DOSSIER

20 korrik 1969, kur Armstrong vuri këmbën në Hënë: “That’s one small step for a man, one gigant leap for mankind”

17:30 - 15.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Uvil Zajmi – 16 korrik 1969, një botë pret me ankth, ora shënon 13.32, nga “Keneddy Space Center” në Hjuston-Teksas, Raketa Saturn V, me emrin “Apollo 11”, e gjatë 110 metra, me peshë 3817, e përbërë nga tre pjesë, mes tymit e flakëve shkëputet nga toka, sipër Oqeanit Atlantik, i drejtohet hapësirës në thellësinë e qiellit blu me kozmonautët, Armstrong, Olldrin e Kollins në bordin e saj. Pas tri ditëve, ajo futet në orbitën hënore gjatë të cilës Armstrong e Oldrin, kalojnë në modulin “Eagle lanted” me të cilin ishte parashikuar zbritja në sipërfaqen e Hënës. 20 korrik, ora 20.17’e 40”, gjashtë orë pasi anija kishte zbarkuar në Hënë, Armstrong ishte i pari që vendosi këmbën e majtë në “Detin e Qetësisë” të tokës hënore, dhe fjalët tij historike ishin: “That’s one small step for a man, one gigant leap for mankind (Hap i vogël për mua, por hap i madh për njerëzimin). Oldrin arriti 19 minuta më vonë. Të dy bashkë kaluan rreth dy orë, 31 minuta e 40 sekonda jashtë anijes, duke mbledhur 21.5 kg të materialit hënor të cilin e sollën në Tokë. Lidhje direkte, pamjet që vinin nga hëna, ishin të jashtëzakonshme, të rralla, mahnitëse. Pasi vendosën realizuan një lidhje direkte me presidentin Nikson, vendosën flamurin amerikan, ata u bashkuan sërish me Kollins që qëndronte në orbitë dhe pas 8 ditë, 3 orë, 18 minuta e 35 sekonda në hapësirë, të vendosur në kapsulën, me 24 korrik, në orën 16, 50′ e 35” ato ulen në Oqeanin Paqësor, vetëm 1 minutë para planit original të fluturimit, në një distancë 1500 km jugperëndim të ishujve Ëait. Pas pak nga dritarja e vogël e kapsulës, njëri pas tjetrit ata dalin e në pak minuta të ndihmuar nga një helikopter shoqërues, transportohen drejt qëndrës se izolimit, 18km larg. Nuk ka festime, as takime, përqafime me gratë, familjarët, i duhet të presin edhe tre javë të tjera, pasi është parashikuar izolimi sa më shpejt i tyre, një karantinë me qëllim të eliminojë çdo mundësi, çdo kontakt nga organizmat hënore për të qenë të sigurtë se nuk kanë marrë mikrobe jashtëtoksore. Ishte 24 korrik 1969, misioni kishte përfunduar me sukses të plotë dhe Apollo 11 do të shkruante një histori unikale, si anija kozmike që do të sillte njerëzit e parë në hënë.




Cilët ishin astronautët e përzgjedhur?
Nga rreth 3 miliardë e gjysmë njerëz mbi tokë, vetëm 3 u zgjodhën për të bërë udhëtimin e parë historik në Hënë. Të seleksionuar pas 6-vite pune, vetëm me 20 nëntor 1967 u shpall zyrtarisht ekuipazhi. Nil Armstrong 38-vjeç, (5 gusht 1930-25 gusht 2012), komandanti i misionit, njeri i akullt, i parë që zbriti në Hënë, ish- pilot i Forcave Detare Amerikane, pas misionit në vitin 1971 u largua nga NASA dhe deri më 1979, vijoi si pedagog i inxhinierisë së Hapësirës Ajrore në Universitetin e Cincinatit. U nda nga jeta më 25 gusht 2012. Buzz Aldrin, 39 vjeç, (lindur 20 janar 1930) i njohur si njeriu i dytë që zbriti në Hënë, inxhinier mekanik në USM Academy, më 1951, vihet në shërbim të aviacionit amerikan dhe merr pjesë si pilot në Luftën e Koresë. Pas misionit dhe ndarjes me NASA-n më 1971, caktohet komandant i U.S. Air Force Test Pilot School. Më 1972, tërhiqet nga aeronautika ushtarake dhe pas 21-vite në shërbim, në moshën 42-vjeçare del në pension. Michael Collins, 38-vjeç, (Romë, 31 tetor 1930), kishte qenë dy herë më parë në hapësirë. I pëlqente vetmia, Kollins është i katërti person (i treti amerikan) që ka realizuar një ecje në sipërfaqen e saj dhe njeriu i vetëm që ka qenë më shumë se dy herë atje. Para se të bëhej astronaut, diplomohet në USM Academy. Më 1970, pas largimit nga NASA, punon si asistent i Sekretarit të Shtetit në marrëdhëniet publike. Pas një viti e deri më 1978, është drejtor i “National Air and Space Museum”. Të tre kozmonautët janë vlerësuar me dekoratat më larta ushtarake të Forcave Ajrore, Medalja e Shërbimit, Legjioni i Meritës, të Kryqit të Nderuar Flying të NASA, Medaljen Presidenciale të Lirisë, etj. Emrat e tyre janë vënë në mjaft “Hall of Fame” dhe për nder të Oldrin, shkëmbi në hënë pranë vendit ku ul Apollo 11, ka marrë emrin e tij. Pas kthimit nga Hëna dhe në vitet që vijuan ata e angazhuan edhe me misione humanitare, sociale, takime, biseda me admirues, e njerëz, komunitete, etj.

