DOSSIER

Isuf Kalo:Përplasja e Nexhmijes me Fiqiret Shehun dhe pasojat e inateve

15:56 - 16.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Isuf Kalo mjeku personal i Enver Hoxhës ka sjellë në një libër jetën e tij pranë udhëheqjes komuniste. “Blloku” quhet libri botuar nga UET PRESS, i cili pati promovimin javën që shkoi, merret me personazhe të veçanta të ish-Bllokut duke rrëfyer kujtimet e përshtypjet për ta. Po veçojmë dy pjesë nga libri.




“SHOQJA
NEXHMIJE”
Nexhmija nuk u ndie, as pozoi ndonjëherë si “mbretëreshë”. As si “First Lady” apo si “Zonjë e Parë ose Shoqja e Parë e Shqipërisë”. Ndoshta sepse nuk e lanë parimet dhe dogma komuniste që përqafoi që në rini, apo ankthi që nuk do t’i ndahej më pas gjatë jetës. Nuk ndoqi modën në veshje e as u bë pararendëse e saj. Ishte një “zyrtare cinovnike par exellence”. Ajo ishte dhe mbeti “shoqja Nexhmije”, militante e hershme e përbetuar komuniste. Nuk i kishte humbur instinktet femërore për pamjen e jashtme, por pa e tepruar asnjëherë në atë drejtim. Mbeti grua klasike fanatike, përherë e vëmendshme deri në detaj, pasi donte të dukej sa më korrekte, pa mangësi, po edhe pa ekzagjerime. U vesh gjithmonë thjesht, pa qenë e fiksuar për veshje të firmuara, në mënyrë serioze, zyrtare, thuajse gjithmonë me kostum e bluzë, pa dantella apo garnitura, me modele të përmbajtura, pa dekolte të ekzagjeruar, me ngjyra të zbehta të ndërmjetme. Më të preferuara ishin ngjyra e zezë, gri dhe pas tyre ngjyra bezhë. Asnjëherë nuk e pashë të veshur në të kuqe të ndezur, të verdhë, të gjelbër apo portokalli. Gardëroba e saj nuk ishte mbresëlënëse as nga sasia e rrobave e as nga cilësia apo markat e tyre. Nuk mbajti unaza në gishta, as vari në qafë gjerdanë luksozë të shtrenjta me perla, diamante apo margaritarë. Nuk përdori tualet ekspresiv, por e mirëmbante lëkurën me kremra dhe trajtime natyrale. Nuk i zgjati ndonjëherë thonjtë, as përdori manikyr mbi ta.
Ishte gati maniake pas pastërtisë trupore apo të teshave dhe mjaft sensitive ndaj ndonjë shenje papastërtie te të tjerët, veçanërisht te personeli që shërbente në shtëpinë e saj. Pati raste që më linte të kuptoja shqetësimin prej ndonjërit që mbante era djersë, apo kishte ndonjë njollë në rroba, e ndonjëri që i mbante syzat pa pastruar, që mbase unë të ndërhyja për t’ua thënë si me lezet që t’i ndreqnin. Nexhmija nuk përdorte parukiere personale, në shërbim vetëm të saj, por trajtohej nga një e tillë që u shërbente edhe nuseve e grave të tjera të Bllokut. Nuk pashë mbi tavolinën e saj ndonjë revistë a katalog të parukerisë europiane. Ajo ruajti tiparet e bukurisë fizike natyrale në përputhje me etapat progresive të moshës. Flokët i mbajti thuajse me të njëjtin model, të mbledhura prapa topuz, të kapura me karfica jo të shtrenjta. Kur filloi të moshohej filloi të përdorte njëfarë boje të lehtë, por pa i fshehur thinjat kur ato iu shfaqën. Mbajti këpucë e sandale apo çizme të shkurtra, por asnjëherë të gjata e gjithmonë me taka komforte, jo të larta. Ecte natyrshëm, pa naze joshëse femërore. Ishte shumë e vështirë, deri metikuloze, kur bënte porosi te rrobaqepësi dhe diskutonte hollësisht detaje në lidhje me penjtë, kopsat, jakat e mëngët. Pamja dhe paraqitja e jashtme, më tepër se instinkt femëror, ishte element i ruajtjes së imazhit si gruaja e Enverit. Me tiparet harmonike, të ëmbla e të këndshme ajo do të mund të klasifikohej si grua me bukuri të përmbajtur dinjitoze. Në