OPINION

Prona të kthehet tek i zoti i ligjshëm

07:20 - 09.07.19 Dr.Hasan B.Luçi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ka tashmë 30 vite që po nëpërkëmbet dinjiteti i pronarëve të ligjshëm nga vjedhja me ligje të shpikura qysh në vitet ‘90 të shek. XX e këtej nga çdo qeverisje alternuese PD-PS-LSI e aleancave të tyre. Ndalimi i dhënies së pronës të zotit, që ka dokumentacionin ligjor përkatës, është mohimi thelbësor i të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, është burimi i pandalshëm i korrupsionit të pushtetit të djathtë e të majtë, është rreziku më madhor e kulmor që mban në ngërç e në pritje pa fund shoqërinë tonë dhe mbarë kombin tonë.




Burimi i kësaj tragjedie nisi qysh në tetor 1989, kur në Byronë Politike të PPSH, i gjithëpushtetshmi Ramiz Alia deklaroi se, “sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj ne jemi të detyruar të ndryshojmë strategji në dy drejtime: në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në krijimin e pluralizmit politik… Në zbatim të të drejtave të njeriut duhet t’u japim edhe kompensim në para të burgosurve dhe të sekuestruarve e të shpronësuarve t’u kompletojmë komoditete banimi. Do t’u japim nga një letër në dorë që u njihet prona, por këtë (pronën), nuk do t’ua japim asnjëherë. Do t’i ngatërrojmë në forma të ndryshme me njëri-tjetrin që të kalojnë në gjykatë, ku do të zbatohet rotacioni: nga gjykata e shkallës së parë, në të dytën dhe për shkak defektesh teknike, kthim për rigjykim në shkallën e parë. Këta janë të moshuar dhe fuqi nuk kanë. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por edhe këtyre, duke u dhënë një pasaportë dhe me pak presion i largojmë jashtë. Ata që do të pretendojnë dhe do të këmbëngulin, do të lëndohen! Pasuria e tëra na përket ne, se ne e bëmë”.

Ja pra direktiva kapitaliste lëmsh e R. Alisë (boshnjakut, i quajtur “komisar i lavdishëm” në 40-vetorin e tij nga E. Hoxha dhe që e la pasardhës me të gjitha pushtetet), që nëpërkëmbë popullin shqiptar në mënyrë cinike. Jo vetëm kaq, por ai pa pikë turpi e pendese, se ky e BP e PPSH paskan krijuar pasurinë që u përkitka, e jo populli, që punoi gjithçka pas çlirimit dhe para 1944 nuk paska pasur prona e pasuri?! Kështu, R. Alia nisi fashistizimin e vendit me ligjin ‘7501’, moskthimin e pronës tek i zoti, me shpërblimin e kuislingëve e bashkëpunëtorëve të fashizmit italian e nazist e pinjojve të tyre dhe kriminelëve ordinerë të dënuar si dhe mërgimin e detyruar të popullit shqiptar. Ai dha intervistën e parë gazetarit amerikan, filloi flirtet me Greqinë, reformoi ligjin e agjitacion propagandës e të arratisjeve nga vendi etj. Në tërësi kjo direktivë fashisto-kapitaliste vijon ende sot fuqishëm, tëpkë thonë korçarët, siç e shpiku R. Alia me urdhër të padronëve të tij, siç është dokumentuar nga shumë atdhetarë e të huaj, sipas dëshmive të ndryshme me gojë e me shkrime.

Në qershor 1991 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë u prit me hosana Sekretari i Shtetit amerikan, James Baker, pasi ishte rrëzuar monumenti i E.Hoxhës e vala kundër simboleve të LANÇ-it e të socializmit shqiptar, dhe nisi rruga e ekonomisë kapitaliste me parullën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, por në fakt e nisën hajdutçe duke grabitur pronat private ligjore dhe pasuritë e pronat shtetërore. Ja shembulli i “demokracisë” më të shpifur në botë, që edhe bota habitet dhe na vë epitete përbuzëse!

