OPINION

Tirana nuk është Shqipëria

11:36 - 11.07.19 Nga Alion Çaçi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më së shumti, për çdo temë bisede apo diskutimi, njësia matëse është kryeqyteti. Kjo është ndikuar shumë prej televizionit, duke qenë se televizionet më të ndjekur janë të vendosur në Tiranë dhe, po ashtu, edhe ata që dalin e flasin nëpër televizione. Shumë e rrallë është që nëpër debate të ftohen njerëz nga rrethet. Madje madje, edhe kur tema e diskutimit i përket rretheve, nuk ftohet asnjë banor i atij rrethi.




Në vijim të kësaj, njerëzve u ngulitet në kokë se Shqipëria është Tirana. Dhe ne, që jetojmë në Tiranë, nuk e çojmë shpesh nëpër mend sesi është jetesa jashtë kryeqytetit. Më saktë, jashtë qendrës së Tiranë, sepse mjafton të shkosh në Bathore/Laprakë/Paskuqan dhe zbulon çudira. Po ashtu, nga hijëzimi që u bëhet rretheve, padashje idealizohet Tirana dhe krijohet ideja se  është qyteti i ëndrrave dhe i mundësive.

POR, ÇFARË KANË RRETHET QË TIRANA S’I KA DHE ÇFARË KA TIRANA QË RRETHET NUK E KANË?

Rrethet nuk kanë: asnjë mundësi argëtimi veç kafeneve.  Nuk kanë kinema, teatër aktiv, koncerte, ambjente “snob” ku mund të sillen si artistë, mundësi zgjedhjeje për të kaluar mbrëmjen. Kanë vetëm një zonë ku dilet. Nuk kanë shumë liri prindërore për të dalë. Nuk dilet pas orës 7 mbasdite në dimër (përjashtojmë ndonjë qytet ku dilet edhe kiameti deri në 9). Nuk kanë rroga të mjaftueshme. Jo se në Tiranë janë të gjithë të kamur, por nëpër rrethe nuk të del as për bukë, e jo më të konceptohet të pish një birrë. Rrogat janë shumë të ulëta, femrat e kanë të vështirë të gjejnë punë. Mbi të gjitha, nuk kanë universitete dhe shërbim shëndetësor, për “të të mbaruar punë”. Janë sajesa boshe, që ngjasojnë me shkolla dhe spitale, por që të gjithë dynden në Tiranë për të marrë këto shërbime.

Por ama, Tirana nuk ka: ushqime të mira si nëpër rrethe. Si për shembull bulmetet apo fruta-perimet, që shiten në Tiranë, janë shumë herë më pa shije sesa ato të rretheve, për shkak të numrit të popullsisë. Sa më shumë banorë, aq më e lartë kërkesa, aq më artificial prodhimi. Tirana nuk ka bibliotekë, ndërkohë që rrethet kanë. Sado të varfra që i kanë, por i kanë. Tirana nuk ka kurrë temperatura më të ulëta se rrethet, për shkak të betonizimit ekstrem dhe cilësisë së dobët të ajrit. Tirana nuk ka ujë rubineti më shumë se rrethet.

Këto ç’balancime janë të gjitha pasoja të “centralizimit”. Tashmë çdo gjë është e përqendruar në Tiranë. Ndryshe nga deri para 30 vjetësh, kur çdo rreth kishte spitalin dhe universitetin e tij apo shquhej për diçka të madhe që mund të grumbullonte njerëz. Gjithë studentët përplasën në Tiranë. Gjithë të sëmurët përplasen në Tiranë. PSE? Sepse spitalet e rretheve janë më të pisët se banjot publike (që Tirana nuk i ka) dhe po aq pak profesionalë. Sepse universiteteve të rretheve nuk u njihet diploma as në Tiranë. E çdo bëjnë rrethet, pra? Kanë nevojë për zhvillim.

Në kuadër të fitores absolute moniste të Bashkive, ringjallja e rretheve mund të jetë e vetmja gjë që të na bëjë të mbyllim një sy e një vesh për zgjedhjet që sapo u bënë. Gjithsesi, mos thoni më “Shqipëria ashtu, Shqipëria kështu” ndërkohë që jeni duke folur për një ashensor që s’punon për të të çuar në katin e 13 të një kulle për të pirë një aperol spritz. E mbi të gjitha, nëse ti nuk e gjen veten te këto që thashë, qenke shumë i pasur për këtë shkrim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.