MILOSAO

KTHIMI NË SHTËPI

18:00 - 23.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Poli Loman – Ai mëngjes janari i vitit 1989 ishte tmerrësisht i ftohtë. Gjithë veriu i Shqipërisë ishte ngujuar nga bora. Në Qafë Bari kishte rënë mbi një metër. Frynte një erë e akullt.
Kjo është dita ime, mendoi Jorgoja, pasi u zgjua. Nuk priste dot sa t’i thërriste emrin operativi. Nuk kishte vënë dot gjumë në sy. Çfarë do ndodhte tek dalja? A ishte shqyrtuar dosja e tij nga Ministria e Brendshme? Kishte ardhur leja për lirimin e tij apo ishte penguar nga linjat e prishura të telefonit?
Shokët ju mblodhën rreth krevatit një natë më parë për t’i dhënë lamtumirën. Ishin mësuar me njëri-tjetrin. Kënduan dhe derdhën lotë gëzimi. U përqafuan dhe kënduan sërish. Derdhën përsëri lotë. Festën e ndezën, ashtu në mënyrën e tyre, derisa polici i shërbimit u mbylli dritën dhe urdhëroi të vendosej qetësia. Shumë të burgosur nuk e kishin përjetuar dot këtë moment. Ai po. Ja, emri i tij kumboi nga megafoni. Jorgo Opari duhej të paraqitej tek operativi. Përqafoi Stavrin. Shokut të tij të ngushtë i duheshin dhe disa muaj për të dalë. Eci në drejtim të daljes. Kur ishte afër portës ktheu kokën nga shokët. Vërtet po linte pas punën e rëndë nëpër galeri, përpjekjet për t’u arratisur, intrigat, torturat e dy viteve të fundit, por edhe ato të Spaçit duruar dhjetë vite me rradhë? Për herë të fundit ua bëri me dorë shokëve të mbledhur tek sheshi.
Formalitetet u kryen shpejt. Rrobat e kampit i la aty dhe veshi ato që i kishte dërguar familja. U habit kur në korridor pa Zefin, i cili ishte liruar një javë më parë. Ai kishte akoma uniformën ngjyrë kafe të kampit. Ashtu i parruar dukej komplet i këputur. Priste dot Jorgoja edhe disa ditë që të niseshin sëbashku? Rrugët ishin bërë të pakalueshme. Pemët ishin shkulur nga stuhia dhe linjat telefonike ishin prishur. Telefonat nuk punonin as me çentralin. Por Jorgoja nuk mund të priste. Duhet të shkonte patjetër në shtëpi. E kishte lajmëruar familjen dhe ata e prisnin. Nuk bëhej merak për borën. Zefi e pyeti nëse kishte dëgjuar për oficer Markun, i cili ishte nisur për në shtëpi në fundjavë dhe ishte sulmuar nga një kope ujqërish. Kishte qëlluar tre, por kjo gjë i kishte acaruar të tjerëte dhe më keq. Vetëm kapelja dhe revolveri i tij ishin gjetur katër kilometra larg kampit. Njollat e ngrira të gjakut në borë, i linin shumë pak vend imagjinatës. Ecja deri në Shën Pal, ku ndalonin kamionët, zgjaste gjashtë orë. Në borë do të thoshte nja shtatë a tetë orë të mira. Mundësia që dhe ai të sulmohej nga ujqërit ishte e madhe. Jorgoja u mendua për pak. Nuk kishte frikë. Ta linte lirinë e tij të varej nga bora?! Jo, nuk mund të priste. Duhet të ikte sa më parë. Larg nga operativi i pashpirt, para se ai të ndohte duart, siç kishte bërë edhe me të tjerë. Sikur ujku më i rrezikshëm i ‘kopesë’, të ishte gati ta sulmonte atë? Cilin skenar kishte bërë gati për të? Kë kishte detyruar të dëshmonte kundër tij? Mos kishte folur gjë në gjumë kundër Partisë dhe ia kishin çuar të ngrohtë operativit? Para syve ju shfaq operativi. I lexoi akuzën e re dhe e dërgoi përsëri në ferr. Jo, tani që ishte i lirë, nuk do t’i lejonte atij asnjë sekondë kohë për të thurrur plane. Më mirë ujqërit përjashta se sa kopenë e Qafë-Barit. ‘Jo, më pret familja,’ i tha Zefit dhe i vendosur doli jashtë në bardhësinë që i vrau sytë.




