Kryesore

Universiteti i Mjekësisë, zbardhen tarifat e studimit. Ja sa do të kushtojë një vit akademik në bachelor e master

10:27 - 14.07.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Bordi i Administrimit të Universitetit të Mjekësisë ka caktuar pagesën që duhet të kryejnë studentët, të cilët do të pranohen në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve, për vitin e ardhshëm akademik.




Për të pestin vit radhazi, ato mbeten të pandryshuara. Në interes të kandidatëve aplikues, gazeta zbardh vendimin e plotë me tarifat në 12 programe bachelor, tri prej të cilave (Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologji e Farmaci) ofrohen si programe të integruara 5-vjeçare dhe 16 profile në master profesional e shkencor. Shuma më e ulët që i duhet të paguajë një studenti të ardhshëm për një vit akademik, është 35 mijë lekë.

Bëhet fjalë për profilet e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, ku përveç Infermierisë së Përgjithshme që kushton 40 mijë lekë në vit, të gjitha profilet e tjera kanë të njëjtën tarifë, 5 mijë lekë më pak. Ngjashëm janë tarifat edhe në Fakultetin e Mjekësisë Dentare, ku përveç Stomatologjisë, që kap tarifën tavan brenda universitetit, dy profilet e tjera i ofron me 40 mijë lekë.

Mjekësia e Përgjithshme, për të cilën “luftohet” aq shumë për të siguruar një vend, po ashtu kushton më shumë, 45 mijë për vit. Në ciklin e dytë, tarifat variojnë dy deri në trefish më tepër. Për masterin profesional do të paguhet 72 mijë lekë/vit, ndërsa për atë shkencor 102 mijë lekë. Kujtojmë që Universiteti i Mjekësisë, përveçse më i lakmuari nga studentët, është edhe më i shtrenjti.

Po ashtu, UM është i vetmi që kërkon pagesën qysh në krye të herës, me qëllim për të mos mbajtur vende bosh. Shumica dërrmuese janë ekselentë, një pjesë prej të cilëve, në pritjetë përgjigjes për studime jashtë vendit, pranojnë ta paguajnë tarifën e plotë, ndonëse rrugëtimi akademik i tyre mund të marrë tjetër rrjedhë.

KUOTAT E KRITERET

Kundrejt tarifave të pandryshuara prej vitesh, për kuotat nuk mund të themi të njëjtën gjë. Pas një rritjeje të lehtë në vitet e fundit, Universiteti i Mjekësisë këtë vit do të tkurret. Senati akademik që vulos numrin e pranimeve, ka vendosur të pranojë afro 10% më pak studentë se një vit më parë. Këtë vit janë parashikuar të ulen për herë të parë 1239 studentë. Gërshërët kanë prekur profilet e Stomatologjisë, Fizioterapisë, Teknikës së Imazherisë, Teknikës së Laboratorit dhe Logopedisë. Fituesit do të përcaktohen në bazë të rezultateve të përgjithshme në gjimnaz, atyre në katër provimet e maturës dhe në tri lëndët formuese për një mjek të ardhshëm.

Këto të fundit do të vijojnë të kenë 30% të peshës së pikëve totale, ndërsa ndryshe nga një vit më parë, ku 70%-shi ndahej proporcionalisht midis dy treguesve të mësipërm, sivjet vlera më e madhe, 40% i është dhënë notës mesatare të provimeve të Maturës Shtetërore dhe 10% notës mesatare të gjimnazit. Kusht për aplikimin në tri degët e shumëkërkuara: Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji është nota mesatare e gjimnazit, e barabartë ose më e madhe se 8,5, në Shëndet Publik 8, në gjashtë degët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike 7,5 si dhe në profilet Higjenist dentar dhe Teknikë dentare mjafton mesatarja 7./ Panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.