OPINION

Një barsoletë e Nasradinit për të kuptuar Kosovën e vitit që vjen

07:48 - 14.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një shok imi nga gjimnazi, zakonisht në pikun e verës sikur jemi tani, bënte pyetjen që nuk e priste kush e ndoshta as ai vetë:




– E, çka do të bëjmë për Vit të Ri?

Kjo u shndërrua në barsoletë rituale dhe verë pas vere prisnim ditët më të nxehta të verës për të krijuar pauzën dramatike, për të gjetur momentin kur nuk kishte kush rrëfim për të treguar a propozim për të dhënë dhe dikush prej nesh do ta shtronte pyetjen:

– Po, për Vit të Ri si do t’ia bëjmë?

Barsoleta u shpërnda gjithandej familjeve tona dhe shkaktoi të qeshura rituale, derisa një ditë dikush na e tërhoqi vërejtjen se para shokut tonë këtë fenomen e kishte përshkruar, në kontekst të mençurisë popullore orientale Nasradin Hoxha. Në rrëfimin për Nasradinin, ai fillonte të çante në kohën e shalqirit, sepse po afrohej dimri dhe fillonte të gëzohej, sepse po afrohej vera, kur kishte ngrirë çdo gjë e po pëlcisnin edhe gurët nga akulli.

2.

Në stilin e Nasradinit, mund të themi se ky vit shkoi. Së paku shkoi për sa u përket negociatave me Serbinë, gjegjësisht idesë që deri në fund të vitit, me një marrëveshje shpejt e shpejt, të këmbehen do territore e do njerëz, të nënshkruhet një copë letre, e cila thotë se pas këmbimit, do të merremi vesh për gjërat e tjera dhe të fillohet edhe një proces tjetër i negociatave për të negociuar për gjërat e dakorduara.

Ky format shkoi. Ka kohë që kishte shkuar – prej vitit 2015 pothuajse nuk ka gjë për t’u marrë vesh mes Kosovës dhe Serbisë, pasi Kosova pranoi se do të themelonte një autonomi territoriale serbe nëse këtë e pranonte opozita dhe populli. Pas demonstratave brenda dhe jashtë Kuvendit, që detyruan kërkimin e mendimit të Gjykatës Kushtetuese, u vërtetua që Kosova në negociata, që nga viti 2013 e këtej kishte premtuar se do të shkelte Kushtetutën e vet për të përmbushur premtimet e dhëna Serbisë.

Përbërja e Komisionit Evropian, që arriti të bëjë një dështim kaq të madh ndërmjetësues – e që kulmoi me legjitimimin e këmbimit të territoreve dhe popullatave – e dorëzon mandatin dhe nga 1 nëntori i këtij viti do të kemi një përbërje të re të Komisionit Evropian.

Prej tash e deri atëherë po hyjmë në fazën përgatitore për procesin e ardhshëm negociator, i cili për nga mandati (Asambleja e Përgjithshme e OKB-së) dhe ndërmjetësi i mandatuar (Komisioni Evropian) do të jetë i njëjtë. Brenda këtij procesi do të ketë përpjekje për të konsultuar të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, qoftë në formë zyrtare, qoftë jozyrtare, se si të shkohet përpara. Dhe brenda këtij procesi, në Uashington pritet të sqarohen pak a shumë emri dhe roli i një të dërguari të veçantë për marrëveshjen Kosovë-Serbi. E njëjta gjë do të ndodhë në kryeqytetet evropiane; Komisioni i ardhshëm Evropian ka gjasa t’ia fillojë punën me një propozim për një të dërguar të veçantë evropian për marrëveshjen Kosovë-Serbi. E njëjta gjë tashmë ka ndodhur me Rusinë, e cila dërgoi në Beograd si ambasador ndër diplomatët e vet më të rryer në çështjet e Ballkanit, Bocan-Harçenko, njeriun që përfaqësoi Federatën Ruse në negociatat për statusin e Kosovës pas përfundimit të procesit Ahtisaari.

Njëra prej dollive zyrtare të Vitit të Ri në Kosovë lehtësisht mund të jetë: Paçim fat në negociatat e vitit 2020!

3.

Në stilin e shokut tim të gjimnazit, atij që pyeste se çka do të bëjmë për Vit të Ri, di se vendi do të festojë si zakonisht.

Do të festojë, sepse duhet ta bëjë, është një ritual. Do të festojë, sepse pret që ky vit të mos përsëritet më – e kjo ndjenjë po përsëritet për shumicën e popullit, atë që është përjashtuar nga profiti i kapësve të shtetit vit pas viti, tepër shumë dhe tepër gjatë. Vendi do të festojë, sepse e kaloi edhe një vit që gjeneroi shumë stres dhe pak ose aspak shpresë.

Kur të vijë koha e festimit, qytetarët e vendit do të kenë kaluar tri vendime domethënëse.

I pari është ai për autostradën e Dukagjinit. Nëse mbetet vendimi i qeverisë, atëherë Kosova do të zhytet në borxh edhe për një miliard euro, për një projekt që ka analizë të mirë për përfitime korruptuese dhe kurrfarë analize për efektet në ekonominë e vendit. Autostradat e komandantëve do të paguhen nga ky brez dhe nga brezi që do të lindë.

I dyti është ai për termocentralin “Kosova C” (apo “Kosova e Re”). Kontrata për ndërtimin e këtij termocentrali është e sajuar ashtu që qytetarët e Kosovës të punojnë për kompaninë, e cila e fitoi këtë tender. Rrjedhimisht, qytetarët e Kosovës, nëpërmjet Kuvendit të Kosovës, duhet të garantojnë kredinë të cilën do ta marrë fituesi i tenderit, pra kredinë, të cilën duhet t’ia sigurojë shteti kompanisë private. Nëse Kuvendi i Kosovës e miraton këtë marrëveshje ndërkombëtare, atëherë do t’i obligojë, po ashtu, qytetarët e Kosovës që ta paguajnë energjinë elektrike më shtrenjtë se çmimi i tregut, në mënyrë që kompania private (dhe ata qeveritarë të Kosovës që kanë përqindjen e tyre) të realizojnë profitin e përcaktuar për njëzet vjet me radhë.

Vendimi i tretë ka të bëjë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Rrjedhimisht nuk dihet, me përjashtim të negociatave, as çfarë do të jetë dollia zyrtare e as kush do ta ngrejë atë dolli.

4.

Prapë një vit i paparashikueshëm?

Po. Në stilin e Nasradinit, e vetmja gjë e parashikueshme është se do të festojmë hyrjen në një vit tjetër, të paparashikueshëm.

Dhe, në pikë të verës, ai do të tregojë se duhet filluar së vajtuari që po vjen Viti i Ri.

“Koha ditore”

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.