Intervista

Klodian Muço: Skema e pensioneve, sa është rritur masa e pagesës ndër vite

17:00 - 13.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Statistikat tregojnë se përgjatë viteve të tranzicionit, plakja e popullsisë në vendin tonë ka pësuar rritje e aktualisht numri i personave mbi 65 vjeç ka arritur në 403 mijë për Shqipërinë. Por plakja e popullsisë është një faktor që mund të shkaktojë jo pak probleme në qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve dhe krijon jo pak kosto për brezat e ardhshëm. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, eksperti i ekonomisë, njëkohësish pedagog në universitetin “Aleksandër Moisiu”, dr. Klodian Muço tregon se problemi i qëndrueshmërisë së sistemit të pensioneve mund të zgjidhet demografikisht, pra me rritjen e lindjeve, me frenimin e emigracionit dhe me rritjen e moshës mesatare për pension. Më tej, ai bën me dije se para vitit 1990 raporti ishte 4 kontribues për një përfitues e ky tregues aktualisht është rreth 1.5 kontribues për një përfitues e bazuar në këto të dhëna Muço shton se sistemi aktual i pensioneve po krijon gjithmonë e më tepër një deficit të lartë.




Si paraqiten shifrat e plakjes së popullsisë përgjatë viteve të fundit në vendin tonë?
Përgjatë tranzicionit ekonomik shqiptar është vënë re një rritje e vazhduar i plakjes së popullsisë. Në 1979 në Shqipëri ka pasur vetëm 76 mijë persona mbi moshën 65 vjeç. Në 2011 ky numër u katërfishua duke arritur në 318 mijë. Aktualisht numri i personave mbi moshën 65 vjeç është 403 mijë persona. Ndërsa në 2031 pritet që ky numër të shkojë në mbi 600 mijë persona pra, do të ketë një rritje me mbi 50 për qind të numrit të pensionistëve. Ndërsa numri i pensionistëve është në një rritje të shpejtë, numri i personave në moshë pune duket se do të jetë në një rënie të vazhdueshme sipas INSTAT, duke kaluar nga 1.76 milionë që është aktualisht në 1.56 milionë në 2031.

A janë këto projeksione të besueshme? Çfarë po ndodh me plakjen e popullsisë?
Në këto projeksione nuk merren në konsideratë emigracioni i të rinjve për arsye arsimimi. Sipas të dhënave të Eurostat, në 2017 rreth 52 mijë shqiptar emigruan në 1 nga vendet e bashkimit europian, ndërsa në 10 vitet e fundit numri i shqiptarëve që kanë lënë Shqipërinë për të shkuar në një nga vendet e bashkimit europian ka shkuar në 590 mijë veta. Nëse do të analizonim emigracionin shqiptar sipas moshave do të vërenim se mbi 2/3 e personave që lënë përfundimisht Shqipërinë sipas Unicef janë nën moshën 30 vjeç. Kjo ndoshta është edhe një ndër arsyet kryesore pse mosha mesatare në Shqipëri ka pasur një rritje shumë të shpejtë përgjatë tranzicionit, duke kaluar nga 21.4 vjeç që ish në 1990 në 33.6 vjeç në 2017. Pa harruar këtu edhe reduktimin e vazhduar të popullsisë me gati 13.2% më pak në 2017 sesa ish në 1990. Ku më keq se ne për nga rritja negative e popullsisë përgjatë periudhës 1990-2017 ka qenë vetëm Bosnja me gati 21%. Kuptohet që Shqipëria nuk është i vetmi vend që po plaket. Në Monako mosha mesatare është 53 vjeç, në Japoni e Gjermani mosha mesatare kalon në 47 vjeç, në Serbi dhe Mal të Zi mosha mesatare është 40.4 vjeç. Por nuk duhet harruar fakti që Shqipëria është një vend i varfër dhe vendet e varfra si Nigeria kanë një moshë mesatare 15.4 vjeç.

