MILOSAO

Përshkrimi i dashurisë nën terror/ Epistolari i Mark Ndojës me Milenën, nga internimi dhe privacioni.

13:00 - 23.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Mark Ndoja na ka lënë shumë punime e studime të ndryshme cilësore, përkthime të vështira nga letërsia klasike e krijime, por ky epistolar duket se përmbush atë që njerëzit duhet të dinin për këtë personazh, emri i të cilit del në dekada të tërë të historisë sonë letrare. Një njeri i përgatitur që debatoi për anën ideologjike në Lidhjen e Shkrimtarëve, kontradikta prej të cilave do ta pësonte në mesin e viteve ’50.




Koha për të cilën po shkruajmë është nga më të dhimbshmet sepse e bën ish-deputetin e Shkodrës që të përfundojë në internim. E kalon duke lexuar dhe duke u munduar t’ua bëjë jetën sa më të qetë njerëzve të tij, por letrat që shkëmben me Milenën, të shoqen janë vërtetë të jashtëzakonshme për ngrohtësinë, dashurinë njerëzore dhe sinqeritetin.
Leka Ndoja, fëmija i vogël që përmendet kudo në këtë epistolar, shumë vite më vonë do ta përcjellë një gjendje të veçantë që krijoi një çift i tillë nën diktatin komunist. Është e kuptueshme se në këtë epistolar mungon patetizmi që mveshin sot shumë personazhe për të treguar privacionin. Në rastin tonë, kjo e fundit përcillet përmes dashurisë së një çifti me tre fëmijë të vegjël.

Sikur të jetë një familje që jeton në normalitet dhe me vetëm lejen e dy letrave në muaj, ata parashikojnë gjithçka dhe ndihmojnë njëri-tjetrin për të kaluar jetën e vështirë, por edhe për ta kthyer në normalitet kaosin. Shqetësimi janë fëmijët, jeta e tyre, shëndeti, mbijetesa e vështirë, mbarëvajtja në shkollë, dhe librat. Mark Ndoja është një këshillues i mirë dhe mundohet që fëmijëve t’u japë kulturën por edhe dinjitetin e nevojshëm Tek e fundit, ajo do të jetë aseti i tyre në jetë por edhe emri që do mbartin. “Marintën, forcoje e qortoje, mos të qajë me dënesë. Ti vetë jepi shëmbullin e para, E dij se ka në botë natyra të prekëshme, por edukimi mund të bajë sumë me to për t’i kalitë dalkadalë, derisa të jenë të zojat me durue e kapërcye çdo dhimbje me burrni e me stoicizëm”…”Kij kujdes shëndetin tand e të fëmnijvet, kij kujdes edukatën e bijve tonë të dashun, kujtimi i dashurisë sonë të paharrueshme. Ti më pe e më ndigjove vetë; unë ndaj teje jam po ay që kam qenë gjithmonë. Por dëshpërimet që të ka shkaktue, dije se s’janë bamë me qëllim por karakteri im i rrëmbyeshëm, nganjiherë edhe i ashpër në disa rrethana më ka shty në gabime që ti ndoshta s’do të mund m’i falësh kurrë”…

Dhe, nga ana tjetër përcillen disa letra të kuruara me kujdesin më të madh dhe qetësinë e një familje, që në fakt, e qetë nuk mund të jetë. Milena flet me detaje dhe tek-tuk “rrëshket” pak, kur bëhet sentimentale, por sërish bëhet e fortë. Një njeri që i njeh ato kohë duhet të kuptojë mirë privacionet, por edhe kërcënimin, nëse do e teprojë, por Milena i shkruan letra, ku pragmatizmi i jetës dhe kujdesi si shkruan tregon realisht vështirësinë e përballjes së familjes. Shqetësimi gjithnjë mbeten fëmijët, jeta e përditshme prozaike, librat, fjalorët dhe aty ku kujdesi për të mos e tepruar, që të përplaset me censurën, rrjedhin fjalët e dashurisë së Milenës: “Dhe unë jetoj me parafytyrimet dhe dyke imagjinuar kohën e kaluar të jetës sonë bashkëshortore, kënaqem, ngushëllohem njëkohësisht dhe mallëngjehem. Dhe jetoj me shpresën se koha që do të na mbetet me jetue ta kalojmë të qetë dhe pa telashe”.
***
Leka Ndoja, i biri që e ka kuruar me shumë cilësi këtë epistolar duhet vlerësuar për kujdesin por edhe kurajën për të sjellë një model marrëdhënie që duhet të shërbejë si frymëzim në kohët e turbullta ku jetojmë. Në një farë mënyre, dhimbja që ka përjetuar ai me familjen, është një shembull i bukur për kohën kaotike ku jetojmë dhe shkatërrimin që i kemi bërë familjes në të gjitha aspektet. Ndaj epistolari i Markut me Milenën mbetet realisht shumë frymëzues për jetën…