luftë ajo e kishte pasur pseudonimin “Delegatja”. Në fakt, më i përshtatshëm do të ishte “Delikatja”, siç e pati quajtur së pari Qemal Stafa. Sepse ishte fizikisht e brishtë, me zë të hollë që nuk trashej dot, sepse i ngjirej në tonet e larta. Simpatike, me vështrim jo ngulmues, me pamje jo të rreptë, të mashkullorizuar si të partizaneve nëpër pllakata, ajo gjithsesi shfaqte mendësi të militantizuar e të indoktrinuar, çka ia ngurtësonin dhe akullnonin feminilitetin. Asaj i pëlqente arkitektura si profesion dhe pati ëndërruar të bëhej arkitekte një ditë. Pata rastin t’ia njoh pasionin e shijet në këtë drejtim kur u projektua dhe u ndërtua shtesa e re e banesës së tyre në Bllok. Atë e projektoi arkitekti Sokrat Mosko, i ndihmuar nga Klement Kolaneci, i cili ishte i ri në atë kohë dhe nuk ish bërë ende bashkëshorti i Pranverës, pra dhëndri i saj. Ata, në fakt, si çift u njohën nga afër dhe u dashuruan gjatë projektimit dhe ndërtimit të shtesës së re ngjitur me shtëpinë e vjetër të Enverit e Nexhmijes dhe pastaj, në fund të dhjetorit 1974, lidhën jetën me martesë. Në procesin e projektimit e të realizimit të shtesës së re Nexhmija mori pjesë aktive dhe mund të thuhet me sugjerime me mjaft shije. Kam parasysh zgjidhjet që ajo sugjeronte me hapësira të mëdha, harmonizimin e klasikes me tradicionalen dhe modernen në “musëndrën” apo hajatin allagjirokastrite të katit të dytë. Veç leximit Nexhmija nuk kishte ndonjë hobi tjetër të natyrës dëfryese e zbavitëse. Nuk di ta kem parë ndonjëherë të meditonte apo të dëgjonte muzikë klasike në privatësi. Dukej sikur në vend që të dorëzohej murgeshë, ajo ishte dorëzuar militante te Partia Komuniste dhe pastaj te Sekretari i Parë, Enveri, që u bë dhe burri i saj. Murgeshat detyrë kanë adhurimin e Zotit dhe lutjen. Ajo zot kishte Enverin dhe Partinë. Enveri kishte nevojë për një grua dhe Nexhmija donte të ishte e dobishme për të. Dhe e vlerësuar prej tij. Por pavarësisht se konsiderohej asaj kohe si gruaja më fatlume e Shqipërisë (për çka ishte e ndërgjegjshme edhe vetë), ajo nuk e përmendi, as e manifestoi së jashtmi krenarinë femërore për këtë lloj statusi të veçantë apo supremaci ndaj grave të tjera. Nexhmija ishte thellësisht e dashuruar me Enverin, por dhe po aq ndiente ankth e tension në marrëdhënien me të. Ndoshta, sepse bashkë me krenarinë ndiente peshën e rëndë të përgjegjësisë. Atë e shoqëronte kudo e kurdoherë emri, figura, imazhi dhe prestigji i të shoqit. Ndryshe nga Ramizi, ajo nuk ishte anëtare e Byrosë Politike, as ministre në qeveri dhe, të paktën nga ana zyrtare, nuk ishte pjesë e vendimmarrjes së tyre. Fillimisht, në Kongresin e Parë të Partisë, qe zgjedhur anëtare e Komitetit Qendror. Më pas ishte për pak kohë kryetare e Bashkimit të Grave të Shqipërisë. Pastaj u emërua drejtore e Drejtorisë së Propagandës. Në vitin 1966 u emërua drejtore e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, ku redaktoheshin dhe botoheshin veprat e Enverit. Kurse në vitin 1988 u zgjodh presidente e Organizatës së Frontit Demokratik të Shqipërisë, prej nga dha dorëheqjen dhe doli në pension në vitin 1991. Në pjesën më të madhe të jetës së saj ajo u bë “aneks i Enverit”, shoqëruese dhe një lloj kujdestareje për veprimtarinë publike dhe jetën private e familjare të tij. Por edhe një lloj sekretareje, në kuptimin e redaktimit dhe filtrimit të frazave në fjalimet, artikujt e librat që ai shkroi, përpara se ato të publikoheshin