Sociale

Zgjerohet lista e barnave të rimbursueshme, 14 medikamente të reja në listë

21:35 - 07.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në listën e barnave me rimbursim janë shtuar 14 barna të reja të kushtueshme, që shërbejnë për trajtimin e sëmundjeve tumorale, hepatitin C dhe sëmundje të tjera të rënda. Lajmi është bërë me dije ditën e djeshme nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se me hyrjen në fuqi të listës së re të barnave të rimbursueshme, janë zgjeruar kategoritë përfituese, duke ulur barrën e pagesave nga xhepi për qytetarët. “Në listën e re të barnave të rimbursueshme janë shtuar 14 barna të reja, prej të cilave, 9 janë principe aktive të reja, për barna mjaft të shtrenjta dhe të vështira për t’u përballuar nga qytetarët, që mbulojnë sëmundje si hepatiti C, trajtimi i limfomave, artriti reumatoid, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet autoimune etj.”, tha Manastirliu.




Qytetarët përfitues
Risia e kësaj liste është përfshirja e barnave me marrëveshje të posaçme, duke ulur çmimin e barit me proces negocimi me kompanitë më të mëdha multinacionale dhe për rrjedhojë, duke zgjeruar numrin e qytetarëve përfitues. “Ia kemi dalë të zgjerojmë përfitimet për qytetarët, për t’u trajtuar me barna shumë të kushtueshme për sëmundje të rënda, duke ulur çmimin e të njëjtit medikament, falë një procesi negocimi me kompanitë prestigjioze ndërkombëtare, nëpërmjet marrëveshjeve të posaçme, njësoj siç bëmë vjet me herceptinën”, tha Manastirliu.
Barnat e reja
Në medikamentet e reja janë shtuar barna për trajtimin e sëmundjeve malinje të gjakut apo hepatitit C, që kanë qenë gjithmonë problem sa i takon mbulimit të nevojave. Me zgjerimin e skemës me barna për hepatitin C, pacientët mund ta përfitojë falas barin e shtrenjtë, që i kushtonte 10 mijë euro në muaj. Apo për sëmundjet malinje të gjakut, mjafton të përmendin barin ‘Mabthera’, që u kushtonte pacientëve 39 mijë euro një trajtim i plotë, me zgjerimin e LBR 2019 sot është falas. Apo bari ‘Keytruda’, i cili trajton melanomat, që i kushtonte çdo pacienti. Por edhe me shtimin e formë-dozave të reja që janë përfshirë në LBR 2019 lehtësohen pacientët, siç është rasti i pacientëve me sëmundje psikiatrike, që më parë merrnin mjekimin çdo muaj, ndërsa me formë dozën e re, e marrin trajtimin e plotë, 1 herë në 3 muaj. Ministrja Manastirliu deklaroi në komunikimin me median se në këto 6 vite lista e rimbursimit ka pasur një zhvillim cilësor jo vetëm për nga zgjerimi i mbulimit me alternative të reja, por edhe zgjerimi i përfituesve nga skema e rimbursimit, me përparësi grupet e margjinalizuara. Sot, 600 mijë të pasiguruar që më parë përjashtoheshin nga mundësia për të përfituar barnat me rimbursim, i marrin ato falas, duke lehtësuar ndjeshëm buxhetin e familjeve shqiptare. Është rritur me 30 milionë dollarë financimin e listës së barnave të rimbursueshme, duke siguruar mbi 1150 alternativa mjekimi falas nga të cilat, përfitojnë rreth 499 mijë qytetarë. Fondi në dispozicion për LBR 2019 është 105 milionë dollarë, duke garantuar një paketë shumë më të plotë të barnave, që merren falas nga qytetarët me sëmundje kronike apo akute.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.