MILOSAO

Një ekspozitë e veçantë fotografie

20:00 - 23.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qerim Vrioni* – Para disa ditësh në një nga mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, u hap ekspozita
fotografike me titull “Vortex” (Vorbull) të autores së re Vojsava Sulo, studente e vitit të dytë, në Degën Dizajn në Albanian University të kryeqytetit. Në ekspozitë, e cila është përmbledhje e punëve për lëndën e fotografisë, u paraqitën 36 punime të ndara në 12 kategori.
Vlen të theksohet se, për të arritur tek punimet e ekspozuara, autores i është dashur t’i përzgjdhi ato ndër mijra foto të realizuara, punë tepër e madhe, sidomos po të kihet parasysh ndërkoha prej vetëm 8-9 mujore e realizimit të tyre. Gjatë këtyre muajve ajo ka pasur nxitëse dhe përkujdesje fjalën e mençur dhe plot kulturë të pedagogut të fotografisë, dr. Shpend Bengu, i shquar më herët edhe në lëvrimin e multimedia-s në universitetet brenda dhe jashtë vendit. Madje, edhe nisma dhe kurimi i kësaj ekspozite i takon atij
Shënojmë, veç të tjerash, se shpenzimet për përgatitjen dhe hapjen e ekspozitës janë mbuluar nga familja e studentes Sula, të cilat ekspozita i ka justifikuar plotësisht.
Fotografia, kjo veprimtari shoqërore, shkencore, politike, por edhe artistike, e pagëzuar rreth 180 vite më parë nga Akademia Franceze, ka kryer një udhëtim të gjatë deri në ditët tona. Ajo, gjatë rrugëtimit të saj, është ushqyer me teknika dhe tematika te reja, përveç përdorimit të përditshëm, i le brezave një pjesë të vogël të shkrepjeve, më ndryshe ajkën e ajkës, ato që i ngjallin kënaqësi estetike njeriut e që futen në Fotografinë e Artit dhe në Historinë e saj.
Sot kudo në botë po përdoren gjerësisht për fotografim edhe telefonat celularë, të cilët falë zhvillimeve të vrullshme teknologjike kryejnë afërsisht rolin e aparatit fotografik digjital, pra me shumë mundësi teknike të kapjes së imazhit. Me një të tillë ka punuar edhe Vojsava për realizimin e këtyre fotove, por me aftësi të veçanta përdorimi, duke arritur edhe në hapjen e ekspozitës “Vortex”.
Shumica dërmuese e fotove të paraqitura janë në bardhë e zi, pak fare janë me ngjyra, si duket fotografja e re, pëlqen më shumë imazhe me dy ngjyrat zanafillëse të fotografisë, shenjë edhe e kërkesave estetike të saj por edhe kerkesë e pedagogut.




Një pjesë të fotove të parqitura në ekspozitë, edhe sipas fjalëve të vet studentes, i ka realizuar pasi e ka menduar gjatë paraprakisht subjektin. Këto lloj shkrepjesh, hyjnë në fotografinë konceptuale, lëvrimi i të cilës në vendin tonë ka kohë që eksperimentohet nga të tjerë fotografë, por qe nuk ka mundur te permblidhet në një ekspozitë të veçantë si ne rasyin e “Vortex”. Kjo gjini e fotografisë eshte trajtuar që në fillimet e shek. XX dhe i përket filozofisë së lëvizjes Dada. Ndër te parët që u eksperimentuan me elementin e vortexit në komunikimin vizual ishte dhe njëri prej themeluesve te kësaj lëvizjeje Mercel Dushamp (“Anemic Cinema”). Me tej artiste te shumtë filluan të ekperimentonin dhe lëvronin këtë lloj gjinie të fotografisë e cila shkonte në kah të kundërt me fotografinë narrative dokumentare.
Në vitin 1916 për herë të parë në Historinë e Fotografisë, Alvin Langdon Coburn hap dhe ekspozitën me titull “Vortographs”.
Disa foto të tjera të ekspozitës janë realizuar me ekspozim të zgjatur, po jo teknikisht pastër, pra me përvijime rrethore të turbullta, ndonëse përcjellin te shikuesi kumte të caktuara edhe estetike. Shpesh herë, objekte të kapjeve të ekspozuara janë sende dhe gjendje të tyre nga më të thjeshtat e përdorimit të përditshëm, merita e studentes qëndron në kthimin e tyre në subjekte arti. Të gjitha ciklet janë pjesë të eksperimenteve të teknikave të forografisë konceptuale, si fotografia sekuenciale (strobo) eksperimentuar nga Gjon Mili, fotografia anamorfike, abstrakte etj.

Duhet venë në dukje se mënyra e zgjedhur e paspartimit të fotove, si të thuash genuine, pra pa korniza dhe hapësira i përshtatet fare mirë natyrës së fotove e rrjedhimisht edhe të gjithë ekspozitës.
Kjo ekspozitë, për natyrën e saj që rrëzëllit risi, shërben edhe si një shembull se si të rinjë të talentuar dhe kurajozë mund të ecin në rrugë të pashkelura, duke grishur edhe të tjerë bashkëmoshatarë të ndjekin shembullin e saj. Po ashtu, ekspozita flt qartë se ajo do shërbej si gur themeli për pasionin e ri të studentes Sula, që ka rrugë të gjatë, të vështirë dhe të bukr para saj.
Fotografia prej shumë vitesh ka treguar se ka zemër të madhe dhe se brenda saj ka vend për të gjitha teknikat dhe tematikat, dhe ekperimentet si në rastin e ekspozitës “Vortex” të fotografes së re Vojsava Sula.
*Studiues fotografie


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.