tutta e armstrongut Nw Shtwpinw e Bardhw, presidenti amerikan Bush, pret tre astronautwt Nw MUzen e Hapsirw nw Uashington, U. Zajmi pranw kasulws sw Apollo 11. Nw Hwnw, nga astronautwt e Apollo 11 vendoset flamuri amerikan Nw brendwsi tw kasulws sw Apollo 11 Nisja e Apollo 11 kapsula e muzeun hapsires Canta e N. Armstrongut ap2
<
>

Olldrin: “Edhe dhjetë sekonda karburant kishin mbetur… ….
Në rrëfimet e tij kozmonauti Olldrin tregon: “50% ishin entuziastë, optimistë, por kishte edhe pasiguri. Komunikimi në radio, zëra që nuk dëgjohen, dhe atëherë kur misioni rrezikonte anulimin e zbritjes në Hënë, rikthehej normaliteti. Me Armstrong qëndronim në këmbë, kur unë shtypa një buton, pas të cilit u ndezën motorët, për të filluar zbritjen drejt hënës, ndërkohë nga anija shihnin sipërfaqen, kritere shkëmbore. Ishim 2 sekonda para programit të përcaktuar, 2 sekonda që do të thoshte kilometra më shpejt. Nëse do të vazhdonte kështu, do të përfundonim larg pikës së zbritjes. Por, ajo që e rëndoi situatën ishte kur Nil me thotë se diçka nuk funksiononte pasi kompjuteri në bord nuk tregonte realisht, dhe që po shkohet pesë herë më shpejt horizontalisht se vertikalisht. Do të ishim të vdekur, të djegur, dhe në këto çaste unë rindez pilotin automatik. Nuk po e kuptonim që po uleshim pa e ditur se ku, e frikshme kjo që po përjetonim dhe që mund të ishte një dështim i misionit, dhe nuk kishte kohë për ta ndërprerë nëse seriozisht duhej bërë. Stephen Bales, një 26-vjeçar nga qendra orienton se problemi i kompjuterit duhet injoruar dhe jep OK për të vazhduar. Dhe kishte të drejtë. Për këtë veprim kurajoz është dekoruar me medalje nga Presidenti i SHBA-së. Anija ndodhet 300m dhe sipërfaqja e hënës ishte afër. Në Sallën në Hjuston zotëron një heshtje absolute. Zemra e Armstrongut rrihte me 150-të rrahje në minutë, por me një qetësi absolute më pyet si jemi me karburantin? Vetëm 8% i them unë. Vazhdojmë, kanë mbetur edhe 90-sekonda, pastaj 20-të, në Hjuston ka filluar numërimi mbrapsht. Armstrong sheh një shesh të vogël, 20m2, përreth disa shkëmbinj të vegjël, dhe që do të ishte një ulje optimale aty. Jemi 30m mbi sipërfaqe, janë ndezur dritat, ka një ndjesi të pashpjegueshme, çfarë do të bëjmë? Nga Hjuston shohin të ngrihet pluhur, dikush bërtet u ngrit pluhur, edhe 20metra, tjetër alternativë nuk kishte, përfundimisht do të uleshim. Problem akut ishte karburanti që sa vinte e pakësohej. Në një çast motori ndaloi, anija ishte ulur, kur kanë mbetur edhe vetëm 10-të sekonda karburant. Me Armstrongun e pamë nga kaskat, i dhashë një të shtyrë me shpatull, pastaj të dy qeshëm nga gëzimi i suksesit. “Këtu Deti i Qetësisë”, i thotë Nil, por në Hjuston nuk e kishin kuptuar, çfarë do të thoshin ato fjalë, dhe që ne ishim ulur. Sa emër i bukur, i mrekullueshëm u përgjigj dikush, një komunikim në 2 sekonda dhe papritur shpërthyen emocionet, të gjithë në këmbë duke duartrokitur”.
