AKTUALITET

Reportazh/ Përmes Kinës së Mao-s dhe Konfucit, vendit me super zhvillim

10:30 - 03.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga e dërguara jonë në Kinë, Rezarta Delisula – E kisha menduar krejt ndryshe. Një vend të rrëmujshëm, me sistem anapulla në transport e milingonajën njerëzore veshur me ngjyrë gri, që lëvizte pa pushim po nëpër rrugët gri. Ndërsa avioni po ulej në Pekin (Bejing), ajo përshtypje mu fiksua edhe më shumë, ndërsa malet-kodra më dukeshin të zhveshura e pajetë. Një vajzë simpatike që mbante në duar emrin tim do më shoqëronte në hotel, ku do të bashkohesha me pjesën tjetër të grupit të delegacionit të 28 gazetarëve të ardhur nga 16 vende të Ballkanit dhe Europës Qendrore e Lindore, nga Estonia në Shqipëri. Teksa udhëtonim në autostradën që lidhte aeroportin e qendrën me Pekinit, pyje të lartë rrapesh e plepash, shtrirë anash nga të dyja krahët e autostradës na shoqëruan deri brenda qytetit e vijuan të ravijëzohen në korridore të gjelbra, por shtuar me manjola, mimoza e begonja shumëngjyrëshe, që dikur në Tiranë ne i quanim begonja kineze. Pekini është plot ngjyra, rrugë të pastra (nuk gjen një filtër cigare) e lulishte të kudondodhura. Nuk është i rrëmujshëm, madje aq sistematik sa duket si pjesë e filmave fantastiko-shkencorë, “Star Wars”.




Me studentët e ‘Gjuhës Shqipe’ në universitetin ‘BISU’ të Pekinit

Temperatura është rreth 32 gradë, sepse është pasdite, megjithatë ajri është shumë i ngrohtë, i palëvizshëm. Ndërtesat e xhamta në ‘down-town’ lartësohen njëra pas tjetrës, a thua se janë në garë për të qenë kush e kush më e lartë e më e bukur. E lodhur pas një transiti 12-orësh në Stamboll, të cilin e shfrytëzova për të dalë në qendër dhe në pazarin e Stambollit, ku ndodhet edhe restoranti i kuzhinierit me famë botërore Nusretit, në të cilin shijova hamburgerin fantastik dhe bakllavanë me akullore, doja vetëm të shtrija këmbët e tejlodhura, të ënjtura edhe nga 10.5 orë udhëtim nga Stambolli në Pekin. Për fat hapa programin ku pashë se vetëm pas 15 minutash duhet të isha në darkën që ambasadorja Huo Yuzhen, përfaqësuesja speciale e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, do të shtronte për delegacionin e gazetarëve. Darkë e këndshme, pa shumë protokoll e fjalime, me një prezantim të zonjës Huo që na uroi mirëseardhjen e një prezantim tonin për t’u njohur më mirë nga ishim e ku punonim. Unë isha e vetme nga Shqipëria, por jo e vetmja shqiptare, pasi takova Besnik Shukin, redaktor në agjencinë e lajmeve MIA të Maqedonisë Veriore, me të cilin kisha qenë rreth 5 vite më parë në Estoni. Ushqimi në Kinë është shumë i shijshëm e ka aq shumë asortimente në tryezat e rrotullueshme sa nëse s’të pëlqen diçka, ke alternativa zëvendësuese sa të duash. Ndërsa në Changsha duhet të bëni kujdes të zgjidhni të duhurat, pasi janë tejet pikante, përvë-luese thënë më mirë. Gjëja e parë që duhet të bëni me të mbërritur në Kinë është të blini një numër që kushton rreth 20 euro e ka ofertë interneti mjaftueshëm, pasi aty po nuk kishit VPN në celularin tuaj, do e keni shumë të vështirë dhe komunikimin me ‘WiFi’. Dhe e dyta, thyeni paratë në Juan, sepse nuk hasni lehtësisht këmbimore parash, dhe në disa hotele nuk ka.

Në sheshin “Mao Cedung”, në Shaoshan, vendlindjen e ish-liderit kinez

Sheshi i revolucionit
Mezi prisja të vinte e nesërmja, sepse ishte e pamundur të dilja atë darkë. Kjo edhe për një arsye të thjeshtë, sepse do takonim profesor Wang YIWEI, i cili do të na fliste për iniciativën e ‘Rrugës së Mëndafshit’ dhe lidhjet zinxhir që do krijonte kjo mes Kinës e thuajse të gjitha shteteve. Ah se mu kujtua. Edhe në aeroport, në kontrollin e pasaportave, ne vendet që përfshihemi në ‘Rrugën e Mëndafshit’, kemi sportelet tona, “Belt and Road Iniciative”, i përcaktuar ndryshe “Rrugët e Reja të Mëndafshit”, gjë që më bëri të ndjehem e favorizuar, sepse nuk has radhë. Profesor Wang është me famë ndërkombëtare. Në jetën e tij akademike numërohen 20 libra, mbi 200 analiza akademike dhe 1000 komente në shtyp. Profesori na shpjegoi se BRI (Belt and Road Iniciative) do të mbulojë 65 vende ose 4.4 bilionë njerëz, ndryshe 63 për qind të botës dhe 29 për qind të GDP botërore, duke u bërë korridori ekonomik më i gjatë në rruzull. Ai na tregoi për eksperiencën kineze, sipas së cilës: Nëse do të bëhesh i pasur, ndërto rrugë; nëse do të bëhesh më i pasur, ndërto rrugë automobilistike; nëse do të bëhesh me pasuri, ndërto rrugën e internetit dhe nëse do të pasurohemi së bashku, ndërlidh rrugën mes Kinës dhe botës nëpërmjet BRI. Qëllimi kryesor i “Bealt Road Iniciative” është lehtësimi i investimeve dhe i tre-gtisë, fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik e teknik, shfrytëzimi i tregut të madh euroaziatik, optimizmi i shpërndarjes së burimeve e tregtisë, progresi i integrimit ekonomik rajonal dhe realizimi i zhvillimit të sinkronizuar social-ekonomik. Një nga propozimet ambicioze të Kinës është rruga ekspres e detit dhe tokës që lidh portin e Pireut në Greqi me Maqedoninë Veriore, Serbinë e në fund me Hungarinë. E gjitha kjo më risolli në mend një shprehje të mendimtarit kinez Konfucit, i cili pat thënë: “Kjo botë do të ndahet pas bashkimit e më pas do të bashkohet pas nda-rjes”…

Në sheshin “Tiananmen” në Pekin, 30 vjet pas revolucionit

Sheshi “Tiananmen” duket si i ngrirë 30 vjet pas ditës së 4 qershorit, ku tanket shtypën qindra apo mijëra protestues (shifra nuk dihet e saktë), pas urdhrit të udhëheqësit Deng Xiaoping. Në hyrje të sheshit, i cili lidhet edhe me qendrën historike të Pekinit skanerë e policë kontrollojnë çantat e njerëzit. Në këtë shesh ndodhet mauzoleumi i njeriut mbase më të rëndësishëm në Kinën e shekullit XX, emrin e të cilit e kisha kyçur prej vitesh mes librave të historisë para ’90-ës, Mao Cedung. Nuk e di pse atë ditë s’mundëm të afroheshim për ta vizituar e sipas një vajze që takova në rrugë, kishte pasur një aktivitet, ndaj kishte edhe shumë policë. Gjithsesi, nëse jeni pranë sheshit “Tiananmen”, vizitoni rrugicat e “Qianmen”-it dhe hani një drekë apo darkë në restorantin më të famshëm që quhet “Roast Duck Restaurant”, (Pata e Pjekur) që ruante autenticitetin e recetës si dhe pamjen e jashtme të fasadës, ndërtuar në kohën e dinastisë Qing. Në dorë më ra një gazetë kineze, faqosja e së cilës ishte ndryshe nga tonat dhe në bisedën që patëm me Unionin e Gazetarëve Kinezë që ka anëtarë 213 grupe mediatike, përfshi “Xinhua News”, “The People Daily News”, “China National Radio”…, liria e medias është në nivele të larta. Në Kinë botimi i lajmeve të rreme është i dënueshëm me burg dhe njerëzit nuk kanë akses të hedhin lloj-lloj videosh në media.

