DOSSIER

Dyshimet për vdekjen e Hysni Kapos dhe ankesat e Vitos tek Enveri

11:08 - 16.07.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ramizi nuk ishte shok e mik i ngushtë as me byroistët. Kishte vetëm një epror, Enverin. Ndaj tij qe i devotshëm dhe në mënyrën sesi ai e interpretonte besnikërinë mund të thuhet se mbeti i tillë deri në fund. Ndaj të tjerëve ishte në dukje “miqësor, i paqortueshëm” akullsisht korrekt dhe i rezervuar. Dozat e emocioneve të dhembshurisë, të miqësisë me ta qenë racionale, si me pikatore. Mendoj se atij i mungonte ose nuk e kishte të mjaftë “zamkën” me të cilën mpiksen e ngjiten miqësitë e sinqerta të ngushta e të përjetshme.




Mund të thuhet se ai ishte i varfër në atë që Bill Klinton e quante “valutë shpirtërore” (Spiritual Currency). Por mosteprimet në “përzemërsi” ishin avantazh për mbijetesën politike të tij. Ishte një ndër faktorët shpëtimtarë që ndikoi në jetëgjatësinë e pazakontë të tij në elitën më të lartë udhëheqëse, e cila në Shqipërinë e asaj kohe ishte: fushë e minuar me mosbesim.

Në një libër të Eqrem Bej Vlorës, tërheq vëmendjen përshkrimi psikologjik i tij për Ahmet Zogun, i cili dukej i ngjashëm në karakterizim me Ramiz Alinë.

“Përveç inteligjencës, shkruan ai aty, ajo që i jepte atij epërsi mbi të gjithë të tjerët ishte mungesa e çdo ndjesie. Veprimi dhe sjellja e tij i nënshtroheshin gjithnjë kontrollit të një mendjeje të ftohtë dhe praktike që udhëhiqeshin gjithnjë vetëm prej interesave të tij.”

Ramizi më lehtë dhe më me sukses përdori gjuhën e Ezopit sesa gjuhën e Partisë. Tejet i kujdesshëm në fraza, i pashkoqitur në kuptime dhe po aq hezitues në veprime. Veprimi më i preferuar i tij ishte vetëpërmbajtja, “mosveprimi”. Pritja, lënia e iniciativës dhe e përgjegjësisë te të tjerët. “Njeriu është ajo çka ai bën.” Ramizi ishte “çka ai thoshte” ose “çka linte të nënkuptohej” duke ngritur supet në mënyrë hezituese ose shfajësuese.

Ai as në aparencë nuk shqetësohej e nuk tregonte dhembje apo angazhim direkt për hallet, qoftë dhe të njerëzve me të cilët punonte. As ndaj atyre që i shërbenin direkt atij si person dhe familjes së tij. Më mbresëlënëse ishte se ai, pa qenë kapadai e mendjemadh, as nuk shtirej dhe as e maskonte atë shpërfillje. Ishte në paqe me hipokrizinë e vet.

Ndryshe nga Mehmeti dhe Hysniu, ai nuk kishte ndaj personelit me të cilët punonte ose i shërbenin, mentalitetin e feudalit apo të pronarit të tyre. I trajtonte duke ua ruajtur dinjitetin personal. Jo si “bujkrobër” që po i mbante me bukë. Qasej ndaj tyre si punonjës që bënin një detyrë të ngarkuar e të paguar nga shteti, prandaj nuk hynte në konfidencë gju më gju me ta për çështje private personale të tyre, me apo pa lidhje me detyrat dhe funksionin e tij. Ai nuk luante teatër si gjoja “i përzemërt”, gjoja proletar, çka ishin role mjaft të përhapura në sjelljet hipokrite të asaj kohe.

Njëri nga truprojat e tij personale V., djalë rreth 35 vjeç, ndër më të sjellshmit dhe korrektët mes truprojave të byroistëve, pati nevojë aso kohe për një ndërhyrje kirurgjikale në zemër, e cila duhej bërë domosdoshmërisht jashtë vendit. Ai iu lut “bosit” të tij që ta ndihmonte. Ishte e vetmja kërkesë e natyrës personale që i pat bërë gjatë gjithë kohës që ishte në shërbim të tij.

Do të mjaftonte një telefonatë e Ramizit për ministrin e Shëndetësisë që gjithçka të zgjidhej. Këtë e bënin dendur anëtarët e tjerë të Byrosë për persona me merita ose bashkëpunëtorë të tyre. Por ai nuk e bëri. Heshti sikur ishte diçka që nuk varej prej tij. Konstrukti shpirtëror dhe emocional i Ramiz Alisë ishte hermetik e i vetëkontrolluar. Njëkohësisht i kursyer në ekspozimin dhe shprehjen e tyre te të tjerët.

Ashtu i ftohtë e indiferent ai qe treguar edhe ndaj bashkëluftëtarëve, shokëve dhe miqve të hershëm të tij gjatë veprimtarisë antifashiste ilegale në Qarkun e Beratit. Më i ngushti dhe më i shquari ndër ta ishte dëshmori Kristaq Capo, në shtëpinë e të cilit Ramizi qe strehuar, ushqyer dhe trajtuar me dashuri, si djalë i shtëpisë. Kristaqi ishte intelektual i formuar dhe një ndër figurat kryesore të lëvizjes komuniste aty. Arrestimi dhe pushkatimi i tij nga fashistët ishte humbje e madhe për lëvizjen antifashiste në Berat. Kurse mënyra se si ajo ndodhi pat mbetur për familjarët e tij e mbuluar me një tis të mjegullt misteri.

Mirëpo pas luftës, Ramizi, ulur tashmë në kolltukë ministrorë apo të udhëheqjes së lartë e harroi dhe nuk shkeli asnjëherë sa qe gjallë në derën e familjes që e pat pritur me aq përzemërsi. Ky qëndrim dhe kjo sjellje krijoi te të afërmit e Kristaqit jo vetëm pakënaqësi, por edhe dyshime lidhur me pastërtinë dhe integritetin etik të Ramizit. Nipi i Kristaq Capos, është shprehur publikisht i revoltuar për shpërfilljen që Ramizi, tashmë president i vendit, tregoi ndaj emrit, figurës dhe familjes së ish-shokut të shquar dhe mikut të afërt të luftës, duke mos denjuar t’i kujtojë ata si dikur, kur pat nevojë, por madje as t’u përgjigjej letrave të tyre rreth hollësive e rrethanave të mjegullta të arrestimit dhe vdekjes tragjike të Kristaqit, ish-shokut të ngushtë të tij.

Edhe ndaj Myqerem Fugës, kur ai vdiq në vitin 2003, Ramizi mbajti të njëjtin qëndrim indiferent. Gjatë luftës Myqeremi ishte një ndër udhëheqësit kryesorë të partisë në Qarkun e Beratit dhe pastaj të Brigadës VII. Në ato vite ai e kishte mbajtur Ramizin e ri në moshë shumë afër vetes, e instruktonte, e strehonte në shtëpinë e tij dhe e ndihmonte në detyrat që Ramizi kryente asokohe me rininë. Myqeremi ishte personalitet me virtyte të rralla. Kam pasur mundësi ta njoh familjarisht nga afër si mjek dhe si mik i tij. Ai ishte ekonomist i shquar, intelektual me shumë kulturë e plot dinjitet. Pat qenë ministër, drejtor instituti ekonomik, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe në poste të tjerë të lartë, por çuditërisht, Ramizi as nuk i shkoi në varrim, as foli një fjalë për të, as shkroi dhe as i dërgoi ato ditë familjes së tij një ngushëllim.

Ky tipar i karakterit dhe sjelljes së ftohtë të Ramizit ndaj shokëve doli më shumë në pah gjatë sëmundjes fatale dhe vdekjes së Hysni Kapos në Paris. I dërguar nga Enveri posaçërisht në Paris në muajin gusht të vitit 1979, që t’i rrinte pranë dhe ta inkurajonte Hysni Kapon, i sëmurë me kancer në pankreas, në dy javët e fundit të jetës së tij. Sipas Vito Kapos, Ramizi thuajse e braktisi “shokun e dashur e të shtrenjtë Hysni” që po lëngonte në shtratin e spitalit. Ai rrinte vetëm pak çaste me të dhe familjarët e tij dhe e kalonte më së shumti kohën me shëtitje, duke shijuar bukuritë dhe atraksionet e Parisit, metropolit mahnitës të artit, kulturës, modës dhe zbavitjes.

Aso kohe ai ende nuk e kishte përjetuar dramën e njëjtë, që do i ndodhte disa vite më vonë me të shoqen dhe prandaj, me sa duket e pati nënvleftësuar shkallën e emocioneve dhe të traumës psikologjike të Vitos, bashkëshortes së Hysniut, në përjetimin e dramës që ajo po vuante shpirtërisht bashkë me fëmijët për të shoqin.

Kjo nuk ishte sjellje e qëllimshme keqdashëse e Ramizit ndaj Hysniut. As armiqësore. Ishte sjellje e tij karakteristike e ftohtësisë, pa emocione të dukshme. Vitoja kishte mbetur e shokuar kur fill pas momentit të vdekjes së Hysniut nga kanceri, ndërkohë që Petrit Gaçja bërtiti, madje klithi, Ramizi kishte pyetur gjakftohtë e i habitur: “Po ky çka që bën kështu?” Dhe kishte vazhduar me të njëjtën qetësi: “Fundja ndodhi ajo që pritej”.

Në të vërtetë vdekja e Hysniut ashtu ishte, e pritshme! Sëmundja e tij e diagnostikuar pas ekzaminimit ekografik në Paris nuk ishte kolecistit (infeksion i tëmthit) siç gabimisht u mendua në Tiranë, ku për shkak të mungesës së aparaturës ky ekzaminim nuk u krye. Diagnoza reale ishte “kancer në fazë mjaft të avancuar, praktikisht i pashërueshëm”. Prof. Gaçja, që i ndenji për disa javë të sëmurit natë e ditë mbi kokë, e dinte mirë këtë. Dënesa atij i doli nga zemra. Nga lidhja emocionale që krijohet mes mjekut dhe të sëmurit. Ramizi nuk funksiononte kështu. Ai nuk ishte nga ata që derdhnin lot dhe vënë kujën. Ai funksiononte me mendje, jo me shpirt, as me zemër. “Por mendja, thonë, nuk e bën dot për një kohë të gjatë rolin e zemrës.”

Vitoja u “shokua” dhe u revoltua me sjelljen e Ramizit ndaj të sëmurit dhe ndaj emocioneve që ajo dhe ekipi tjetër shoqërues përjetonte. “A erdhi ky në Francë që t’i rrinte pranë Hysniut, apo që të shëtiste Parisin?”, pati pyetur e zemëruar ajo.

Kur u kthye në Shqipëri pas vdekjes së Hysniut, Vitoja tregoi se ndërkohë që mjekët shqiptarë që e shoqëronin Hysniun në spitalin “Bruse” të Parisit, por edhe ata francezë të ekipit të Pol Miliezit, kishin shfaqur trishtim të thellë për vdekjen e Hysniut. Ramizi, sipas saj, përveç frazave rutinë nuk kishte shprehur kurrfarë dhembjeje apo dëshpërim të dukshëm për humbjen e një prej shokëve më të rëndësishëm të tij e të Byrosë Politike.

Vitoja, që kishte edhe një gjen krenarie, e përçoi këtë “revoltë” të saj kur u kthye në Shqipëri tek Enveri. Po ku ta dinte ajo atëherë, që Ramizi, për të cilin po ankohej, do të bëhej gjashtë vite më pas kundër të gjitha parashikimeve të saj dhe të të gjithë të tjerëve, i pari i Shqipërisë? Nga disa zhvillime më pas besoj se Enveri jo vetëm të mos e ketë mirëpritur këtë ankesë të Vitos ndaj Ramizit, por përkundrazi, mund të ishte zemëruar me të.

Enveri, një mëngjes, pas kontrollit mjekësor që i bëra, tek ishte ende në shtrat më pyeti: “Çfarë bëhej me analizat, radiografitë dhe dokumentacionin mjekësor të pacientëve që konsultohen ose shtrohen në spitalet e Francës? I lini atje, që t’i mbajnë francezët, apo i merrni me vete? Ato të Hysniut, janë sjellë këtu?”, pyeti më konkretisht ai. Për pyetjen e fundit u vura në siklet, sepse nuk dija si t’i përgjigjesha, meqenëse nuk isha herën e fundit me Hysniun në Francë.

Megjithatë, i shpjegova se sipas eksperiencës sime me pacientë të tjerë, kur konsultat dhe analizat bëhen në kushte ambulatore, fletët e analizave ECG, EEG, radiografitë apo konkluzionet e specialistëve francezë ne i marrim me vete. Ndërsa në rastet e shtrimit në spital merret në dalje një epikrizë e hollësishme e firmosur dhe e vulosur, që pasqyron gjithçka që është bërë me pacientin. Si rregull kartela klinike origjinale ku janë shënuar vizitat, mjekimi dhe ndërhyrjet e bëra mbetet në arkivin e spitalit. Megjithatë, i thashë, kopje e tyre mund të jepet, nëse e kërkojmë.