“Dispozitat kryesore kushtetuese” të miratuara në 28 prill 1991 nuk u zbatuan dhe qysh atëherë BE nuk zbatoi politikën e vet për pronën. Ligji ‘7501’ për tjetërsimin e të drejtës së pronës pas 1991 me privatizimet antikushtetuese të nenit 8, i cili ka shtrembëruar e maskuar plotësisht mohimin e pronës. Ky ligj u bë baza e burimit të korrupsionit galopant pushtetor, që solli shkatërrimin e plotë të ekonomisë vendëse, krijoi mijëra probleme, konflikte e hasmëri, brenda e jashtë familjeve shqiptare, pati mijëra vrasje dhe braktisje e vendit në mërgim nga mëse gjysma e popullsisë, e nxitur, organizuar e urdhëruar nga R. Alia me mërgimet biblike që nga korriku 1990.

Ky mohim e kaos i nisur në 1991 u thelluan e u zbatuan nga S. Berisha nga 1992-1997 e 2005-2013 dhe nga PS-ja nga 1997-2005 dhe nga 2013-2019. Më 2013-ën, E.Rama miratoi plot ligje në interes të mafies së pronave të organizuar mirë, duke u dhënë fund të drejtave kushtetuese të shtetasve të çdo niveli shoqëror, kryesisht të varfërve pa asnjë mundësi mbrojtjeje, me urdhrat gojorë kryeministrore dhe nga gjykatat. Në fakt, u bënë lëshime flagrante se pronat e Ahmet Zogut iu kthyen të birit, iu kthyen pronat një pjese të kuislingëve, bashkëpunëtorëve të fashizmit, tradhtarëve, ish-diversantëve e agjentëve të huaj dhe të dënuar ordinerë etj., me përzgjedhje nga brenda e jashtë vendit. Por në përgjithësi nuk dëgjohet aspak në çdo nivel zyrtar zëri i pronarit ligjor, megjithëse qeverisjet votohen nga populli, i cili vijon të kërkojë pronën e vet të trashëguar apo të blerë me flori.

Personalisht kam bërë gjyqin e shkallës së parë në Vlorë, që e humba, megjithëse kam dokumentacionin e plotë ligjor. E çova në Gjykatën e Apelit, e cila e ktheu për rigjykim në shkallë të parë sërish. E bëra gjyqin, por sërish nuk e mora pronën. Mohimi i saj u bë me ca gjykime pa baza ligjore, thuajse çmendarake, sigurisht me urdhrin gojor për moskthimin e pronës tek i zoti dhe me direktivën e R. Alisë, zbatuar nga të gjithë pasardhësit njëlloj. E kundërshtova këtë vendim mohues të padrejtë në tërësinë e tij dhe pres çdo të ndodhë më tej. Por nuk do heq dorë nga gjyqi themel, për të marrë pronën e trashëguar dhe që e kam përjetuar duke punuar në të, pasi jam tashmë 83 vjeç. Çdo trung familjar në fshat e qytet ka pasur prona, të cilat pas 1945-ës filluan të shtetëzohen në mënyra të ndryshme si reforma agrare si kudo në botë, me fermat shtetërore, me kooperativat etj., që u bë për të mirën e përbashkët dhe dokumentacioni ligjor i pronës nuk u zhduk, por u ruajt në arkivat shtetërore ose në familje. Në fshatin tim u zbatua ligji ‘7501’ dhe nuk mori secili pronat e tij, por pronën e njërit ia dhanë tjetrit, u bë lëmsh dhe grindjet dreri vrasjet nuk ndalojnë. Në veri ligji ‘7501’ nuk u zbatua dhe kushdo mori pronën e vet, veç asaj që një pjesë e tyre pushtuan në Shqipërinë e Mesme e të Jugut dhe u bënë me dy prona. Shteti hesht, se kjo ishte shpikje e bukur e PD-së, u bë edhe për konfliktin Veri-Jug.
Një shpikje tjetër skandaloze është se meqë shteti socialist shtetëzoi pronat në interes të përgjithshëm të popullit, me ligjet e kohës në vitet ‘70 të shek.XX, pra me termin “Pronë shtetërore”, i heqin të drejtën pronarit të ligjshëm ta gëzojë, siç ma bënë edhe mua në gjykatë, edhe pse dua të kthehem në trojet e mia në fshat. E.Hoxha i shtetëzoi, por nuk i mori për vete as kur ndërroi jetë, i la siç qenë, pra mund t’i marrin, se diçka e ka menduar që nuk zhduku tapitë pronësore të luajtshme e të paluajtshme. Si rrjedhojë, kjo pronë e secili duhet të kthehet tek i zoti, por ligjet e VKM janë në kundërshtim me nenin 41 e 181 të Kushtetutës së sotme. Nuk u përgjigjet askush as ankesave të bëra, as BE, as Gjykata e Strasburgut etj. Përse kjo tragjedi demokrate?! Vetëm ujqit demokratë hanë qesim.