dhe shpërndaheshin, brenda ose jashtë vendit. Ajo nuk tregoi shenja “aristokratizimi”, në kuptimin e sqimës, vanitetit, nazeve dhe manisë për luks, modë e modernizëm. Mbase jo sepse nuk i pëlqente, por, sepse nuk guxonte dhe as ndihej e zonja që të luftonte për to. Pas martesës, ndryshe nga Krupskaja e Leninit, Nadjezhda Allijujevna e Stalinit, Çhian Çhini e Maos dhe Mira Markoviçi e Millosheviçit, Nexhmija nuk e ruajti mbiemrin e vajzërisë Xhuglini, ndonëse me atë mbiemër u bë e njohur dhe la gjurmë si militante në histori. Ajo mori mbiemrin Hoxha të të shoqit, në respekt të traditës, por edhe si shenjë e pranimit për ta vënë veten, personalitetin e saj, nën ombrellën e njëkohësisht aureolën e atëhershme të tij. Nexhmija u bë vullnetarisht “menaxhere” e jetës personale të Enverit, detyrë të cilën ajo e kryente me përkushtim edhe si “detyrë partie”. Ishte protektore e tij për gjithçka që mund ta shqetësonte dhe dëmtonte. Përkushtimi i saj në shërbimin ndaj të shoqit ishte i pashembullt. Edhe pse u bë gruaja, e më pas nëna e fëmijëve të tij, sa kohë që ai ishte gjallë, por dhe më pas, Nexhmija u ndie e veproi gjithë jetën e saj si “e punësuar nga partia” për t’i plotësuar atij, gjatë 24 orëve në shtatë ditët e javës, gjithçka të nevojshme, si në kontekstin jetësor fizik, ashtu edhe emocional. Edhe ajo, si Ramizi, ishte diskrete, jo e prirur për karshillëqe dhe përgjithësisht, i shmangte konfrontimet personale. Po ashtu i shmangte edhe “hallexhinjtë”, madje edhe kontaktet me farefisin, me përjashtim të familjarëve të afërt. Përjashtim nga kjo qasje bënte për gjërat që ishin thënë ose vendosur prej Enverit, pasi në raste të tilla ajo, pa lëkundje e pa hezitim, i miratonte dhe i zbatonte ato. Ashtu si Ramizi, edhe Nexhmija nuk kishte vizione autentike 292 ISUF KALO të saj. Ishte përgjithësisht e frenuar, e vetëkontrolluar, pa iniciativë dhe në gjendje ankthi, madje, jo rrallë, e dominuar nga paniku. Çuditërisht, edhe e kompleksuar. I mungonin siguria dhe toni karakteristik i fortë e i sigurt “revolucionar”. Kur i duhej të mbante fjalime në Konferenca e Kongrese ajo pushtohej nga emocione aq të forta sa e bënin t’i ikte zëri. Një herë më pat thënë se i kishte zili ato vajzat e reja fshatare ose punëtore që përshëndesnin kongreset e partisë plot siguri, pasion dhe entuziazëm dhe e ngrinin sallën në këmbë me oratorinë, elokuencën dhe tonin entuziast të tyre. Kur i dhashë një tabletë propanolol për ta pirë përpara fjalimeve ajo u mahnit. Sepse tableta ia zhduku si me magji shtrëngimin ankthioz në gjoks dhe i çliroi zërin, duke i dhënë siguri. Në gjithë kujdesin mjekësor që i ofrova asaj më pas, gjatë kohës që e trajtova si paciente, efektin e magjishëm të kësaj terapie ajo nuk e harroi kurrë dhe e çmoi si të ishte “zbulim shkencor” dhe gjest “shpëtimtar” i madh nga ana ime. Atëherë pata kuptuar se sa kishte vuajtur prej këtij kompleksi pasigurie. Ishte pranë majës së pushtetit, por ankthi e frika nuk e linin të ndihej në publik si e tillë. Në librin “Jeta ime me Enverin” ajo shkruan: “Mua, si bashkëshorte e Enver Hoxhës, më brente meraku dhe i bëja pyetje vetes: A do të jem e denjë si shoqe e tij në jetë, në punë, në publik? Ideja e kësaj përgjegjësie më ndrydhte, më krijonte një ndjenjë pasigurie e mosbesimi në vetvete. Natyrës time të turpshme iu shtua një kompleks i ri, ai i përgjegjësisë për të qenë e denjë si bashkëshorte e Enver Hoxhës”. Dhe vazhdon më