OPINION

Na braktisën ndërkombëtarët?

07:20 - 26.06.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jo! Kurrsesi jo. Shqipëria është gjithnjë në vëmendjen e tyre. Madje, tani që deri në shtator-tetor të këtij viti, Këshilli i Evropës do të shikojë mundësinë nëse, së bashku me Maqedoninë e Veriut, të mund të na japë edhe ne çeljen e bisedimeve për anëtarësim, vendi ynë fiton një interes të veçantë për ta. Nga ana tjetër, për strategjinë e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria është një vend natyrshëm jo pro-rus dhe konsolidimi tek ne i forcës së shtetit ligjor është për amerikanët një investim madhor në rajon. Por atëherë, pse opozita, e cila ka pesë muaj në rrugë dhe ka kryer dhjetë protesta kombëtare të fuqishme(ku kërkon vetëm një gjë: dorëheqjen e kryeministrit të vendit) nuk është përfillur prej tyre? Zakonisht për ndërkombëtarët opozita është një aset i patjetërsueshëm i një sistemi demokratik. Ata e konsiderojnë me të drejtë gjallërinë dhe aktivizmin e saj si pasqyrë e një shoqërie tolerante dhe të shëndoshë.




Opozita jonë e ka një kauzë të fortë: cenimin e zgjedhjeve, e vullnetit të votuesve dhe reformën e thellë zgjedhore. Po pse kjo kauzë nuk është dëgjuar si duhet nga ndërkombëtarët? Pse nuk është dërguar qoftë dhe një mision i vetëm prej tyre këto pesë muaj? Për t’i bërë qejfin pozitës sonë, kryeministrit të saj? Si zor të ketë një rol dhe ndikim sado të vogël shumica jonë qeverisëse në planet dhe veprimet e Washingtonit, Berlinit apo Brukselit. Po atëherë, pse kjo shurdhëri, mospërfillje ndaj opozitës sonë? Kur dy vjet më parë, për të takuar opozitën e ngujuar në çadër në bulevard erdhën gjashtë misione dhe delegacione rresht, nga Bashkimi Evropian, nga vendet mike anëtare të BE-së dhe nga SHBA-të?

Arsyeja është sa e thjeshtë aq edhe kokëfortë. Opozita jonë ka kaluar vijën e kuqe. Ka dalë jashtë sistemit demokratik. Jashtë parimit jetik për ndërkombëtarët “check and balance(kontrollo dhe balanco)”. Ka dalë nga parlamenti. Për ndërkombëtarët, një opozitë e përgjegjshme mund të bëjë çdo gjë. Edhe të forcojë pak dorën në protestat e saj energjike, edhe të bojkotojë sa të dojë jetën parlamentare apo komisione të ndryshme sipas problematikave që krijohen. Por jo të mohojë përfundimisht përfaqësimin që i ka dhënë vota e qytetarëve. Ky mohim mund të vijë vetëm nëse demokracia është e vrarë në një vend dhe opozita nuk ka asnjë shpresë të ushtrojë aktivitetin dhe të japë kontributin e saj, që për një sistem demokratik është jetësor. Opozita jonë pikërisht këtë ka dashur të thotë me mohimin e përfaqësimit, me vetësakrifikimin politik. Mirëpo ndërkombëtarët nuk e mendojnë kështu. Për ata, sistemi tek ne vijon të jetë ende demokratik, me gjithë defektet që ka. Si dhe qeveria vijon të jetë ende legjitime. Atëherë, çfarë duhet të bëjë opozita jonë? Të vazhdojë t’i bjerë me kokë një muri që s’dëgjon të rrëzohet? Opozita duket se vetëm ka dëmtuar veten në këtë veprim pesëmujor gati të dëshpëruar të saj. Shpresoi se ky veprim i tejskajshëm do të ndizte fitilin e protestës dhe zemëratës popullore.

Mirëpo njerëzit që u derdhën rrugëve të thirrur prej saj ishin vërtet të shumtë. Por jo aq të shumtë sa për të dhënë idenë e më shumë se gjysmës së shqiptarëve që e mendojnë njëlloj me opozitën. Prandaj dhe ajo u detyrua t’i kalojë protestat në darkë. Tani të gjitha këto duken të hedhura nga prapa krahëve dhe histori. Opozita duhet të gjejë medoemos një shteg rifutjeje në sistem. Do të jetë shumë, shumë vështirë. Por është e vetmja rrugëdalje nga ky qorrsokak ku ka futur veten. Përballë ka një pozitë dhe një kryetar shumice të mikluar nga kjo indiferencë vrastare e ndërkombëtarëve ndaj saj.

Një shumicë që flet për dialog, por që si zor të bëjë lëshime të rëndësishme për të arritur pëlqimin me opozitën. Por është e vetmja rrugë. Kërkesa e opozitës për të dënuar ata që në përgjimet e botuara nga gazeta më e madhe gjermane “Bild” dalin me zë se kërkojnë vota me çdo kusht e mënyrë, është e drejtë. Dhe nëse nuk lëviz prokuroria dhe drejtësia jonë e sotme, të paktën partia në qeverisje t’i ngrijë këta njerëz të përfolur. Njëlloj si ngriu një ish-ministër të saj të brendshëm. Ndoshta mund të ishte hapi-lëshimi i parë në një rrugë të gjatë e tejet të vështirë të arritjes së një pëlqimi me opozitën tonë. Përpara ose pas 30 qershorit. Kjo datë nuk është dita e kiametit. Thjesht një ditë votimi. Ne nuk kemi zgjedhje në këtë ditë, pse mungon në këto votime terezitësja e një gare, opozita reale e vendit. Dhe kjo duhet të na shqetësojë dhe të na mbajë kokulur të gjithëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.