Universiteti i Pekinit
“Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël sa e dlirë…” e interpretuar nga një studentë kineze që studion gjuhë shqipe, i bën edhe më të fuqishme vargjet e të madhit Naim Frashëri ndërsa unë e Besniku, shqiptar i Maqedonisë, përlotemi tek dëgjojmë në sallën e mbushur me studentë, gjuhën tonë. Universiteti Ndërkombëtar i Studimeve në Pekin (BISU), multidisiplinar, u themelua në vitin 1964 me suportin e Zhou Enlait dhe ofron degë menaxhimi, ekonomik, letërsi, gjuhë të huaja, 20 të tilla mes të cilave edhe shqipja, si dhe turizëm dhe rreth 10 mijë studentë, përfshi dhe 700 studentë të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Në katedrën e Gjuhës Shqipe, e cila ka dy vite që është hapur janë 20 studentë, të cilët ndiqen nga tre pedagogë, mes të cilëve një shqiptar. Sipas tyre, problem mbetet mungesa e teksteve në gjuhën shqipe, ndërsa burim është vetëm interneti. Kisha tentuar të lidhem me ambasadorin shqiptar në Kinë, z.Selim Belortaja, por ai edhe pse e lexoi mesazhin, nuk ktheu asnjë përgjigje… Përpjekje të dytë për ta pyetur mbi nxitjen e të mësuarit të shqipes në Pekin, nuk bëra. Për fat nuk pata ndonjë problem gjatë qëndrimit tim në Kinë, se ndryshe do më duhej ta zgjidhja vetë. Pas shpjegimit nga dekania e universitetit të Pekinit mbi programet, bursat e mundësitë e mira të shkollimit aty, studentët më ftuan në klasën e tyre ndërsa kishin përgatitur një program me historinë e Shqipërisë, recitim poezish, mes të cilëve Dritëro Agolli dhe Edison Ypi si dhe një këngë përmbyllëse, të cilën e kënduam të gjithë. Disa prej tyre do të vijnë në Tiranë për të ndjekur një vit studimi që të përvetësojnë shqipen mes nesh dhe shpresoj që Universiteti i Tiranës t’ua lehtësojë e bëjë më të këndshëm qëndrimin në Shqipëri. Kur sheh se ka plot shqiptarë nëpër botë, fëmijët e të cilëve nuk flasin shqip, mu rrit respekti për këta të rinj që vlerësojnë gjuhën time, gjuhën tonë. Pas përqafimeve të ngrohta që më dhuruan, klasa e shqipes më kishte blerë dhe një dhuratë për kujtim, një komplet çaji porcelani, super i bukur.

65531761_448354619054311_1866224029539500032_n 64730168_913944672283632_8916558415250063360_n 65689452_2395267667222536_1506545987655565312_n 65736577_383395395492952_3737510691649617920_n 65872973_469775173598619_5750210865672486912_n 66013040_464139257740941_4663361003348557824_n 66047381_2277159545701420_2624316547904045056_n 65727495_746943625721888_321324108484706304_n 66065208_496295244509889_8184125320002011136_n
<
>

Muri i Madh Kinez
Padyshim është një ndër destinacionet më të frekuentuar në botë, e një nga gjërat që duhet të bëni gjatë jetës suaj, sipas sugjerimeve të kanaleve me famë botërore. Muri i Madh i Kinës është vetëm 70 kilometra nga Pekini dhe i është vënë si kurorë maleve në një gjatësi prej 21,196 km kilometrash. Biletat për të shkuar me teleferik në majë të malit nuk janë të shtrenjta e po ashtu edhe nëpër muze, të cilët më lanë një përshtypje të jashtëzakonshme.

