Sport

Laçi befason izraelitët e Hapoelit, Debreceni ‘shemb’ Kukësin 3-0

10:02 - 12.07.19 Gazeta Shqiptare

Laçi luajti përballë skuadrës së fortë izraelite, Hapoel Ber Sheva, por kjo nuk i bëri kurbinasit të demoralizohen, përkundrazi. Të besuarit e Sulejman Starovës kanë shënuar në minutën e tretë me Nvabuezen, afrimin e kësaj merkatoje verore për bardhezinjtë. Izraelitët janë hedhur në sulm dhe e kanë vënë Laçin në vështirësi, por të zotët e shtëpisë janë të duruar dhe mund të kishin ndëshkuar sërish miqtë në minutën e 30-të, kur Redion Xhixha provon një kryevepër nga 60 metra, me topin që devijohet lehtësisht nga portieri izraelit dhe përfundon në shtyllë. Tashmë Laçi është 45 minuta larg një fitoreje të bujshme. Në pjesën e dytë janë miqtë më kërcënues, që këmbëngulin gjatë dhe shpërblehen me golin e Levit në minutën e 78-të, që lëviz bukur në zonë dhe me një diagonale të saktë mbi kokën e Selmanit, e çon topin në rrjetë. Mbyllet 1-1 në Kurbin, por Laçi i ka të gjitha mundësitë të provojë një kualifikim të bujshëm në Izrael në ndeshjen e kthimit.



Kukësi tronditet
Nënkampionët luajtën në Hungari takimin e parë të vlefshëm për Ligën e Europës, ku u mund 3-0 nga ekipi i Debrecenit. Duhet thënë se pavarësisht rezultatit, skuadra e Gjokës ka prodhuar një futboll të pëlqyeshëm, ku Valdet Rama është iniciatori i aksioneve, sidomos në pjesën e parë, madje verilindorët iu afruan golit në të 25-ën, kur gjuajtja e Rrocës u ndal vetëm nga shtylla. Një paragraf e meriton dhe gjyqtari austriak Gishamer, që një faull si mbrojtës i fundit të lojtarit hungarez ndaj Et’hemit, e cilëson si lojë të rregullt, duke mbajtur haptazi një qëndrim të njëanshëm, por edhe në një pretendim për penallti nga ana e Ramës. Në pjesën e dytë, Debreceni do të gjejë golin në të 54-ën me të sapofuturin Garba, që përfiton nga markimi i dobët i mbrojtjes. Më pas Kukësi ka mundësi të barazojë me tentativën e Valdet Ramës në të 74′-ën, por ata që shënojnë janë të zotët e shtëpisë, që dyfishojnë me një kundërsulm të saktë në minutën e 77-të të finalizuar nga Vargën. 6 minuta më pas Debreceni gjen edhe golin e tretë me një gjuajtje të Vargës nga jashtë zonës, që nuk llogaritet siç duhet nga Stivi Frashëri dhe që përfundon në rrjetë, duke vulosur rezultatin 3-0 dhe duke e bërë praktikisht të pamundur misionin përmbysje për Kukësin në ndeshjen e kthimit.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *