KULTURË

Festivali i Butrintit, ose si mbijeton festa e teatrit

18:20 - 26.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Për shumë vite pas themelimit, Festivalit Ndërkombëtar i Teatrit arriti të ishte festivali ku jepeshin leksione se si bëhej teatër. Aktorë e regjisorë të ardhur nga e gjithë bota, duke sjellë përvojat e tyre ballafaqonin artin skenik, interpretimin, regjinë, konceptet përtej shembujve ‘Youtube’ dhe vinin secilin pjesëmarrës në të, para një mënyre tjetër të të bërit teatër. Shumë prej atyre që e kanë ndjekur në vitet 2019, pra nisur që nga 19 vite më parë, e mbajnë mend si shembullin ideal si shembeshin idhujt e ngriheshin idhuj të ri – përballë trupave të ndryshme, askush nuk mundej më të hiqej si ai që nuk ishte. Vit pas viti, festivali u përball me sfida të mëdha. E para ishte mungesa e fondeve, çka penalizonte zgjedhjen e shfaqjeve sipas cilësive, duke u rrudhur në shfaqje që kishin sa më pak personazhe, e sa më pak shpenzime. Me gjithë sforcimet e 18 viteve, ai mbahet edhe këtë herë në datat 6-13 korrik në Butrint. Organizatori i tij, Edmond Xhumari, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” flet për sfidat e këtij viti dhe viteve që lamë pas, duke kërkuar edhe njëherë ligjin e sponsorizimeve, si mënyrë që i lejon dhe i drejton bizneset ndaj artit e kulturës.




– Sa trupa ka këtë vit në festivalin e Butrintit? A mendoni se këtë vit keni shfaqje të mira?
Festivali pavarësisht vështirësive, ka një jehonë mjaft të mirë në arenën ndërkombëtare për sa i përket pjesëmarrjes së trupave shumë të mira nga mbarë bota, organizimit dhe sigurisht vendit të magjishëm, siç është Teatri Antik i Butrintit. Për të realizuar një program sa më të mirë dhe të përshtatshëm për Teatrin e hapur Antik të Butrintit ne kemi filluar punën qysh në tetor të vitit 2018, pasi trupat e vërteta profesioniste kanë një axhendë të përcaktuar për pjesëmarrjen në festivale ndërkombëtare.

– Nga Otello tek Antigona. Cilat janë kriteret e përzgjedhjes së veprave?
Çdo vit e më tepër ne kemi shumë kërkesa nga mbarë bota për të marrë pjesë në Festival. Koordinatorët tanë artistikë prej vitesh si në Bullgari, Itali, Rumani, Serbi etj., të cilët njohin mjaft mirë kriteret e pjesëmarrjes, propozojnë shfaqje, të cilat vizionohen nga bordi artistik. Gjithashtu, ne komunikojmë vetë me trupat, duke kërkuar video të shfaqjes, plotësimin e formës së aplikimit, dosjen e shtypit, foto etj. Duhet të dini që në buxhetin e sigurojmë pas muajit prill dhe kjo na vë shumë në vështirësi për lidhur kontrata e me trupat e huaja.

– A ka pasur shfaqje të mira, që nuk keni mundur t’i merrni për shkak të vështirësive financiare?
Sigurisht ka shumë trupa të huaja që nuk arrijmë t’i kemi në festival, pasi kanë kërkesa financiare që për buxhetin tonë janë të paarritshme si psh., pagesa e udhëtimit me avion apo pagesa për shfaqjen, që për shumë festivale ndërkombëtare është mjaft normale. Ne marrim përsipër ushqim, hotel dhe transportin brenda territorit shqiptar.

– Teatro nga disa shtete në Butrint. A mendoni se Butrintit po i kthehet shkëlqimi i dikurshëm kur arriti të “jepte” leksione mbi si bëhej teatër?
Dihen vështirësitë në vite të festivalit për mbështetje financiare. Ne mundohemi shumë të sigurojmë partnerë dhe sponsorë. Përgatisim një dosje ku përfshihet dhe katalogu i festivalit prej 130 faqesh dhe shkojmë për të kërkuar mbështetje në mjaft institucione shtetërore dhe sponsorë të ndryshëm. Imagjino, prej dy vitesh Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk e mbështet festivalin, që është një eveniment që zhvillohet në pikun e turizmit në Sarandë, ku ka mjaft pushues të huaj dhe vendës.

