Opinion-Komente

FETO nuk është një kërcënim vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë botën

07:30 - 15.07.19 Murat Ahmet Yörük

Sot ne përkujtojmë 3-vjetorin e fitores së demokracisë që korri populli turk kundër tentativës tradhtare për grusht shteti të organizatës terroriste FETO në natën e 15 korrikut 2016.



Atë natë, me thirrjen e Presidentit Recep Tayyip Erdogan populli turk u bashkua me liderin e tij dhe si një lumë i rrëmbyeshëm u derdh në rrugë, bulevarde dhe sheshe. Këta heronj, që nuk kishin hajmali të tjera përveçse duarve të tyre dhe zemrave që u rrihnin për atdheun dhe flamurin, atë natë shkruan legjendën e demokracisë. Populli turk, i gatshëm për të dhënë gjakun dhe jetën e tij, u doli për zot rendit kushtetues, parlamentit dhe qeverisë së tij të ligjshme. Bijtë e popullit turk i shndërruan trupat e tyre në mburoja për të mbrojtur të gjitha institucionet demokratike. Ashtu siç kishte ndodhur gjatë procesit historik nga viti 1918 deri në vitin 1923, populli turk shpalli edhe një herë para gjithë botës se nuk do të lejonte asnjë lloj protektorati rajonal ose global.

Kjo ditë, të cilën ne sot e përkujtojnë në dritë pas asaj nate të errët,  është një festë demokracie jo vetëm për ne, por për të gjithë popujt që besojnë te demokracia. Sot është “Dita jonë për Demokraci dhe Unitet Kombëtar”.

Tentativa për grusht shteti e 15 korrikut u organizua nga terroristët anëtarë të organizatës FETO, të cilët fshehurazi dhe tinëzisht kishin depërtuar në institucionet shtetërore dhe forcat e armatosura të Turqisë. Kjo tentativë e urryer, gjatë së cilës 251 bij tanë ranë dëshmorë dhe mijëra të tjerë u plagosën,  është aksioni më i përgjakshëm terrorist në historinë e Republikës së Turqisë.

FETO, e cila e kishte kuptuar se nuk do të mund të ishte e suksesshme në Turqi, më 15 korrik kaloi në veprime, por u mposht përballë vullnetit të popullit tonë. Forcat që ndodheshin pas FETO-s  kishin harruar vullnetin e çeliktë, vendosmërinë, përkushtimin dhe guximin e popullit turk.

Ajo natë, kur u masakruan qindra njerëz të pafajshëm që u derdhën rrugëve në emër të demokracisë,  nuk do të fshihet kurrë nga kujtesa e popullit turk.  Më 15 korrik 2016 Turqia jetoi një ndër tronditjet më të mëdha të periudhës republikane.

Por populli turk brenda një kohe të shkurtër e mblodhi veten falë unitetit dhe solidaritetit kombëtar dhe i mjekoi plagët. Të gjithë, pa dallime për arsye të origjinës etnike, fesë, sektit apo pikëpamjeve politike, u bashkuan fort përreth idealit për mbrojtjen e demokracisë dhe të kombit.

Me një vetëbesim të lartë dhe duke qenë i bindur se do të arrijë suksese, populli turk tani po marshon drejt objektivave politike dhe ekonomike të vitit 2023. Gjatë tre vjetëve të fundit ekonomia turke, ndonëse me disa dallgëzime periodike, ka vazhduar rritjen e saj të qëndrueshme. Projektet gjigande të përmasave globale që po realizohen kontribuojnë jo vetëm në zhvillimin e Turqisë, por edhe në zhvillimin e ekonomisë rajonale dhe globale, si dhe në rritjen e mirëqenies. Falë masave që ka marrë në luftën kundër terrorizmit dhe reformave ligjore që ka nisur, Turqia është shndërruar në një vend më i sigurt, më i qetë, ku mund të jetohet mirë.

Anëtarët e organizatës terroriste FETO, duke u mbështetur në udhëzimet që marrin, në vende të ndryshme të botës  përpiqen t’u prishin mendjen njerëzve me konceptet e “islamizmit të moderuar” dhe të “dialogut ndërfetar”. Ndërkaq një kukull e quajtur Fethullah Gylen  adhurohet në mënyrë perverse duke i atribuuar një shenjtëri komike.  Gyleni e shikon veten si “imami i gjithësisë” dhe   ‘Mehdi” (njeriu që tregon rrugën e drejtë). Ai është krijuesi dhe kreu i kësaj organizate sekrete terroriste dhe kriminale, të cilën në të njëjtën kohë e përdor si rrjet spiunazhi, pastrimi parash dhe korrupsioni.

Si një qelizë kanceroze  FETO, duke fshehur qëllimet e saj të vërteta depërton tinëzisht në organet jetike të vendit ku ndodhet, kap  institucione të sigurisë, gjyqësorit, ushtrisë dhe të botës së biznesit dhe pret “kohën e përshtatshme” për të pasur mundësi  të verë nën kontroll vendin sipas me koncepteve të saj.

Këta terroristë, të cilëve kur u prishen planet mund t’u erren sytë sa të organizojnë atentat kundër Presidentit të vendit ku janë shtetas, të bombardojnë me avionë luftarake parlamentin e atij vendi, të sulmojnë me tanke popullin, policët dhe ushtrinë, natën e 15 korrikut 2016 e treguan fytyrën e tyre të vërtetë  para gjithë botës. Pas 15 korrikut të gjithë njerëzit në botë filluan të hetojnë për këtë organizatë.

Deri tani në 22 vende i është dhënë fund veprimtarisë së shkollave që kishin lidhje me FETO-n, në 19 vende këto shkolla i kanë kaluar për administrim Fondacionit Turk Maarif. Edhe në disa shtete të SHBA-ve kanë filluar dhe po vazhdojnë hetimet zyrtare ndaj këtyre shkollave.

Me keqardhje jemi dëshmitarë të faktit se FETO edhe në Shqipëri ka një prani shqetësuese, kryesisht në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë. Duke keqpërdorur dashurinë dhe afërsinë që populli vëlla shqiptar ka për Turqinë, këto shkolla kanë krijuar perceptimin se janë “shkolla turke”. Ato janë ndër burimet më të rëndësishme financiare të FETO-s. Duhet të dini se paratë që u paguhen këtyre shkollave  fatkeqësisht nga kanale të tjera shkojnë për financimin e terrorizmit.

Sa më shumë që të thellohet prania e FETO-s në Shqipëri, po aq do të mund të shtohen edhe dëmet që kjo organizatë mund t’u shkaktojë strukturave civile dhe zyrtare të vendit. Këta aktorë të rëndomtë, të cilët sot heshtazi luajnë rolin e të lënduarit, nesër mund të shfaqen përballë jush si terroristë të etur për gjak dhe me armë në duar.

Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje motrave dhe vëllezërve të mi shqiptarë që po lexojnë këto radhë. Mos harroni se këto persona të paguar, të cilët për dhjetëra vjet duke u mbështetur në një perceptim të tillë depërtuan në çdo institucion të Turqisë, punojnë për llogari të një organizate terroriste ndërkombëtare. Gjithashtu, duhet të theksoj se FETO është një kërcënim që shqetëson jo vetëm Shqipërinë, por gjithë botën.

Me rastin e “Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar” përkujtoj me respekt gjithë heronjtë tanë të demokracisë, dëshiroj edhe një herë të prehen në paqe dëshmorët tanë. Uroj që Fitorja jonë e Demokracisë më 15 korrik të jetë një shembull për të gjithë popujt, qeveritë dhe shtetet që luftojnë për demokracinë në të gjithë botën.

Murat Ahmet Yörük

Ambasador i Republikës së Turqisë në Tiranë

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *