KULTURË

Ministria pranon: Vetëm 10% e turistëve vizitojnë sitet e trashëgimisë

15:40 - 26.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Shqipëria, një destinacion mikpritës, tërheqës dhe autentik, për zhvillim të qëndrueshëm të potencialeve ekonomike, natyrore dhe sociale të vendit”. Është ky vizioni i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Turizmit 2019-2023. Në dokumentin e bërë publik paraqitet gjendja problematike e turizmit shqiptar për shkak të: mungesës së infrastrukturës, rrugëve, duke filluar nga rrjetet energjetike e të ujësjellësit, e duke vazhduar me rrugët lidhëse me destinacionet, mungesa e markave të mëdha të hotelerisë, klasifikimi i njësive aktuale të hotelerisë sipas shërbimeve që ofrojnë dhe mungesa e stafeve të trajnuara.
Ndonëse pamja e gjendjes së tanishme flet për informalitet dhe kaos në turizëm, mungesën e një sistemi dhe një kontrollori që jep siguri për të, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, pas panoramës së truizmit sot, jep pikat ku mbështetet për strategjinë për vitet 2019-2023.




TURIZMI TEMATIK
Në këtë kategori përfshihen një sërë formash specifike të turizmit, si agroturizmi, turizmi i eventeve dhe biznesit, turizmi kulturor (trashëgimi, histori, besim etj.), turizmi enogastronomik dhe turizmi shëndetësor (termal, mirëqenies dhe mjekësor) etj. Edhe pse nuk është qëllimi kryesor i vizitës në Shqipëri, arkeologjia, trashëgimia e kultura identifikohen si pikat e forta të Shqipërisë në studime të ndryshme të kryera me vizitorë dhe industrinë e udhëtimeve nga tregjet e huaja. Destinacionet kryesore të vizituara nga ture të organizuara kulturore janë Shkodra, Lezha, Kruja, Durrësi, Tirana, Fieri, Berati, Elbasani, Korça, Përmeti, Gjirokastra, Saranda dhe Vlora. Sa i përket turizmit të biznesit, zhvillimet në këtë drejtim janë të përqendruara në nivel kombëtar dhe mungesa e një rrjeti të konsoliduar bashkëpunimi mes aktorëve, së bashku me mungesën e qendrave të reja për organizimin e konferencave dhe kongreseve, qendrave të biznesit pranë poleve të zhvillimit ekonomik (aeroporti i Rinasit), strukturave akomoduese të markave të njohura ndërkombëtare në organizimin e konferencave e kongreseve, ka kufizuar perspektivën e zhvillimit të turizmit MICE në nivel ndërkombëtar. E gjendur në një pozicion të favorshëm në tregun rajonal të Ballkanit dhe disa tregje të rëndësishme evropiane, me teknologji dhe të zhvilluar në disa prej sektorëve të mjekësisë (kujdesin stomatologjik, kirurgjinë plastike, kirurgjinë kardiovaskulare dhe neurokirurgjinë, trajtimin e fertilitetit), burimet natyrore dhe kushtet klimaterike të favorshme për zhvillimin e disa drejtimeve të këtij segmenti (thalasoterapi, terapi me ujërat termale), çmimet konkurruese, Shqipëria ka pasur zhvillime pozitive në segmentin e turizmit të shëndetit dhe mirëqenies. Shqipëria përfshihet në listën e vendeve me potenciale të mëdha natyrore, historike dhe të trashëgimisë kulturore. Në Shqipëri ka një numër të madh atraksionesh natyrore, që nga bregdeti i Adriatikut e ai i Jonit deri te parqet kombëtare e natyrore, zonat e mbrojtura, ligatinat etj. Këtu mund të përmendim Parkun Kombëtar të Divjakës, Prespës, Dajtit, Karaburun-Sazanit, lagunën e Kune – Vain – Tale, etj. Zonat përreth lumenjve dhe ligatinave përbëjnë një potencial të madh për zhvillimin e turizmit.

