AKTUALITET

Sejko: BSH mbështet konsolidimin fiskal

16:45 - 21.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me Misionin e Bankës Botërore, i cili është në Shqipëri për një vizitë në kuadrin e Mbështetjes së Politikave Makrofiskale. Gjatë takimit, Përfaqësuesit e Misionit të Bankës Botërore e patën fokusin në diskutimet e fushës së politikave fiskale, në kuadër të programit në proces të mbështetjes buxhetore, si dhe në fushën e zhvillimit të sistemit financiar. Për sa i përket çështjeve fiskale, Misioni theksoi nevojën për rritjen e transparencës dhe përgje-gjësisë fiskale, si elemente të rëndësishme për rritjen e qëndrueshmërisë së financave publike të vendit. Misioni theksoi nevojën për rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë fiskale, si elemente të rëndësishme për rritjen e qëndrueshmërisë së financave publike të vendit




Takimi
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me Misionin e Bankës Botërore, i cili po viziton Shqipërinë në kuadrin e Mbështetjes së Politikave Makrofiskale. Ky Mision përbëhet nga Mary-am Salim, përfaqësuese e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore (BB) në Shqipëri, Gallina Andronova Vincelette, Menaxhere pranë Bankës Botërore për Europën dhe Rajonin, Johanna Jaeger, Kryeeksperte në Sektorin Financiar dhe përfaqësues të tjerë të BB-së. Gjatë takimit, përfaqësuesit e Misionit të Bankës Botërore i fokusuan diskutimet në fushën e politikave fiskale, në kuadër të programit në proces të mbështetjes buxhetore, si dhe në fushën e zhvillimit të sistemit financiar. Në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar, Misioni theksoi gatishmërinë e Bankës Botërore për të vijuar të kontribuojë në zbatimin e plotë të programit kombëtar për reduktimin e kredive me probleme dhe në përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të pagesave. Gjithashtu, ata parashtruan mundësinë e dakordimit të programeve të përbashkëta në të ardhmen, të cilat do të mundësonin përmirësimin e mëtejshëm të ambientit të kreditimit. Nga ana e tij Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka mbështetur dhe vijon të mbështesë konsolidimin fiskal, si një proces, i cili ndihmon rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike dhe financiare të vendit. Gjithashtu, ai theksoi rolin pozitiv që koordinimi i politikave monetare e fiskale ka në rritjen e efektivitetit dhe në krijimin e parakushteve për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit. Guvernatori shprehu mbështetjen e Bankës së Shqipërisë për nismat që synojnë rritjen e formalizimit të ekonomisë shqiptare dhe forcimin e shëndetit të financave publike, duke nënvizuar kontributin që Banka e Shqipërisë ka dhënë dhe do të japë në këtë fushë. Më tej, Guvernatori i njohu të pranishmit me sfidat kryesore me të cilat përballet sot Banka e Shqipërisë, një ndër të cilat është dhe nxitja e kreditimit. Nxitja e kreditimit ka qenë në vëmendje të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë, për rëndësinë që ka në zhvillimin e qëndrueshëm financiar të vendit. Së fundi, Banka e Shqipërisë ka organizuar dhe një takim të veçantë me drejtuesit e sektorit bankar me qëllim adoptimin e një filozofie të përbashkët zhvillimi dhe hartimin e një plani konkret masash për për-mirësimin e sasisë dhe cilësisë së kreditimit, si dhe zgjerimin e gamës së pro-dukteve financiare të këtij sektori.

Programet e zhvillimit
Lidhur me programet e zhvillimit të sektorit financiar, Guvernatori Sejko njohu Misionin e Bankës Botërore me hapat konkrete të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të fundit. Në veçanti, ai theksoi se projektligji “Mbi shërbimet e pagesave”, i hartuar me asistencën teknike të Bankës Botërore, është dorëzuar në Kuvend dhe se po vijon puna për hartimin e projektligjit mbi llogarinë e pagesës që transpozon direktivën përkatëse evropiane. Miratimi i këtyre projektligjeve do të ndihmojë rritjen e shkallës së përfshirjes financiare, do të stimulojë përdorimin e instrumenteve elektronike të pagesave dhe do të kontribuojë në uljen e kostos së tyre. Guvernatori Sejko i njohu përfaqësuesit e BB-së edhe me nismat e Bankës së Shqipërisë për përfundimin e programit ndërinstitucional për reduktimin e kredive me probleme, duke u ndalur më në detaje në çështjen e trajtimit jashtëgjyqësor të kredimarrësve të mëdhenj. Në mbyllje, të pranishmit identifikuan disa fusha potenciale bashkëpunimi të ardhshëm, si përmirësimi i rregulloreve mbi vlerësimin e kolateralit dhe programe të mundshme të Bankës Botërore në interes të reduktimit të rrezikut të kreditit në vend. Në mbyllje, Guvernatori Sejko vlerësoi kontributin e Bankës Botërore në zhvillimin e vendit në mbështetje të reformave strukturore dhe përmirësimin e funksionimit të institucioneve në Shqipëri. Guvernatori theksoi se ky kontribut ka ndihmuar Bankën e Shqipërisë në përmirësimin e fushave specifike të veprimtarisë së saj dhe shprehu angazhimin e institucionit që ai drejton për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm edhe në të ardhmen.