Nuk e di nëse Vitoja i ka shprehur atëherë Enverit edhe dyshime për diagnozën dhe vdekjen e Hysniut, ndërkohë që Ramizi ishte me të dhe as nëse Enveri ka ngarkuar më pas apo jo ambasadën, apo të dërguar specialë për të marrë informacion të saktë lidhur me to, por dyshoj se sjellja e ashpër, tejet nervoze e paprecedentë e tij ndaj Vitos në mbledhjen e Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë, ku nga zemërimi i shfaqur hapur Enverit i merrej goja dhe ngatërronte datat e shifrat “kaq dollaro aq dollaro”, mund të mos ketë pasur lidhje me problemet e ministrisë që ajo drejtonte, por ndoshta ishte shprehje e pakënaqësisë së tij për ndonjë prej ankesave dhe dyshimeve të pretenduara prej saj ndaj Ramizit.

Më pas, kur Mehmeti vrau veten dhe Ramizi u konfirmua definitivisht si pasardhës i sigurt i Enverit, Vitoja u duk sikur e ndryshoi objektivin e fajësimit për vdekjen e të shoqit nga indiferenca e Ramizit tek intrigat e Mehmetit, duke e interpretuar fatin tragjik të Hysniut si viktimë e këtij të fundit në dualitetin dhe rivalitetin e heshtur dhe të fshehtë mes tyre për kryesinë e partisë dhe të vendit pas vdekjes së Enverit.

Vito Kapo-Kondi ishte bijë mjeku. Kishte kërkesa të larta kulturore, estetike dhe stilistike në jetë. Ishte elegante, elokuente, e sigurt, e patensionuar në bisedë dhe në prononcimet publike. Ajo kishte qenë gjatë viteve të luftës sekretare në shtabin partizan, pranë Enverit.

Është e paqartë çfarë ndikoi tek ajo grua inteligjente të shfaqte papritmas, shumë vite më pas, dyshime për “viktimizimin” e Hysniut nga një “keqbërje mjegullore”, dyshime të cilat u mediatizuan të ritransmetuara disa herë në formën e një “dokumentari” serial, në një nga kanalet tanë televizivë.

Ndërkohë, mjekët e Hysniut që e asistuan atë nga shumë afër në Paris, përfshirë edhe dy prej atyre që i ndenjën tërë kohën pranë shtratit, kanë konfirmuar në mënyrë të sigurt dhe të përsëritur në shtyp dhe në media se Hysniu vdiq, siç pritej, prej kancerit të gjëndrës së pankreasit, i përhapur gjerësisht në mëlçi dhe organe të tjerë. Por nuk dihet pse Vitoja nuk u bind as pas dëshmive të tyre. Pse nuk deshi që t’i besonte as ata!?

Ankthi për Hysni Kapon

Kam pasur rastin ta njoh nga afër Hysni Kapon. Kam qenë mjek personal i tij në vitet 1971 – 1973, meqenëse edhe ai vuante nga diabeti. E kam shoqëruar atë si mjek edhe gjatë shërbimeve në disa rrethe e qytete të vendit. Madje në pranverën e vitit 1974, edhe në Francë, për një problem shëndetësor, por nuk isha pjesëtar në ekipin mjekësor që e shoqëroi atë së fundmi në Paris.

Mjeku që në fakt e ka ndjekur më gjatë, thuajse gjithë jetës Hysniun si pacient, që nga koha kur atij iu shfaq diabeti e deri në çastet e fundit të vdekjes së tij në Paris, ka qenë profesor Fejzi Hoxha. Hysniu kishte vlerësim dhe respekt maksimal për të, megjithatë nuk di, pse çuditërisht, ai nuk përmendet nga ata që kanë shkruar ose folur për sëmundjen dhe vdekjen e Hysniut. Profesor Hoxha u dërgua posaçërisht, me urdhër të Enverit, si më i besuari i tij, për të qëndruar pranë Hysniut në spitalin Bruse të Parisit. Me të ishte edhe ministri i Shëndetësisë, profesor Llambi Ziçishti, mik dhe krushk me Kapot, sepse vajza e tij ishte martuar me djalin e Tanës, motrës së Vitos. Në shkrimet e prof. Ziçishtit thuhet se Hysniu e priti ardhjen e profesor Hoxhës me shumë kënaqësi.