———
Shqipëria e fundviteve 60-të.
Për shqiptarët lidhjet me hapësirën i referohen anijeve kozmike “Sputnik”, veçanërisht astronautit Juri Gagarin që 1961 kreu një fluturim përreth Tokës. Është periudha kur flitet për një ashpërsim të luftës së ftohtë midis Bashkimit Sovjetik dhe Amerikës, madje kapja e hapësirës nga sovjetikët konsiderohej supremaci edhe në jo vetëm në ekonomi, zhvillim, por edhe në këtë drejtim. Ndërkohë, në Shqipëri janë vite tensioni, periudhë delikate. Jemi pak kohë pas prishjes së kishave, ndërkohë që shtypi me “Zërin” e “Bashkimin” i bëjnë jehonë “Fitores së madhe të ndërtuesve të Hidrocentralit “Mao Ce Dun”, “Studimit të materialet e Plenumit të 6-të KQPPSH”, “Fshatrave të zonave malore që marrin dritën elektrike”, që është “Tejkaluar plani i grumbullimit të mishit dhe qumështit”, etj,. Në rrafshin ndërkombëtar sapo kemi dalë nga Traktati i Varshavës dhe influence kineze është evidente në vendin tonë me Revolucionin e Madh Kulturor”. Kemi një Shqipëri më antiamerikane se kurrë, e shprehur me forcë, veçanërisht me sloganin e njohur “Imperializmi amerikan, social imperializmi janë armiqtë e përbashkët të të gjithë popujve”, apo me “Forcat e armatosura të RP Shqipërisë dhe RP Kinës do të qëndrojnë kurdoherë përkrah njëri tjetrit”; “Zëri i Shqipërisë Zëri i së vërtetës”; “Niksoni vazhdon turneun në Azi për të thurur plane kundërrevolucionare”; “Klika revizioniste sovjetike zgjeron më tej bashkëpunimin me imperialistët amerikanë”, etj. E midis tyre flitet edhe për anijen kozmike si zakonisht me një njoftim të ATSH-së në faqet e katërta të tyre. Me 19 korrik të 1969:”Lëshohet drejt Hënës anija Kozmike Apolo 11″, si dhe një koment i vogël: “Nju Jork, 17 korrik. Agjencitë e lajmeve njoftojnë se dje në orën 13.32 gmt në SHBA u bë lëshimi drejt Hënës i anijes kozmike “Apolo11″, me tre kozmonautë brenda…..”. Ndërsa më 22 korrik dy gazetat kanë të njëjtin titull: “Njeriu i parë ulet në Hënë”, shoqëruar me një informacion më të gjerë: “Mbrëmë në orën 20.17 gmt (në orën 21.17 sipas orës sonë) kabina hënorë (moduli lunar ose LEM) e anijes kozmike Apolo 11 u ul në sipërfaqen e Hënës me kozmonautët Armstrong Olldrin në bord. Ulja u bë në “Detin e Qetësisë”. Pasi qëndruan disa orë në kabinë sot në mëngjes në orën 02.56 gmt (03.56), Armstrongu hedh hapin e parë në sipërfaqen e hënës. Pas 20 minutash me të u bashkua edhe kozmonauti tjetër…”.