VKM 708 dt.21 nëntor 2018 e thelloi më tej mohimin e pronës, sepse oligarkët pushtetarë e mafiozë së bashku synojnë pronat bregdetare etj., duke i përvetësuar në mënyrë korruptive e kriminale. VKM-të e nxjerra, si tërë ligjet e gjoja kthim-kompensimit e legalizimit të pronave në vend janë në kundërshtim të plot ligjor me Kushtetutën e Shqipërisë, siç është sot, edhe pas ndryshimeve të bëra në kuvende, në përputhje me interesat e pushtetarëve.

Këto ligje të ndryshuara sipas interesave janë edhe një mashtrim i pastër që i bëhet në vijimësi BE-së, se gjoja politika shqiptare e pronës, nga e djathta dhe e majta, pati sukses të plotë me ligjin 133/2015. Në intervistën e tij më 20 prill 2019, komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, shprehu shqetësimin për pasigurinë e titujve të pronës, si pengesë edhe për investimet e huaja në Shqipëri, por propaganda mbetet me kaq, megjithëse ky e di mirë historinë e pronës qysh nga 1991, por heshtja e zvarritjet vijojnë në BE. Kështu edhe BE, për arsyet e veta, bën lëshime, megjithëse ka vënë si kusht për  hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë, kthimin e pronës tek i zoti. Nuk bëhet e gjallë as Gjykata e të Drejtave të Njeriut për t’i rishikuar këto ligje mafioze dhe t’ua kthejë pronën atyre që e kanë të ligjshme në breza. As KE, SHBA, Banka Botërore, FMN etj., që duhet ta dinë këtë gjendje heshtin, biles Banka Botërore e FMN e kanë komplikuar më keq me politikat e tyre të taksave etj., për t’i përvetësuar. Këto organe ndërkombëtare nuk kanë bërë ndonjë analizë të pronës që nga 1991 deri sot për të njohur më mirë gjendjen e marrë masa përkatëse. A i kuptojnë këta parullat mashtruese të qeverive shqiptare dhe si bëhet kompensimi qesharak? Duket se këto organe edhe i kanë mashtruar qeveritë shqiptare me termin e kompensimit, që sërish është i papranueshëm se i heq pronën të zotit ligjor. Në fakt, Kushtetuta e BE dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut mbrojnë të drejtën e jetës e të drejtën e pronës dhe nuk mundësojnë me ndërhyrjet e tyre ligjore të dënohet mohimi e mospërfillja aspak e pronës me djallëzi në Shqipëri. Vetëm sulmet greke të Cipras ndaj VKM të E.Ramës për bregdetin Jon (Himarën) e stepën e bëri lëshime gjoja “pakicës greke” himarjote, para datës së hapjes së bisedimeve me BE. Është e pafalshme për BE edhe mosndërhyrja në këtë rast, si më sipër, që lejon Greqinë të zgjerojë zonat e pakicës greke edhe ku nuk ka të tillë! Po kështu edhe për pronat e çamëve të dëbuar tragjikisht, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore nga trojet e veta stërgjyshore, duke i degdisur në Turqi e gjetkë, veò atyre që erdhën në Shqipëri dhe presin të kthehen në pronat e tyre, se po bëhet një shekull tashmë.

Në mars 2019, ATP-ja njoftoi se ka bërë mijëra vendime kompensimi, por janë edhe mijëra dosje të tjera pa asnjë vendim dhe do t’u kthehen pronarëve pas një bllokimi e pritje mbi 10-20 vite, por duhet t’i drejtohen gjykatës për gjyq themeli?! Ja dredhia e radhës! Por sipas kreut të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame nga 3.8 milionë pasuri të regjistruara, 2.5 milionë rezultojnë me probleme. Se cilat janë problemet nuk e thotë, por kuptohen, se ky problem duhej t’ishte mbyllur me kohë, por për shkak të ligjeve mohuese e keqbërëse, gjendja është në ngërç kushtetues. Nga ndryshimet e bëra në sistemin e pronësisë, nga Thethi deri në gjithë bregdetin e jugut rezultojnë të paregjistruara, shkurt në regjistrim fillestar, kur ato janë në regjistrat themelorë të pronarëve. Prej tyre 500 mijë janë bosh dhe shtetasit kanë vite që presin tek dyert e zyrtarëve e gjykatave. Janë 600 të paregjistruara dhe me probleme si më sipër. Në fakt, pronat dhe popullsia para 1990-ës kanë qenë të regjistruar saktë, ndërsa katrahura e tranzicionit nuk ka për të marrë fund edhe disa vite, në se merren seriozisht, por si duken bathët, janë larg Pashkët! Pra, do të bëhet një rishikim plus, e do të nisë regjistrimi, por si do bëhet, ende s’dihet, megjithëse thuhet se do të bëhet unifikimi i institucioneve deri sot të shpërndara, por do të bëhet më keq me grumbullimin në një dorë të kryeministrit. Thuhet se do mbyllen proceset tranzitore dmth., u bë ç’u bë shkoi e hoxhës pa kthim se prona iu dha tjetrit. Flitet për reformim në themel i Zyrës së Regjistrimeve të Pasurive të Paluajtshme, por nuk jepen kriteret, se dhelpra do bëj punën e saj.

Nëse nuk zgjidhet drejt e shpejt çështja e kthimit të pronës tek i zoti, në Shqipëri nuk do të mbetet më këmbë njeriu, se në fakt kryesisht prona i mban njerëzit në vendlindje, ku punojnë e jetojnë familjarisht me mundësitë reale të kohës. Heqja e pronës është pushkatim për ta dhe iu mbetet vetëm rruga e mërgimit me lot lëngimi. Këta mërgimtarë, jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit e tyre po marrin shtetësi të vendeve ku punojnë e banojnë, pra një asimilim i pastër i tyre nëpër botë, pa as të drejtën e mësimit të gjuhës amtare, pa le për të drejtat e tjera si diasporë atdhetare, siç i ka bota sot. Ky veprim 30-vjeçar është në fakt një spastrim i ri etnik i shqiptarëve, si ato të shovenëve fqinjë, por me termat e PD,PS, LSI me aleatët etj., si në interes të vendit, në fakt të milionerëve e miliarderëve të rinj vendës e miqtë e tyre ndërkombëtarë dhe mafien. Kështu, qeverisjet shqiptare vijojnë me kompensime, legalizime, dhënie tapie sipas ‘7501’-shit, shpronësime me forcë etj., dhe në kundërshtim të hapur me detyrimet kushtetuese e konventat ndërkombëtare për pronën. Deri sot janë vrarë mbi 8000 njerëz për konflikte pronësie, veç atyre që gjatë ikjes në mërgim u mbytën deteve, ranë në honet e maleve apo u vranë në kufijtë nga fqinjët etj. Për këto arsye, fshatrat shqiptare boshatisen nga banorët dhe mbi 500 fshatra nuk ka këmbë njeriu, veç ujqve e derrave. Për këto arsye lindjet bien, pleqtë shtohen e vuajnë në vend dhe të mërguarit shtojnë popullsinë ku shkojnë, megjithëse edhe atje popullsia vendëse rrudhet, por shyqyr që venë këta dhe sidomos nga Azia e Afrika etj., përmes rrugës mafioze të trafiqeve të refugjatëve, të prostitucionit etj. Rasti i anijes “Sea Watch” në fillim të korrikut 2019 e tregoi katërcipërisht këtë, kapitenia gjermane u lirua, megjithëse shkeli rëndë penalisht ligjet italiane, por Gjermania e Franca tani janë fuqitë drejtuese të BE dhe do të shkojë fjala e tyre pa tjetër?! Edhe marrëveshja e Dublinit për refugjatët është bërë në dëm të Italisë si vend pritës e transit i këtyre refugjatëve, pra duhet korrigjuar.
Shqipëria tashmë është në udhëkryqin më të rrezikshëm së pari për çështjen e pronës, veç arsyeve të tjera, pasi nuk shihet asnjë shenjë dhënie drejtësie nga gjykatat, që po sabotojnë ende edhe atë synim për të bërë vetingun, që zvarritet disa vite tashmë. Pas zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, E. Rama u zotua të çrrënjosë çdo fenomen antikushtetues, por qofsha i gabuar, ai kështu ka thënë që nga 2013, por nuk shohim asnjë përmirësim, veç thellim të mohimit të pronës për ta kthyer tek i zoti.