Sëmundja që i mori jetën Hysniut iu shfaq në fund të korrikut 1979, ndërkohë që ai ndodhej me pushime në Pogradec, në vilën ngjitur me atë të Enverit. Fillimisht ajo u diagnostikua si kolecistit akut (infeksion i tëmthit) dhe duke parë se ai nuk po mposhtej me antibiotikë, pas një konsulte të zgjeruar mes patologëve dhe kirurgëve tanë më të mirë u sugjerua, që Hysniu të transportohej në Tiranë për t’u operuar atje. Duhet thënë se asokohe te ne nuk kishte aparat ekografie, as skaner, pajisje të domosdoshme për të diagnostikuar saktë raste të tilla. Ndodhi që edhe Enveri ato ditë pati një katar të rrugëve të frymëmarrjes.

Enveri më porositi që ta informoja çdo ditë për ecurinë e gjendjes shëndetësore të Hysniut. Ndër mjekët kolegë që erdhën për ta vizituar, ishin edhe prof. Hoxha, prof. Petrit Gaçe, prof. Ylli Popa, madje dhe prof. Paparisto, i sjellë posaçërisht nga Tirana, si dhe dr. Dine Abazi, mjeku i tij. Prej tyre merrja informacion rregullisht.

Nuk e di çfarë e shtyu Enverin që, pa ndonjë propozim nga mjekët, çuditërisht të urdhëronte që Hysniu të dërgohej në Paris për t’u operuar atje. Them çuditërisht, sepse Enveri ishte parimisht kundër dërgimit jashtë shtetit për arsye mjekësore të cilitdo, madje në dy raste të problemeve të mëparshme shëndetësore të Hysniut, me gjithë propozimin e mjekeve (madje në një rast edhe nga profesor Miliezi) për dërgimin e tij jashtë shtetit, Enveri pati qenë personalisht kundër.

Hysniu mbërriti në Paris me një avion të posaçëm francez më 7 gusht 1979, i shoqëruar nga një kontingjent i madh personeli shëndetësor, anëtarë të familjes, punonjës shërbimi, shoferë, oficerë, truprojë e diplomatë. Më vonë, përveç ministrit Ziçishti, aty do të mbërrinin për ta mbështetur edhe dy anëtarë të Byrosë Politike, Ramiz Alia dhe Kadri Hazbiu.

Spitali Bruse vështirë se do të ketë pasur ndonjëherë aq shumë persona shoqërues të dërguar jashtë vendit nga shteti për një të sëmurë të shtruar në të. Që natën e mbërritjes, pas ekzaminimit ekografik të kryer me urgjencë, doli në pah se problemi ishte shumë më i rëndë e më i rrezikshëm sesa kolecistiti. Në ekografinë e parë, fill pas mbërritjes në spitalin francez, rezultuan tumore të dyshimtë, për cist dhe kancer të pankreasit, me përhapje në mëlçi dhe në gjëndrat e barkut.

Për shkak të keqësimit të shpejtë të gjendjes, profesor Aleksandri dhe ekipi i tij kirurgjikal vendosën ta operonin që atë natë. Pasi bisturia hapi trupin e tij, metastazat shikoheshin qartë me sy. Një situatë e tillë, sipas kirurgut francez, profesor Aleksandrit, ishte krejt e pashpresë. Prandaj operacioni i parë u bë i pjesshëm.

Po atë natë u njoftua urgjentisht me radiogramë Enveri, i cili ishte ende në Pogradec. Fytyrëngrysur ai doli i tronditur vetëm të ecte në rrugën jashtë vilës, në gjysmerrësirë, ndonëse frynte pak erë. Enveri më thirri po atë natë që të interpretoja njoftimin ku përmendej edhe dyshimi cist në mëlçi. U tregova i sinqertë me të, por duke u përpjekur të mos e traumatizoja. Sidoqoftë, i thashë, në raste të tillë diagnoza e sigurt vendoset nga biopsia, e cila zgjat, sepse kërkon disa ditë. Të nesërmen, më 8 gusht në mëngjes më thirri përsëri dhe biseduam rreth gjysmë ore për situatën shëndetësore të Hysniut. Ishte në ankth, shumë i shqetësuar dhe i pikëlluar.

Po atë ditë, më 8 gusht, me urdhër të Enverit u nisën në Paris profesor Fejzi Hoxha, si autoritet dhe mjek personal i hershëm i Hysniut, si dhe ministri Ziçishti, me porosinë që për t’i ruajtur nga tronditja psikologjike, diagnoza fatale e kancerit, si dhe arsyeja e operacionit dhe rezultati i tij, të mos i thuhej në asnjë mënyrë Hysniut e as Vitos. Të nesërmen më 9 gusht, vetë Enveri pati një përkeqësim të gjendjes së tij shëndetësore. Në mbrëmje, gjatë vizitës dhe regjistrimit të elektrokardiogramit që i bëra, iu shfaqën shpeshtime të rrahjeve të zemrës dhe ekstrasistola. Situata ishte e pasigurt, prandaj iu rekomandua kthimi në Tiranë.

