ndërfetare në harmoni. Këtë vlerë të rëndësishme duhet ta mësoni nga ne. Besimet nuk na kanë ndarë. Mos lejoni që politika të bëhet shkak përçarjeje për popullin tonë.

Populli yne i dashur, inteligjent dhe shume fisnik e ka memorien historike të largët dhe të afërt të freskët dhe është i vetëdijshëm që politika nuk do të arrijë t’i perçajë për t’i bërë keq vendit të vet dhe bashkevëllezërve Shqiptarë.

Zoti ju ndriçoftë dhe ju dhëntë guxim për të zgjedhur rrugën e drejtësisë dhe të paqes!”.

Imzot George Frendo


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.