TRASHËGIMIA
Në Shqipëri ka rreth 2000 monumente kulture, duke e renditur atë në vendin e dytë në pellgun e Mesdheut për nga dendësia e monumenteve të kulturës. Ndërkohë, qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës dhe Butrinti janë pjesë e trashëgimisë botërore dhe mbrohen nga UNESCO. Edhe parqet arkeologjike të Apolonisë, Shkodrës, Bylisit, Amantia dhe muzetë kombëtarë në Tiranë, Krujë (Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Etnografik), Berat (Muzeu Ikonografik “Onufri” dhe Etnografik), Shkodër (Muzeu Marubi), Korçë (Muzeu i Artit Mesjetar) etj. përfaqësojnë një potencial të rëndësishëm të ofertës turistike. Megjithatë, thotë dokumenti i MTM-së, numri i vizitorëve në këto atraksione kulturore është mjaft i ulët. Edhe nëse do të konsideronim sikur këto atraksione vizitohen vetëm nga turistë të huaj, prapë vetëm 10% e tyre vizitojnë edhe atraksionet kulturore dhe sërish këtu ka mjaft vend për rezerva pasi një pjesë jo e pakonsiderueshme e vizitorëve janë shtetas shqiptarë. Trendi i vizitueshmërisë (vizitorë në total) në periudhën janar -dhjetor në vitet 2014-2018 ka shënuar rritje progresive: Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017, vizitueshmëria gjatë vitit 2018 ka shënuar një rritje prej 49%. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016, vizitueshmëria gjatë vitit 2018 ka shënuar një rritje prej 82%. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2015, vizitueshmëria gjatë vitit 2018 ka shënuar një rritje prej 115%. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014 vizitueshmëria gjatë vitit 2018 ka shënuar një rritje prej 127%.

PROBLEMET E IDENTIFIKUARA
Një numër problemesh e sfidash që shoqërojnë zhvillimin e turizmit janë identifikuar në vite. Një numër i tyre mbetet për t’u adresuar edhe më tej, ndërsa ky dokument strategjik synon të gjejë përgjigje sistematike për adresimin e tyre. Turizmi në Shqipëri përballet me disa probleme. Nis me mungesën e kapaciteteve akomoduese dhe akomodimin cilësor. Më tej, në shumicën e destinacioneve turistike, strukturat akomoduese janë më së shumti shtëpi private, apartamente e dhoma, të cilat ofrojnë kushte shumë minimale e shërbime të cunguara. Ministria sheh si problem mungesën e markave të njohura të hotelerisë dhe operatorëve turistikë, që janë një garantues i cilësisë së shërbimit e, njëkohësisht, shërbejnë edhe si garantues të besueshmërisë së një destinacioni. Në Shqipëri, përveç bukurive natyrore, infrastruktura shtesë turistike thuajse nuk ekziston fare. Parqet argëtuese dhe ato të rekreacionit, qendrat e konferencave e panaireve, portet e jahteve nga ku mund të nisen mjetet lundruese për turizmin nënujor apo për turizmin detar etj. nuk janë thuajse fare të pranishme. Në Shqipëri strukturat akomoduese dhe ofruesit e shërbimeve të tjera turistike nuk janë të klasifikuara në bazë të standardeve për shërbimet që ato ofrojnë. Ndonëse Shqipëria ka një klimë tipike mesdhetare çka bën që vendi ynë të gëzojë plot 250 ditë diell, përsëri sezoni turistik në Shqipëri kufizohet vetëm në muajt korrik dhe gusht. Që kjo industri të kthehet në një nga shtyllat e ekonomisë shqiptare, duhet që efektet sezonale të turizmit bregdetar të zbuten nëpërmjet zhvillimit të formave të tjera të turizmit, duke rritur numrin e vizitorëve, netqëndrimet e rrjedhimisht edhe të ardhurat nga turizmi.

Informaliteti
Shumë nga strukturat akomoduese, por edhe ofrues të tjerë shërbimesh, si restorante apo udhërrëfyes turistikë operojnë në informalitet të plotë, duke krijuar terrenin për shërbime të një cilësie të ulët, duke ndikuar në sigurinë e turistëve dhe në imazhin e vendit. Mungesa e investimeve kapitale private pengon konsolidimin e sektorit. Thuajse në gjithë zonën bregdetare, por edhe në shumë nga qytetet e tjera me potencial për turizmin, investimet e bëra deri tani, me ndonjë përjashtim, janë të vogla, çka ka bërë që sektori të jetë i pakonsoliduar. Që oferta turistike e Shqipërisë të mos jetë sporadike, duhet domosdoshmërish që ky sektor të konsolidohet duke tërhequr investitorë të mëdhenj e të besueshëm e duke nxitur projekte madhore e strategjike. Ka sipas strategjisë, mungesë e theksuar e trajnimit të të punësuarve në sektorin e turizmit. Për sa u përket burimeve njerëzore dhe shërbimeve që u ofrohen turistëve, ato lënë shumë për të dëshiruar dhe nevojitet domosdoshmërish një program trajnimi për të nxitur një hop cilësor në turizëm. Portet dhe aeroportet e Shqipërisë ofrojnë mundësi të pakta udhëtimi për vizitorët e huaj. Me përjashtim të Italisë, fluturimet direkte dhe lidhjet detare për shumë nga qytetet dhe shtetet kryesore të Evropës mungojnë. Infrastruktura në destinacionet turistike ende lë për të dëshiruar, duke filluar nga rrjetet energjetike e të ujësjellësit, e duke vazhduar me rrugët lidhëse me destinacionet, hapësirat për parkim etj. Përtej atraksioneve natyrore dhe atyre historike-kulturore, oferta turistike e Shqipërisë është e varfër dhe mundësitë e kombinimit të llojeve të ndryshme të turizmit janë të pakta. Ndonëse mundësitë gjenden në territor, mungesa e një oferte turistike të larmishme e gjithëpërfshirëse, që kombinon më mirë atraksionet turistike, ka kufizuar potencialin për rritjen e netqëndrimeve të turistëve, rritjen e shpenzimeve të tyre dhe shpërndarjen e ekuilibruar në territor.

SFIDAT
Sfidat kryesore të industrisë së turizmit për periudhën afatmesme nga kjo strategji janë identifikuar si më poshtë vijon: përmirësimi i infrastrukturës në destinacion dhe nxitja e zhvillimit të infrastrukturës turistike. Sfidë janë lidhjet e Shqipërisë me vendet e tjera, ku nevojitet shtimi i porteve e aeroporteve si edhe shpeshtimi i udhëtimeve lidhëse. Sistemi i brendshëm i transportit publik dhe aksesi në destinacionet turistike është një tjetër pikë që kërkon vëmendje. Po kaq me rëndësi është edhe infrastruktura në destinacion, e cila përfshin rrjetet elektrike e të kanalizimeve, mundësinë e parkimit etj.

Për të konkurruar të barabartë në tregun global të turizmit do të bazohet mbi dy shtylla zhvillimi:
-Qëndrueshmërinë afatgjatë të ndërhyrjeve dhe investimeve publike, për ta kthyer ekonominë turistike të vendit në një atraksion për turistët, në një vend më të mirë për të jetuar, si dhe në një potencial më përfitues për sipërmarrjet në fushën e turizmit.
-Mbrojtjen dhe zhvillimin e rregullt të gjeo-hapësirave në respekt të natyrës, ekosistemeve, zhvillimit demografik dhe urban në të gjitha zonat me potencial zhvillimin e turizmit. Për realizimin e vizionit të kësaj strategjie janë identifikuar katër qëllime strategjike, të cilat njëherazi do të jenë edhe gurët e themelit të këtij dokumenti. Qëllimi i ministrisë së Turizmit është që, të inkurajohet krijimi i 6 poleve të integruara me potencial turistik, që do të fokusojë ndërhyrjet e investimeve publike, do të shtrijnë përhapjen gjeografike të destinacioneve, si dhe do të rrisin kohën e qëndrimit jo vetëm përgjatë sezonit veror, por gjatë gjithë vitit. Gjithashtu, përmes përdorimit të instrumenteve rregullatore e lehtësuese, të nxitet përmirësimi i cilësisë së strukturave akomoduese duke mbështetur rigjenerimin e atyre ekzistuese e nxitur investime të reja në struktura me 4-5 yje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.