Qeveritë shqiptare në Tiranë e në Kosovë duhet ta ngrenë zërin deri në BE, KE, SHBA, OKB e OSBE, Bankën Botërore e FMN etj., për respektimin e të drejtave e lirive të shqiptarëve në trojet etnike në të dy shtetet dhe atyre nën Greqi, nën Serbi, nën Mal të Zi, nën Maqedoni e nën Bosnjë si dhe për shqiptarët (arvanitasit) në Greqi që u ndalohet edhe shqipja në publik, pa le më hapje shkollash shqip, megjithëse mbi një milion shqiptarët e mërgimit të fundit po nxisin zgjimin, të folurit shqip kudo në publik etj., dhe do bëhen faktor vendimmarrës në të ardhmen. E njëjta gjendje është edhe në Turqi, megjithëse pati një vendim për mësimin e gjuhës qysh vitin e kaluar, por nuk ka njoftime se si zbatohet nga “vëllezërit turq” e në partneritet strategjik me krerët tanë?!

Populli shqiptar në trojet e veta etnike dhe diaspora shqiptare e kanë të drejtën e pronës (ta kërkojnë edhe nga mërgimi si shtetas ku banojnë), prandaj duhet të organizohen me përgjegjësi e përkushtim, edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve, për të zbatuar ligjet e kthimit të pronës tek i zoti dhe jo të kompensohet me thërrime, pas fatkeqësisë tragjike e madhore, që për herë të parë shqiptarët pushtuan pronat e shqiptarëve nën qeverisjet R. Alia, S. Berisha, F. Nano, I. Meta, E. Rama, të cilëve fatkeqësisht populli edhe i voton, kurse këta ia fusin sa krahu për pronën e plot të drejtave të tjera kushtetuese njerëzore. Ky kalvar duhet të gjejë zgjidhjen e nevojshme e të domosdoshme, ndryshe vaj halli për popullin shqiptar të kudo ndodhur, nëse nuk kushtëzohet kthimi i pronës tek i zoti. Krerët tanë S. Berisha, L. Basha, F. Nano, I. Meta e E. Rama janë bërë armiq të popullit që i voton dhe meritojnë të luftohen me çdo mjet ligjor demokrat deri sa të zgjidhin drejt problemin e pronës. Shkurt, duhet bërë vetingu i pronës ligjore për çdo shqiptar që ka dokumentet ligjor. Pa zgjidhur problemin themelor të pronës, as në Shqipëri, as në Ballkan nuk do të ketë qetësi dhe problemet do të shtohen më tej edhe në BE dhe për ndërkombëtarët. Populli shqiptar duhet të marrë në dorë fatin e vet për dinjitet, sovranitet, barazi, liri e pavarësi kombëtare etnike.

 


Shfaq Komentet (2)

Leave a Reply to KRIST Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Falenderim dhe respekt per autorin e shkrimit. Ky shkrim duhet te jete platforme veprimi per Kryeministrin Edi Rama , kryetarin e opozites Lulzim Basha dhe presidentin Ilir Meta . Analiza eshte e plote nga pikpamja llogjike dhe juridike. Ajo qe mund te shtoj eshte se nese 3 -4 individet, qe drejtojne sot politiken shqiptare e duan zgjidhjen e problemit te prones konform Kushtetutes , ajo behet menjehere, pa fature financiare dhe brenda ketij muaji, mjafton te shqyrtohet dhe miratohet me procedure te shpejtuar zgjidhja qe ka propozuar te detajuar Shoqata e pronareve qe ne 2013 . Fakti qe ne keto 5 vjet vullneti popitik ka qene negativ , ka bere qe Shoqata te orientoje pronaret qe ti drejtohen ne menyre individuale Gjykates se Strasburgut.
    Falenderim per redaksine, qe e ka botuar kete shkrim dhe uroj qe gazeta Shqiptare te jete shtyp i lire per botuar pa censure, shkrimet qe ndihmojne zgjidhjen e ketij problemi.
    Prof. Gezim Boçari