Hysniu e kaloi relativisht mirë fazën e parë pas operacionit, por më pas gjendja u rëndua progresivisht. Ndërkohë, Enveri ish kthyer në Tiranë dhe unë rastisa të vihesha në dijeni të zhvillimeve kryesore atje, sepse m’u dhanë disa nga radiogramet dhe letrat që i vinin Enverit nga Parisi me analizat, ekzaminimet dhe procedurat që kryheshin për Hysniun. Një herë bashkë me Mehmetin, më thirri në zyrën e tij, në ndërtesën e Komitetit Qendror t’ua komentoja ato nga ana mjekësore. Ata të dy e ndoqën me shumë emocion, me dhembje dhe përkushtim të thellë, ndonjëherë edhe të përlotur, fundin e tij.

Rreth 20 ditë pas operacionit të parë, meqenëse gjendja po përkeqësohej me sa mbaj mend u hodh në diskutim ideja e një ndërhyrjeje radikale për heqjen e gjithçkaje të dyshuar si e prekur nga kanceri. Ky opsion ishte i mundshëm nga ana profesionale, sepse profesor Aleksandri kishte aftësitë dhe përvojën e duhur për ta kryer dhe, nëse do të ishte i suksesshëm, mund të krijonte shpresë për t’ia zgjatur pacientit jetën maksimumi dy vite.

Por në rastin konkret, gjendja shëndetësore e Hysniut përmbante rreziqe të shumta reale, për shkak të disa sëmundjeve dhe problemeve shëndetësore të tjera që ai vuante dhe mjekohej më parë. Operacioni i gjerë do të ishte shumë traumatik dhe pa dashur, në vend që t’ia largonte dy vjet mund edhe t’ia afronte vdekjen. Dilema ishte nëse duhej provuar shansi i operacionit radikal (me rezervën e rreziqeve që përmbante), apo Hysniu pa asnjë shpresë tjetër, të kthehej në Shqipëri (së bashku me shoqëruesit), për të vdekur pranë popullit dhe njerëzve të tij. Besoj se kjo do të ketë qenë edhe dëshira e Hysniut.

Enveri dhe Mehmeti më thirrën në Komitetin Qendror dhe më njohën me informacionin e fundit në lidhje me opsionet dhe dilemën që kish ekipi mjekësor në Paris. Të dy qëndronin të heshtur, ulur përballë njëri-tjetrit, të menduar e të pavendosur. Duke mos qenë as kirurg as onkolog qëndrova edhe unë gjithashtu disa çaste në pritje, i heshtur dhe i ndrojtur.

Por Enveri i vrenjtur në fytyrë, u ngrit, eci ca hapa mendueshëm në zyrë dhe hodhi një vështrim drejt meje teksa qëndroja në këmbë. Pashë i habitur që atij i dridhej buza e poshtme, mbyturazi, si në një ngashërim pa zë. Unë shtanga. U preka shumë. Nuk e kisha parë dhe as e pashë asnjëherë më pas atë në një tronditje të tillë. Ndjeva se duhej të thosha diçka si mjek. Atëherë me hezitim, si duke mërmëritur thashë: “Është e vështirë të parashikohen zhvillimet e mëtejshme, por nëse shoku Hysni duhet të kthehet i gjallë në Shqipëri, ndoshta momenti më i volitshëm është tani. Po u rëndua më tej gjendja, kjo do të jetë e pamundur”. Mirëpo fjalët e mia “nuk ngjitën”. Mehmeti ndërhyri menjëherë vrullshëm dhe me ton kategorik kundërshtoi: “Jo. Në asnjë mënyrë! Po ta sjellim tani në gjendje më të rëndë nga ç’ishte kur vajti, Hysniu do ta kuptojë që bëhet fjalë për sëmundje të pashërueshme. Atij dhe Vitos duhet t’ia mbajmë medoemos sekret diagnozën, që t’ua kursejmë tronditjen”. Enveri qëndroi i heshtur, as miratoi, as kundërshtoi.

