OPINION

Mesazhe dhe mësime nga 7 korriku grek

07:46 - 10.07.19 Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 korrik në Greqi vazhdojnë të tërheqin vëmendjen dhe interesimin e politikës, publikut dhe medias europiane e më gjerë. Kjo për shkak të ndryshimit të madh politik që ndodhi te fqinjët tanë, vendin e rëndësishëm të Greqisë në rajon, si aleate e NATOS, BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.




Pas rikthimit relativ në normalitet, në Greqi u vu në «gurin e provës» koalicioni «Syriza» i Kryeministrit Alexis Tsipras që me fitoren plebishitare më 2015 shkaktoi një tërmet të vërtetë politik, duke inkurajuar dhe forca të tjera populiste në Europë. Siç pritej, pas fitores me 33 për qind në zgjedhjet lokale dhe evropiane më 25 maj, më 7 korrik «Nea Demokracia» korri një fitore plebishitare me gati 40 për qind, duke siguruar falë dhe bonusit që të jep vendi i parë shumicën absolute me 158 nga 300 deputetë që ka parlamenti grek. Ndërsa Syriza kaloi në opozitë me 31,5 për qind ose 86 deputetë. Katër partitë e tjera që u futën në parlament ishin poshtë nivelit 10 për qind.

Me të drejtë shumë ekspertë dhe analistë politikë shprehin habinë se si Syriza që pranohet botërisht se bëri goxha punë, duke e nxjerrë Greqinë nga falimenti, u ndëshkua rëndë pa i dhënë një shans të dytë. Ndaj, le të ndalemi me gjerësisht në shkaqet, aktorët, faktorët, mesazhet dhe mësimet kryesore politike të 7 korrikut elektoral grek.

Fillimisht, Syriza dhe Tsipras sfiduan hapur institucionet europiane për respektimin e angazhimeve të tyre lidhur me shumën prej 300 miliard euro borxh dhe «premtuan qiejt» për elektoratin e dërmuar grek. Por, ndryshe nga sa pritej, më vonë ata «muarën kthesën» evropiane dhe u «shtrënguan rripin» grekërve të thjeshtë sa nuk mbante më. Aq sa Heroi Kombëtar i popullit grek Manolio Glezos që u antarësua te Syriza u largua me ndjesë publike se ishte bërë pa dashje pjesë e mashtrimit të tyre.

Tsipras kërkoi të betononte pozitat dhe në fushën ndërkombëtare,duke nënshkruar qershorin e kaluar mes debatesh dhe kundërshtish të shumta brenda vendit dhe nga opozita Marrëveshjen e Prespës e vlerësuaar tejet sidomos nga faktori ndërkombëtar. Gjithsesi, shumë shpejt ai pagoi një çmim tejet të kripur për këto hapa. Në zgjedhjet bashkiake dhe evropiane më 25 Maj 2019 Syriza ra në nivele poshtëruese duke ia dorëzuar pothuajse të gjitha bashkitë opozitës «Nea Demokracia» duke përfshirë Athinën dhe Selanikun.

Mësimi që vjen nga ky pësim dhe për politikën shqiptare është se elektorati nuk kërkon e nuk kënaqet me shifra, tabela dhe krahasime statistikore në nivele makro-ekonomike, as me vlerësimet jo rallë të dyshueshme të faktorit ndërkombëtar. Në fakt, zgjedhësit  duan “përkthimin” e treguesve dhe shifrave në jetën etij të përditshme, në nivelin e jetesës, çmimet e mallrave, punësimin, sigurinë, shanse të barabarta, etj. Në Greqi vërtet ka shumë arritje, por përfitimet prej tyre nuk janë shpërndarë drejt, ato nuk janë të matshme dhe të prekshme e ca më pak premtuese për shtresat e mesme dhe të moshuarit që përbëjnë shumicën dërmuese të popullsisë. Perceptimi i përgjithshëm, pavarësisht nga propaganda zyrtare është se tanimë në Greqi njerëzit punojnë më shumë dhe paguhen më pak ; kështu, një mjek tregonte se nga 40 që kishin në ngarkim para 10 vjetesh, tashmë ata kanë 60 paciente e detyrimisht shumë më tepër ngarkesë, por me pagesë më të ulët dhe pa asnjë investim në spitale prej vitesh si pasojë e shkurtimeve absurde.

