Shëndet

Ylli Merja: Karbohidratet e larta, dieta ideale për t’u kthyer në normalitet

17:40 - 08.07.19 Gazeta Shqiptare

Voltiza Duro – Personat që vuajnë nga diabeti, çrregullimet e tensionit apo kolesteroli i lartë në gjak duhet të bëjnë pjesë të jetës së tyre, një dietë të pasur me ushqime sa më të shëndetshme. Gjithashtu personat që vuajnë nga sëmundjet e sipërpërmendura duhet të tregohen sa më të kujdesshëm e mos ta teprojnë me yndyrat apo sheqernat.



Organizmi i këtyre individëve ka nevojë për një strukturë ushqimore të pasur me proteina, vitamina, kripëra minerale, karbohidrate e yndyra; të gjitha këto bazë për një jetë sa më vitale. Edhe dinamika e tyre e lëvizjes ndihmon në zvogëlimin e patologjive të ndryshme. Vlen të theksohet fakti se këta njerëz në dietën e tyre duhet të marrin më pak karbohidrate, e më pak yndyra shtazore. Komponenti kryesor te kjo dietë, duhet të jetë energjia ku duhet të llogarisim koeficientin kalori, në përshtatje me moshën ku ky raport kalori/ (pjesëtim) peshë mos e kalojë vlerën 43.

Rekomandimet
Në rastet kur koeficienti është më i lartë, duhet të mos konsumohen ushqime të caktuara, në mënyrë që organizmi të konsumojë yndyrat e grumbulluara për energjinë ditore që i nevojitet. Në këtë mënyrë ne realizojmë jo vetëm një jetë aktive dhe dinamike por bëjmë të mundur që një pjesë e kolesterolit të lartë që është depozituar në organizëm, të kalojë në energji ditore dhe në ujë.

Nëse një person ka një peshë trupore 80 kilogram dhe merr afërsisht 2800 kalori në ditë, atëherë kryejmë llogaritë e mëposhtme: 2800/80=35. Pra koeficienti nuk e kalon vlerën 43 dhe ky person është normal. Nga kjo normë ditore, individi duhet të ulë rreth 300 kalori në ditë, pra të mos marrë më 2800 por vetëm 2500 kalori brenda 24 orësh. Kështu këto 300 kalori, organizmi do i marrë nga vetë kolesteroli i grumbulluar në organizëm. Pasi u përcaktuan këto kritere, në studim u morën dy grupe njerëzish: persona me kolesterol dhe trigliceride të larta; si dhe personat diabetikë që kishin kolesterolin e trigliceridet në norma të larta. Në strukturën ushqimore të grupit të parë, pra te individët që vuanin nga kolesteroli i lartë, u vendos të përdorej kuzhina mesdhetare e gërshetuar me çajra bimorë dhe tërshërë; të pasura këto me fibra ushqimore. Këta persona duhet të marrin për mëngjes 250 ml qumësht ose kos, 3-4 lugë gjelle me tërshërë, gjysmë lugë çaji me mjaltë dhe gjysmë lugë kafeje me kanellë. Gjithashtu, kjo shoqërohej me një lugë gjelle me boronicë, e pas buke pacientëve iu jepej një gotë çaj për shkrirjen e yndyrave në gjak. Në përbërjen e këtij çaji u kombinuan bimë me fruta pylli, lëvore shelgu, lulja dhe fruta i murrizit si dhe çaji i gjelbër.

Gjatë studimit u konstatua që këta persona deri rreth orës 14.00-15.00 nuk kishin ndjenjë urie pasi fibrat natyrore që ata konsumuan, ngopnin organizmin. Ndërsa kanella me disa përbërës frenonin thithjen e yndyrave të tepërta e çaji shkrinte yndyrat e ndihmonte që një pjesë e triglicerideve dhe kolesterolit, të shkrihej dhe të kalonte për energji ditore. Pas mëngjesit, rreth orës 11.00, këtyre personave iu rekomandua konsumimi i një molle apo kivi, e më tej një drekë të pasur me perime e zarzavate, shoqëruar me 100 gram mish viçi ose pule. Pas buke, duhej të pinin patjetër një gotë çaj për uljen e kolesterolit si dhe të konsumonin vetëm 1 fetë buke në mëngjes, 1 në drekë e 1 në darkë. Gjithashtu, këshillohet që në darkë të konsumohet kos dhe pilaf.

Pas kësaj diete, pacientët tregonin se ndiheshin shumë të lehtësuar dhe kishin më energji, e pasi kryen analizat e gjakut, u konstatuan përmirësime të dukshme, ku vlerat e kolesterolit ishin ulur, e po ashtu dhe një normalizim të tensionit pas tre javësh trajtim me këtë dietë ushqimore. Ndërkaq, personat që vuajnë edhe nga diabeti, edhe nga kolesteroli i lartë këshillohet që të përdorin 2-3 herë në javë gjellë me bamje, ose çdo mbrëmje të hidhnin në një gotë me ujë 4 bamje dhe mollë të egra, çaj i cili do të konsumohet në mëngjes. Edhe në këtë rast mëngjesi është kos me tërshërë, por e shoqëruar me kanellë edhe boronicë. Pas mëngjesit këshillohet një çaj antidiabetik, por që njëkohësisht ul dhe kolesterolin e lartë. Pas kësaj konstatuam një rënie të glicemisë dhe normalizim të tensionit.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *