AKTUALITET

Organizatat ndërkombëtare, kambana alarmi për lirinë e medias në Shqipëri

14:30 - 22.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Besar Likmeta  – Një mision tre-ditor në Tiranë i një grupi organizatash të lirisë së shprehjes dhe medias, ka përfunduar me një raport dërrmues ndaj autoriteteve dhe klasës politike shqiptare, duke nënvizuar se Shqipëria nuk po përmbush detyrimet e saj përpara ligjit vendas, detyrimet si anëtare e Këshillit të Europës, OSBE-së dhe aspiratat si vend kandidat në Bashkimin e Evropian.
‘Delegacioni gjeti se liria e medias në Shqipëri po përkeqësohet. Sulmet e fundit fizike ndaj gazetarëve nuk janë zbardhur. Zyrtarë të lartë publik rregullisht përdorin gjuhë fyese dhe nënvleftësuese ndaj gazetarëve kritikë. Administrata publike, duke përfshirë zyrën e kryeministrit dhe kryetarin e bashkisë së Tiranës, nuk është transparente në ndërveprimet e saj me median dhe kufizon qasjen e gazetarëve kritikë. Legjislacioni i propozuar kohët e fundit për mediat, përfshirë një skemë rregullimi të drakoniane për mediat shqiptare dhe të huaja në internet, nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut,”-nënvizoi në një raport paraprak delegacioni.
Misioni për lirinë e medias në Shqipëri, i cili zgjati nga data 18 deri në 21 maj, përbëhej nga Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit ( ECPMF), Artikulli 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Organizata e Medias në Europën Juglindore (SEEMO).




“Ne jemi në mënyrë të veçantë të shqetësuar nga rritja e gjuhës fyese dhe denigruese ndaj gazetarëve nga politikanët, sepse kjo lloj sjellje i hap rrugën kërcënimeve dhe ngacmimeve,” tha Sarah Clarke, nga organizata Artikulli 19 gjatë konferencës për shtyp të mbajtur në Tiranë, ku u prezantuan gjetjet e misionit.
“Ne jemi, gjithashtu, të shqetësuar për vet-censurën dhe jemi të tronditur nga lidhja e ngushtë midis politikanëve, pronarëve të mediave dhe grupeve të interesit,” shtoi ajo.
Gjatë tri ditëve në Tiranë, delegacioni mblodhi informacione dhe pati takime me gazetarë, kryeredaktorë, përfaqësues të shoqërisë civile, organizata ndërkombëtare, ambasada të atashuara në Tiranë dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama. Kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj refuzoi të takohej me delegacionin.
“Fakti që ne jemi këtu tregon se ka një problem,” tha Oliver Vujovic, sekretar i përgjithshëm i Organizatës së Medias në Europën Juglindore. “Shqipëria është një nga vendet e rajonit me problemet më të mëdha në media”,-shtoi ai.