#
Vasili ishte në ashef. Në të dy furnellat me gaz zjenin tenxheret. Evelina hynte e dilte dhe e pyeste nëse mund ta ndihmonte me diçka, por Vasili donte t’i bënte të gjitha vetë. Kishte bërë një goxha plan. Dy javë të tëra ishte marrë me pazarin dhe mezi kishte vendosur se çfarë do gatuante për shtatëmbëdhjetë veta. Tavolina duhej të shtrohej si për festë. Më në fund i vinte djali! Më në fund, kompletohej familja. Jo ti e kishte pyetur se përse nuk e kishte parë dajon e tij asnjëherë. Tina ia kishte treguar se dajoja punonte për ushtrinë dhe se nuk i jepnin leje për të vizituar familjen. A e kuptonte dot një fëmijë si vërtitej bota për t´í treguar historinë e vërtetë? Cilat pyetje do të bënte dhe cilën përgjigje do të kuptonte? Po edhe nëse do ta kuptonte dhe do t’ua tregonte shokëve ashtu siç bëjnë fëmijët, çfarë do të mendonin vallë ata? Vetëm dy nipërit e mëdhenj e dinin se dajoja i tyre nuk punonte në ushtri, por në një kamp pune. Pse-ja ishte e ndërlikuar edhe për ta. Mbase kishte ardhur koha t’ua tregonte. Vasili kishte tre mbesa dhe katër nipër. I madhi, Leoja, i Krisës dhe Filipit, mbushte tetëmbëdhjetë dhe ishte maturant në liceun artistik të Tiranës. Donte të bëhej skulptor.
Tani që Jorgoja do lirohej, shpresonte që biografia e njollosur të mos e pengonte më. Kjo gjë do dukej nga qershori, nëse Leoja, si skulptori i ri i talentuar do pranohej në akademinë e arteve. Nga cila anë do anonte peshorja? Do ta shikonin si djalin e një komunisti të përkushtuar, siç ishte Filipi, anëtar Partie me të gjitha privilegjet përkatëse, apo do ta vinin në listën e zezë si nipi i një armiku të rrezikshëm të popullit dhe do ta refuzonin? Vasili e dinte se Filipin e mundonte shumë kjo gjë. Bustin e Enver Hoxhës që i kishte dhuruar Leoja, e kishte vënë në korridor. Vend i përshtatshëm. Nuk e vinte dot në ndonjë vend më të mirë në shtëpi. Ku e merrte dot vesh një fëmijë si ishte puna? Ai ishte kaq krenar për punën e tij. Me atë bust kishte fituar çmimin e parë në një konkurs të shkollës, ku i mësonin se Partia kujdesej për ta si një nënë e mirë. Dashurinë për udhëheqësin e Partisë ja kishin ushqyer që në klasën e parë. Kështu nuk detyrohej ta shikonte vazhdimisht bustin, dhe ishte dhe një vend i përshtatshëm për ata që vinin vizitë që të mendonin më ndryshe për ta. Busti mund t´i mbronte nga syri i lig, dhe t’u largonte internimin. Në korridor do vihej.

