BLUETOOTH

Fotot ekskluzive/ Celebrimi, nga Bleona Qereti në Bleona Bardha?

13:38 - 26.06.19 Gazeta Shqiptare

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Celebrimi, tani Bleona Bardha



Vetëm pak ditë më parë, shumë larg prej Tiranës, shumë zëra thonë se Bleona Qereti dhe i dashuri i saj, Gani Bardha kanë firmosur në letra martesën e tyre. As njëri dhe as tjetri nuk kanë dashur ta bëjnë kurrsesi publik këtë lajm. Por në udhëtimin e tyre për në Tiranë, në avion kanë bërë një gabim të vogël. Pyetjes së stjuardesës se pse ndjeheshin aq të lumtur, i kanë dhënë përgjigjen që ndoshta nuk duhet ta kishin dhënë: “We are just married”. Kaq do të duhej që lajmi të mos mbetej më dhe aq sekret. Sepse atë përgjigje në avion e kanë dëgjuar dhe udhëtarët e tjerë. Një pjesë e të cilëve ishin nga Tirana. Kaq do të na mjaftonte që të viheshim në ndjekje të Bleonës, Ganit dhe miqve të tyre për të zbuluar ca gjëra më shumë. Si përshembull dhe një unazë në gishtin e Bleonës. Atë që nuk e zbuluam dot në asnjë lloj mënyre prej tyre, arritëm ta zbulojmë në disa forma të tjera. Si?
E ç’rëndësi ka kjo. Ajo që vlen është shkruar këtu. Lexojeni!

Paskan qenë të kotë zërat që kanë qarkulluar jo pak herë në këto kohë, duke përhapur lajmin se Bleona Qereti po ndahet me Gani Bardhën (djalin e Eqerem Bardhës). Lajm i rremë. Nuk është aspak kështu. Ja ku na mbërrijnë të tjerë zëra (shumë më të besueshëm) që të vërtetojnë krejt të kundërtën e kësaj krize në marrëdhënien mes tyre. Vetëm pak ditë më parë, Gani Bardha ka pranuar të ketë si bashkëshorte të tij, tashmë edhe në formë zyrtare, Bleona Qeretin, vajzën çapkëne pas së cilës është dashuruar sa hap e mbyll sytë. Nuk bëhet fjalë për dasmë. Jo. Ata duhet thjesht të jenë celebruar.
Gjithçka duhet të ketë ndodhur krejt papritur. Nëse u referohemi intervistave të dhëna nga Bleona në gjithë këto kohët e fundit, që nga dita kur u bë publike marrëdhënia e saj me Gani Bardhën, kuptohet qartë se celebrimi dhe ceremonia e martesës nuk kanë qenë aspak të planifikuara për këto kohë. Por ja që mrekullia mesa duket ka ndodhur. Dy të dashuruarit ndoshta nuk kanë dashur të luhaten më në vendimin e tyre, për të lidhur apo jo kurorë me njëri- tjetrin. Dhe kanë vendosur ta vulosin më në fund lidhjen e tyre. Mund të kemi dhe ndonjë dasmë të shpejtë? Përgjigjen për këtë s’e kemi gjetur dot.

ble-A9156 ble-A9138 ble-A9121 ble-A9110 ble-A9105 ble-A9101 ble-A9160
<
>

Ndërsa jemi të bindur se celebrimi është bërë në Dedroit, atje ku dhe jeton Gani Bardha. Këtë hap duhet ta kenë hedhur në javën e parë të tetorit, ndoshta vetëm pak ditë, për të mos thënë vetëm pak orë, më parë se të merrnin avionin e kthimit në Tiranë. Këtë udhëtim ata e kanë bërë më 7 tetor. E përderisa, si Ganiu ashtu dhe Bleona nuk kanë mundur dot ta fshehin entuziazmin e tyre në aeroport dhe më pas në avion, nuk mund të mos besosh se celebrimin ata duhet ta kenë bërë pikërisht në një prej ditëve të para të tetorit. Ndoshta nuk do të ishte mësuar një lajm i tillë, nëse stjuardesa e avionit nuk do të ishte bërë aq shumë kurioze për këta dy të rinj që janë sjellë gjithë kohës si dy fëmijë të lumtur. Nëse ajo nuk do t’i kishte pyetur mbi arsyen e gjithë kësaj hareje, ndoshta Bleona dhe Ganiu do ta kishin ende vetëm për vete këtë sekret. Por ja që Bleona e ka harruar atë shprehjen alla shqiptare: Kujdes! Mos fol se edhe muret kanë veshë. Dhe ia ka shpjeguar arsyen e lumturisë së saj stjuardesës. Por me kaq Bleona nuk është se kishte rrezikuar shumë. Ajo që do të vinte në rrezik sekretin e saj ka ndodhur vetëm pak minuta më pas. Stjuardesa, që është treguar më shumë e kujdesshme nga ç’duhej, në një rast të tillë për Bleonën dhe Ganiun, u ka servirur një shishe shampanjë këtij çifti të sapo celebruar dhe u ka uruar jetë të lumtur. Ajo shishja e shampanjës dhe ai urim do ta hidhte në erë gjithë përpjekjen e çiftit për të mos e bërë të ditur celebrimin e tyre. Tashmë nuk kanë pse të përpiqen më. Sekreti u zbulua. Ndaj janë bërë sërish një objekt shumë interesant për aparatin e paparacit.

