AKTUALITET

Nga kamerat tek eskortat e policisë, siguria për SPAK dhe Byronë e Hetimit

18:00 - 11.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të gjithë gjyqtarët, prokurorët dhe punonjësit e Byrosë së Hetimit që do të hetojnë dhe gjykojnë rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë do të kenë një mbrojtje të veçantë me oficerë dhe nënoficerë të Policisë së Shtetit. Këshilli i Ministrave miratoi dje dy vendime: një që kanë të bëjë me sigurinë në godinat që do të veprojnë Gjykata dhe Prokuroria e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe një vendim tjetër që garanton ruajtjen e gjyqtarëve, prokurorëve që do të ndjekin këto çështje dhe punonjësve të Byrosë së Hetimit dhe familjarëve të tyre.




Siguria në godina
Vendimi i parë përcakton rregullat e hollësishme në lidhje me garantimin e sigurisë në mjediset e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të Prokurorisë së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Më konkretisht vendimi përcakton se hyrjet kryesore të godinës mbikëqyren nga një ose disa punonjës të sigurisë, ndërsa kryetari i institucionit përkatës autorizon personelin si dhe persona të tjerë, të hyjnë në ambientet e tyre, nëpërmjet një hyrjeje të veçantë. Ndërkohë që hyrjet e veçanta do të shërbejnë edhe si dalje emergjence në rastet kur jepet urdhër për evakuim nga kryetari i institucionit përkatës. Hyrja e automjeteve në ambientet e institucioneve të përcaktuara sipas këtij vendimi realizohet përmes portave të veçanta për hyrjen e automjeteve dhe mbikëqyrjet me punonjës sigurie. Për këtë qëllim bëhet pajisja e institucionit me detektorë elektronikë, të cilët vendosen pranë hyrjes kryesore, pajisja me mjete të sigurisë (çelësa, karta apo mjete të tjera të kësaj natyre) e punonjësve të administratës së institucionit përkatës, me qëllim realizimin e hyrjes nëpërmjet hyrjes së veçantë të godinës së institucionit përkatës dhe pajisja me sistemin e kamerave të vëzhgimit dhe atë elektronik të lejimit të hyrjes në godinë, si dhe në server të ruajtjes së këtyre të dhënave për një periudhë 6-mujore deri në 1 vit. Personeli i sigurisë mund të kontrollojë hyrjen e godinës apo të kontrollojë automjetet dhe personat që dyshohen se përbëjnë rrezik për sigurinë e mjediseve, brenda një perimetri prej 5 metrash rreth godinës së gjykatës, duke nisur prej vijës së objektit. Kontrolli mund të bëhet me këqyrje, përmes prekjes sipërfaqësore ose duke përdorur mjete të tjera të përshtatshme, të tilla si pasqyra ose detektorë.

Siguria fizike
Ndërkohë që vendimi tjetër përcakton masat dhe procedurat se si realizohet siguria fizike e këtyre institucioneve që do merren me hetimin dhe gjykimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Më konkretisht gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, proku-rorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit u sigurohet mbrojtja personale mbi bazën e kërkesës së paraqitur nga subjekti që kërkon të mbrohet. Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me oficer e nënoficer. Në raste të veçanta dhe me kërkesë të kryetarit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar apo drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, sigurohet mbrojtje për anëtarët e familjes, banesat dhe/ose eskortë për gjyqtarët dhe prokurorët. Në rastet e gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pro-kurorëve të Prokurorisë së Posaçme si dhe të drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kërkesa depozitohet pranë komisionit të posaçëm që ngrihet e funksionon sipas procedurave të përcaktuara nga qeveria. Në rastet e zëvendësdrejtorit apo hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kërkesa vlerësohet nga komisioni i posaçëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.