    Përgjigju ↓
  2. Profesor,a e njeh autorin e shkrimit,per te cilin ti komentove?Jam i sigurte se jo,por nje jo e gjate.Hasan Luci,qe na ka marre edhe titullin doktor shkencash (!?!),eshte nje nga punonjesit me te vjeter,me te besuar me besnike,por duhet thene,per te mos ja henger hakun,edhe nga me te aftet e Sigurimit famekeq te Shtetit .Ka punuar per nje kohe te gjate (natyrisht per sigurimin e shtetit),jasht shtetit,neper ambasadat shqiptare,por kyesisht,me teper,ne France.Pikerisht ne Paris,sepse atje,shkonin pothuaj e gjithe udheheqja e Partise punes dhe komuniste,kryesisht per mjekime,kurime (se nuk besonin mjekesine tone),por edhe per nje fare turizmi,apo edhe shopingu.Dhe ajo udheheqje,duhej te ishte e sigurte,se ku do mjekohej,operohej,kurohej,masazhohej,apo edhe “zbukurohej”.Kete siguri,natyrisht e dinin se ua siguronte nje si Hasani.Jo vetem kaq,por Hasani i siguronte edhe guiden turistike,ku ishin vendet me te bukura dhe me te pershtateshme,per natyrat e vizitoreve te tij,qe i njihte me rrenje e me dhemballe.Vec ketyre detyrave,ai u siguronte medikamente,dhe ushqime te vecanta si lloje djathrash qe preferoheshin nga me te medhnjte,duke brudhur jo vetem neper France,per t’i siguruar simbas porosive,por edhe ne vendet e tjera te Europes,si ne Hollande,Belgjike e tj. Carta Bianka qe udheheqja,e vecanerish Hysni Kapo,qe edhe e kish perzgjedhur,i kish dhene Hasanit,e benin ate krejtesisht te pa varur nga ambasada,bile edhe Ambasadori,nuk kish kurajon,jo t’i kerkonte llogari ,per udhetimet qe bente,dhe per shpenzimet qe kryente,por as t’a pyeste,apo te informohej se cfare bente,ku shkonte,si shkonte ,ke etakonte e te tjera si keto.Sepse, kur Hasani ish “i lire”,prej tyre (anetareve te udheheqjes),merresh edhe me punen e tij-thelbesore-takimet me agjentet e tij,apo ata te derguar direkt nga qendra,pergjime,apo takime te organizuara prej agjenteve,me elemente (natyrisht shqiptare te arratisur,vetem si shembull,po jap takimin me Sadik Premten),te asaj lloj diaspore,qe i interesonin sigurimit shqiptar.Por “kryespiuni”shqiptar Hasan Luci,pervec detyrave qe ja jepte ky emer,merrej edhe me “zberthimin e”tipave,karaktereve,huqeve,apo veseve,deshirave,orekseve gustove ne ushqime apo veshmbathje,apo zonave turistike qe preferonin vizitoret -shefa-nga Tirana.Por keto zberthime,beheshin kryesisht,duke marre parasysh pozicionin aktual te tyre.Ngrinte lart ata qe vijonin detyrat dhe kishin simpatine e Enverit dhe te Husniut,por fillonte te vinte ne loje,duke i permendur disa te meta,atyre qe kishin rene nga fiku.Ne kete drejtim,ka treguar shkathtesine e tij,bile duke treguar se ai i paska studiuar te gjithe vizitoret,aq imtesisht sa qe edhe ata vete,mund te mos i dinin aq mire ndonje nga veset,e tyre,qe edhe na i paskan shfaqur,ne Parisin e Hasanit.Keshtu,ka bere sidomos me Ballukun,Dumen,te rene nga fiku,duke i telendisur ne ate mase,qe edhe Qazim Mulleti,nuk eshte portretizuar me aq shkathtesi dhe saktesi,prej Besim Levonjes.Duhen faqe te tera,te shkruash me hodhesi,per bemat,apo “veprat”e Hasan Lucit,si dhe per opinionet qe po na jep,si per Ramiz Aline,apo per periudhen pos komuniste,sikur te jete antikomunizmi me i flakte.Ne se desheron,me shume informacione,profesor,do perpiqem,tua plotesoj.

    Përgjigju ↓