Që nga dita e mbërritjes në Tiranë, që ka qenë 7 tetori, më shumë se ditën, janë shfaqur bashkë në mbrëmje. Kanë darkuar kryesisht tek restoranti i Piazza-s, të shoqëruar dhe nga të afërm të Ganit. Në këto darkime, ku tashmë nuk mungon dhe nusja e re e shtëpisë, pra Bleona, familja Bardha është dukur e qetë dhe e kënaqur me vendimin e djalit. Paparaci që i ka ndjekur nuk ka e pasur të lehtë t’i fokusojë në aparatin e tij derisa në një mëngjes i ka bërë pritë çiftit në hyrjen e pallatit ku banon Bleona, e ku Gani është sistemuar në gjithë këto ditë. Në fotografi duket qartë një unazë diamanti e vendosur në gishtin e fejesës si dhe inicialet B.B. (Bleona Bardha) në kapakun e celularit. Një detaj më shumë ky që na bind se diçka ka ndodhur.

Një varëse që mban dy inicialet G dhe B i ka shkëlqyer në qafë Bleonës. A e ka pasur edhe më parë apo e ka dhuratë të ditës së celebrimit, kjo nuk dihet. Ashtu siç ende nuk e dimë nëse në atë ditën e celebrimit, në atë momentin kur ka firmosur zyrtarisht bashkëjetesën me Gani Bardhin, Bleona ka pranuar të mbajë mbiemrin e saj apo ka preferuar të marrë mbiemrin Bardha. Sido që të ketë vendosur, nuk ka shumë rëndësi. E rëndësishme është vendimi që morën për t’u lidhur më në fund edhe ligjërish. Dhe duket se janë mjaft të kënaqur nga ky hap që hodhën dhe aspak të penduar. Edhe pse në fakt gjithçka ka ndodhur sa hap e mbyll sytë. Të jetë marrë ky vendim i nxitur prej ndonjë të papriture të këndshme? Mos vallë duhet të presim pas kësaj ndodhie, ndonjë surprizë tjetër, siç është martesa apo ndoshta dhe ndonjë bebush? Nuk është e thënë. Por asnjëherë nuk i dihet, megjithatë. Gjithsesi, nëse ndodh vërtet diçka e tillë, sigurisht që do ta marrim vesh shumë shpejt.

Me gjithë përpjekjet e Bleonës për t’i mbajtur gjërat vetëm për vete, gjithçka që ndodh rreth saj vështirë të mbahet sekret. Duke qenë një prej personazheve që bie gjithnjë në sy e që përbën gjithmonë lajm kudo që shkon, nuk do të mund të shpëtojë nga thathethemet e rreme e të vërteta. Në shpresojmë të kemi thënë këtë herë ato të vërtetat. Nëse kemi gabuar me detajet, për një gjë ju sigurojmë: Bleona dhe Gani janë celebruar vetëm pak ditë më parë në Dedroit. Të tjerat nuk kanë dhe aq shumë rëndësi, apo jo?

Gjithmonë në fokus
Të gjithë u bënë kurioz të njihnin të dashurin e Bleona Qeretit në ato kohët kur thashethemi për lidhjen e saj me djalin e Eqerem Bardhës mori dhenë. E sa më shumë që shtohej kurioziteti, aq më hermetikë bëheshin ata të dy. Derisa një ditë u dorëzuan. Hera e parë kur i dashuri i Qeretit do të bëhej i dukshëm në sytë e të gjithë, ndoshta ka qenë në spektaklin “Taksi e rezervuar”, në mbrëmjen kur Rudina Magjistari kishte të ftuar Bleona Qeretin e kur i dashuri i saj Gani ishte i ulur në sallë. Kamerat e Klanit nuk do ta humbnin një rast të tillë. E fokusuan dhe e transmetuan në ekran atë portret simpatik për të cilin ishin bërë kurioz shumë e shumë femra të Tiranës. Pak kohë më pas, çifti do të binte pre e paparacëve në një prej ditëve të pushimit të tyre në pishinat e Tiranës. Nuk kishte më sekrete. Ndaj dhe Bleona nisi pak e nga pak të rrëfente në media historinë e dashurisë së tyre: një histori që nisi ashtu si rastësisht, por që do të përfundonte shumë shpejt në një lidhje të fortë, ku çdonjëri prej tyre do të ndjehej gjithnjë e më i dashuruar pas tjetrit. Ndaj jo më kot kanë përfunduar krejt papritur në zyrën e celebrimit.

Ky shkrim u botua më 14 Tetor 2006

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *