MILOSAO

Sikur të bënim një veting për kulturën dhe artin?!

18:30 - 23.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Njerëzit e artit dhe kulturës janë zakonisht ata që ankohen më shumë. Për jetën e përditshme. Për pamundësitë. Mungesën e elementëve ndihmës për të inkurajuar artin e tyre. Aftësitë e tyre të pavërejtura. Talentin e rrallë. Anipse një klasë të re mes tyre nuk i bëhet vonë për të gjitha këto. Artistë me kontribute modeste, kinse shkrimtarë dhe pafund njerëz të estradës janë realisht të pasur. Për të mos thënë milionerë. Jo thjesht, sepse jetën e ndajnë me më të pasurit në vend, porse sasia e fondeve që u jepet jo rrallë në dispozicion u mundëson të bëjnë gjithçka.




Pak vite më parë, një grup gazetarësh në një kërkesë miqësore për të bërë një reportazh për asetet kombëtare të turizmit u duhej një motoskaf për të parë pjesën matanë të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit. Kundrejt lejeve, që ishin përgatitur t’i merrnin, ata ishin gati dhe të paguanin një shumë nga vetja për karburantin thjesht të kryenin si mision. Në fund rezultoi e pamundur, sepse një nga moderatorët më të zëshëm shqiptarë e kishte marrë bashkë me vajzat e spektaklit për të bërë fotografitë, ku shpalosnin hiret e tyre dhe për qejfet kuptohet. Të gjitha këto nuk i provon dot, sepse nuk shënohen.

Aristokracia e artistëve janë një pjesë e vogël, pasi një grup jo i vogël i janë futur politikës dhe i bëjnë hosana asaj për të pritur beneficet “e merituara”. Çfarë ofrojnë vallë njerëzit e artit të përftojnë një mënyrë trajtimi të tillë. Vallë arti ka ndihur sot gjykimin kombëtar të përmirësohet? A ka mundur dot arti të sensibilizojë sesi shqiptarët të mos vjedhin votat? A ka mundur arti të shkojë te njerëzit e varfër? A ka prodhuar vlera për të cilat bota ka kthyer kokën? Për të gjitha ka një përgjigje negative. Artistët shqiptarë, me përjashtime të rralla, jo vetëm nuk kanë mundur t’i bëjnë këto por më shumë mendojnë për egon e tyre dhe mbi të gjitha përfitimet e tyre mediokre. Makinat luksoze të një takëmi, paratë e pafundme që prishin për t’i bërë karshillëk të tjerëve që nuk i kanë këto mundësi, kupton se arti që bëjnë ata është thjesht një urë ku kalohet prej këtyre njerëzve që përfitojnë në një të tillë mënyrë. Të merr malli të kujtosh nëse një Shtëpi Botuese ka arritur të nxjerrë një shkrimtar të vërtetë apo të inkurajojë letërsinë e vendit. Të merr malli të dëgjosh veprime dhe akte dinjitoze në çmime, sepse të gjitha janë të paragjykuara. Padrejtësia është në muzikë, në letërsi, në artet pamore e kudo. Drejtorët e institucioneve kulturore janë thjesht zgjatime politikash dhe nuk kanë individualitet, ku të tregojnë se çfarë mund të bëjnë për institucionet e tyre ashtu si shumë njerëz që bëjnë politikat janë të trysnuar deri në fund. Kjo e bën prodhimin e librit shqiptar të jetë tejet i shtrenjtë, ashtu si shpërndarja e tij të jetë tejet e pamundshme. Jo rrallë promovohen biblioteka por paradoksi është se njerëzit lexojnë gjithnjë e më pak. Letërsia kombëtare është e mbytur nga kinset dhe nga reklama ku promovohet jo e mira. Të gjithë disiplinat e artit janë të mbushura me problematika, që duket se ministrat e kulturës nuk i përballin dot për shkak të militantizmit të frikshëm të anëtarëve të tyre.
***

Shqipëria ka nevojë edhe për një Vetting të njerëzve të pasur të artit, për mënyrën sesi kanë zhvatur; për mënyrën sesi kanë ndarë projekte, impakti i të cilave ka qenë pothuaj nul; për shpërdorimet e shumta; pasuritë kurrsesi të pajustifikuara; mënyrën sesi kanë shpërdorur postet; por nga ana tjetër dhe nga përballja me projekt-planet e tyre. Shqipëria e artit ka një mal të madh problemesh, ku çdo disiplinë do kërkonte një mal të tërë argumentesh për t’u hedhur poshtë dhe për të treguar se njerëzit e artit nuk janë shumë më ndryshe nga njerëzit e drejtësisë, politikës e kështu me radhë
Nuk është vonë, duhet thjesht një angazhim për t’i dhënë pak dinjitet artit të një vendi të vogël, që i prodhon me shumë vështirësi sfidat e veta.
(Milosao)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.