KULTURË

Festivali i Muzikës së Vjetër “Vox Baroque” në rezidencën mbretërore

17:50 - 10.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke “Vox Baroque Albania”, mbetet një ndër aktivitetet e vetme në llojin e tij dhe ndër më të veçantit në skenën muzikore klasike në Shqipëri. Ai sjell, ripërtërin edhe njëherë muzikën e vjetër baroke. Ky festival i kushtohet tërësisht repertorit të kompozitorëve më përfaqësues të barokut evropian. Përhapja dhe njohja me zhanrin e kësaj muzike kaq të veçantë vjen në të tashmen tonë, në shekullin XXI, falë instrumenteve origjinale, të cilat bëjnë që kjo muzikë të tingëllojë po aq e bukur dhe madhështore si në kohën kur ajo lindi. Luajtja me këto instrumente si klaviçembali, viola da gamba, oboe etj…, vë theksin në respektimin e plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe, duke e parë muzikën me një këndvështrim tjetër historik dhe kritik aq sa nuk sprapsemi kurrë së kërkuar gjithmonë qasje të reja, zgjerimin gjeografik të muzikantëve të cilët ftohen të luajnë në këtë festival, duke formësuar kësisoj idealin tonë për ta zhvilluar gjithmonë e më shumë këtë eveniment të përvitshëm dhe kaq të rëndësishëm për muzikantët e rinj shqiptar të cilët arrijnë të njihen nëpërmjet tij me muzikën baroke. Në këtë edicion Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke “Vox Baroque Albania” mban shtatë koncerte në qytete dhe vende të ndryshme të trashëgimisë kulturore kombëtare.




 

E ka ngritur siparin më 6 korrik në Vlorë, më pas ka qenë në datën 7 në Muzeun Etnografik Kombëtar në Berat, dje pati koncert në Rezidencën Mbretërore në Tiranë, nesër do ketë në Muzeun Arkeologjik në Durrës, dt. 13 në Pazarin e Korçës dhe në Shkodër shkon më datë 15 në Sallën e Koncerteve “Tonin Harapi” në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Si çdo edicion edhe këtë vit festivali paraqitet me disa të reja, të cilat e pasurojnë ende më shumë luajtjen e muzikës baroke në Shqipëri si: bashkëpunimi me Fondacionin “Civica di Musica Claudio Abbado” me sektorin e muzikës antike, e cila është një nga më të vlerësuarat në fushëpamjen ndërkombëtare, duke përzgjedhur artistë të një niveli të lartë artistik. Jusuf Beshiri, themelues i Festivalit Ndërkombëtar i Muzikës Baroke “Vox Baroque Albania” thotë se kufinjtë e këtij festivali tashmë janë zgjeruar edhe përtej Evropës, duke u shkuar deri në Azinë e largët me sopranon dhe ljutisten koreane Jung Min Kim, në Amerikën e Jugut, me kontrotenorin e harpistin nga Brazili Jonatas Luis Monteiro dhe Japonia me sopranon Naoka Ohbayashi.

Por ajo që vërtetë do të lejë mbresa në këtë edicion të gjatë, është gërshetimi për herë të parë të muzikës së vjetër baroke me kërcimin bashkëkohor. Një bashkëpunim ky tepër i rëndësishëm me një prej kompanitë më në zë të kërcimit bashkëkohor në Itali “Danza Contemporanea ITAI”. Përpos të gjitha këtyre të rejave festivali do të sjellë për herë të parë një dorëshkrim të zbuluar rishtas në bibliotekat e Brazilit të një kompozitori të periudhës së vonë të barokut italo-portugez Davide Perez. Gjithashtu, vlen për t’u përmendur dhe rikthimi pas tre vitesh mungesë i Albanian Baroque Ensemble, duke ftuar dhe muzikantë të tjerë të cilët i bashkohen siç është traditë e shumë grupeve të njohura që bashkëpunojnë me muzikantë dhe këngëtarë të ndryshëm. Kjo si një urë lidhëse për t’u njohur mes njëri-tjetrit, duke sjellë përvojat dhe bashkëpunuar ndërsjellë. “Muzika ndihmon të mos ndjesh brenda vetes zbrazëtinë që është jasht”, J. S. Bach.

“EBBANESIS” përbërë nga Viviana Cangiano vokal dhe Serena Pisa vokal dhe kitarë paraqet muzikën e periudhës baroke napolitane. Dy zëra të cilat ndërthuren mes tyre në një harmoni të plotë. Viviana Cangiano aktore dhe Serena Pisa këngëtare, janë dy artiste napoletane, të cilat nisin të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, duke interpretuar një repertor klasik napolitan dhe gjithashtu më të mrekullueshmet villanelle të periudhës së viteve 1500 -1600. Në vitin 2017 fillojnë publikimet e para me këngët napolitane të periudhave të ndryshme të cilat sollën dhe një interes të veçantë tek publiku, aq sa në një kohë të shkurtër falë njohjes që fituan filloj edhe bashkëpunimi me shumë artistë të tjerë që vlerësuan performancën e tyre. Mund të përmendim artistë të njohur si: Isa Danieli, Lina Sastri, Tereza de Sio, Florenza Calogero etj. Në vitin 2019 publikojnë “Bohemian Rhapsody” përkthyer në gjuhën napolitane, video, e cila brenda 24 orësh u ndoq nga mbi dy milion shikues, duke u pasqyruar gjerësisht dhe nga shtypi vendas. Muzika e tyre ka bërë të performojnë në shtete dhe kontinente të ndryshme si: Rusi, Francë, Arabia Saudite etj. Dyshja EbbaneSis është vlerësuar nga kritika për harmonin vokale, elegancën e jashtëzakonshme dhe aftësitë e tyre interpretuese të një repertori që nis nga pjesët tradicionale baroke deri tek ato bashkëkohore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.