OPINION

Vijat e kuqe të interesit qytetar

07:30 - 10.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Deri tani, në gati tri dekada, kemi ardhur ne qytetarët pas avazit të politikanëve tanë. Ata kanë bërë ç’kanë dashur me ne. Duke u sjellë herë si hipnotizues me fjalimet e tyre që depërtonin zemrën tonë, apo jo pak herë edhe si gaztorë. Por gjithnjë të papërgjegjshëm me ne. Ka qenë një histori e hidhur boll humbjesh për ne si qytetarë. Si dhe për ekonominë e shoqërinë sonë. Marrëzia e piramidave financiare (fajdeve) 23 vjet më parë. Gjasat e integrimit të shpërdoruara keqazi me protestat e opozitave tona në vitet 2011, 2017 dhe tani. Në fillim politikanët tanë kanë qenë disi idealistë edhe ata. Sidomos menjëherë pas viteve ‘90-të të shekullit të kaluar. Por pastaj nga politika morën favoret e para. Vëmendjen, rregullimin e fëmijëve në punë ose në shkolla jashtë shtetit. Pastaj rregullimin në punë të të afërmve dhe të miqve. Pastaj gurmazi ju hap dhe oreksi u zgjerua. Nisën “dhuratat” e sipërmarrësve nga tenderat që u shkonin “miqve” të “dhuratave”. Pastaj këto dhurata u trashën dhe u bënë apartamente. Pastaj u trashën edhe më dhe u bënë vila në bregdet, në fshat ose llogari rrjedhëse jashtë shtetit. Dhe befas, idealet një ditë të bukur u shterën krejt.




Ngeli vetëm babëzia për të përfituar sa më shumë nga favoret okulte të të qenit në politikë, gjithnjë duke përdorur idealet si karrem. Si dhe gjuhën e Ezopit (ish-skllav dhe tregues përrallash në Greqinë antike). Me këtë gjuhë vijojnë të na shesin përralla dhe hartime edhe sot. Përbetime se janë të përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve. Sikur nuk jua njohim syfetet. Në të kundërt. I njohim mirë. Prandaj dhe gabojnë kur mendojnë se mund të na gënjejnë akoma. Edhe pse ka ende shumë syresh nga ne që i varin shpresat se mos duke u vajtur pas avazit, rregullojnë një vend pune në shtet, nëse këta politikanë vijnë një ditë në pushtet. Ose duke tundur flamujt e atyre që janë në pushtet, u bien në sy për favore. Por nuk jemi më shumica të tillë! Këtë nuk kanë kuptuar politikanët tanë. Tani ka disa vija të kuqe, që edhe ata nuk mund t’i kalojnë. Vija të interesit madhor qytetar. Dy vija të tilla janë sot reforma në drejtësi dhe integrimi në familjen e madhe evropiane. Kush anatemon, baltos dhe sulmon reformën në drejtësi apo integrimit duke demonizuar përfaqësues të BE-së apo SHBA-ve është kundër nesh si qytetarë.

Pavarësisht nga pseudo-argumentet që servirin këta varrmihës të reformës dhe integrimit. Ose të metat e natyrshme të rrugëtimit të reformës në drejtësi për shembull, që i gjejnë dhe i hiperbolizojnë. Si qytetarë duhet t’i “shënojmë” këto vija të kuqe. Nuk ka rëndësi pse nuk dalim në bulevard të dënojmë këta çakej, që duan t’i shqyejnë këto dy biznese madhore të jetës sonë. Mjafton ta bëjmë në kafen që pimë në mëngjes ose pasdreke, në bisedat me shokë dhe miq, apo edhe në familje. Në çdo moment që duam të shprehim një mendim për politikën. Vija e kuqe është parzmorja që i mbron këto interesa madhore. Njësoj sikurse ish-ambasadori Lu shënoi vijën e kuqe dhe i mori e bisedoi një për një të 140 deputetët e Kuvendit tre vjet më parë, më 22 korrik 2016. Duke ua bërë të qartë se kush voton kundër reformës në drejtësi, kalon vijën e kuqe të interesit amerikan në vendin tonë. Sot ka ardhur koha të tregojmë qartë vijat e kuqe të interesit qytetar shqiptar. Ato janë dy: reforma në drejtësi dhe integrimi në Bashkimin Evropian. Ky i dyti sot shihet pazgjidhshmërisht me çeljen e bisedimeve për anëtarësim. Këto dy vijat e kuqe janë bizneset e jetës sonë si qytetarë sot. Kemi shumë interesa të lidhura me to. Madje, edhe të jetës së përditshme. Ndoshta jo të gjithë si qytetarë e kuptojmë këtë lidhje kaq të fortë dhe të drejtpërdrejtë, por ama e ndjejmë. Prandaj dhe duhet t’i mbrojmë këto interesa njëlloj si ish-ambasadori Lu mbrojti interesat e shtetit të tij me nisjen e reformës shqiptare në drejtësi. Me vendosmëri, qartësi dhe kurajë për të thënë të vërtetën. E vërteta e thjeshtë për ne qytetarët shqiptarë sot është: Kush flet për integrim e reformë në drejtësi, por me veprime u shkon kundër tyre, ka shkelur vijën tonë të kuqe. Dhe nuk ka më të ardhme në mbështetjen tonë për të si politikan. Ka vetëm injorim dhe përçmim. Nuk ka aspak rëndësi nëse sot nuk jemi ende të aftë t’i mbrojmë këto interesa tona madhore duke ua kërkuar politikanëve shqeto me protesta në bulevarde e sheshe. Mjafton t’i mbrojmë këto interesa, t’i “shënojmë” këto vija të kuqe në bisedat dhe opinionet tona në jetën e përditshme. Kështu kemi kontribuar të niset diçka. Kështu i kemi thënë “Ik!” pasivitetit tonë proverbial si qytetarë. Indiferencës vrastare. Jo! Nuk jemi indiferentë. Për ato gjëra që janë mirëfilli jetike për ne. Duhet t’i mbrojmë dhe t’i mbrojmë fort. Pa qenë nevoja të dalim nëpër sheshe. Thjesht duke i folur dhe theksuar me njëri-tjetrin. Le ta fillojmë këtë sprovë, se vetëm përfitim (dhe jo më zhgënjim) do të kemi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.