Jeta

Ka pasur formim fetar katolik dhe për një kohë shërbeu si dhjak, por më pas gjatë viteve tridhjetë pati një reagim të fortë anti-klerikal. Ato vite shfaqi ambicjet letrare dhe pati formim në traditën klasike duke njohur mirë latinishten dhe greqishten e vjetër, italishten, dhe gjermanishten. Iu bashkua Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në krah të komunistëve, duke u bërë anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare dhe duke marrë pjesë në luftë.Gjatë Luftës dha mësim në Gjimnazin shtetëror të Shkodrës.
Zgjidhet deputet i Shkodrës në parlamentin e parë pas lufte, qytet ku kishte jetuar si konviktor dhe arsimtar, dhe ku kishte qenë më parë shkurtimisht sekretar politik i Partisë Komuniste. Jep mësim letërsinë në Institutin Pedagogjik, në prill 1946 emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe më 28 janar 1947, Sekretar i Përgjithshëm i Institutit të Studimeve apo të Shkencavet (Akademisë së sotme të Shkencave). Më 1950 emërohet Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Por nis rënien në vitin 1953 kur goditet grupi i shkrimtarëve dhe në vitin 1954 shkarkohet nga funksionet, përjashtohet nga partia, dhe emërohet mësues në gjimnazin “Qemal Stafa”. Arrestohet në vitin 1955 për kritikë ndaj rolit të Partisë Komuniste Shqiptare në letërsi, dhe si pjesë e akuzës iu përmend përkthimi i një satire të poetit romantik gjerman Hajnrih Hajne (Heine) mbi Kaizerin në poemën e vet “Gjermania, një përrallë dimri”. Në 16 janar 1956 dënohet me gjashtë vjet burg “për agjitacion dhe propagandë” prej të cilëve bën katër, dhe nga viti 1960 deri në vitin 1964 bashkëpunoi si përkthyes i jashtëm i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, duke përkthyer shkrimtarë shqiptarë në italisht.

Në fund të 1964-ës internohet në ishullin e Zvërnecit, prej ku në fillim të vitit 1968 goditet nga një iktus cerebral dhe pas gjashtë muajsh lirohet.
Një pjesë e botimeve të Ndojës u bënë mjaft pas vdekjes së tij, nga i biri, studiuesi dhe publicisti Leka Ndoja, prej dorëshkrimeve që Ndoja nuk mundi t’i botonte gjatë komunizmit.
Përveç përkthimit të plotë të Komedisë Hyjnore, Ndoja ka përkthyer gjashtë këngët e para të Iliadës së Homerit dhe një cikël satirash dhe epistulash të Horacit. Përkthimi i Komedisë është i dyti i plotë në shqip pas atij të Pashko Gjeçit në 1960, i vetmi që gjendet dhe në versionin taktil braille për ata që nuk kanë shqisën e të parit.
Ka botuar përpara çlirimit Hode Mark Kapidanit, (Bot. Françeskane: 1933), dy vëllime me poezi pas çlirimit, Vjersha dhe Poema, (Tiranë, Naim Frashëri: 1951), dhe Roja: poemë, (Tiranë, Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve: 1949), ka përgatitur dhe një tekst letërsie për shkolla, Letërsia e huej, (Tiranë, Instituti pedagogjik:1947)
Pas viteve nëntëdhjetë iu botuan Ded Gjon Luli, Tragjedi, 1994; Kritika Klasike dhe leksione greko-romake, Tiranë, 2003; Antologji (nga Dante te D’Annunzio), Tiranë, 2012; Letërsia Botërore, Tiranë, 2006-2013; 2 vëll, Lirika e Fishtës dhe tekste të tjerë, Tiranë, 2006.

Përkthime në shqip: Komedia Hyjnore, Ferri, Dante Alighieri (Dituria: 1998); Purgatori, (QSN, Tiranë: 2005, Pakti, Tiranë: 2016); Parajsa, (Pakti, Tiranë: 2016). Homeri, këngët I-VI, (tek Homerus: Iliada, poezia epike dhe përkthimi, Tiranë, 2011). Horaci, Satira dhe Epistula, (Lezhë, Lisitan: 2004). Nga shqipja solli në italisht poezitë Andrra e jetës të Ndre Mjedës, Nji gjethe vjeshtet të Gjergj Fishtës dhe Këngën e sprasme të Balës të Zef Serembes. Në dorëshkrim i kanë mbetur dhe një vëllim me poezi, Jehe të mekuna, dy vepra mbi Skënderbeun, dhe Lavdi e shekujve, tragjedi dhe trilogji kreshnike, roman në vargje.
Marrë nga Wikipedia

Mbi njohjen me z. Mark Ndoja në Zvërnec gjatë vitit 1966

Dr. Safet Këlliçi

Me mbarimin e Fakultetit të Mjekësisë në vitin 1965 më caktuan si mjek ushtarak në fillim në Tropojë dhe pas kundërshtimeve të shumta, pas rreth 6 muajve pa punë më dërguan si mjek ushtarak pa uniformë në Vlorë. Duke mos pasë asnjë lidhje me qënien time si ushtarak u angazhova për diagnostikim dhe mjekim të ushtarakëve të M.P. Brendëshme (Dega Vlorë) për të burgosurit dhe ushtarakët e postave të kufirit që nga Fieri deri në Sarandë. Pata marrë porosi të veçantë për t’u interesuar sidomos për 5 personat e internuar në ishullin e Zvernecit e konkretisht Gjin Marku, Mark Ndoja, Xhavit Qesja, Maqo Çomo dhe Kristo Budo, i cili ishte më i riu. Ky ishte angazhuar me problemet shëndetësore dhe higjeno- sanitare të mjedisit ku rrinin.

E kam shprehur shpesh që konsiderata maksimale ka qenë për Mark Ndojën, si më seriozi, fjalë pak dhe që unë kisha kënaqësi kur bisedoja me të si njeri shumë i kulturuar, me memorie brilante dhe që sa herë shkoja atje (rreth 15 herë gjatë gjithë vitit) e gjeja duke lexuar në një sallë të vogël rreth 16 m2 afër dhomës së fjetjes dhe disa herë në shoqërinë e Gjin Markut. Meqenëse isha i detyruar të shkoja dhe të interesohesha për gjendjen shëndetësore dhe kushtet higjeno- sanitare të tyre, unë përfitoja nga rasti dhe shpesh herë duke u ndodhur në dhomë me të ndjerin Mark Ndoja kërkoja me insistim që nga konsideratat e tij për librin në përgjithsi si shkrimtar dhe për autorët italianë të Rilindjes për Danten, Petrarkën, Arioston, Tasson. Desha të mësoja mbi këta autorë pasi edhe unë kisha në shtëpi një libër me përkthime të poezisë italiane dhe isha i apasionuar mbas letërsisë.

Marku vlerësonte sidomos Dante Alighierin që e kishte shumë për zemër, më vonë nga i biri Leka mora vesh që e ka sjellë në shqip Komedinë Hyjnore, kryeveprën e autorit fiorentin.

Marku ishte shumë i edukuar, të imponoheshe me sjelljen e veshjen e tij, dhe për të vjelë sa më shumë nga ai ngaqë ishte shumë i heshtur, më duhej të ndërhyja shpesh. Kur më shoqëronin komandantët e kampit të MPB (që i ndërronin vazhdimisht) nga posta në bregdet për në ishullin e Zvernecit, rezervohesha dhe bëja vetëm punën dhe angazhimin tim si mjek me vizitat përkatëse. Gjatë vitit 1966, Kryetar i Degës së Brendëshme të Vlorës ishte Andrea Mici, i afërm i Hysni Kapos.
Duhet thënë se Marku gjatë gjithë vitit 1966 nuk u ankua për asgjë shëndetësore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.