AKTUALITET

Tërhiqet PS për rregulloren, rasti “Tahiri” nuk do përsëritet më

10:10 - 12.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rasti i Saimir Tahirit ku Kuvendi nuk pranoi të miratojë kër-kesën e Prokurorisë për të dhënë autorizimin për arrestimin e tij pa paraqitur më parë provat që zotëronte nuk do të përsëritet më. Kjo pasi prokuroria nuk do jetë më e detyruar që të paraqesë para Kuvendi faktet apo provat me anë të të cilave mbështet një akuzë të caktuar për një deputetë në rast se kërkon arrestimin e tij. Pas një hezitimi të gjatë Partia Socialiste është tërhequr nga nisma që detyronte prokurorinë të dorëzonte provat para Këshillit të Legjislacioneve dhe Mandateve në rastet kur kërkon autorizimin për arrestimin e një deputeti. Drafti u prezantua për herë të parë nga Taulant Balla në janar të 2018, pak muaj pasi prokuroria kishte dorëzuar në Kuvend kërkesën për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kërkesë kjo e rrëzuar prej tyre.




Tërheqjen nga nisma e njoftoi në mbledhjen e radhës të Komisionit të Ligjeve, kreu i këtij Komisioni, Ulsi Manja, i cili theksoi se tërheqja nuk është përfundimtare, por një lëvizje taktike për të mos ndezur edhe më tej debatin politik. “Grupi i PS-së me një vendimmarrje politike është tërhequr nga ndryshimi i nenit 118 dhe 119 edhe pse nuk janë në harmoni me Kushtetutën. Kemi rënë dakord që për të shmangur çdo debat propozuesit janë tërhequr dhe kur të jetë rasti aplikohet direkt Kushtetuta në hierarkinë e normës. Këto dy nene janë tërhequr nga propozuesit”, – tha kryetari i Kuvendit Ulsi Manja. Por ky ndryshim qëndrimi nga propozuesit e këtyre ndryshimeve, në rastin konkret nga Taulant Balla ka ngjallur debate mes vet deputetëve socialistë, një pjesë e të cilëve theksuar se kjo tërheqje ishte e panevojshme për sa kohë që propozimi i mëparshëm vinte në përputhje me përcaktimin që bën Kushtetuta për rastet e aturizimit për arrestim të deputetit. “Ka pasur një propozim nga grupi i PS-së, Zoti Balla për të përafruar përmbajtjen me Kushtetutën dhe Kodin e Procedurës penale. Balla ka tërhequr formulimin. Neni 118 dhe 119 bie ndesh me Kushtetutën prandaj do të kërkoja që ta riformulonim”, – tha deputetja socialistë Vasilika Hysi. “Pse ka hequr dorë grupi, mirë do të ishte mos hiqte dorë, nuk po bëjmë gjë tjetër, por po transpozojmë Kushtetutën në rregullore. Nuk ka ndonjë që bën sofizma në këtë rast, ne po zbatomë kushtetutën”, – tha deputeti tjetër socialistë Alket Hyseni. Nisur pikërisht nga ky debat, kryetari i Komisionit të Ligjeve ka kërkuar që të të mos bëhet asnjë riformulim tjetër veçse të vendoset në Rregullore neni përkatës i Kushtetutës që flet për rastin e autorizimit për arrestim të deputetit për të mbyllur kështu çdo debat. “Merreni atë nen të Kushtetues dhe futeni në neni 118 me copy paste. Nuk ka nevojë për filozofi kjo”, – tha Manja. Partia Demokratike e kundërshtoi këtë nismë kur nuk kishte djegur ende mandatet e saj. Opozita deklaronte se rregullorja e re ishte një rikthim i imunitetit të hequr nga Kushtetuta që në 2012 për deputetët, si dhe cenim të pavarësisë së punës së prokurorit me propozimin për të kërkuar provat së bashku me kërkesën për arrestimin e deputetëve. Mes ndryshimeve të tjera, Komisioni i Ligjeve kaloi propozimin për shkurtimin e diskutimeve në 10 minuta për deputet gjatë seancave plenare. Deputetët e opozitës e kritikuan këtë ndryshim, duke akuzuar shumicën se po u heq të drejtën e fjalës. Ndryshimi tjetër që propozohet lidhet me kuorumin që një seancë plenare të cilësohet e vlefshme. Aktualisht kuorumi është 71 deputetë. Nëse janë më pak se ky numër, seanca nuk mund të mbahet. Socialistët propozojnë që ky numër të ulët në vetëm 15 deputetë. “Nuk mund të bëjmë marrëveshje që të nisim Kuvendin me 15 deputetë se nuk u del gjumi. Duhet ta detyrojë rregullorja kreun e Kuvendit që të bëhen 71 deputetë pastaj të nisë Kuvendi”, – i cili, gjithashtu, ishte kundër këtij propozimi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.