SPORT

Lerda: Shkojmë besimplotë në Baku, jemi përgatitur dhe për penalltitë!

14:54 - 15.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Partizani niset ditën e nesërme drejt Azerbajxhanit, atje ku do të përballet me Karabagun në sfidën e dytë të vlefshme për turin e parë eliminator të Champions League. “Demat e Kuq” udhëtojnë me moral të lartë pas një barazimi shpresëdhënës në Tiranë, pasi 90 minutëshi i parë i luajtur në “Selman Stërmasi” përfundoi me shifrat 0-0. Madje, kampionët e Shqipërisë patën dy mundësi mjaft të mira shënimi në pjesën e dytë, gjë të cilën trajneri italian Franko Lerda shpreson ta ndreqë në sfidën e Bakusë. Trajneri i kryeqytetasve, në një prononcim për mediat në stadiumin “Kamza” ku të kuqtë po kryejnë përgatitjet, u shpreh besimplotë për takimin e kthimit, ndërsa edhe njëherë e mbajti enigmatik formacionin apo edhe çështjen “Trashi”. 16-herë kampionët janë përgatitur edhe për gjuajtjet e penalltive, pasi një tjetër 0-0 do ta çonte sfidën në atë rrugë.




Jeni gati për ndeshjen me Karabagun?
Po, jemi gati. Nesër (sot) kemi edhe një stërvitje përpara se të nisemi për Baku, por mund të them se deri tani gjërat po shkojnë mbarë.

E keni riparë ndeshjen që luajtët në Tiranë. Keni nxjerrë konkluzione?
E kemi riparë, kemi parë me vëmendje aksionet që na interesojnë, si kur nuk e kishim topin ashtu edhe kur ishim ne në zotërim. Kemi nxjerrë konkluzione pozitive, jemi besimplotë. Atje na pret një ndeshje në kompleks e vështirë, por ne do të luajmë shanset tona.

Keni menduar ndonjë gjë ndryshe krahasuar me ndeshjen e parë?
Kemi ende tri ditë kohë. Do të shohim lojtarët që do të jenë më në formë.

Trashin e aktivizuat në pjesën e dytë. A do të luajë titullar në Baku?
Nuk e di, mbetet për t’u parë.

Luani me një skuadër të fortë. Do të qëndroni sërish në mbrojtje dhe të kërkoni kundërsulmin, apo keni menduar diçka tjetër?
Loja jonë është që të mbrohemi kur e kanë topin kundërshtarët dhe të sulmojmë kur e kemi vetë.

Keni provuar penalltitë në stërvitje…
Është edhe kjo mundësi, ndaj duhet të jemi gati edhe nëse do të vijë çështja te penalltitë.

A keni shpresa të mëdha se do të kaloni?
Ne kemi besim. E madhe apo jo do ta shohim më pas. Luajmë ndaj një skuadre me një buxhet prej 25 milionë eurosh. Një ekip që është kualifikuar në fazën e grupeve rregullisht, ndaj e dimë se çfarë skuadre është. Por në futboll mund të ndodhë çdo gjë.

Jeni i kënaqur me ekipin? Keni pika të dobëta?
Jam shumë i kënaqur me ekipin, por qartësisht kemi ende nevojë të përmirësohemi. Lojtarët e ardhur së fundmi nuk janë ende të gatshëm dhe kur të jenë do të na japin një ndihmesë më të madhe.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.