#
Jashtë kishte kaq shumë dritë. Gjithçka ishte e bardhë. Rrezet e një dielli si me dhëmbë që thyheshin në kristalet e borës e verbuan. Bora kishte mbaruar së rëni, dhe era ishte fashitur. Cilin drejtim të merrte? Aty bora i vinte deri në brez. Disa gjurmë të vjetra mbuluar me një shtresë të re bore, ishin i vetmi orientim. Andej të ishte rruga?Vendosi ta ndiqte. Të ishte ky shtegu i oficer Markut? Pa se si udhëheqësi i kopesë i doli përpara dhe u paralizua nga frika. Jo, kjo nuk mund të ndodhte! Nuk duhet të ndodhte! Për të atin, jo! Një tjetër ujk i tharë nga uria e kërcënoi me dhëmbët e tij të mprehta dhe i kafshoi pulpën. Po çuditërisht Jorgoja nuk e ndjeu dhimbjen. T’i ishin ngrirë këmbët kaq sa të mos ndjente më dhimbje? Një ujk i dytë e sulmoi nga se priste dhe i nguli dhëmbët në krah. Bota po i vinte rrotull. Dhimbjen e kafshimit të dytë e ndjeu, por nga krahu nuk i doli gjak. Prap ju bë sebep ajo gjë? Mendonte se sa të lirohej nuk do t´i shfaqeshin më haluçinacionet. E shkundi veten për t´u shkëputur nga dhëmbët e ujqërve. As mos mendo, as mos mendo! Mos i kishte mbijetuar dy herë nga dhjetë vjet burgut për t’u ngrënë nga një kope ujqërish? I ati nuk do t’i rezistonte dot lajmit. Dhe nëse ky ishte fati i tij, nëse ai u shkaktonte vetëm dhimbje njerëzve të dashur, i tij ishte faji? Por tani i duhej të ecte, larg nga ky labirint bore. Ishte kacavjerrë jashtë pusit të errët të Qafë-Barit. Asnjë ujk nuk mund t’ia vidhte këtë. Me shumë mundim e çante rrugën nëpër borë. Rrobat i ishin bërë qull dhe duart i ishin skuqur nga të ftohtit. I digjnin edhe pse pas një ore mundimesh nëpër borë, nuk i ndjente më majat e gishtave. Arriti në pjesën më të lartë të kodrave. Ja ku kishte gjithë atë bukuri përpara syve. Mahnitëse ishte!Vargmali para tij ngrihej i lartë, i pjerrët dhe plot maja të thepisura. Ishin pamje që nuk do t’i harronte kurrë, por nëse rruga e tij do kalonte në kurrizin e atij mali, do të bëhej një ngjitje e vështirë. Para tij ngriheshin kurorat e akullta të pemëve të vetmuara, si kërpudha të bardha gjigante. Apo ishin igloindianësh ku mund të strehohej? Donte të ndalonte sa për të marrë njëherë frymë, por i dukej e pamundur. Vazhdoi drejt jugut duke mbajtur vetëm diellin si pike referimi. Pantallonat i ishin ngjitur në pulpa dhe e pengonin në ecje. Gishat e këmbëve i kishin ngrirë. Pas dy orësh filloi të binte borë. Era që nisi të frynte e ngrinte borën dhe ia përplaste në fytyrë. Për njëfarë kohe eci me sytë mbyllur. Sikur të kishte një kapuç. Sa mund të duronte në këto kushte? Ndjehej kompleti këputur, por duhet te vazhdonte. Kurajo! Një zjarr sado i vogël do t’i bënte mirë, por me vete nuk kishte as shkrepëse, le pastaj ndonjë drutë thatë. Edhe nëse do të mbijetonte nga ky rrugëtim, si do reagonin njerëzit ndaj tij? Me përbuzje? Përçmim? Refuzim? A do kishte ngelur ndonjë njeri me trutë pa shplarë në qytet që mund të kuptonte se ai ishte i pafajshëm? A do të mund të kuptonte ndonjë nga shokët e tij të vërtetën e asaj që kishte ndodhur? Ç’kishte ndodhur në botën e të lirëve ndër vite? Nga cila anë frynin erërat tani? Nuk ishte më një tetëmbëdhjetëvjeçar, por një burrë në të dyzetat. Jorgoja u përpoq që të largonte mendimet negative dhe ndër mend solli Zojën, të dashurën e tij. A do ta pranonte ajo? Në buzë i ardhi një këngë dashurie dhe filloi ta këndonte lehtaz. Njëzet vjet pa të. Ju shfaq e qeshur dhe më e bukur se kurrë. Ai e përqafonte, e puthte pa pushim dhe ndjente ngrohtësinë e trupit të saj. Ashtu duhet të qëndronte, gjithmonë pranë tij. Me të në krah, mund ta përballonte udhëtimin. Vazhdo! Vazhdo! Edhe pak mundim dhe do ta shihte përseri.

#
Duheshin shtatë orë rrugë më këmbë për të arritur në Shën Pal. I stërmunduar nga lodhja mbërriti në një stacion ngarkim-shkarkimi për kamionat. Mos ishte nga flokët e ngrira dhe fytyra e skuqur që ju jepte njerëzve të kuptonin se kishte dalë nga burgu? Ai ndjente shikimet e tyre shpuese dhe armiqësore pavarësisht nga rrobat civile. Pa dy kamionë të parkuar, por ato nuk do niseshin atë ditë. Tërë javës nuk kishin lëvizur makinat. Pas një ore vendosi të vazhdonte të ecte. Mbase mund të flinte në ndonjë fshat të afërt. Pas nja dy orësh do ngrysej. Papritur dëgjoi zhurmën e një kamioni që po afrohej. Të nisej ai?
Shoferi zbriti nga kabina. Kishte ditë pa u rrojtur, dukej si i shkalafitur dhe binte erë benzinë. Jorgoja e pyeti nëse do të nisej atë ditë, por burri i ktheu një jo të thatë. Aq i lodhur sa ishte ai pas tre netëve pa gjumë në kabinë as që bëhej fjalë. Po kjo nuk mundej! Nuk duhej! Vështirë të mbijetonte dot një natë në qiell të hapur. Jorgoja i tregoi se sapo kishte dalë nga burgu pas një dënimi të dytë prej dhjetë vjetësh dhe ju përgjërua shoferit që të paktën ta çonte në një vend tjetër ku kishte më shumë lëvizje, që të mund tëvazhdonte udhëtimin e tij për në Korçë me ndonjë makinë tjetër. Nxitohej se e priste familja. Shoferi e vështroi në sy. Nga burgu i Qafë Barit kishte dalë? I njihte gjë…? Dhe shoferi përmendi katër emra. Jorgoja i njihte të katër. I tregoi se dy vitet e fundit i kishte bërë në Qafë Bari dhe para tyre kishte qënë në Spaç. Jorgoja e vështroi me përgjërim. Në sytë ngjyrë kafe të shoferit lexoi një shpirt të butë. Ta bënte? Shoferi e pa nga koka në këmbë, u mendua dhe ia bëri me shenjë të hipte në kabinë. Do niseshin sapo të ngarkohej me pirit dhe panele druri.
U nisën rreth orës pesë mbasdite, kur filloi të ngrysej. Nga kabina Jorgoja vështronte male të larta të bardha dhe rrëze tyre gremina të thella që thithnin, rrugë të gjarpëruara gropa-gropa që e rrisnin mundësinë e rrëshqitjes. Ishte ngopur me malet dhe borën. Mezi priste të arrinte në qytetin e tij. Si do të ndjehej kur të ecte përsëri në bulevardin e Korçës? Shoferi ia ndërpreu mendimet duke e pyetur se si kishte rënë brenda. Jorgoja i tha se kishte bërë dy herë nga dhjetë vjet për të famshmin ‘agjitacion-propagandë’. Herën e parë me një përpjekje për t´u arratisur, edhe kishte bërë diçka, po herën e dytë për parrullat, ishte komplet i pafajshëm. Shoferi u gëlltit. Eqeremi, një shoku i tij i fëmijërisë, kishte rënë brenda po për ‘agjitacion-propagandë.’ Po, gati të gjithë politikët me atë nen i kanë dënuar, shtoi Jorgoja, dhe kuptoi që i shpëtoi gjuha. Po sikur shoferi të ishte pjesë e ndonjë kurthi? Po sikur diku më tutje ta priste ndonjë makinë që do e kthente përsëri në Qafë Bari? Jorgoja u mendua. A nuk kishte qënë gjithmonë gjuha e tij dhe dëshira për t’u treguar i dashur me njerëzit që e kishin sjellë deri këtu? Mos u bëj kaq naiv, i tha vetes dhe vendosi të fliste përciptazi edhe pse diçka brenda tij i thoshte që ta besonte. Kjo ndjesi i dukej