OPINION

Fundi i Republikës së Parë

07:35 - 08.07.19 Gjergj Buxhuku
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

30 qershori 2019, vështruar krahësimisht dhe në largësi kohore, mund të përkufizohet si fillimi i fundit të Republikës së Parë të pasdiktaturës gjysmë shekullore komuniste shqiptare. Republika e Parë mbaroi misionin e saj duke krijuar institucionet formale të demokracisë dhe ekonomisë së tregut, por njëkohësisht ndërtoi një shtet të dështuar, të korruptuar dhe tërësisht jo funksional për qytetarët e tij. Në fakt, duke vlerësuar gjithë ndryshoret përcaktuese të zhvillimit historik të vendit vështirë, se mund të kishim ndërtuar diçka më ndryshe.




Si rregull, nëse do të ishim në kushtet gjeostrategjike të 40-50 viteve më parë, republika e dështuar duhej të vazhdohej me vendosjen e diktaturës së pastër politike, por me ekonomi tregu. Dhe në vende të vogla, të varfra dhe me përvoja të hidhura totalitare, nëse fuqitë e mëdha të paktën e lejojnë, diktatura e pastër është e lehtë të vendoset.

Ushtrimi i parë i nevojshëm i shtetformimit të Shqipërisë në kushtet e një sistemi demokratik teorik zgjati pothuaj 30 vjet dhe shënoi fillimin e kapitullit të fundit në 30 qershor. Shumë për një qenie njerëzore, por pak për ndërtimin e një shteti. Aq më shumë të një shteti demokratik. Shtetformim, që si përfundim po shfaqet ndërmjet tragjikes dhe komikes, por që prodhon papushim pasoja dramatike për shqiptarët e thjeshtë. Mjafton të shikosh shfaqjen politike shumicë-pakicë për zgjedhjet vendore të 30 qershorit pa arbitër kushtetues, ku secila palë bëri edhe gjyqtarin e ndeshjes, për të kuptuar shkërmoqjen dhe asgjënë thelbësore të shtetit formal të ndërtuar. Dhe për të përfunduar te votimet nostalgjike pa zgjedhje të 30 qershorit

Gjatë Republikës së Parë formalisht dhe ligjërisht ndërtuam institucione demokratike të shtetit të së drejtës dhe ekonomi tregu, por në thelb vazhdoi qeverisja “Partia-Shtet”. Parti politike, që kthehen në agjenci të mirëfillta punësimi ose dhuruese të pasurive kombëtare për militantët dhe sipërmarrjet ortake, sa herë janë në pushtet.  Si për të përligjur edhe njëherë tjetër teorinë e cikleve në zhvillimin e kombeve dhe tërheqjen e fortë të së shkuarës, në thelb shumë gjëra kanë mbetur sikur në kohën e krijimit të Republikës së Parë të para 30 viteve. Por, me ndryshimin e madh pozitiv, se tashmë jemi shumë më të qartë se çfarë nuk shkon dhe çfarë duhet rregulluar.

Ekonomia e përqendruar e dështuar socialiste është shndërruar në ekonomi tregu të mbytur, pa konkurrencë, ku oligopolet, monopolet dhe kartelet, të zotëruara nga shkrirja  me vendimmarrjen politike të tipit më shumë se “ state capture/kapje e shtetit”, janë të pranishme kudo. Pjesë të mëdha të ekonomisë krijohen dhe mbahen në këmbë nga burime financiare gri dhe të zeza, që shoqëruar me shpenzime publike tërësisht jo efektive, godasin në mënyrë vdekjeprurëse njëkohësisht mirëqenien e qytetarëve, biznesin e vërtetë si edhe vetë demokracinë e supozuar. Sikurse edhe 30 vjet më parë largimi nga vendi është zgjidhja e mbijetesës për shqiptarët. Ndryshojnë vetëm mënyrat. Malet, anijet dhe arratisjet janë zëvendësuar me ikjen me pasaporta.

Data 30 qershor 2019 shënon pikërisht shpalljen zyrtare të fillimit të rënies së sistemit politik dhe ekonomik të ndërtuar në 30 vjet. Oligopoli politik, që ndërtoi sistemin pseudodemokratik në fuqi nuk mund të vazhdonte më mënyrën e parë të sundimit. Ekonomia e rrënuar nuk është më në gjendje të ushqejë ushtritë dhe bizneset e të gjitha partive politike, që krijojnë fasadën demokratike. Si rrjedhim, oligopoli politik, që ka ndërtuar dhe qeverisur Republikën e Parë, duhej të shndërrohej objektivisht në monopol politik të pastër. Disa duhej te hidheshin nga varka, që po mbytej. Pafuqia e sistemit ekonomik, të ndërtuar dhe të futur në një rreth të mbyllur vetasgjësues, kushtëzon edhe shformimin dhe rënien e patjetërsueshme të karteleve bizneso-politike të sotme, që qarkullojnë masën dërrmuese të kapitaleve të shqiptarëve. Përqendrimi i mëtejshëm i ekonomisë drejt monopolizimit të pastër është i pashmangshëm. Përplasja ndërmjet lojtarëve kryesorë të biznesit, përfitues nga sistemi i sotëm, do të jetë shumë e fortë. Përmasat në zvogëlim të ndjeshëm të ekonomisë në tkurrje nuk kanë vend më për shumë lojtarë oligopolistë të sotëm, që janë të paaftë të mbijetojnë në konkurencë të lirë në tregje të hapura dhe pa ortakëri korrupsioniste politike. Sipërmarrësit kryesorë të biznesit shqiptar nuk kuptuan në kohë, se është e pamundur të ndërtosh strategji vetjake të sukseshme në afatgjatë vetëm duke u mbështetur te përfitimet e përfituara kundër interesit publik të një shteti, që ështe varfëruar dhe varfërohet cdo ditë pikërisht, se është i „ kapur” nga ata vetë dhe ortakët e tyre të politikës. Shqipëria rrezikon seriozisht të mbetet pa tregje biznese të mëdha kombëtare.

30 qershori është shumë më tepër sesa përplasja personale e disa liderëve të Republikës së Parë, as vetëm rënia e sistemit ekonomik dhe as shenjat e qarta të një shteti të dështuar. Ana tjetër dhe më e rëndësishme është, se polet kryesore ndërkombëtare për interesa të tyre kanë marrë vendimin për ndryshime të thella në Rajon. Nëse, Shqipëria do të ishte larg Europës dhe interesave strategjikë të SHBA, Republika e Parë do të duhej të përfundonte në diktaturë të pastër dhe në monopolizim skajor të ekonomisë. Por, mundësitë e lejimit nga faktori ndërkombëtar i vazhdimit të ushtrimit shtetformues pas fundit të Republikës së Parë për krijimin e një lloj diktature politike “de jure” me ekonomi tregu si 50 vjet më parë me juntat ushtarake në Greqi, Spanjë dhe Portugali para hyrjes së tyre në BE është e vogël. Shënojmë edhe lëkundjet e forta të demokracisë në vende si Hungaria, deri te vende themeluese të BE për të kuptuar, se ruajtja e legjitimitetit të jashtëm demokratik në Shqipëri dhe vende të tjera të rajonit është i rëndësishëm për BE kryesuar nga Gjermania. Jo vetëm, se jemi gjysmë shekulli më pas kohës „luftës së ftohtë” dhe BE dhe SHBA kërkojnë një ruajtje formale të legjitimitetit demokratik në kufijtë e influencës gjeostrategjike të tyre. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për skenarin e vendosjes së proteksionizmit të shpallur, sikurse në rastin e Kosovës pas luftës së vitit 1999.

Është pothuaj e sigurtë, që nga polet kryesore vendimmarrëse ndërkombëtare strategjia e ndryshimit të plotë të sistemit ekonomik dhe politik në Shqipëri dhe Rajon të jetë vendim i marrë. Sa më sipër, sepse ka ardhur koha e mbarimit të ushtrimit demokratik 30 vjeçar, nuk mund të pranohen më shtete fqinje tërësisht të dështuara, se pushtetarët e dështuar por shumë të pasur të Rajonit vetëm për të zgjatur jetën politike guxojnë të sfidojnë me probleme deri gjeostrategjike të nxehta si rasti i rishikimit të kufirit Kosovë-Serbi, por edhe sepse po afron koha e anëtarësimit me detyrim të Rajonit në BE si zgjidhje përfundimtare. Zbatimi i vendimit të marrë tashmë nga polet kryesore ndërkombëtare për ndryshim të plotë sistemit politik dhe ekonomik në Shqipëri dhe Rajon është vetëm çështje taktike dhe kohe. Kohë, që rrjedh ndryshëm për ne dhe ata. Ka dhe përplasje ndërmjet fuqive të mëdha për mjetet dhe mënyrat, që do përdoren. Sikurse mund të ketë edhe organizime sektare, që mundohen të përfitojnë duke spekuluar me proceset e ndërlikuara historike, që po ndodhin në Rajonin e Ballkanit.

Si taktikë nga Perëndimi në rastin e Shqipërisë mund të jetë zgjedhur skenari i vetasgjësimit ndërmjet përballjes së ashpër të lojtarëve të sotëm politikë në një sistem, që duhet të ruajë formën e jashtme demokratike dhe të një vendi formalisht të pavarur, që do jetë pjesë e BE shpejt ose vonë. Skenari i vetasgjësimit në formë dominoje të njeri-tjetrit të lidershipit të sotëm politik është më praktik dhe me kosto më të ulët për ndërkombëtarët. Ndërkohë, janë marrë masat për të qenë të pranishëm drejtpërdrejtë brenda vendit për çdo rast. Fillimi vetingut, prania e misioneve të shërbimeve policore, të shërbimeve të fshehta, deri te mundësia e ndërhyrjes së përsëritur të trupave ushtarake mbështesin skenarin e mësipërm. Ndërkombëtarët kanë peshën e tyre të përgjegjësisë historike ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve si komb. Një pjesë e madhe e problematikës të krizës së sotme në Shqipëri dhe botën shqiptare në tërësi janë pasojë edhe e kurthit të “numrave të vegjël” të vendosur me copëtimin e kombit para një shekulli. Kurth, që vështirëson deri në pamundësi për të vetkrijuar sistem shtetëror, që prodhon së brendshmi njëkohësisht qëndrueshmëri, demokraci edhe mirëqenie për qytetarët. Por kjo është çështje tjetër.

Republika e Parë paskomuniste në Shqipëri ka rënë si sistem. Rënie e përcaktuar nga jashtë dhe brenda. Pjesa tjetër janë pasoja politike, shoqërore, ekonomike shoqëruese të shkatërrimit të sistemit si dhe histori dhe fate vetjake njerëzore të liderëve politikë përgjegjës, që do të rrëzohen pa përjashtim të gjithë bashkë me sistemin.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.