– Pse është e vështirë të gjenden sponsor për festivale teatri?
Nëse nuk do të kemi një ligj të mirë për sponsorizimin në fushën e artit dhe kulturës do të jetë gjithmonë e më vështirë që biznesi të mbështesë financiarisht kulturën. Unë marr pjesë në shumë festivale ndërkombëtare dhe ato kanë shumë sponsorë duke filluar nga hotelet etj. Këtu tek ne nuk bëhet fjalë të sponsorizojë një hotel. Asnjë aktivitet nuk zhvillohet në këtë kohë në Sarandë.

– Prej vitesh festivali ka pasur probleme financiare duke krijuar shkëputje ose duke mbijetuar me vështirësi. Sivjet, në ç’kushte mbahet?
Këtë vit patëm një mbështetje për t’u vlerësuar nga Bashkia Sarandë si partner zyrtar dhe për të dytin vit rresht kemi si sponsor gjeneral një bankë. Sponsorët e tjerë janë me shuma minimale. Për sa i përket Ministrisë së Kulturës, pavarësisht një buxheti përfituar nga aplikimi prej 800.000 lekë, znj. Elva Margariti, pas kërkesës sonë u tregua shumë e gatshme të mbështesë festivalin për mbulimin e shpenzimeve të ushqimit dhe hotelit për Orkestrën e Vajzave të Bukureshtit dhe Trupën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Në këndvështrimin tim është një qasje e re e ministres së Kulturës, duke na dhënë shpresë se gjërat mund të ndryshojnë për mirë që më së fundmi pas kaq vitesh, ashtu si thoni dhe ju t’i (rikthehet shkëlqimi i dikurshëm) duke dhënë leksione si bëhet vërtet teatër.

– Sa buxhet duhet për një festival të mirë?
Për sa i përket buxhetit që duhet për të realizuar një festival dinjitoz, nisur nga eksperienca e gjatë në këtë fushë si dhe në kontakte të vazhdueshme me kolegët tanë kudo nëpër botë, mund të them vetëm një fakt që në vitin 2000 në festivalin e parë vetëm, Ministria e Kulturës akordoi 9.3 milionë lekë të rinj. Para dy vitesh erdhi në festival trupa e Teatrit Kombëtar të Kinës me 32 veta vetëm shfaqjen “Richard III”. Kur më pyetën për buxhetin e festivalit, të them të drejtën u ndjeva shumë keq, nuk iu përgjigja fillimisht, por kur menaxherja pa dëshpërimin tim, ngulmoi që të kishte një përgjigje. Kur i thashë buxhetin që kishim, 700.000 nga Ministria e Kulturës, ajo tha një “uaaaa” të madhe, mua mu duk që nuk e besoi. Ajo shtoi që “për të ardhur në festivalin tuaj, Ministria Jonë e Kulturës na mbështeti me 60.000 USD”. Ato i përballuan vetë të gjitha shpenzimet edhe ato që ne tradicionalisht i kemi (ushqim dhe hotel), vetëm që të ishin pjesëmarrës në atë edicion të festivalit.

– Si do e menaxhoni pjesën e infrastrukturës së nevojshme për festivalin?
Për sa u përket shfaqjeve, ne e kemi pikësynim që të kemi shfaqje me cilësi të lartë artistike si dhe të ndryshojmë gjeografinë e pjesëmarrjes. Shfaqjet këtë vit janë me përkthim (titra). Prej dy vitesh për të pasur një larmi shfaqjes e kemi konceptuar ndryshe duke futur, muzikën, danc-teatrin, sigurisht në plan të parë teatri, duke e quajtur “Butrinti summer festival”. Duke pasur eksperiencën e viteve në organizim, mendojmë që edhe këtë vit do kemi një festival cilësisht të mirë dhe një organizim si çdo vit, pasi kemi një bashkëpunim mjaft të sukseshëm me Parkun Kombëtar Butrint. Kemi mbaruar promocionin si dhe kemi çuar për shtyp katalogun e festivalit prej 140 faqesh. Dua të falënderoj nëse me lejohet, Postën Shqiptare, ‘Rira Galeri’, që çdo vit na bën falas kupat e festivalit, etj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.