SHËNDET

Brikena Duva: Si të parandaloni prishjen e dhëmbëve te fëmijët

15:45 - 15.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Kujdesi për dhëmbët duhet të fillojë që në fëmijëri dhe vizitat te mjeku stomatolog duhet të kryhen kur del dhëmbi i parë. Parandalimi i prishjes së dhëmbëve, është një tjetër element i rëndësishëm që ndikon në shëndetin e fëmijës suaj. Në një intervistë për suplementin “Life Pages”, në ‘Gazeta Shqiptare’, mjekja stomatologe Brikena Duva tregon të gjithë shkaktarët kryesorë të prishjes së dhëmbëve te fëmijët. Sipas saj, një ndër faktorët kryesorë është ekspozimi ndaj lëngjeve dhe produkteve të tjera me përmbajtje të lartë sheqeri. Ajo bën me dije, gjithashtu, se prishjet mund të ndodhin edhe si pasojë e kalimit të baktereve nga goja e nënës tek e fëmijës gjatë kohës që nëna provon ushqimin dhe me të njëjtën lugë ushqen dhe fëmijën. Duva shton se për të parandaluar prishjen e dhëmbëve është e rëndësishme larja e tyre, fluorizimi, i cili bëhet me anë të varnisheve ose tabletave të fluorit; doza e të cilave është në varësi të moshës.




Në cilën moshë rekomandohet fillimi i vizitave tek dentisti te fëmijët?
Vizitat te dentisti duhet të nisin sapo del dhëmbi i parë i fëmijës që zakonisht është në moshën 6 muajsh. Prindërit duhet të informohen sesi të kujdesen për dhëmbët e fëmijës pasi kujdesi duhet të nisë që në muajt e parë të lindjes.

Mund të na shpjegoni se si realizohet pastrimi i gojës së bebeve para daljes së dhëmbëve?
Pastrimi i gojës së bebeve para daljes së dhëmbëve bëhet me garzë sterile me kamomil, ndërsa pasi fillon dalja e tyre pastrimi bëhet me furçë të vogël vetëm me ujë. Pasta e dhëmbëve nuk duhet të përdoret deri në moshën 3 vjeçare.

Pas moshës 3 vjeçare cilat janë pastat e dhëmbëve që duhen përdorur?
Pas moshës 3 vjeçare duhet të fillojnë të përdoren pastat për fëmijë me 500 ppm fluor dhe sasia e pastës që përdoret gjatë larjes duhet të jetë sa një kokërr bizeleje.

Cilat janë shkaqet e prishjes së dhëmbëve te fëmijët?
Një ndër shkaktarët kryesorë të prishjes së dhëmbëve të fëmijëve është ekspozimi ndaj lëngjeve dhe produkteve të tjera me përmbajtje të lartë sheqeri. Prishjet mund të ndodhin dhe si pasojë e kalimit të baktereve nga goja e nënës tek e fëmijës gjatë kohës që nëna provon ushqimin dhe me të njëjtën lugë ushqen dhe fëmijën. Ndërkohë edhe sasia e ulët e fluorit, dieta jo e ekuilibruar mund të jenë faktorë të prishjes së dhëmbëve te fëmijët.

A ndikon biberoni në prishjen e dhëmbëve?
Vlen të theksohet se në fëmijërinë e hershme prishjet masive të dhëmbëve lidhen me përdorimin e biberonit, që njihet dhe si kariesi i biberonit.

Cilat janë simptomat e para që tregojnë se ka diçka që nuk shkon me dhëmbët e fëmijës?
Në fazën fillestare prishjet nisin si njolla të bardha, ndërsa në fazat më të avancuara ato marrin ngjyrë kafe, krijojnë kavitet dhe shkaktojnë dhimbje tek fëmijët. Prindërit në momentin që vërejnë këto simptoma duhet t’i drejtohen stomatologut.

A është i rëndësishëm trajtimi i dhëmbëve të qumështit?
Trajtimi i dhëmbëve të qumështit është shumë i rëndësishëm pasi ato luajnë një rol kyç në daljen e dhëmbëve të përhershëm, në ushqyerjen dhe në të folurën e fëmijës.

Si bëhet parandalimi i prishjes së dhëmbëve?
Për të parandaluar prishjen e dhëmbëve është e rëndësishme larja e tyre, fluorizimi, i cili bëhet me anë të varnisheve ose tabletave të fluorit; doza e të cilave është në varësi të moshës. Ndërsa silanimi i dhëmballëve, i cili rekomandohet të bëhet jo vetëm tek dhëmbët e përhershëm por edhe tek dhëmbët e qumështit, kjo procedurë jo vetëm mbron dhëmbët nga prishja, por, gjithashtu, bën që fëmijës t’i dalë frika pasi është një procedurë e lehtë, jo traumatike dhe e shpejtë. Ndërsa kariesi i biberonit parandalohet duke e përdorur biberonin vetëm për të ushqyer fëmijën me qumësht dhe jo me lëngje të tjera të cilat kanë shumë sheqer. Gjithashtu, prindërit duhet të bëjnë kujdes e mos t’ia lënë biberonin fëmijës gjatë natës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.