Sociale

Video/ Ligj i ri për asistencën sociale: Hiqet kufiri maksimal i ndihmës ekonomike

17:00 - 09.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Kufiri maksimal i ndihmës ekonomike do të hiqet, në mënyrë që masa e pagesës për familjet që kanë më shumë nevojë të pësojë rritje. Ky është thelbi i ligjit më të ri për asistencën sociale, duke vijuar përmirësimin e reformës së nisur për skemën e ndihmës ekonomike. Ditën e djeshme, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë prezantimit të projektligjit të ri të asistencës sociale, në Komisionin e Shëndetësisë në Kuvend u shpreh: “Heqja e tavanit prej 80 mijë lekësh do të sjellë mundësinë për rritjen e masës së ndihmës ekonomike për familjet më në nevojë dhe familjet me shumë fëmijë”, u shpreh ministrja Manastirliu në Komisionin e Shëndetësisë në Kuvend.




Lehtësirat
Duke theksuar se reforma e deritanishme ka hequr kriteret përjashtuese për përfitimin e ndihmës ekonomike, ngriti sistem të digjitalizuar pikëzimi për të targetuar familjet më të varfra duke shmangur abuzimet, Manastirliu tha se ligji i ri lehtëson akoma më shumë qytetarët për të marrë pagesat në kohë. “Projektligji i ri për asistencën sociale shmang burokracitë, siç është miratimi i listës së përfituesve nga këshillat bashkiakë, duke hequr një hallkë të panevojshme tanimë që sistemi është i digjitalizuar, aq më tepër që mosmbledhja në kohë e këshillave bashkiakë, shpesh sillte vonesa në marrjen në kohë të pagesave të ndihmës ekonomike”, tha Manastirliu. Ndërsa këshillat bashkiakë do të vendosin për kriteret dhe listën e përfituesve nga fondi 6%, që kanë në dispozicion për familjet që nuk përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike.

Kufizimet në kohë
Projektligji i ri për asistencën sociale parashikon kufizime në kohë të qëndrimit brenda skemës së ndihmës ekonomike, me qëllim për të nxitur përfituesit në moshë aktive pune për t’u integruar në tregun e punës nëpërmjet ofrimit të mundësive për punësim dhe formimit profesional. Në projektligj parashikohen gjithashtu edhe arsyet kur një familje përjashtohet nga skema e përfitimit të ndihmës ekonomike për 6 muaj deri në 1 vit, që nga deklarimi i rremë deri te refuzimi i punës së përshtatshme për personat në mosha aktive pune.

Programet
Projektligji i ri i asistencës sociale përfshin edhe dy programe të tjera sociale, më konkretisht programi i aftësisë së kufizuar dhe bonusi i bebes. “Ky projektligj parashikon sistemin e ri të vlerësimit bazuar në modelin bio-psiko-social të aftësisë së kufizuar për përcaktimin e pagesave ‘cash’, me ekipe vlerësimi multidisiplinore të përbërë nga mjekë dhe punonjës socialë”, – tha Manastirliu. Përfshihet në ligjin e ri të asistencës sociale edhe programi i bonusit të bebes për çdo të porsalindur: 40.000 lekë për fëmijën e parë, 80.000 lekë për fëmijën e dytë, 120.000 lekë të reja për fëmijën e tretë.

Përfituesit dhe të përjashtuarit

Kategoritë që përfitojnë ndihmë ekonomike
1. Familjet në nevojë që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme.
2. Jetimët, të cilët nuk janë në institucione.
3. Prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë.
4. Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror, deri në çastin e punësimit të tyre.
5. Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore.
6. Fëmijët e vendosur në familje kujdestare sipas përcaktimeve në ligjin nr. 121/2016 “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”.
7. Refugjatët që kanë marrë statusin e refugjatit sipas përcaktimeve në ligjin 121/2014 “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.
Rastet e përjashtimit nga ndihma ekonomike për 6 muaj
-Kryen ndarje të qëllimshme të anëtarëve të familjes që jetojnë në të njëjtën strehë, kur nuk krijohet një kurorë e re, me përjashtim të rastit vajzë nënë.
-Nuk tërheq ndihmën ekonomike pa shkaqe të arsyeshme, brenda afateve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
-Refuzon verifikimin e situatës social-ekonomike në familje.
-Fsheh informacionin apo kryen deklarim të rremë.
-Nuk paraqiten për deklarim dhe/ose nuk deklarojnë ndryshimet e situatës social-ekonomike çdo tre muaj pranë administratorit shoqëror.
-Refuzojnë përfshirjen në kurset e formimit profesional anëtarët në moshë aktive pune të familjeve përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nxitjen e punësimit.
-Nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës, të punësuar apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, anëtarët që janë në moshë aktive pune, të aftë për punë, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nxitjen e punësimit. Përjashtohen nga ky detyrim anëtarët e familjeve që banojnë në zonat rurale dhe që zotërojnë ose jo tokë bujqësore në pronësi/përdorim, apo familjeve që kanë anëtarë në moshë aktive pune, që ndjekin arsimin e mesëm apo të lartë, por jo më shumë se deri në moshën 25 vjeç.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.