MILOSAO

Botime të reja në zhanrin e humorit dhe satirës

18:00 - 23.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shkrimtari Vangjush Saro është një ndër lëvruesit e zhanrit të humorit dhe satirës. Janë të njohura vlerësimet e kritikës letrare për librat e botuar nga autori, midis të cilëve: Romani “Kurora e Ballkanit”, librat me fabula “Trumcaku ftillon Ferrën” e “Gomar apo Kaproll?” si dhe novela “Djali që u bë tullumbace”, e publikuar në shqip dhe anglisht.
Këtë sezon, autori vjen te lexuesit me dy botime të reja: “Misioni i z. Ndrio” dhe libri me fabula “E dashur Dhelpër!” Romani “Misioni i z. Ndrio” është një rrëfim e thirrje për përmirësimin e situatës ekologjike dhe të krizës shpirtërore të shoqërisë së sotme. Libri ka në qendër një profesor të varfër, që ëndërron të ndryshojë Botën, duke kujtuar jetën në epokën kur njerëzimi ende nuk ishte ‘dorëzuar’ te zhurmat, plastika dhe kakofonia e elektronikës.




Aventurat e këtij personazhi në shkolla, biznese, azile, kantiere e plazhe, ku ai shkon për të sensibilizuar njerëzit për këtë degradim, rëndom përfundojnë në mënyrë zhgënjyese. Profesor Ndrio është një ëndërrimtar, një ‘luftëtar’ që për shkak të rrethanave, bëhet grotesk; ai e bën lexuesin të qeshë, por edhe të meditojë: më në fund, pas ndotjes dhe rrënimit shpirtëror, qëndrojnë monopolet dhe sistemi aktual politik.
Libri me fabula “E dashur Dhelpër” është në vazhdën e një sërë publikimeve të autorit në këtë gjini, ku ai përpiqet të performojë në mënyrën e vet, duke kombinuar rrëfimin gazmor me elemente lirike dhe peizazhe të ‘vizatuara’ me pak vargje. Me fabulat e tij, shkrimtari i drejtohet një spektri të gjerë lexuesish, më së pari të vegjëlve.
Librat janë publikuar nga enti ERIK Botime dhe janë ilustruar nga piktorja Alma Skënderi.
Aktualisht, shkrimtari Vangjush Saro jeton në Vankuver (Kanada). Ai mban dy çmime kombëtare: Për librin me tregime “Biri i ambasadorit” dhe për novelën “Polic Këmbëvogli”. Disa nga krijimet e tij letrare e publicistike janë publikuar edhe në gjuhë të huaja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.