SPORT

Duka: Partizani e meritoi titullin, Skënderbeu të mos justifikohet me KAS-in

11:50 - 25.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur për sezonin që lamë pas në Superiore dhe ka dhënë verdiktet e tij për disa skuadra. Në një intervistë për “Supersport”, numri një i federatës, ka “skanuar” thuajse të gjitha skuadrat. Është ndalur në suksesin e merituar të Partizanit sipas tij. Ka folur me superlativa për Lufëtatarin. Ndërsa për Kukësin vend kishin kritikat, pasi Gjici duhet të ishte përqendruar tek ekipi dhe jo individët.




Partizani

“Nuk ka dyshim që Partizani zhvilloi një kampionat të mirë, udhëhoqi thuajse gjatë gjithë sezonit. Konkurrentët nuk arritën të ishin në nivelin e Partizanit, qoftë Teuta, Kukësi, Flamurtari apo Skënderbeu. Partizani i optimizoi më mirë gjërat, ishte pragmatist. Nuk është se dhuroi ndonjë futboll spektakolar, por arriti rezultatet dhe patjetër që e meritonte. E gjithë pjesa tjetër e skuadrave, me pak subjektivizma, ku futen gabimet apo fati, kanë marrë atë që kanë dhënë në bazë të organizimit dhe buxhetit që kanë patur”

Surpriza

“Të veçoj futbollistë të veçantë, është e vështirë, por po dalloj një skuadër që jo vetëm në këtë kampionat, por edhe në 2-3 të fundit, ka luajtur një futboll të mirë dhe, pavarësisht se ka larguar shumë futbollistëve, ka ruajtur të njëjtin nivel. Ky është Luftëtari. Nuk ka rrezikuar rënien nga kategoria, vjet ka luajtur në Europa League dhe, megjithëse në mes të sezonit hoqi dy nga futbollistët më të mirë, vijoi të kishte performancë pozitive”.

Kukësi

“Kukësit nuk i ka munguar buxheti, as përbërja, sepse, po ta shohim në letër, ka patur elementë shumë cilësorë, por i ka munguar skuadra. Kishte një disavantazh që nuk luante në shtëpi, por i pari që ka përgjegjësi është vetë presidenti Gjici, që duhet ta organizonte në atë mënyrë që të kishte një skuadër më të mirë dhe jo shumë individë”.

Skënderbeu

“Nuk mendoj se ka ndikuar te Skënderbeu lufta juridike që ka për të luajtur në Europë. Skuadra mori rezultate pozitive deri në janar, madje opinionistët mendonin se, pavarësisht largimit të disa lojtarëve, po performonte mirë, por, më vonë, nuk e di, nuk ishte i përgatitur për të përballuar 36 javët e kampionatit sportivisht, sepse psikologjikisht lojtarët nuk kishin asnjë përgjegjësi për t’u marrë me problemet juridike. Ndoshta nuk kishte futbollistët e duhur apo alternativat e nevojshme për të përballuar kampionatin”.

Teuta

“Teuta u pa si një ekip konkurrent për kampion, madje diku 10 javë para përfundimit të kampionatit u afrua shumë, por m’u duk si një skuadër pa grintën e duhur. Vendi i tretë është i merituar, por me aq sa është investuar duhet të merrte më shumë”.

Arbitrat dhe gara

“Me zhvillimin e Shoqërisë zhvillohen të gjithë aktorët, përfshi dhe arbitrat. Ne bëjmë gjithmonë maksimumin në selektimin dhe përgatitjen e tyre si dhe në kërkesën e llogarisë për të qenë sa më korrektë. Është e vërtetë që kontestime ka patur më pak dhe, fatmirësisht, vendimet, edhe kur kanë qenë të gabuara, nuk kanë ndikuar në garë apo në renditje. Do ta vlerësonim me nota pozitive, krahasimisht me të shkuarën. Nuk i penalizon niveli i kampionatit për të shkuar më lart. Qoftë Enea dhe arbitrat e tjerë të FIFA-s mund të bëjnë shumë më mirë. I kanë të gjitha kushtet, pra e kanë vetë në dorë. Unë mendoj që për kushtet e krijuara arbitrat nuk kanë asnjë disavantazh krahasuar me federatat e tjera. Po të bëjmë një krahasim, shohim Skominën, që nuk është nga një kampionat shumë cilësor (Slloveni), por gjykon në nivelet më të larta. Po ashtu edhe një arbitër serb dhe një tjetër hungarez. Niveli i kampionatit nuk i penalizon, është i kënaqshëm për të prodhuar arbitra të niveleve të larta. Kushtet i kanë, duhet vetëm impenjimi i vetë arbitrave”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.