KULTURË

Penelat unikalë të Bujar Zajmit hapin muajin e diasporës në Pejë

16:50 - 09.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së piktorit tiranas Bujar Zajmi, Galeria e Arteve Pejë hapi një ekspozitë me 80 punime të mjeshtrit të penelave me rrënjë pejane. Kjo ekspozitë është organizuar në kujdesin e kryetarit të Pejës, z.Gazmend Muhaxheri dhe me organizim të përbashkët të Galerisë së Arteve dhe drejtorive për kulturë dhe ajo për integrime dhe diasporë. Ekspozita do të jetë e hapur për një muaj rresht, ndërsa punimet e përzgjedhura me motive kombëtare që janë punuar ndër vite patën efekt të menjëhershëm në publikun shqiptar. Artisti z.Bujar Zajmi, nën emocionet e nostalgjisë për vendlindjen e babait të tij dhe pritjes të organizuar nga institucionet komunale, u shpreh shumë i gëzuar për mundësinë e hapjes së ekspozitës në Pejë.




Ai ndër të tjera tha se kjo ekspozitë e bën shumë të lumtur dhe e bën të ndjejë emocione të veçanta. “Sa herë që vij në Kosovë, e ndjej shqiptarizmin”, – tha autori. Kryetari, z.Muhaxheri u shpreh i nderuar që pati rastin të kontribuojë në këtë ngjarje kulturore. “Bujar Zajmi nuk është më vetëm një qytetar i Tiranës sepse ai i ka rrënjët e Pejës, prandaj me shumë kënaqësi do ta quaja artistit pejan. Nuk mund ta fshehim krenarinë se pejanët kudo që jetojnë, janë krijues të dalluar dhe na bëjnë të ndjehemi krenar. Prandaj shpreh gjithë mirënjohjen time për autorin”. Drejtori i Galerisë së Arteve, z.Zymer Mulliqi foli për historinë e krijimtarisë së autorit dhe ndër të tjera tregoi se autori gjatë jetës së tij ka krijuar rreth 8000 punime me vlera të larta artistike. Me ekspozitën e sotme, e cila përkoi me ditëlindjen e 80-të të autorit, u hap edhe muaji i diasporës në komunën e Pejës.

Bujar Zajmi gjatw hapjes sw ekspozitws nw Pejw ekspozita(1)
<
>

Kanë thënë për Bujar Zajmin…..
Profesor Ramadan Sokoli, muzikolog,
maj 1993
“Këto punime lirike, Bujar Zajmi i ka punuar në heshtje e pa bujë, por me dinjitet e ndershmëri, pa lakmuar tituj e dekorata nga pushteti. Vite vrojtimesh, kërkimesh, përpjekjesh, në një kohë kur sundonte errësira, përgjimet nga Sigurimi, por edhe në kohëra të tilla, ai krijoi pa u epur. Punimet e B. Zajmit marrin shkas kryesisht nga pamjet e jetës. I ndershëm shijehollë, që di të shprehë bukur ndijimet e mendimet nëpërmjet një gjuhë emblematike të mërtisur, qartë e kuptueshëm në një gamë stilizmash të shpenguara dhe të shkriftëruara. Duke soditur vijat apo trajtat vëllimore, blloqeve e planeve të tyre, së bashku me ngjyrat e ujdisura të bukura që u shëmbëllejnë rrezeve të shndritshme, që përftohen nëpër kristale poliedrike. Përfitojmë të depërtojmë përtej leskrave të jashtme, sikur lëçit vetë shpirtin e autorit.