Në provincën e Shandong
Arritëm në mbrëmjen e vonë në Jinan, që është “kryeqyteti” i provincës së Shandongut mes trenit që morëm në Pekin e që ecte me 308 kilometra në orë. Në këtë provincë ka origjinën mëndafshi dhe akademia e parë e debatit filozofik, sepse edhe Konfuci në Shandong ka lindur. Ajo është një provincë e lashtë që laget edhe nga deti, rrethohet nga male dhe për sa i përket zhvillimit ekonomik, në vitin 2018 me GDP 6.4 për qind, u rendit e treta në të gjithë ekonominë kineze. Në Shandong, UNESCO mbron 4 destinacione, Malin Tai, tempullin dhe varrin e Konfucit dhe rezidencën e familjes Kong në Qofu, Grand Kanalin, kanalin e madh Pekin Hangzhou dhe Murin e madh të Qi-së, muri më i vjetër në Kinë, që nisi të ndërtohej në vitin 685 Para Krishtit. Jinanin mund ta përcaktoj si qytetin e dritave, të cilat shkëlqejnë në çdo cep të qytetit, duke u dhënë ngjyrë edhe godinave të vjetruara. Edhe këtu si në Pekin, gjelbërimi është masiv, ndërsa në kryqëzime më pëlqeu ideja që bashkia kishte gjetur për përdoruesit e biçikletave e motorëve. Korsitë e tyre në çdo kryqëzim kishin një mbulesë që i mbronte nga dielli e shiu, ndërsa prisnin dritën jeshile. Pas takimit me drejtoreshën e SDFAO (Drejtoria e Punëve të Jashtme në provincën e Shandong vizituam Radio-Televizionin, ku sigurisht teknologjia ishte Hight tech (teknologji e lartë) dhe INSPUR, një kompani kineze multinacionale e teknologjisë së informacionit, ku produkti më i rëndësishëm është serveri si dhe softueri e një marrës për Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë.

Zibo
Në darkë u nisëm për në Zibo, i lokalizuar në mes të provincës së Shandong, që ka 8 distrikte që janë rreth 20 kilometra larg njëri-tjetrit. Është një qytet historik e kulturor, vendi i origjinës së futbollit, njohur kjo edhe nga FIFA. Linzi që është një ndër distriktet e Zibos, ka qenë kryeqyteti i shtetit Qi, që daton 2500 vjet më parë dhe quhet ndryshe “Muzeumi i nëntokës”, sepse ka një numër të madh relikesh. Zibo ka edhe një pamje fantastike pasi ka shumë liqene, shpella dhe Lumin e Verdhë. Në Zibo industritë më të zhvilluara janë petrokimike, medicinale, metalurgjia, tekstilet, qeramika, industria e xhamave… ku vizituam “Jinjing Group”, e cila kishte realizuar dhe veshjen e kullës më të famshme në botë, Bjur Khalifa në Dubai. Grupi ‘Huaguang’ që prodhonte qeramikë kishte një muze brenda fantastik që nga reliket e para deri te më të fundit të prodhuara nga kjo kompani. E siç thoshte drejtuesi i saj: “Bota e ka njohur Kinën prej qeramikës”. Muzeu i Qeramikës Kineze është në Zibo, ndaj nëse jeni aty, mos e humbisni, thjesht fantastik. Pasdite u nisëm për Chansha, nga aeroporti i Jinan ku pritja u bë në zonën VIP. Pas 1.20 minutash zbritëm në qytetin e rinisë dhe karaokes, aty ku jeta e natës bëhej në Zonën e Peshkatarëve dhe çdo cep tjetër.

Vendlindja e Maos
Chansha është kryeqyteti i provincës së Hunan, i lokalizuar në Kinën Qendrore. Hunan ndryshe quhet vendi i peshkut dhe orizit e dikur thuhej se ky vend furnizonte të gjithë popullsinë e Kinës. Hunan është dhe vendi i mineraleve, sepse ka rezerva të 103 llojeve. Në Hunan është fshati Shaoshan, vendlindja e Maos, që për ta është një mendje e madhe, mali i Hengshan, një vend i shenjtë për budizmin Akademia e Yuelu, një kolegj me histori 1-mijëvjeçare, ku është edhe muzeu i kaligrafisë kineze, e në fakt aty mbeta pa fjalë… Shaoshani ishte rreth 1 orë e 30 minuta larg Chanshasë, pozicionuar në mal. Aty kishte lindur njeriu që për kinezët është ende i pavdekshëm në memorie e respekt, njeriu që u çudita tej mase për vlerësimin që kishte fituar në popull. Sheshi kryesor i Shaoshanit, mban emrin e tij, Mao Cedung. Një dyqan i vogël me kurora të freskëta me lule, të cilat shkonin deri 100 euro, duket biznesi më fitimprurës i zonës pasi nuk ka ditë që aty mos vijnë turistë nga e gjithë Kina për të respektuar statujën e bronztë të shefit dhe vizituar shtëpinë e tij të lindjes. Poshtë shkallares ku ishte vendosur monumenti, derdhej një tapet i kuq, ndërsa dy ushtarë rrinin para saj dhe prisnin turistët e shumtë. Pasi vihej himni në radhë dyshe-dyshe, ata ngjiteshin, vendosnin kurorën me lule origjinale, përuleshin tri herë para monumentit dhe bënin një rreth të plotë. Takova rreth 5-6 të moshuar, mbase tek të 90-tat, një pjesë mezi ecnin, dhe kur pyeta pse ishin munduar, më thanë: “Ky njeri ka bërë shumë për ne, shumë për kinezët, ndaj duhet ta vlerësojmë”. Sigurisht kur unë i them që historia e ka quajtur ndryshe, ata reagojnë me shpejtësi: “Njeri ka qenë edhe Mao Cedung dhe njerëzit bëjnë dhe gabime, por po t’i vësh në peshore, të mirat janë me shumicë”. Pasi vizituam shtëpinë e tij, muzeun ku më bëri përshtypje që nuk kishte datë vdekjeje, drekuam në hotelin ku kishte fjetur shef Mao. Në Chansha ishte dhe Ishulli i Portokallit (Orange Island), ku në shkëmbin e madh në hyrje të tij ishte gdhendur portreti gjigand i Maos. Darkën e parë në Changsha e shtruan drejtuesit e zyrës së punëve të jashtme në Provincën e Hunanit, në hotelin e parë që kishte marrë prej vitesh 5 yje, ndërsa të dytën e shtruan zyrtarët e bashkisë së Changsha.

Guanzhou
Nga Changsha mu desh të fluturoja për Guanzhou nga nisej dhe avioni për në Stamboll dhe meqë në këtë qytet ndodhet kulla e tretë më e lartë në botë, “Canton Tower”, nuk mund të rrija pa shkuar. Bileta kushtoi 148 juan rreth 14-15 euro dhe ia vlente për t’u parë. Metroja nga aeroporti në “Canton Tower” kushtonte 1 euro dhe kishte disa ndalesa, ndërsa autobusi kushtonte rreth 4 euro, por pas dy stacionesh je në këmbë të kullës gjigante. Gjithashtu, gjeta edhe tregun e mallrave false ku një “Rolex” kushtonte 30 euro, por kush mendon se Kina është e lirë, gabon. Në qendra tregtare një bluzë e firmosur nga stilist kinezë kushton rreth 180 euro. Sa për mbyllje të vizitës Kinë, dua të shtoj që rrobat janë të shtrenjta, por ushqimet janë të lira e të përballueshme nga çdo xhep. Sistemi i transportit është absolutisht më i lehti për t’u përdorur e të çon cep më cep. Anglishtja është pak e përdorshme dhe shumica e kalimtarëve rrugës përdorin variantin e përkthimit me zë. Muzetë janë fantastikë e çdo detaj i ekspozuar me art e kujdes. Zhvillimi infrastrukturor është në nivele të paperceptueshme dhe të gjitha këto vijnë prej popullit kinez, që është aq shumë sistematik dhe i disiplinuar në punë sa rrallë gjen nëpër botë.

Diplomatja Huo Yuzhen

Intervista/ Huo Yozhen: Ja kushti që Kina ka për bashkëpunimin me qeverinë

Pavarësisht se cila forcë politike është në pushtet, Kina do të bashkëpunojë me qeverinë shqiptare me një kusht, që ajo t’u bëjë mirë njerëzve”. Kështu shprehet diplomatja Huo Yuzhen, përfaqësuese e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, ndërsa në intervistën dhënë për “Gazeta Shqiptare”, ajo shprehet se Kina i është mirënjohëse Shqipërisë për ndihmën që i ka dhënë në të shkuarën.

Si i shikoni marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës?
Historia e mes Kinës dhe Shqipërisë është shumë e gjatë dhe populli kinez e njeh mirë Shqipërinë. Shqipëria është ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kinës së re. Shqipëria i ofroi Kinës një ndihmë të madhe gjatë kohëve shumë të vështira, gjë të cilën populli kinez nuk e harron. Kjo është tradita e popullit tonë, të mos harrojë çfarë Shqipëria kanë bërë mirë për ne. Është një shprehje kineze që njihet gjerësisht, “kur të pish ujë, mos harro ata që gërmuan pusin”. Në sajë të ndihmës dhe mbështetjes së Shqipërisë, Kina mund të hynte me sukses në OKB. Pas kësaj, kinezët i kanë dhënë ndihmë Shqipërisë, që do të thotë se ndihma dhe mbështetja janë të dobisë reciproke. Dhe tani në epokën e re të zhvillimit në të gjithë botën, kuptimi apo konteksti mes dy vendeve ka një zhvillim të ri, i cili shkon me trendin ndërkombëtar.

Si e shikoni zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, këto pesë vitet e fundit?
Ne jemi të lumtur të shohim zhvillimet e fundit në Shqipëri, këto pesë vitet e fundit.

Keni projekte ekonomike të reja për Shqipërisë?
Të dyja palët duhet të kuptojnë njëra-tjetrën më mirë, përmes të gjithë llojeve dhe formave të ndërveprimit siç janë vizitat, apo pjesëmarrja në EXPO siç ishte ajo kineze CIIE e vitit të kaluar dhe besoj se edhe Shqipëria nga ana e saj duhet të zhvillojë aktivitete për të promovuar veten, pra në një botë ku të dyja palët të kuptojnë njëra-tjetrën përmes mirëkuptimit reciprok dhe përmes vendosjes së një kanali komunikimi për ta kuptuar më mirë njëri-tjetrin. Tani mes Kinës dhe Shqipërisë ka disa lloje bashkëpunimi siç janë: turizmi, bujqësia dhe infrastruktura dhe e rëndësishme është për të dyja palët të gjejnë një fushë të përshtatshme bashkëpunimi që duhet ta ndjekin. Ky vit i dedikohet arsimit dhe rinisë, viti i komunikimit, në këtë rast ne po vendosim lidhjet në fushën e edukimit. Shqipëria mund të bashkëpunojë në fushën e edukimit.

Cili është opinioni juaj për situatën politike në Shqipëri?
Ashtu si Kina ka vepruar përherë, pala kineze nuk ndikon në punët e brendshme të vendit, por mendoj se shqiptarët janë në gjendje t’i zgjidhin punët e tyre vete. Pavarësisht se cila forcë politike është në pushtet, Kina do të bashkëpunojë me qeverinë shqiptare me një kusht, që ajo t’u bëjë mirë njerëzve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.