Vendimin mund ta kenë marrë dhe komunikuar më pas. Siç mësova më vonë, operacioni radikal u krye me shpresë se Hysniut mund t’i shtoheshin dy vite jetë. Ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, u urdhërua përsëri që Hysniut dhe Vitos të mos i thuhej diagnoza dhe as fati i mëtejshëm i pritshëm i operacionit.

Në këtë kontekst, kërkesës së kirurgut francez, që të informoheshin paraprakisht sipas rregullit pacienti dhe bashkëshortja e tij që në ndërhyrjen e parë, për çfarë dhe pse do të bëhej, si dhe të merrej miratimi i tyre, iu kundërvu ministri ynë i Shëndetësisë, i cili sipas urdhrit që kishte marrë nga Tirana e mori vetë përgjegjësinë e moskomunikimit me pacientin dhe familjarët për të marrë pëlqimin prej tyre.

Francezët nuk këmbëngulën më tej dhe e kryen edhe operacionin e gjerë, pa informuar as pacientin, as të shoqen se çfarë panë brenda trupit të pacientit dhe çfarë bënë. Ky ishte gabim etik i tyre. Ai do të ishte shmangur sikur libri “Të ndryshojmë vdekjen”, i botuar në vitin 1978 nga kancerologu francez, prof. Leon Schëarsenberg dhe gazetari i “Le Monde” Pierre Viansson Ponte, do të qe shndërruar në vitin 1979, kur ndodhi kjo ngjarje, në kod imperativ për mjekët francezë në trajtimin e të sëmurëve me diagnoza të pashpresa. Pak kohë më pas u ligjërua në Francë njoftimi i domosdoshëm personalisht i të sëmurëve të diagnostikuar me kancer, qofshin dhe në faza fatale, dhe vetëm me lejen e tyre dhe të familjarëve apo të personave të tjerë të caktuar prej tyre mund të ndërhyhej.

Në fakt, i gjithë ekipi i mjekëve shqiptarë që shoqëroi Hysniun dinte gjithçka që u bë dhe pse u bë, por edhe ata morën porosi të mos informonin as pacientin dhe as familjarët. Llambi Ziçishti i ka dëshmuar me hollësi këto në ditarin që ai ka mbajtur çdo ditë gjatë qëndrimit në Paris. Ky kujdes i tepruar psikologjik për të mbajtur sekret diagnozën dhe për të mos e tronditur shpirtërisht Hysniun dhe Viton, ndonëse nisej nga qëllimi i mirë i dy udhëheqësve kryesorë, rezultoi më pas me pasoja bumerangu dhe e mediatizoi pas gati 40 vitesh vdekjen e tij.

Hysni Kapo ishte minimalisht personi nr. 3 i nomenklaturës më të lartë dhe më i besuari i Enverit, i konsideruar me “besnikëri çelniku”. Ai, me qetësinë në komunikim dhe me mirëkuptimin që e karakterizonte, nuk besoj se do të kishte shprehur dyshime për keqbërje të qëllimshme ndaj kujtdo prej atyre, që i shërbyen me profesionalizëm dhe devocion dhe bënë më të mirën e mundshme për ta mjekuar atë.

Pavarësisht nga niveli i afeksionit të shfaqur nga Ramizi për çfarë ndodhi, zhvillimet e mëpasme mediatike, me dyshimet pasionante mjegullore për vdekjen e Hysniut, është vështirë të thuhet se i shtuan diçka të dobishme imazhit, figurës dhe kujtimit të tij. Përkundrazi! Ato padashur bënë që Hysniu të identifikohet e përmendet ende kryesisht për vdekjen sesa për jetën e tij.

Nga ana tjetër, vdekja e Hysniut, në një moshë më të re se Mehmeti, u komentua e u bë objekt hamendësimesh sikur Enveri ndryshoi planet e fshehta për pasardhësin. Mehmeti, ndërkohë ishte pothuajse maniak në përkujdesjet për shëndetin e vet. Ai mbante dietë rigoroze antisklerotike në ushqim, bënte ecje me hapa të shpejta çdo ditë, shkonte për gjueti çdo fund jave për t’u qetësuar nga stresi, maste tensionin arterial një ose disa herë në ditë dhe bënte rregullisht elektrokardiogram me ose pa shqetësime. Shëndeti i mirë ishte prioritet dhe avantazhi i tij për ngjitjen në majën e pushtetit, ndërkohë që moshimi ia vështirësonte heshturazi çdo ditë e më shumë arritjen e saj.

