SHËNDET

12 kura natyrale për shërimin e tensionit, nga selinoja tek spinaqi

13:54 - 06.07.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Hipertensioni është një nga vrasësit më të mëdhenj në botë. I njohur gjithashtu edhe si tensioni i lartë i gjakut, hipertensioni shton rrezikun për atak kardiak, sulmet në tru dhe probleme me veshkat. Hipertensioni i dalë jashtë kontrollit mund të çojë deri në verbërim, çrregullim të rrahjeve të zemrës e deri në sëmundje më të ndërlikuara kardiovaskulare. Megjithatë, tensioni i lartë i gjakut mund të parandalohet dhe të trajtohet. Organizata Botërore e Shëndetësisë bën të ditur në faqen e saj zyrtare se më shumë se një në tre të rritur në mbarë botën vuajnë nga hipertensioni, duke shtuar se kjo sëmundje vret më shumë se sa Sida.




Hipertensioni dhe sëmundjet kardiovaskulare

Sëmundjet e zemrës janë të lidhura ngushtë me tensionin e lartë të gjakut. Tensioni i lartë është një sëmundje që në të shumtën e rasteve shkaktohet nga një tjetër problem, sidomos nga problemet në veshka. Sipas mjekëve, hipertensioni dhe diabeti po kthehen në dy epidemi të mëdha. Shpesh hipertensioni vjen për shkak të sëmundjeve të tjera, ndërsa në raste të tjera është i trashëgueshëm.

Shkaqet

Disa nga shkaqet kryesore që shkakton këtë sëmundje janë problemet me veshkat, ngushtimi i aortës, etj. Në këto raste hipertensioni quhet dytësor, sepse vjen si pasojë e një sëmundjeje tjetër. Ndodh që, kur sëmundja tjetër që shkakton hipertensionin zhduket, edhe hipertensioni zakonisht largohet bashkë me të. Tipi tjetër i hipertensionit quhet primar. Ky lloj hipertensioni prek pjesën më të madhe të të sëmurëve me hipertension. Shkaktari i tij ende nuk njihet. Por besohet se është rezultat i shumë faktorëve si: trashëgimia, mbipesha, mënyra e të ushqyerit, mungesa e aktivitetit fizik, etj.

Vrasësi i heshtur

Për shkak të natyrës se si vepron sëmundja, hipertensioni quhet ndryshe edhe “vrasës i heshtur”. Sipas mjekëve ka persona të cilët nuk e kuptojnë se vuajnë nga hipertensioni. Sëmundja përkeqësohet me kalimin e kohës dhe kjo ndodh gjatë një periudhe të gjatë kohore dhe jo brenda pak ditësh. Pikërisht për këtë është e vështirë që të kuptohet nga vetë personi që në fillim. Megjithatë, ka disa simptoma të hershme që mund t’i kujtohen çdo personi me hipertension. Këto simptoma janë: dhimbje koke, sidomos në mëngjes, zhurmë veshësh, marrje mendsh, depresion pa e ditur shkakun, personi nxehet pothuajse pa arsye, i skuqet fytyra dhe shpesh ka gjendje të fikti.

Ç’duhet të bëjmë për të luftuar hipertensionin

Duke qenë se shpesh të prekurit nga hipertensioni nuk e dinë një gjë të tillë, duhet të ndiqen disa hapa për ta zbuluar atë. Kështu, fillimisht duhet të bëhet një “eko” e zemrës, më pas duhet bërë një kontroll për enët e gjakut në sy, si dhe një analizë urine. Gjithashtu u dieta është shumë e rëndësishme. Ajo duhet të jetë e pasur me perime dhe fibra, dhe duhet që të evitohet në maksimum përdorimi i kripës. Gjithashtu edhe stërvitja e rregullt ditore ndihmon shumë për uljen e tensionit.

Hipertensioni dhe mjekësia tradicionale

Disa nga ushqimet më të mira për hipertensionin janë selino dhe hudhra. Gjithashtu mjekësia tradicionale na sugjeron që të konsumojmë më shumë xhenxhefil dhe kanellë për uljen e tensionit të gjakut. Hudhra dhe xhenxhefili nuk mungojnë asnjë ditë në tavolinën kineze. Mjekët sugjerojnë konsumimin e 4 degëve selinoje dhe një thelbi hudhre në ditë. Xhenseni gjithashtu është shumë efikas në trajtimin e problemeve të hipertensionit dhe është përdorur tradicionalisht në formën e çajit. Xhensenin e gjejmë edhe në forma të tjera si në tableta etj. Xhenseni është një bimë që trajton shumë probleme në trupin e njeriut, por nuk duhet tepruar me të pasi mund të shkaktojë nervozizëm.

