MILOSAO

Pezulli që la një piktor dhe njeri i mirë

22:21 - 07.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Vilson Kilica u nda nga jeta tre vjet më parë. Pa zhurmën që kërkohet nga shumë familje, funerali i tij ishte i thjeshtë. Më e qetë jeta e vet. I mbyllur në vetvete në vitet e fundit, ai ndiqte nga jashtë zhvillimet e vendit, por edhe i ruhesh metamorfozës së shumë artistëve të brezit të tij për bujën dhe protagonizëm. Falë kulturës të baztë, njohurive të përgjithshme, piktori i njohur bënte abstragimet e nevojshme të jetës dhe gëzonte i prirur përditshmërinë normale. Larg syve të botës së tonë të konsumit. Për fat të keq, gati i panjohur nga masa e madhe e njerëzve të medias sot, që rrëmojnë kudo për sensacione për t’i dhënë pak frymë shoqërisë së sotme.




Vilson Kilica është një nga njerëzit më të njohur të pikturës shqiptare, kontribut që daton prej hershmërisë së viteve ’50. Duhet sqaruar se punët e tij nuk i shmangën dot kanonet e Realizmit Socialist. Në to ka qenë prezent edhe figura e Enver Hoxhës, por veprimtaria e tij shkon në respektimin e më të mirave të artit pikturik të këtij sistemi, teknikave, gjetjet dhe mbi të gjitha aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të ndihur breza të tërë piktorësh. Drejtuesi i parë i Akademisë së Arteve do të mbahet mënd për korrektësinë, aftësinë organizuese dhe mbi të gjitha hartuesit të strukturave pedagogjike, elementë të cilat do t’i jepnin mundësi këtij institucioni të merrte frymë. Duke ardhur nga një prej shkollimeve më të mira të kohës, Akademisë së Artit në Leningrad (Sankt Petërburg), Vilson Kilica do të mbahet mënd për atë frymë të mirë kulture, profesionalizmi të niveleve eprore etj., që dinte të përcillte dhe të ndante me bashkëkohësit. Kilica, ndryshe nga jo pak bashkëkohës, nuk u fsheh apo edhe nuk e mohoi punën e tij, e cila mund të quhet si një vepër me nota të larta të zhvillimeve të kohës, madje në dhjetëra tablotë, të cilat mbajnë firmën e piktorit. Natyra e punëve të tij shkon prej atyre të karakterit romantik, realizuar në kohën e shkollimit rus, peizazhe, portrete, natyra të qeta, kompozime me karakter heroik, që atë kohë përbënin një sfidë sa i përket madhështisë së rregjimit. Gjithsesi edhe brënda këtyre kanoneve, një nga punët e tij “Brigadierët”, me temë shumë të kohës, do të shënonte frymë të tendencave moderniste të cilat po dukeshin aty-këtu në disa punë në artin shqiptar.

Punët e tij “Denoncimi i Traktatit të Varshavës” apo “Shpallja e Republikës” (1983) janë nga veprat më të njohura të Realizmit Socialist, bashkë me “Punëtorët”, me të cilën meritoi Çmimin e Republikës.
Vilson Kilica shfaqet shumë kanonik në punët e tij dhe tejet i kujdesshëm sa i përket angazhimeve të veta për të qartësuar idenë prej teknikave të përdorimit të ngjyrës dhe të gjithë elementët e tjerë dritës dhe energjisë pozitive, që ai i kuron me kujdes brënda një kompozicioni që i shkon shumë tematikës.

***
Artisti Vilson Kilica lindi në vitin 1932 dhe u nda nga jeta në vitin 2016. Pinjoll i një familje patriotike, pasi gjyshi i vet Tonç Kilica, si kryetar i Bashkisë së Fierit në vitin 1912 organizoi ceremoninë e ngritjes së flamurit të Pavarësisë në këtë qytet, ai do të mbahet mënd si një piktor i mirë dhe një njeri shumë i respektueshëm. Nxënësi i profesor Sadik Kacelit do të kryente studimet me medalje ari dhe shkollën e lartë do ta përfundonte në Akademinë e Arteve “I. E Rjepin” në Leningrad, në atelienë e profesor B. V. Ioganson.
Me emrin e tij është i lidhur ngritja e Institutit të Lartë të Arteve
Vilson Kilicës i ruhen rreth 40 punë, të cilat përfaqësojnë shumë periudha të krijimtarisë së tij në Galerinë Kombëtare të Arteve; një masë tjetër e madhe në Galerinë e Arteve në Fier; shumë në koleksionin e familjes dhe në koleksionistë privatë. Mbi 100 të tjera ndodhen në koleksione private në SHBA, Gjermani, Francë, Itali etj.

Biografia

1948 -1952 Kreu Liceun Artitik “Jordan Misja”, Tiranë. Studjoi në një klasë me Sali Shijakun, Ksenofon Dilon dhe Dhimitër Kokoshin.
1958 -1960 Inspektor për artet në Ministrinë e Arsimit
1960 Pjesëmarrës në dy ekspozita Biennale pikture në Aleksandri, Egjipt
1960-1965 Drejtori i parë i Institutit të Arteve Figurative, dikur 2 vjeçar
1965-1969 Drejtori Institutit të Lartë të Arteve, tashmë 4 vjeçar
1969-1973 Ishte Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në vitin 1974 u kritikua nga Pleniumi i 4-të i KQPPSH dhe u përjashtua nga drejtimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë me motivacioni “Për ndikime borgjeze dhe revizioniste”.
1974 Pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë
1975-1981 Transferohet në qytetin e Fierit (si masë ndëshkimore) dhe punoi si pedagog vizatimi në dy shkolla
1981-1991 Transferohet me banim në Tiranë dhe ishte pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë / udhëheqës artistik i Ateljesë së pikturës së kavaletit dhe asaj monumentale.
1991 I kushtohet vetëm pikturës, duke punuar në studion e tij në Tiranë
1993 Ekspozon ne galerin Te&Gi, në Galerinë Kombëtare të Arteve në ekspozitën Ndërkombëtare “Onufri”
1996 Ekspozitë vetjake në “Hotel Europark” në Tiranë
1998 Ekspozitë e përbashkët me Sali Shijakun në Prishtinë, Kosovë
1999-2005 Merr pjesë në ekspozitat “Nëntor” 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 11, 12
2003 Ekspozitë vetjake në “Galerinë e Arteve” në Fier
2011 Ekspozitë vetjake në “Galerinë e Arteve” në Fier
2012 Vazhdon të ushtrojë veprimtarinë krijuese


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.