Mbikëqyrja e BSH, fokus zyrat e këmbimit për pastrim parash dhe informalitet

Mbikëqyrja bankare gjatë vitit 2018 u përqendrua më së shumti në zyrat e këmbimit valutor. Sipas Raportit Vjetor të Mbikëqyrjes 2018, të prezantuar sot në Bankën e Shqipërisë, kontrollet janë bërë në drejtim të luftës ndaj informalitetit dhe pastrimit të parave. Të dhënat e Bankës tregojnë për kontrolle në mbi 31 zyra të këmbimit të parave, nga të cilat janë revokuar 21 licenca të ushtrimit të aktivitetit. Nga takimi në BSH bëhet me dije se, inspektimet në zyrat e këmbimit valutor do të vijojnë edhe këtë vit. Sipas raportit, prioritetet e vitit 2019 përfshijnë: Rreziku i kredisë me fokus kreditë me probleme dhe futja në fuqi e kuadrit rregullativ për trajtimin e huamarrësve të përbashkët në vështirësi financiare; Vëmendje procesit të miratimit të ndryshimeve strukturore të njoftuara si dhe monitorimin e kryerjen e mbikëqyrjes së tyre nga afër; Raporti i Përputhshmërisë (Screening Report) me Acquis Communautaire; Përafrimi i kuadrit rregullativ me Bazel III; Plotësimi i rekomandimeve të Komitetit Moneyval; Konsolidimi i sistemit bankar; Procesi i Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës mbi prezantim për herë të parë nga bankat në vitin 2018 të vlerësimit të brendshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit Përmbyllje e procesit të rishikimit të manualit mbikëqyrës duke e përditësuar me çështje të qeverisjes korporative.

Raporti, kredia për shtëpi arrin në 110 miliardë lekë

Kredia për blerje banesash arriti vlerën rekord të 110 miliardë lekëve, në rritje me 3.3% gjatë vitit të kaluar. Megjithëse në tërësi kredia për biznesin vazhdon të dominojë strukturën e kredisë bankare në vend, gjatë viteve të fundit vërehet një riorientim i dukshëm drejt kredisë për individë. Në vitin 2018, kredia për individë arriti në afro 35% të totalit, pesha më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Kredia për blerjen e banesave nga individët është bërë tashmë produkti kryesor në portofolin e sistemit bankar në Shqipëri. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, huaja për blerjen e banesave në fund të vitit 2018 përbënte 21.8% të huasë totale për rezidentët në Shqipëri. Për herë të parë, ky produkt ka kaluar në vlerë overdraftet e bizneseve, që përbënin 21.5% të portofolit total. Rritja e kredisë për individë është nxitur nga normat e ulëta të interesit, por edhe një ofertë më e lartë nga bankat në këtë segment, me qëllim shpërndarjen më të mirë të rrezikut të kredisë. Te individët, raporti i kredive me probleme në fund të vitit 2018 ishte 6.4%, ndërsa te bizneset mbi dy herë më i lartë, me 13.3%. Kredia për biznesin ka rënë tashmë në 65% të totalit të kredisë për ekonominë shqiptare, ndërsa pesë vjet më parë përbënte rreth 70%. Mbështetur në raportin vjetor të mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë për bizneset rezidente në Shqipëri ra me mbi 9% gjatë vitit të kaluar. Ndryshe nga shumica e ekonomive të Europës Qendrore dhe Lindore, kredia në Shqipëri vazhdon të ketë një përqendrim të lartë në segmentin e biznesit. Sipas ekspertëve, një nga arsyet e dominimit të biznesit në strukturën e kredisë është mungesa e tregut të kapitalit në Shqipëri, çka do t’i jepte biznesit një kanal alternativ për të siguruar financime.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.