Koalicioni i organizatave të lirisë së medias u shpreh shumë i shqetësuar mbi amendamentet e propozuara nga qeveria për legjislacionin e medias në dhjetor 2018, të cilat parashikojnë vendosjen e regjistrimit të detyrueshëm për media online dhe krijojnë një ent administrativ me fuqinë për të gjobitur dhe mbyllur median online, si dhe me pushtetin që të bllokojë aksesin në median ndërkombëtare pa një vendim gjykate.
“Në konsideratën tonë këto masa përpiqen të fusin rregullimin shtetëror të mediave në internet, gjë që është në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare mbi vetë-rregullimin dhe do të kishte një ndikim të dëmshëm në lirinë e shprehjes, informacionit dhe lirinë e shtypit në Shqipëri,” tha koalicioni.
Koalicioni vuri në dukje se këto amendamente ishin diskutuar gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama, i cili është shprehur se pas kritikave ndërkombëtare të këtij draft-legjislacioni, mundësia për të mbyllur mediat nga qeveria do të eliminohet dhe vlera e gjobave do të ulet.
Koalicioni nënvizoi se mbetet i shqetësuar për mungesën e konsultimeve për draftet ligjore të propozuara, të cilat u paraqitën gjatë periudhës festive të Krishtlindjeve dhe i kërkon qeverisë që të ndërmarrë hapa për ti konsultuar amendamentet me gazetarët dhe shoqërinë civile.
Delegacioni i organizatave të lirisë se medias, gjithashtu, shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të padive për shpije të motivuara politikisht- të depozituara nga politikanë dhe që kërkojnë shuma joproporcionale për dëmshpërblim.
Ato nënvizuan se edhe pse dënimet me burg për raste shpifjeje u shfuqizuan në vitin 2012, shpifja dhe fyerja mbeten vepra penale të dënuara me gjobë dhe vitet e fundit ka pasur propozime për të rifutur në Kodin Penal dënimet me burg për shpifje kundër zyrtarëve të lartë shtetëror.
“Edhe pa kërcënimin e dënimit me burg, mundësia e përballjes me një dënim penal mund ti shtyjë gazetarët drejt vet-censurës,” tha koalicioni. “Ne e inkurajojmë Shqipërinë që t’i shfuqizojë të gjithë ligjet penale për shpifjen dhe fyerjen,” shtoi ai.
Koalicioni u njoftua gjatë takimeve me palët e interesuara se sulmet serioze fizike ndaj gazetarëve dhe kërcënimet mbeten të pahetuara dhe të pazbardhura nga autoritetet. Gjithashtu, gjatë protestave të fundit ka pasur gazetarë që janë plagosur. Ndërkohë, delegacioni është njoftuar se gazetarët investigativë janë hequr nga puna ose kërcënuar për shkak të raportimeve të tyre, në disa raste me ndërhyrjen e dyshuar të politikanëve të partisë në pushtet. Në disa raste gazetarët nuk i kanë raportuar sulmet dhe kërcënimet tek autoritet dhe nuk kanë informuar publikun.
“Ne jemi të shqetësuar që gazetarët nuk i raportojnë sulmet dhe kërcënimet”,- tha Attila Mong nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Delegacioni deklaroi se autoritetet nuk i ndjekin këto raste dhe nuk i hetojnë motivet që qëndrojnë mbas këtyre sulmeve.
“Ne jemi të shqetësuar se dështimi i autoriteteve për t’i hetuar në tërësi këto raste, kontribuon në atmosferën e pandëshkueshmërisë që mund t’i japë guxim autorëve për të ndërmarrë sulme të ngjashme dhe t’i frikësojnë gazetarët që të heshtin”,- thanë organizatat. “Ne jemi gjithashtu të shqetësuar që autoritet kanë dështuar të krijojnë siguri për gazetarët që mbulojnë protesta”,- ata shtuan.
Gjatë takimeve me gazetarë, delegacioni u informua se kryeministri Edi Rama u referohet shpesh medias me termin ‘kazan’ dhe gazetarëve me termin ‘kadri’, ndërkohë lideri i opozitës Lulzim Basha u referohet mediave si të ‘kapura dhe të blera.” Sipas anëtarëve të misionit kjo lloj gjuhe i denigron gazetarët dhe i bën ato shënjestra për sulme në sy të publikut, duke rritur riskun e kërcënimeve dhe dhunës ndaj tyre.
“Ne jemi të alarmuar nga një gjuhë e tillë fyese dhe propagandistike e përdorur nga liderët politik dhe politikanë të tjerë ndaj gazetarëve”,- thanë ata.
Koalicioni, gjithashtu, shprehu shqetësim mbi aksesin e gazetarëve në informacion dhe transparencën e institucioneve. Sipas delegacionit edhe pse Shqipëria ka një ligj shumë të mirë për të drejtën për informimin, administrata publike e kufizon aksesin e gazetarëve të pavarur duke përdorur platformat e saj komunikuese si ERTV për t’i mënjanuar.
“Praktika e imponimit të një lidhje direkte video të kontrolluar nga qeveria apo të materialeve të tjera, kufizon gjerësisht aksesin e gazetarëve në informacion dhe mundësinë e tyre për të dhënë një perspektivë të pavarur mbi veprimet e personave me pushtet”,- tha koalicioni.
Scott Griffen nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, nënvizoi se qeveria shqiptare po i përdor këto teknologji të reja të informacionit për të kontrolluar narrativën dhe për të kufizuar aksesin e gazetarëve kritikë.
Misioni, gjithashtu, konfirmoi shqetësimet e ngritura më parë nga BIRN Albania dhe Reporterët pa Kufij se pronësia e medias shqiptare dhe të ardhurat nga reklamat janë shumë të përqendruara në duart e pak grupeve nën pronësi familjare, me një shkallë të lartë pronësie ndërsektoriale.
Reporter.al


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to kRIST Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ku merrni vesh juve,more” te mjere”.Sa te kemi ERTV,Top e topeve dhe Klanin e klaneve,nen drejtimin e Spiropales dhe Pezes nga Peqini,asgje,vec ketyre,nuk ka c’ti beje medias Shqiptare.

    Përgjigju ↓