Nga Rai 1, ndjekin uljen në Hënë
Misioni i “Apolo 11” nuk përbente vetëm kuriozitet, por edhe interes për një pjesë të civilizuar, kryesisht në Tiranë. Në grupe intelektualësh, ndërmarrje, dikastere, miq, të rinj, familje artistësh, kudo diskutohej, deri edhe nga qeveritarë, drejtues të shtetit, të cilët e kanë ndjekur zbritjen e astronautëve në Hënë. Janë vitet e një brezi pasionant të muzikës, sportit, letërsisë, modës, ku reflektohej nxitja dhe dëshira për një formim perëndimor. Influencë të madhe kishte televizori italian aq sa shihej, valët e radios, emisionet, Canzonisima, SanRemo apo Hit Parade e Lelio Luttazit, Supersonic, etj, që ndiqeshin shumë. Midis tyre lajmet që informonin për gjithçka deri edhe misionin e Apolo 11-tës. Ndërkohë, ecja e parë hënore u transmetua drejtpërdrejt në televizion me një audiencë mbarëbotërore. Në Shqipëri, televizioni shtetëror është në fazën eksperimentale, pak televizorë ka në qarkullim të disa markave, Orion, Rekord me ekrane të vegjël, apo Telefunken të gjitha në bardhezi i kishin ishin familje me prindër italianë, mjekë, ish-studentë nga BS, etj. Po kështu edhe ata të Bllokut. Ndonëse ka qenë periudhë plazhi, pasioni për të parë sidomos uljen në hënë, i ka detyruar mjaft qytetarë të lënë plazhin, dhe me trenin e orës së fundit të udhëtojnë drejt Tiranës, dhe ajo qenë një natë, e veçantë. Të gjithë me sytë te ekrani i televizorit, me anijen vertikale në plan të parë në pritje, dhe momentin kur një zë këmbyes dëgjohet me “count down”-nin e paharruar: 12 second..11..10..9..8..7..6..5..4..3..2..1…….pastaj tym e flakë dhe raketa që shkëputet i drejtohet, duke humbur në hapësirën qiellore. Pastaj zbritja në Hënë. Orët e gjata pa fund, zërat e kozmonautëve që dëgjohen në thellësi, hapi i parë i Armstrongut mbi sipërfaqen e saj shoqëruar me lëvizjet, ecjet me kërcime si të kangurëve. Heshtjen e madhe në Sallën në Hjuston, pastaj duartrokitjetet, biseda telefonike me Ricard Nikson dhe vendosja e flamurit amerikan. I paharruar komenti i Tito Stanjos, një emër i veçantë, folësi kryesor i lajmeve, gazetar shumë i njohur i Rai-t, emocionet e tij bashkë me fjalët “mbërrijnë imazhet e para nga Hëna, shihet Armstrong që zbret nga shkalla, zgjat këmbën duke kërkuar ku ta vendosë, e majta takon në tokë dhe mbështetja është e mirë e sigurtë. “E preku, takoi”, njeriu i parë ka zbritur në Hënë ishte britma nga studio televizive. Vetë Stanjo të dielën e 20 korrikut, në autobiografinë e tij, tregon “se ajo ka qenë nata më e gjatë e televizionit italian, në një sallë me mbi 250 persona, gazetarë, teknikë, punëtorë, të ftuar, ankth pritje nervoze, emocione të pa treguara në 25-orë transmetim, ku janë pirë mbi 8000 cigare, 3000 kafe”. Sigurisht që edhe në Shqipëri zbritja spektakolare në Hënë pati një ndjesi të veçantë. Në ditët në vijim, në qendra pune, zyra, apo në plazh tek Breshka, në çadra, por edhe në shëtitjet e Tiranës, qëndrimet në grupe, secili kërkonte të tregonte një detaj më shumë. Po kështu në lajmet e Radio-Tiranës, dhe në shtyp, dëgjuesit, lexuesit në pak rreshta do të informoheshin për misionin e “Apollo 11”. Më gjërësisht do të fliste Revista “Ylli”, duke e shoqëruar me komente dhe foto udhëtimin, mbërritjen në Hënë dhe kthimin në Tokë të kozmonautëve amerikanë.


Nga 7-9 milion dollarë manuali i “Eagle”
Në ankandin që do të hapet në New York, me rastin e 50-vjetorit të zbritjes në Hënë, midis fotove, hartave, makinave fotografike, gjëja më e çmuar e më vlerë nga 7 deri 9 milonë dollarë është manuali (një bllok në formë libri) I mbajtur në kabinën e Apolo 11. Mbi 150 shënime dore “live” nga asutronautët Armstrong, Aldrin, me lëvizjet, koordinatat para se moduli “Eagle”, të ulet në sipërfaqe të hënës. Manuali ruan ende gjurmët e pluhurit hënor. “Eshtë i vetmi dorëshkrimi njerëzor i sjellë nga një trup jashtë tokësor si hëna”-deklaron Shtëpia e Ankandit. Po kështu edhe një foto origjinale me firmën e Oldrin që mendohej të shitej nga 1000 deri 15000 dollarë, shifra e saj ka arritur në 17.500 dollarë.