Kujtim Buza, piktor, kritik arti, janar 2005
“Afirmimi po reflektohej tek punimet e para të Bujarit, që shpërthente me sinqeritetin e një artisti të ri me nota lirike, të brishta dhe të ethshme një pasqyrim të realitetit karakteristik shqiptar. Talenti me fantazi krijuese, e mbështetur në ngacmimet e jetës dhe historisë së vendit të tij, ky fill e shoqëron gati gjithë jetës, në gjithë llojshmërinë e kërkimeve që përjeton, është ajo kocka e fortë që e shoqëron në zbulimin e universit kombëtar. Bujar Zajmi e kishte treguar me kohë mënyrën e tij të të vizatuarit e kuptuar me viza, me segmente të shkurtra, që bashkohen e ndërtonin vëllime, ngrinin kulla dhe thurnin kompozicione. Në fillim, falë kërkimeve të pandërgjegjshme, por dalëngadalë u shfaqen kërkime të tilla stilistike. Kjo është koha kur artisti i ri kërkonte mënyrën e kërkimeve të akumulimit shpirtëror rrënqethës, që binin ndesh me metodën zyrtare. Rruga që zgjodhi artisti i ri për të marrë me kujdes elementët e përpunuar rafinueshëm, u pranua si pjesë e individualitetit të tij, që Bujari e lëvron me maturi, u pranua si kulturë grafike e ardhur nga shkolla e madhe gjermane. Ai e shpalli kryesisht në gazeta e revista të ilustruara, ku vihet re një kulturë grafike si dhe një vetëpërmbajtje, sidomos në drejtimin e sektorëve të botimeve me rëndësi, në kolegiume, mësimdhënie, në kryesimin e grafikës në lidhjen e shkrimtarëve dhe artistëve. Dufin e akumuluar e shpallte në qoshen-studio. Ato janë motive intime, nudo në lëvizje, portrete e figura malësorësh, në forma gjeometrie, shenja dhe simbole, konceptuar si gjurmë jete. Bujar Zajmi ka punuar shumë, i zhytur në tavolinën e punës, skica dhe punime idesh, realizime në kavalet, episode, takime malësorësh të formës: ‘A je burrë!’, lëvizje elegante figurash nudo, fletë grafike ‘Shqiponja me dy koka’, ‘Njerëzve me maska’, “Tiranasi”, “Gjarpri”. Figurat gjeomerizohen, shpërndahen me shumë shije, me grotesk, vizatime lineare shoqëruar me njolla dhe vëllime masive. Opus tjetër është modelimi i vizatimit e njollës bashkë, si edhe kolazhet, një virtuozitet i shprehjes artistike, të fantazisë krijuese nëpërmjet shfrytëzimit të fletëve të ngjyrosura të revistave, përmes të cilave krijon gjendje të llojllojshme figurative të imazheve të përsosura. Bujari ka merak zhvillimin e natyrshëm në ecurinë e përsosmërisë së formës brenda karakterit dhe individualitet që në biseda thekson: “Unë jam unë, nuk duhet të lëmë asnjëherë vlerat vetjake, sikundër të qenit shqiptar i jep krenari dhe kuptim krijimtarisë”. Motivet e tija janë nga Kosova, vija e trungut, baba nga Peja e nana nga Tirana. Punimet e tija kanë edhe ngarkesë të frymës popullore me gjetje tiranase. Studio e tij plot ide, bërthamë veprash, tablosh unikale për të ardhmen, ato flenë në dosje, ato presin të realizohen.

Suzana Varvarica-Kuka, kritike arti, mars 2007
“….Bujar Zajmi ka një pikturë që transmeton situatën më evidente, që është fryma e tërësishme figurative… Ajo është aty, të jep entuziazëm dhe kënaqësi të shijuarit. Duke vështruar tërësinë e atmosferës krijuese, zbulon vetitë e spikatura të pikturës së tij, me figura dhe mendime, të cilin e konfirmon me shkallën e njohjes së fenomenit. Ai ka një krijimtari individuale që përkundet nëpërmjet situatave të rëndësishme. Ekspozita e tij ‘Meditimi’ erdhi e shqiptuar qartë, thjeshtë, pa ekuivoke. Punime nga 1956 e deri 2007. Nuk iu kundërvu pushtetit, por ai punoi në këtë formë, sepse ashtu i pëlqente. I edukuar në shkollën gjermane të Leipzig-ut, ka punuar çdo ditë, por nuk janë ekspozuar, sepse lidheshin me shprehjet e abstraguara, duke zgjedhur subjekte nga realiteti që e rrethon, por e rikrijon atë me mjete jorealiste, abstrakte, ku mbizotëron vizatimi gjeometrizuar, si impresionit apo ekspresionist. Dhe këtë e dëshmojnë punimet që nga vitet 1950-60. Abstragimi shpaloset në vitet 1990. Fakti i mosekspozimit lidhet me atë që piktori e dinte që krijimtaria e tij qe kundër realizmit socialist, ose politikisht kundra shtetit shqiptar dhe do të goditej si modernist. Nuk i trumbetoi veprat e tij, veç në rrethe miqsh. Shquhet për cilësinë e vizatimit dhe me natyrë gjeometrike të B.Zajmit gjatë viteve 1960, që e fuqizoi në 1970, gjithsesi tingëllon ekzistenca e gjendjes psikologjike, e situatave ku shfaqet qartë figura njerëzore e gjeometrizuar si e Kodrës dhe e Zajmit. Kur u njohën me njëri-tjetrin, panë që të dy kishin interferuar te linjat, kuadratet, trekëndëshat dhe u befasuan me njëri-tjetrin. Por Kodra është Kodra, e Zajmi është Zajmi. Në rastin e ‘Zajmit’, ai nuk ka krijuar asnjë makinë apo idhuj gjeometrik. Figurat e tij janë të shumëllojshme në vizatim dhe madje ai është karakteristik vetëm se ka një vizatim të vetin, gjithashtu spikat për dekorativitetin e shtrirë pa ngasje e pa zhurmë. Ai vjen thjeshtë dhe shpeshherë përfshin sipërfaqet e sfondit të pikturës, duke lënë vend për vizatimin, i cili bën biografinë e tregimit të pikturës, shpesh me ironi, sarkazëm e humor të thekshëm.
Tonin Çobani, shkrimtar, mars 2007

“…Veprat e tij të shumta tanimë përbëjnë një ‘koleksion privat’, ndoshta nga më të pasurit në vendin tonë. ‘Kam punuar për vetë’ thotë ai, duke mos e fshehur faktin se e dinte se punonte ndryshe prej të tjerëve. As Agimi (vëllai piktor-skenograf) dhe Naxhi Bakalli (djali i tezes, piktor), me të cilin afronte më tepër nuk i kanë parë punimet e tij! Pra, nuk kemi të bëjmë me një piktor të zakonshëm, por me një fenomen artistik, që mund ta cilësojmë fenomeni ‘Zajmi’. Me këtë përcaktim kuptojmë artistin profesionist që jeton dhe punon në një komunitet artistësh, të cilëve i është imponuar një metodë artistike e ideologjizuar… dhe ai e përjashton veten, dhe vazhdon një art, të quajtur intim, jashtë kornizave ideologjike e më përtej. Autori e quan ‘të punuarit ndryshe’ që vihet re në ekspozitën, ‘Meditimi’. Arsyetimi ynë për fenomenin, nuk ka për qellim të argumentojë një art desident, por të shpërfaqë një artist që arrin një individualitet të vetin artistik, në kushtet e mbylljes në studion e vet të punës dhe në mungesë të mjaftueshme të komunikimit të artit, që ai realizon me publikun. Në historinë e artit botëror njihen mjaft shembuj të ngjashëm artistësh, të cilëve u është kundërvënë mjedisi artistik (jo thjesht për shkaqe ideologjike) dhe ata, duke i qëndruar besnik artit të tyre, herët a vonë, janë renditur në majat e historisë botërore të artit. Shembuj të ngjashëm mund të kërkohen edhe në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Një prej artistëve të mbyllur në studion e vet konsiderohet piktori Abdurrahim Buza, që nuk e lejuan të paraqiste veprat e tij, ndërkohë ai vazhdonte të punonte në studion e tij. E përmendëm A.Buzën pasi ai është një ndër idhujt e Bujar Zajmit së bashku me Pikason. Në këtë këndvështrim, fenomeni Zajmi në pikturën shqiptare nënkupton një veçim të vetëdijshëm dhe me ‘kokëfortësi’ prej komunitetit artistik të kohës së tij për të qenë vetvetja si krijues, për t’u qëndruar besnik parimeve të zgjedhura prej tij dhe për ta përsosur atë veti artistike në mënyrë të vazhdueshme. Kjo vihet re jo kaq shumë në larminë tematike të veprave të Bujar Zajmit, se sa në lojën e thjeshtëzuar të formave dhe të linjave, çfarë përben magjinë e tij artistike… Tek Bujar Zajmi ndjehet fuqishëm universiali për jetën po aq sa dhe ironia shpërfillëse ndaj mangësive të saj. Ndoshta ky binom sqaron dhe faktin përse autori është kaq i mbyllur me koleksionin e punimeve të veta, që ende presin të shpërfaqen për publikun.

Genc Mulliqi, skulptor (drejtor i G.K.A. Tiranë), prill 2007
“Bujar Zajmi ekspozoi në G.K.A. Tiranë krijimtarinë e paekspozuar më parë të realizuar nga vitet 1956 e deri në 2007. Ekspozita e Bujar Zajmit u konsiderua një zbulim për stafin studiues e kërkues të artit në konceptimin dhe mendimit të artit të këtij artisti, që është krejt i ndryshëm nga ajo e artit zyrtar gjatë periudhës 1950-’90. Piktori Bujar Zajmi është një artist me vlera për anën artistike në vendin tonë. Mendoj se krijimtaria e tij duhet të merret seriozisht në konsideratë nga studiuesit e artit në Shqipëri”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.