Këshillat për t’u ushqyer

Mjekët këshillojnë që mënyra e të ushqyerit ndikon shumë tek trajtimi i kësaj sëmundjeje. Për këtë ata sugjerojnë:

  1. Reduktimi i sasisë së kripës.

Kripa rrit tensionin e gjakut. Nga një studim në SHBA ku morën pjesë mbi 10 mijë persona rezultoi se dieta me sasi të lartë sodiumi kishte lidhje direkte me shtypjen e lartë të gjakut.

  1. Stresi.

Një shqyrtim i mbi 100 studimeve të bërë për teknikat e zvogëlimit të stresit dhe shtypjen e gjakut ka zbuluar se meditimi, joga dhe relaksimi progresiv i muskujve ishin që të gjitha efektive në uljen e tensionit të gjakut.

  1. Alkooli

Specialistët theksojnë se nuk duhet të abuzojmë me alkoolin.

  1. Ushqime që përmbajnë potas.

Nga një studim në “Journal of Clinical Hypertension” ka rezultuar se konsumimi i ushqimeve të pasura me potas ndihmon në uljen e tensionit të gjakut. Ushqimet që përmbajnë sasi të konsiderueshme potasi janë: fasulet e sojës, salca e domateve, perimet e ndryshme si spinaqi etj.

  1. Magnezi dhe Kalciumi.

Ushqimet e pasura me magnez dhe kalcium ndihmojnë gjithashtu në kontrollimin e tensionit të gjakut. Ushqimet e mira që përmbajnë magnez janë drithërat, orizi integral, bajamet, gështenjat, fasulet, spinaqi, etj. Ushqimet që përmbajnë kalcium janë kosi, djathi, lakra kineze, brokoli, spinaqi dhe lakra jeshile.

  1. Selino është një burim i përkryer i kaliumit.

Mban nën kontroll kolesterolin dhe stimulon veshkat si dhe shërben për të luftuar hipertensionin. Selino përmban minerale shumë të rëndësishme të tilla si kalium, zink, kalcium, hekur, fosfor, magnez, vitaminë C, vitaminë B, etj. Në mjekësinë kineze, selino është përdorur si një ilaç për tensionin e lartë të gjakut. Studimet kanë konfirmuar se prania e substancave tek selino rregullon tensionin e gjakut. Selino përmban vitaminë C, e cila ndikon në sistemin tonë imunitar, forcimin e rezistencës ndaj ftohjes dhe inflamacionit. Është e dobishme për të luftuar problemet me stomakun, reumatizmën, obezitetin, sëmundjet e fshikëzës së urinës etj. Lëngu i selinos është një mjet i shkëlqyer për ruajtjen e një shëndeti të mirë pasi largon toksinat nga trupi.

  1. Peshku.

Peshqit si salmoni, toni, trofta etj., janë të pasur me acide yndyrore omega-3, të cilët ndihmojnë në uljen e tensionit të lartë të gjakut. Salmoni përmban acide yndyrore të cilët nuk mund t’i prodhojë trupi ynë, duke ndihmuar në shëndetin e funksioneve të trurit, ulin rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe paralizës.

  1. Arrat

Ato gjithashtu janë të pasura me acide yndyrore Omega-3 që ndihmon në zvogëlimin e presionit të gjakut.

  1. Erëzat

Erëzat jo vetëm që ndihmojnë në dhënien e një shijeje të mirë ushqimeve por ato gjithashtu ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut. Rigoni, piperi i zi, borziloku dhe shafrani janë raportuar se që të gjitha ndihmojnë që presioni i gjakut të ulet.

  1. Hudhra

Studimet kanë zbuluar se hudhra është po aq efektive në uljen e tensionit të lartë të gjakut sa edhe disa medikamente të zakonshme. Hulumtuesit australianë kanë theksuar se doza prej 600 deri 900 mg që përdoret në shumicën e studimeve përmban rreth 3.6 deri 5.4 mg të alicinit, përbërësit aktiv në hudhër. Thelbi i hudhrës përmban nga 5 deri 9mg të alicinit.

  1. Spinaqi

Ushqimet e pasura me folate si spinaqi ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut. Burime tjera me folate janë perimet me gjethe jeshile, bimët bishtajore, dhe asparagu.

  1. Çokollata e Zezë.

Studimet tregojnë se është e mirë për shëndetin e zemrës dhe se zvogëlon shtypjen e lartë të gjakut. Specialistët këshillojnë gjithashtu që së bashku me dietën e duhur të sëmurët me hipertension duhet të bëjnë ecje apo shëtitje në ajër të pastër të paktën 2-3 herë në javë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.