marrëzi. Njëzet vjet burg i kishin mësuar ti njihte njerëzit, thjesht nga pamja e jashtme dhe mënyra se si shikonin, flisnin, reagonin. Shqisat i konfirmonin se mund ta besonte shoferin, por në të njëjtën kohë i duhej të mbante sytë hapur. Mund të ishte ujk i veshur si dele e butë. Herën e dytë, ndësa ishte rrugës për në punë i kishte zënë pritë makina e hetuesit dhe ajo e policisë. Ahhh, kujtimi i asaj dite i lëndonte shpirtin. Shoferi e pyeti për Eqeremin. Jorgoja i tregoi se kishte punuar me të për disa muaj në një brigadë. Njeri i mirë dhe punëtor. Edhe atë kot e kishin futur. Bashkë bënin normë të dyfishtë për të blerë ditë lirie. Sytë e shoferit u njomën nga lotët. ‘Më mungon shumë, ishte shoku im më i mirë. Jemi rritur bashkë, ishim si vëllezër. Kam vajtur disa herë për ta takuar, por nuk më lejuan se nuk jam i familjes’. Fjalët e tij e prekën Jorgon pa masë. Nuk mund të ishte kurth. Vendosi ta besonte. I tregoi se merakosej për Eqeremin. Që prej disa muajsh e kishin futur në një grup pune me dy spiunë. Jorgoja i njihte ata nga Spaçi. Iknin kamp më kamp dhe i spiunonin të burgosurit sapo fitonin besimin e tyre. Dhe operatori nuk e bënte atë gjë pa ndonjë plan. Shumë shokëve u ishin vënë dënime të reja gjatë vuajtjes së dënimit të parë apo në dalje, kur liroheshin. Disave nga dhjetë vjet, por kishte bërë vaki t’ju jepnin edhe njëzet vjet shtesë. Nata ishte e gjatë, dhe për ta mbajtur shoferin zgjuar, Jorgoja i tregonte histori për heronjtë, artistët, muzikantët dhe shkrimtarët e kampit. I tregoi edhe për revoltën e 73-shit në Spaç dhe atë të Qafë Barit, që s’kishte dhe aq shumë që kishte ndodhur. Ai i kishte përjetuar të dyja. Shoferi bënte pyetje pas pyetje. Për revoltat nuk ishte publikuar gjë në shtyp.
#
Vasili kënaqej me zhurmën e nipërve dhe mbesave që luanin me borë para portës. Kishin bërë një njeri prej bore dhe gjuanin njëri-tjetrin me topa bore. Ai dëshironte të rronte aq sa të mund të shikonte dhe një filiz të djalit të tij të luante mes tyre. Ndërkohë të gjithë kishin mbërritur dhe gatimet ishin gati. Evelina dhe vajzat shtronin tavolinën ndërkohë që burrat dëgjonin historinë që tregonte Filipi për një aeroplan zbulues armik të kapur brenda qiellit shqiptar. Lajmi ishte akoma sekret, por ai mund t’ua besonte kunetërve. Vasili kishte bërë kërcunjtë e druve gati për ta mbajtur zjarrin ndezur. Atë natë nuk do vinin gjumë në sy. Vetë kishte dy net me rradhë që nuk e zinte gjumi. Posaçërisht për Jorgon kishte bërë mish qengji të pjekur, lloj-lloj salcash dhe perimesh që shkonin me mishin. Nga shefi dilte një përzjerje e këndshme aromash dhe Vasili ndjehej i gëzuar që po e priste të birin me gjërat më të mira që kishte.
Evelina kishte disa javë që merrej me pastrimin rrënjësor të shtëpisë. Gjithçka duhej të ishte qelibar për ardhjen e Jorgos. Kishte lyer muret me gëlqere, kishte larë xhamat, kishte shkundur qilimat dhe dyshemetë e drurit i kishte fërkuar me furçën metalike derisa të gjitha dërrasat të ndrinin si dyll i verdhë.
