AKTUALITET

Ndryshon skema e dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë, ja kush favorizohet

17:30 - 11.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndryshon skema e dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë që janë gjallë apo trashëgimtarëve të tyre. Qeveria ka miratuar dje disa ndryshime në vendimin nr.419, datë 14.4.2011, të cilat në fakt prekin thelbin e formulës së dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë për vitet e vuajtjes në burgjet apo kampet e regjimit komunist. Kështu, sipas këtyre ndryshimeve, hiqet së pari kufiri minimal prej 100.000 lekësh të reja për këst, ndërsa lihet vetëm kufiri maksimal prej 1.000.000 lekësh. Thënë ndryshe, tashmë me këtë ndryshim kësti mund të jetë edhe më i vogël se 100.000 lekë, por nuk mund të jetë më i madh se 1.000.000 lekë, çka në fakt ekziston edhe në vendimin e vitit 2011 të qeverisë “Berisha”. “Në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë nga regjimi komunist ndahet në mënyrë proporcionale për të gjithë përfituesit, me kusht që kësti i dëmshpërblimit të mos jetë më i madh se 1 000 000 (një milion) lekë”, – thuhet në këtë vendim në paragrafin që ndryshon pikërisht pikën e parë të vendimit të mëparshëm. Një tjetër ndryshim prek pikën 4 të vendimit të vjetër dhe që shton një paragraf të dytë në këtë pikë. Më konkretisht, pika 4 e vendimit të vitit 2011 përcakton se: “Dëmshpërblimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave shpërndahet në tetë këste të barabarta”.




Ndërkohë që vendimi i ndjeshëm pas këtij paragrafi shton një paragraf të dytë, ku përcaktohet se në rast se vlera e dëmshpërblimit të përllogaritur për një ish-të dënuar politik është mbi 8.000.000 lekë, atëherë procesi i dëmshpërblimit do të vijojë me këstet vijuese që kanë mbetur për t’u shlyer. Ndërkohë që po ky ndryshim sjell dhe një risi pozitive për ish-të përndjekurit që u ka mbetur edhe një shumë e vogël për të marrë. Kështu, ndërsa deri më tani një ish-i përndjekur apo trungu i tij familjar duhet të priste këstet e radhës për të marrë dëmshpërblimin e mbetur, me këtë ndryshim bëhet e mundur që kur kjo shumë është më e vogël se 1.000.000 lekë, atëherë ajo mërehet njëherë dhe jo më e copëtuar në këste të tjera. “Për të gjitha subjektet përfituese parësore, kur vlera totale e dëmshpërblimit është mbi 8 000 000 (tetë milionë) lekë vijohet me pagesën e këstit pasardhës deri në shpërndarjen e plotë të shumës së miratuar.

Në rast se vlera totale e miratuar për të gjithë përfituesit është deri në 1 000 000 (një milion) lekë, shpërndarja e dëmshpërblimit kryhet me një këst të vetëm, pavarësisht fazës në të cilën ndodhet shpërndarja e dëmshpërblimit”, – përcaktohet më tej në këtë vendim. Ndërkohë, pika e 4 vendimit të djeshëm të qeverisë bën një tjetër ndryshim ku paragrafi “Afati i shpërndarjes së këstit të tetë fillon një muaj pas përfundimit të pagesës së këstit të shtatë për të gjitha subjektet përfituese” ndryshohet, si më poshtë vijon: “Me kryerjen e pagesës së dëmshpërblimit për të gjithë përfituesit, brenda këstit më të ulët fillon pagesa e këstit pasardhës. Ky mekanizëm përsëritet deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit”. Ndërsa pika 5 e vendimit të djeshëm bën vetëm rregullime termash të institucioneve që kanë në përgje-gjësi të përgatisin listat dhe të përcaktojnë këstet e dëmshpërblimit. Më konkretisht, kjo pikë përcakton se, “kudo në vendim, emërtimet Ministria e Financave, Ministri i Financave, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë zëvendësohen, përkatësisht me fjalët ‘ministria përgjegjëse për financat’, ‘ministri përgjegjës për financat’, ‘ministria përgjegjëse për çështjet sociale’. Vendimi ngarkon Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit për zbatimin e tij”.

Vendimi

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë nga regjimi komunist ndahet në mënyrë proporcionale për të gjithë përfituesit, me kusht që kësti i dëmshpërblimit të mos jetë më i madh se 1 000 000 (një milion) lekë”.
2. Pika 2 shfuqizohet.
3. Në pikën 4, pas paragrafit të parë shtohet paragrafi i dytë, me këtë përmbajtje:
“Për të gjitha subjektet përfituese parësore, kur vlera totale e dëmshpërblimit është mbi 8 000 000 (tetë milionë) lekë vijohet me pagesën e këstit pasardhës deri në shpërndarjen e plotë të shumës së miratuar. Në rast se vlera totale e miratuar për të gjithë përfituesit është deri në 1 000 000 (një milion) lekë, shpërndarja e dëmshpërblimit kryhet me një këst të vetëm, pavarësisht fazës në të cilën ndodhet shpërndarja e dëmshpërblimit”.
4. Paragrafi i fundit, i pikës 6, ndryshohet si më poshtë vijon:
“Me kryerjen e pagesës së dëmshpërblimit për të gjithë përfituesit, brenda këstit më të ulët fillon pagesa e këstit pasardhës. Ky mekanizëm përsëritet deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit”.
5. Kudo në vendim, emërtimet “Ministria e Financave”, “Ministri i Financave”, “Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë” zëvendësohen, përkatësisht, me fjalët “ministria përgjegjëse për financat”, “ministri përgjegjës për financat”, “ministria përgjegjëse për çështjet sociale”.
6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit për zbatimin e këtij vendimi.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.