Mos vallë duhet të preokupohemi nga plakja e popullsisë? Çfarë impakti ka ajo në ekonomi?
Një proces plakjeje i vazhdueshëm dhe i pa ndalshëm krijon jo pak probleme në qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve dhe krijon jo pak kosto për brezat e ardhshëm. Raporti ndërmjet popullsisë aktive (20-65 vjeç) dhe pensionisteve ka tendencë të dyfishohet brenda një gjenerate, duke kaluar nga 36.6% që është aktualisht në rreth 52% në 2031, kjo nënkupton një rritje të barrës së sigurimeve shoqërore me mbi 42%. Pra, duke mos ndryshuar kushtet e tjera, praktikisht nevojitet një rritje e produktiviteti me 42%. Numri i pensionistëve të sotëm mund të rriten me 200 mijë vetë në rreth 12 vjet. Rritja e jetëgjatësisë ka çuar po ashtu edhe në një rritje të vazhdueshme të numrit të pensionistëve të rinj në raport me ata që vdesin. Pra, praktikisht kjo plakje e popullsisë dhe rritje e jetëgjatësisë po çon drejt “humnerës” qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve. Sipas të dhënave të 3 viteve më parë, diferenca ndërmjet arkëtimeve dhe shpenzimeve për pensione ishte 60%. Arkëtoheshin rreth 440 milionë dollarë nga kontributet dhe shpenzoheshin rreth 1 miliardë dollarë në vit. Shpenzimet për pensionet zënë rreth 25% të totalit të buxhetit vjetor.

Cilët mund të jenë rrugët e zgjidhjes së këtij problemi në të ardhmen?
Problemi i qëndrueshmërisë së sistemit të pensioneve mund të zgjidhet demografikisht, pra, me rritjen e lindjeve, me frenimin e emigracionit dhe me rritjen e moshës mesatare për pension. Kjo e fundit sigurisht që nuk i pëlqen asnjërit e për më tepër duhet shoqëruar me një rritje të vazhdueshme të hapjes së vendeve të reja të punës. Pasi vetëm kështu do të garantohej një e ardhme më e mirë e të rinjve dhe nuk do rritej papunësia (rritja e moshës së pensionit frenon procesin e zëvendësimit në tregun e punës ndërmjet të rinjve dhe pensionistëve që dalin nga tregu i punës).

Aktualisht sa është numri i pensionistëve në Shqipëri dhe cilat janë projeksionet për të ardhmen?
Aktualisht në Shqipëri përfitojnë rreth 740 mijë vetë pensione.
Pasi në realitet në Shqipëri ashtu si në shumë vende të botës nuk ekzistojnë vetëm pensionet e pleqërisë. Por janë edhe asistencat sociale për personat me aftësi ndryshe. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, personat me aftësi ndryshe përbëjnë 15% të popullsisë, një në 10 europianë kanë aftësi ndryshe. Personat në fjalë vlerësohen se përbëjnë 6.2% të popullsisë në moshë madhore. Këta persona kanë 2 herë më shumë probabilitet të jenë të paaftë për punë, apo e kanë të pa mundur që të gjejnë një punë me aftësitë që ata kanë. Pa harruar këtu edhe faktin se në skemën e pensioneve janë të përfshirë edhe familjarët e invalidëve; persona që trajtohen me mbrojtje të veçantë të ushtarakut; pensione suplementarë për ushtarakët e Forcave të Armatosura të punonjësve të Policisë së Shtetit; të Gardës së Republikës; të Shërbimit Informativ të Shtetit; të Policisë së Burgjeve; të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë; fëmijët dhe familjarët e personave që humbasin jetën në krye të detyrës etj.

Pra, si e vlerësoni ju skemën aktuale të pensioneve?
Së pari raporti kontribues-përfitues është përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme në dekadat e fundit. Nëse para vitit 1990 ky raport ish 4 kontribues për një përfitues ky tregues aktualisht është rreth 1.5 kontribues për një përfitues. Në të tilla kushte mund të them se sistemi aktual i pensioneve po krijon gjithmonë e më tepër një deficit të lartë. Pa harruar këtu elementët e theksuar të padrejtësisë nga të cilat karakterizohet kjo skemë, pasi raporti kontribut përfitim është shumë më i lartë për disa persona në raport me të tjerët.

Për të konkluduar çfarë mund të thoni për rritjen e pensioneve përgjatë viteve të fundit?
Në 2000 pensioni i pleqërisë në qytet ishte 5180 lekë ndërsa në 2005 kaloi në 8383 lekë me një rritje prej 61%. Në 2010 kjo rritje kaloi në 12153 lekë pra një rritje me 45%. Në 2015 ky pension kaloi në 14585 për të arritur në 2018 në 15875 lekë. Përkatësisht një rritje me 19% dhe 8%. Trendi ka qenë i ngjashëm edhe për pensionit e fshatit. Për sa i përket pensionit të invaliditetit në 2000 ish 3757, në 2005 ky kaloi në 8062 duke u rritur me 114%. Në 2010 ky pension arriti në 10289, në 2015 në 12648, ndërsa në 2018 kaloi në 13817. Me një rritje në përqindje prej 27% në 5-vjeçarin 2005-2010, me 23% për 5-vjeçarin 2010-2015, për të konkluduar me një rritje prej 9.2% në 3-vjeçarin e fundit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.