Veç kësaj, Syriza u ndëshkua, sepse ndryshe nga sa premtoi, ajo nuk e çrrënjosi, madje e zgjeroi klientelizmin politik dhe nepotizmin në administratën shtetërore. Në median greke tregohet se vetë Tsipras ka punësuar vëllain, gruan etj në këtë adminstratë. Fenomeni i mitmarrjes «Metakliti», nepotizmi dhe punësimi me kontrata të përkohshme pranë ministrave e në qeveri «mori dhenë». Pa bërë asgjë, por siç përmendet në shtypin e huaj më tepër për t’u bërë fresk shefave apo për t’i dëfryer me anekdota!

Për rrjedhojë, shumica e zgjedhësve grekë nuk e pati problem ta ndëshkonte me votë Syrizën për mosarritjet e saj dhe t’ia rijepte votën e besimit «Nea Demokracia»; edhe pse pesë vite më parë i kishin nxjerrë asaj «kartonin e kuq» si bashkë fajtore për katastrofën, me përbetimin se nuk do ta votonin më! Nga ana e vet, sidomos tre vitet e fundit, nën drejtimin e liderit të saj karizmatik, 51 vjeçarit Kyriakos Mitsotakis « Nea Demokracia » e mori vehten shpejt falë alternativave të saj bindëse që u jepnin përgjigje të shkoqur kërkesave dhe interesave kryesore të elektoratit të mesëm grek, si shtresa më e tradhëtuar nga masat qeveritare. Ajo fitoi me premtimet jetike » Punë, siguri dhe rritje ekonomike » nëpërmjet uljes së taksave, rritjes së pagës minimale, të pensioneve dhe investimeve. Edhe pse mbetet për të parë se si dhe nga do t’i gjejë këto burime, besueshmërinë e saj e shton dhe fakti që, veç përvojës, lideri i saj ka studiuar në universitetet më elitare të botës në Harvard, Stanford, Londër dhe gjetkë. Gjithashtu, partia e tij njihet për qëndrimet miqësore ndaj biznesit. Gjithashtu, shumica e deputetëve të saj janë të rinj, nën moshën 40 vjeç. Në këto kushte, shumica dërmuese e zgjedhësve grekë nuk ranë preh e mendimit të gabuar anti-demokratik se « i provuam ata më parë, prapë tani? » Sepse kjo është demokracia, që funksionon me rotacion pushteti, dmth të klasave politike. Ndryshe, siç thotë populli ynë «do të digjesh nga qulli dhe do t’i frysh kosit» apo « për inat të sime vjehre, do të flesh me millonanë »

Mësimi që del këtu është se vendimtare për opozitën, në rastin e zhgënjimit me partinë në pushtet është kryesisht cilësia e alternativave të saj, sa bindëse e të prekshme janë ato për një shumicë të nevojshme; natyrisht kjo e shoqëruar me një analizë dhe qëndrim ndaj të kaluarës e sidomos dhe gabimeve dhe mësimet e nxjerra. Ama, për këto gabime dhe dështime, populli të çvotoi njëherë, por gara vazhdon. Ndryshe po qe se një forcë politike do ta privojmë nga «timoni» i qeverisjes vetëm e vetëm se na ka zhgënjyer në të kaluarën, ekziston rreziku që të biem në sundimin e një partie tjetër; kjo e fundit alergjinë te një pjesë e elektoratit ndaj pushtetarëve të mëparshëm mund të shfrytëzojë më shumë për të kaluar në autoritarizëm, sidomos kur drejton e vetme në të gjitha nivelet. Dhe atëhere, do të binim «nga shiu në breshër» Kësisoj, fitorja e «Nea Demokracisë» dhe programi i saj qeveritar janë burim i rëndësishëm referimi sidomos për opozitën tonë të djathtë. Greqia dhe e djathta e saj është shumë më pranë realitetit tonë se sa modelet e tjera qoftë dhe britanike dhe gjermane për të cilat le ta themi nuk kemi «këllqe» t’i kopjojmë.