Ora kaloi tetën dhe Jorgoja nuk kishte ardhur akoma. Ushqimi u ftoh. Vendosën t’i ulnin fëmijët për të ngrënë.Vetë mund të hanin edhe më njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë të natës. Evelina do kishte dashur të kishte marrë një telegram nga Jorgoja, ku të paktën të thuhej se në ç’orë ishte nisur. Ju qa Vasilit duke i thënë se e mundonte një parandjenjë e keqe, pikërisht sepse kishte dëgjuar që rrugët në veri ishin të zëna nga bora. Vasili e urdhëroi të mbyllte gojën; nuk ishte nevoja të frikësonte dhe të tjerët. Nëse ishte e nevojshme do prisnin gjithë natën. Vetëm djali t’u vinte pas asaj nate të gjatë. Mund të shtronte dy dyshekë përdhe të shtriheshin fëmija dhe mundësisht të kujdesej që të gjithë të kishin për të pirë. Joti, më i vogli i nipërve, pyeti se me kë ngjante daja. Nuk e kuptonte pse nuk e kishte parë asnjëherë dhe pse nuk i kishin dhënë lejë nga puna, të paktën sa për një vizitë. Evelina u gëlltit dhe i tregoi për komandantin shumë të rreptë që kishte ushtria, i cili nuk i kishte dhënë asnjë ditë të lirë. Por sonte ai do të vinte në shtëpi dhe nuk do të punonte më për ushtrinë.Vasili filloi një serenatë kur pa se pritja e gjatë i lodhi të tjerët. Ua bëri me shenjë vajzave që ta shoqëronin duke shpresuar se edhe dhëndurët do bashkoheshin me ta.
#
Jorgoja u zgjua nga një tronditje e fortë. Kamioni bënte një zhurmë të tmerrshme, gërhitëse. Shoferi u zgjua si i përpëlitur. Jashtë ishte pus. Dritat e kamionit ndriçonin rrëzën e malit. Shoferi shtypi menjëherë freksionin dhe fiku motorin. Zbriti nga kabina. Sa me fat që ishin që nuk kishin rënë majtas në greminë! Pjesa e rrugës ku po ecnin ishte e drejtë dhe kjo gjë u kishte shpëtuar jetën. Po të kishin dalë nga ndonjë kthesë nuk do t’i kishin mbijetuar përplasjes. Shoferi ishte i shqetësuar ngaqë pjesa e përparshme e kamionit ishte mjaft e dëmtuar. Kontrolloi nëse ndizej motori dhe nxori disa dërrasa nga ngarkesa për të kthyer kamionin përsëri në rrugë.
‘Do t’ia dalim mbanë,’ i tha Jorgoja shoferit për t’i dhënë zemër.
#
Rreth orës një të natës u shurdhuan bisedat në dhomën e ndenjes; fëmijët flinin mbi dyshekë, por dhe dy dhëndurët i kishte zënë gjumi. Për Vasilin u bë e qartë se Jorgoja nuk do të vinte atë natë. Cila makine do ta sillte pas mesnatës? Autobuzat e fundit arrinin rreth orës njëmbëdhjetë në stacion dhe transport tjetër nuk kishte. Po prisnin më kot dhe asnjë nuk guxonte ta thoshte sepse nuk donin të lëndonin më tepër Vasilin dhe Evelinën. Filipi i mërmëriti diçka nëpër dhëmbë Krisës. Prap po ju sillte telashe ai vagabondi? Ajo i ktheu një vështrim të rreptë. Të guxonte të thoshte dhe ndonjë fjali të tillë, dhe ai nuk e prekte më me dorë. Tavolina kishte mbetur e shtruar, gati për të ngritur dollinë sapo të hynte Jorgoja. Një dritë kandili ndriçonte mbi tavolinë. Evelina e kishte mbyllur dritën për të kursyer korentin. Vasili vetë refuzonte të bënte ndonjë sy gjumë, por nga ora katër e mëngjesit, i lodhur siç ishte, iu mbyllën sytë vetvetiu.
Rreth orës pesë në mëngjes, kur të gjithë kishin rënë në një gjumë të thellë, Vasili u ngrit menjëherë nga zhurma e guriçkave që përplaseshin në dritaren e dhomës së ndenjes. Kërceu nga krevati dhe thirri: ‘O bir! O biri im! Më në fund!’ Nxitoi të dilte nga dhoma pa u menduar se mund të pengohej duke kapërcyer fëmijët që flinin përdhe dhe zbriti shkallët. Hapi portën duke iu dridhur duart. Përqafimi zgjati gjatë. Lotët i rridhnin lumë. Koka e Jorgos u mbështet për pak mbi supin e Vasilit. Qanë. Të dy u përqafuan, u puthën dhe s’ndaheshin dot. Evelina, e cila zbriti poshtë direkt pas Vasilit, hapi krahët, pushtoi të birin dhe e mbështeti pranë gjoksit të saj. Motrat e përqafuan dhe puthën me lot në sy.