———
Në “National Air and Pace Museum”, pranë historisë
Sa herë që shkoj në SHBA, në Uashington te vajza, nipi i adhuruar Roi dhe Sky, “Golden”-i fantastik, sapo zbres në aeroportin Dullas, (emri i J. F. Dulles, Sekretar i Shtetit të Presidentit Eisenhoëer) më përfshinë një ndjesi me kujtime, ngjarje nga e kaluara të lidhura me personazhe sa politike, aq artistike, shkrimtarë, aktorë, sportistë, këngëtarë, pa fund. Midis tyre edhe Apolo 11, anija kozmike, me astronautët Armstrong, Kollins dhe Oldrin, njerëzit e parë që u ulën në hënë në korrikun e largët të 1969. Mundësinë për t’ju rikthyer atij misioni historik ma jap Uashingtoni, një qytet i shtrirë dhe me arkitekturë europiane, ku sigurisht përveç White Houese, Pentagonit, Varrezave të Harlingtonit, të presin edhe muzetë gjigandë. Në veçanti ai “National Air and Pace Museum”, një kolosal muze, ku as një ditë, as një javë nuk mjafton për ta parë dhe që mbart gjithë historinë hapësinore amerikane: Nga “Enola Gay” avioni i bombës atomike, tek ai presidencial i Kenedit, veshja e Juri Gagarinit, deri tek avionët e fundit të kthyer nga hapësirat kozmike, që janë aty. Madje, kur një i tillë i jep fund misionit, është traditë të kalojë mbi qiell në një orë të paradites, e të njoftuar më parë dhe nga sirenat që bien për një çast, Uashingtoni për një çast do të ndalë e mbajtë frymën: Në ato pak minuta në udhëtimin e lamtumirës, qytetarë, njerëz që lënë punën, zyrat, një trafik i bllokuar, të gjithë me sytë lart nga avioni për ta nderuar, dhe piloti që nga dritaret e vogla përshëndet me dorë. Nga pavionët e shumtë të ndarë në periudha, në katin e parë, në një sipërfaqe dhe hapësirë të madhe ndriçimi, ku janë pjesë raketash, anijesh kozmike, midis tyre është edhe “Kapsula” ajo që ka mbetur nga anija kozmike “Apollo 11”, me një pllakat të zi pranë saj që informon për të. Një kabinë metalike në formë koni, e vendosur pak horizontalisht, jo më shumë se 3 metra e lartë, me një diametër rreth 1.5 m, dhjetëra butona e tre sedile brenda të cilës kanë qëndruar Kollins, Olldrin e Armstrong gjatë zbritjes në Paqësor. Njerëz që i vijnë përreth, e shohin, i afrohen dhe foto pa fund. Sa herë që jam pranë saj gjej një detaj më shumë, e më shoqëron një emocion I pashpjegueshëm e që më rikthen befasishëm në atë meskorriku të largët, gjysmë shekulli më parë. Ajo kabinë më lidh ende me televizorin bardhezi, atë natë shqiptare, si e kemi përjetuar, lidhjet direkte, komentet, atmosferën, gjithçka, deri edhe zërat e astronautëve “Jemi mirë të tre”, që u dëgjuan kur ajo e mbajtur nga tre parashuta gjigandë u ul dhe preku ujerat e Paqësorit. Ato zëra i kam ende në kujtesë.

Në Muze edhe çanta sekrete e Armstrongut
Kur u nisën për në Hënë në çantat e tyre, ato kishin marrë si preferencë personale, relike sende të vogla, si një medaljon argjendi që Armstrongut ja kishte dhuruar gruaja e njërit nga pilotët që kishte humbur jetën me Apollo 1. Vetëm tre vite pasi është ndarë nga jeta, gruaja e Armstrongu Karol është shokuar kur ka zbuluar krejt rastësisht, duke identifikuar çantën e bardhë sekrete të tij “Mc Divitt Purse” (emri i komandantit të Apolo 9, Jim Mc Divitt). Është e njëjta që ka bërë udhëtimin në hënë. Pas kthimit Armstrong e morri në shtëpi, brenda së cilës ai kishte të gjithë materialin personal të ekuipazhit, duke e mbajtur fshehur në dekada deri kur gruaja e ka zbuluar të vendosur poshtë një dollapi. Mjaft materiale, nga rripat e sigurisë, kavo të ndryshme, objektivë, lente deri edhe tapën e shkarkimit. Shumë e rëndësishme është një videokamera 16 mm, me një lente 10mmm, e montuar nga astronautët në dritaren e djathtë të modulit hënor dhe është përdorur për të marrë fazën e uljes në sipërfaqen e saj, lëvizjet e Armstrong e Aldrin, marrjen e kampionëve të parë nga terreni hënor dhe vendosjen e flamurit amerikan. Bashkë me çantën, veshjet antizjarr të astronautëve edhe ky material i është dhuruar “National Air and Space Museum”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.