Mesazhi tjetër nga zgjedhjet greke është se partitë tradicionale të qendrës, të majta dhe të djathta, kanë grumbulluar përvojë të madhe lidershipi dhe nga dështimet e tyre. Megjithë difektet dhe mangësitë e kaluara, ata mbeten shumë më konkuruese, të besueshme dhe afat-gjata se forcat populiste, ekstremiste dhe euroskeptike ; këto të fundit kanë më tepër premtime, por jo realizime, protestë e jo alternativa, nihilizëm e jo pohim, interesat kombëtare në dëm të atyre globale, konstatime dhe jo analiza. Partia ekstremiste «Agimi i Artë» e ndonjë tjetër u ndëshkuan duke mos e kapërcyer dot pragun zgjedhor me 3 për qind.

PASOK socialist dikur i famshëm, që deri disa vite më parë i ka dhënë tonin jetës politike greke tashmë i riorganizuar si kryesues i koalicionit “Lëvizja për ndryshim” (KINAL) nuk arriti dot më shumë se 8 për qind. E dhimbëshme tek sheh se nga « balli » është kthyer në « bisht « elektoral grek. Katastrofa e tij politike nxjerr shumë mësime të vlefshme për partitë e tjera social-demokrate. Për më tepër se siç njihet «pasokëzimi» i social-demokracisë ka përfshirë tanimë parti socialiste me emër në Izareal, Francë, Austri, por dhe në Itali e Gjemani ; ai dëshmon se ku të shpie «tradhtia» e interesave dhe shqetësimeve reale të elektoratit tradicional, të të varfërve, shtresave në nevojë, etj.

Përvoja e hidhur e PASOK përbën një pikë të madhe referimi sidomos për PS-në tonë, aleate e dikurshme e ngushtë e tij, që të mendojë qysh tani në ditët e saj të mira dhe për ditët e vështira, pas konsumimit të saj politik të natyrshëm, që të shmangë çdo «pasokëzim» të saj. Për këtë, ajo duhet të mësojë nga «simotrat» e saj në Danimarkë, Finlandë, Spanjë dhe Portugali që e kanë marrë vehten pas “krizës dhe depresionit zgjedhor të mëparshëm”.

Mesazhi tjetër madhor që dha Greqia është se pa nënvleftësuar rolin e ndërkombëtarëve, kursesi nuk ka pse të kalohet në fetishizim apo hyjnizim të tyre, duke u bërë, në fakt, «violinë e parë» në punët tona, gjë që me ndonjë përjashtim te rallë,nuk ndodh kurkund në Evropë. Kjo është fare e natyrshme, sepse kemi plot 30 vjet demokraci, jemi antarë në NATO, KiE, OSBE, të cilën vitin tjetër do kryesojmë dhe kandidatë në BE. Për të mos thënë se mungesat dhe dështimet tona demokratike mbajnë padyshim dhe vulën e faktorit ndërkombëtar.

Së fundi, por ndoshta më e rëndësishmja, e pse duhet të shkojmë larg për të mësuar mbi organizimin, administrimin dhe vijimësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kur kemi shumë për të mësuar nga Greqia fqinje? Shihni, ende pa përfunduar zgjedhjet mbrëmjen e 7 korrikut, u shpall fituesi dhe Tsipras nxitoi ta uronte. Të nesërmen u bë dorzimi i postit, u betua qeveria dhe filloi nga puna, kohë rekord e paparë në asnjë vend tjetër; shenjë serioziteti dhe mobilizimi të vërtetë pa kurfarë problemi. Nuk u fol e as u dëgjua për ODIHR, KQZ, vëzhgues, ankesa, gabime në numërim dhe të tjera si këto; nuk pati as poshtërim të humbësit dhe as triumfalizëm te fituesi, por vetëm modesti, përgjegjësi, gjithçka pothuajse në perfeksion. Ndaj 7 korriku grek mund të jetë fare mirë pikë reale referimi lidhur me realizimin e standardeve të BE-së për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si baza dhe piknisja e gjithë proceseve dhe reformave të tjera demokratike.

Në mbyllje, qeveria e re greke me programin dhe objektivat e veta në politikën e jashtme, krahas sfidave të saj tejet të mëdha të brendshme, ka gjasa të na ballafaqojë me probleme dhe sfida të njohura e jo të lehta. Por kjo temë madhore meriton një shkrim të veçantë.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.