Sa shumë kishte ndryshuar nga pamja. Dita e kishte vizituar disa herë në Spaç, por dy vitet e fundit që ishte në Qafë Bari, nuk kishte mundur të shkonte. Dita donte t’i thoshte se ishte dobësuar së tepërmi, por u përmbajt. Si mund të dukej ndryshe me ushqimin aq të keq dhe racionet e kufizuara. Ishte e lumtur që më në fund kishte ardhur në shtëpi. Ajo i ledhatoi kokën me flokët e prerë shkurt dhe e tërhoqi drejt saj për ta përqafuar fort. Derdhi lotë gëzimi dhe hidhërimi në të njëjtën kohë. Fëmijët zbritën nga shkallët dhe u sulën të përqafonin dajën. Sa ishin rritur! Sa mirë që më në fund ishte në shtëpi. Jorgoja shikonte brenda shtëpisë për të parë se çfarë kishte ndryshuar gjatë dhjetë vjetëve. Busti i Enver Hoxhës në korridor i ra menjëherë
në sy. Pushti, që ishte fajtori kryesor për vuajtjet e tij njëzetvjeçare nëpër burgje e kampe, qëndronte në korridorin e shtëpisë së të atit! I hipi gjaku në kokë dhe i tha të atit: ‘Kush na e ka bërë nder?’ Kur dëgjoi se e kishte bërë vetë Leoja, reagoi i inatosur. ‘Nuk bëje dot një bust të gjyshit Vasil, ti Leo? Do kishte qënë shumë më mirë!’
Të atit i drejtoi një vështim shkatërrues, tundi kokën ‘Jo’ nga Leoja, dhe pa përsëri të atin. ‘O ai, o unë!’
Vasili u gëlltit. ‘Jorgo, bustin duhet ta mbajmë. Sidomos tani që u ktheve ti. Ti nuk di gjë si është jeta jashtë burgut. Ne jemi me Partinë,’ u përgjigj ai duke parë nga Filipi. Kështu erdhën kohërat. Është e rëndësishme. Përpiqu ta kuptosh të lutem.’ Jorgoja nuk po kuptonte asgjë nga biseda me të atin. Nga se kishte frikë ai? Mos kishte ndryshuar gjë babai, apo duhet të fliste kështu për hir të dhëndrit apo të komshinjve?
Sa për Jorgon, busti e kishte vendin në qilar. Më mirë akoma do ishte ta hidhte përtokë dhe ta bënte copa-copa duke e shkelur me këmbë, derisa të bëhej pluhur. Vasili psherëtiu thellë. ‘Kur digjesh nga supa i fryn dhe kosit, o bir’.
Vasili u përpoq të ndërronte temën e bisedës. Kishin ndryshuar shumë gjëra që kur kishte ikur Jorgoja. ‘Por thesin dhe dorezat e boksit t’i kam ruajtur poshtë siç i le.’ Jorgoja buzëqeshi. Kjo gjë ishte shumë kuptimplotë për të. ‘Po Dori, shoku i tij, kampioni i boksit, a kishte dalë nga burgu i Burrelit?’ Vasili tundi kokën me një ‘Jo’.
Evelina qante. Ishte gati e pabesueshme që i ishte kthyer i biri. I dukej si kur për vite me rradhë kishte jetuar një ëndërr të keqe që i shfaqej natë pas nate, dhe tani më të gdhirë kjo ëndërr do t’i largohej më një psherëtimë. Ndjente se do çlirohej prej saj njëherë e përgjithmonë.
Krisa e pyeti si kishte kaluar rrugës. Jorgoja e pa në sy dhe s’mundi të nxirrte dot fjalë, por vetëm qante. Dhjetë vjet të gjata pa u parë. Ajo ishte e vetmja motër që nuk kishte shkuar ta takonte në burg gjatë dënimit të dytë. Ishte gruaja e një komunisti të betuar, por mbetej motra e tij. Arsyen e dinte mirë, por përsëri i dhimbte në brendësi të shpirtit.
‘Pse zgjodhe të punoje për ushtrinë, daja Jorgo?’ e pyeti Joti kur u futën në dhomën e ndenjes.
Jorgoja u gëlltit……


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.