Ai ishte si ata lojtarët rezervë të futbollit që presin në stol, që të paduruar ngrihen e bëjnë vrap paraprak jashtë fushës që të jenë fizikisht në formë, të gatshëm të hyjnë menjëherë në lojë sapo t’u vijë rasti. Pavarësisht se pasardhës thuajse i shpallur i Enverit ishte Mehmeti, mënyra se si Nexhmija (që zakonisht ishte e përmbajtur dhe e ngurtë) e qau Hysniun me lot e ligje shpërthyese, sikur të ishte labe, duke e thirrur “o vëlla, o vëlla”, zbuloi pa dashur, se cilin prej tyre, mes Mehmetit dhe Hysniut do të kishte preferuar dhe shpresuar ajo, që të ishte pasardhësi i Enverit. Po të varej prej saj, me siguri pasardhësi i Enverit do të ishte Hysniu.

Këtë e dinin ose e ndienin të pathënë, të pashkruar, por të nënkuptuar, si Nexhmija ashtu edhe Vitoja. Ato ishin miqësuar e lidhur aq shumë mes tyre, e jo rastësisht e mbanin më larg, në marrëdhënie më të ftohta Fiqireten, të shoqen e Mehmetit. Vdekja e Hysniut, veç të tjerash, mundet t’ia ketë shuar shpresat dhe shansin Nexhmijes për të pasur një besnik si “vëllai Hysni” pasardhës të Enverit.

Ndoshta u “shua” kështu edhe ndonjë ëndërr e përligjur e Vitos, e cila e vuajti humbjen e Hysniut, jo vetëm si të njeriut më të afërt e më të dashur të jetës, por edhe si humbje e një shansi për udhëheqësin e duhur të nesërm të Shqipërisë. Për Ramizin, vdekja e tij qe një ngjarje e pritshme, pavarësisht se bëhej fjalë për një ndër shokët e Byrosë Politike. Vetëm kaq.

Gjakftohtësinë dhe vetëpërmbajtjen e Ramizit në kufijtë deri të ftohtësisë si tipar, jo i qëllimtë e jo armiqësor, por karakterial i tij, i dëshmuar në rastin e vdekjes së Hysniut, do e ndieja edhe unë pak kohë më pas në kontaktet me të, lidhur me problemet shëndetësore të Enverit. Atëherë Mehmeti ishte ende gjallë dhe dukej të ishte pas vdekjes së Hysniut më i fuqishëm, i padiskutueshëm dhe i konfirmuar përfundimisht si pasardhësi i Enverit.

Mirëpo situata ndryshoi në mënyrë të paparashikuar. Ramizi u bë i mbrojtur dhe i fuqishëm po aq sa Mehmeti, sepse prej pesë vite, përveç të tjerave, kishte hyrë në rrethin familjar të Enverit dhe Nexhmijes si krushk i tyre. Gjatë kohës që Enveri qëndronte me pushime në Pogradec në verën e vitit 1981, vizitat e Ramizit për çështje pune dhe drekat së bashku me Enverin aty ishin shumë më të shpeshta dhe më të zgjatura sesa të udhëheqësve të tjerë. Dreka e fundit e Mehmetit me Enverin në Volorek të Pogradecit ishte më 26 korrik 1981.

Ajo u zhvillua si zakonisht mjaft e përzemërt mes tyre. Në të, Mehmeti nuk e përmendi fejesën “e gabuar“ të të birit. Por më 8 gusht atje erdhi Ramiz Alia, dhe drekoi në Volorek me Enverin. Kurse më 11 gusht nuk dihet pse erdhën aty Hekuran Isai dhe Simon Stefani, të dy të njohur si shumë të afërt të Ramizit. Çfarë biseduan ata me Enverin? Çfarë mesazhi i sollën apo morën vallë prej tij? Në mbrëmje, pasi ata ikën, Nexhmija më thirri ta vizitoja Enverin. Ndiente vështirësi në frymëmarrje dhe në elektrokardiogram rrahje të shpeshta dhe të çrregullta të zemrës Për disa minuta i dhamë edhe oksigjen me maskë.

Duhej të ktheheshim në Tiranë. U kthyem në fund të gushtit për të përjetuar më pas ngjarjen më enigmatike dhe më tronditëse në historinë e atij regjimi, e cila do e përmbyste dhe do i kushtonte jetën kryeministrit shqiptar. Historia nuk habitet me zhvillime të tilla. Ajo ka dëshmuar se “shumë nga ndodhitë madhore të saj, janë reflektime intime të afrimeve, simpative ose mërive dhe konflikteve njerëzore”. /Gazeta Liberale


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.