KULTURË

Elona Agolli takon Kadarenë: Kam ndarë gjithçka me Dritëroin, pavarësisht ç’thuhet në skenarë të sajuar

12:35 - 25.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ditën e djeshme vajza e Dritëro Agollit ka takuar shkrimtarin Ismail Kadare. Në orët e vona të mbërmjes ajo publikoi në faqen e saj në facebook një shënim mbi këtë takim.




SHËNIMI I ELONËS
Pak pas mesditës, në kafenenë mes gjelbërimit, aty ku vite më parë babai im ishte takuar me mikun e tij të vjetër , Ismail Kadare , do të ulesha edhe unë, përballë tij, e mallëngjyer dhe jo me pak emocione .
“Zoti Kadare po ju priste, si rrallëherë ndodh me dikë .”- përsëriste botuesi dhe miku ynë Bujar Hudhri .
U ula pranë , duke vëzhguar sytë e buzëqeshur, qëndrimin plot siguri , siguri që përcjell madhështia, gjeste e mimikë që transmetonin përmallim , pasi pranë tij qëndronte vajza e mikut , ( miqësi që të paktë e kanë kuptuar në ngjyra, thellësi e dimension);
“ Ky do të ishte lajm -,theu heshtjen me plotësinë e zërit të tij . Pasi unë kam qenë shumë mik i afërt me Dritëroin dhe madje shumë herët, që në Gjirokastër, mik i ngushtë…Atë çfarë unë ndaja me të , nuk e ndaja me askënd. Është punë tjetër çfarë serviret në skenarë të sajuar.”
Vijonte rrjedhshëm biseda dhe vetja herë më kthehej në fëmijë kur xhaxhi Ismailin e dëgjonim dhe e shihnim me kureshtje , pasi ai ishte figura magjike dhe mistike, dhe herë adoleshente kur dhurata e një këmishe të hollë , ngjyrë gjaku , më nxiste në rrugëtimin e vrasjemendjes të përse-ve dhe simbolikës së asaj dhurate .

U fol për shumëçka rreth asaj tavoline ; për Gorkin dhe letërsinë e realizmit socialist , për figurën e diktatorëve në anët e tyre mizore por dhe të vanitetit , vanitet që disa herë i lejonte të bënin edhe të mira; për Fishtën me hamendësimin “ a do të dinte në gjallje të tij kundërshtitë e krijuara falë veprës së tij “, për Lasgushin dhe librat e kujtimeve mbi të, për zhanrin e memoireve dhe sa i përhapur është në letërsinë e vendeve të ish -Lindjes ; hera – herës biseda ngjyrosej edhe nga ironia( sa e ngjashme me atë të babait tim ! ) .
Qëndruam gjatë dhe u fol gjatë , por “ e padukshmja “, ajo çfarë shpirti përcillte , shprehej në dritën dhe përmallimin e hijshëm të syve.
Një flutur e murrme vringthi bëri një gjysëm rreth mbi tavolinën ku qëndronin gotat tona. Ndoshta vetëm unë e vura re , ndoshta veçse mua më ndjek në dhomat e trurit tim “ ëngjëllushja” flutur. Isha unë aty, ajo, bija , që përcjell mesazhet e shpirtit dhe rrekej të hapte portat e alkimisë së shpirtrave .


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.