tej: “Gjatë 45 viteve jetë të përbashkët me Enverin, unë nuk u çlirova dot nga ky kompleks. Mund të duket e çuditshme, por këto emocione ishin më të theksuara kur isha e detyruar të diskutoja në plenume e kongrese në prani të Enverit. Druhesha se mos e mërzisja atë, se mos nuk i pëlqente që unë ngrija çështje”. Si Ramizi edhe Nexhmija objekt madhor nuk kishte krijimtarinë ideologjike, por më së pari “pagabueshmërinë”, mosdevijimin ideologjik, ose interpretimin e duhur të saj në rrethanat e vendit tonë. BLLOKU Rrëfimi i mjekut personal të Enver Hoxhës 293 E kam pasur të vështirë ta zbuloja se deri në ç’pikë e imagjinonte ajo veten të dënuar apo të flakur prej tij për ndonjë “aksident ideologjik” të bërë pa dashje. A i shkonte vallë asaj ndërmend se, nëse ia diktonin rrethanat, Enveri mund ta ndëshkonte edhe atë si deviatore? Shembulli që ai kishte dhënë me pushkatimin, pa iu dridhur qerpiku, të Bahri Omarit, kunatit të tij, apo me likuidimin e flakjen e shumë shokëve të udhëheqjes, dikur miq tepër të ngushtë dhe shumë të çmuar, përfshi dhe Mehmet Shehun, i pati mësuar asaj instinktivisht, se askush nuk ishte për Enver Hoxhën i pandëshkueshëm, i pasakrifikueshëm. Ky ishte parim universal i diktatorëve. A nuk i kishin flakur kështu bashkëshortet e tyre edhe Stalini, Mao Ce Duni dhe Titoja, secili sipas mënyrës dhe rrethanave të veçanta? Nexhmija i jetoi vitet e “mbretërimit” pranë të shoqit të plotfuqishëm me këtë ankth dhe pasiguri deri në ditën që ai mbylli sytë. Ajo përpiqej ta meritonte vendin dhe fatin me përkushtimin e vet, deri në vetëmohim, ndaj tij si person dhe idealit të tyre të përbashkët. Droja dhe vetëkontrolli i emocioneve ishin dy tipare të qenësishme të saj. Si në gëzime dhe në hidhërime, Nexhmija nuk shpërthente emocionalisht. Rrallë e ka parë atë dikush “duke bërtitur”, ulëritur në mënyrë inatçore, të flasë si “gojështhurur”, duke përplasur derën, por as duke qeshur e duke u gajasur lirshëm me të madhe sa t’i rridhnin lot nga sytë. Ajo sillej në mënyrë mjaft korrekte me ata që takonte. Bisedonte pa gjeste, pa e ngritur zërin, madje tregohej e ëmbël dhe e qeshur, sidomos me ata që duhej, por nuk i kishte në natyrën e vet as lajkat artificiale as kortezinë e mirëfilltë fisnike. Ndoshta, sepse ato nuk i duheshin, pasi vetë i merrte nga të tjerët pa doganë. Nuk di nëse ajo bënte shaka, tregonte barsoleta apo histori gazmore. Unë nuk e kam dëgjuar dhe vështirë të them nëse do të ketë treguar ndonjëherë. As fëmijët e saj nuk më patën treguar ndonjë batutë humori prej saj. Nën qetësinë e sipërfaqshme, të vetëpërmbajtjes, vetëm një buzëqeshje e lehtë dhe përplasja e 294 ISUF KALO qepallave ishin dy shenjat me të cilat ajo shprehte heshturazi dy ndjenja të kundërta: kënaqësinë apo nervozitetin e brendshëm. Ndryshe nga Fiqirete Shehu dhe Vito Kapo, që ndodhte edhe të debatonin për ndonjë çështje me bashkëshortët e tyre, Nexhmija e konsideronte Enverin thesar kombëtar dhe fat të papërsëritshëm të Shqipërisë, të cilin Partia ia kishte besuar asaj për ta ruajtur dhe mbajtur nën kujdes. Preokupimi i pashprehur i Nexhmijes ishte se si do të gjykohej më pas nga populli dhe historia për kryerjen e kësaj detyre misionare e jetësore të saj. Ankthin për çka mund t’i ndodhte më pas e hamendësova, kur teksa shkova për ta vizituar si mjek, rastësisht pashë mbi komodinë, pranë krevatit, në dhomën e saj të gjumit, një libër për revolucionin francez. Po lexonte vallë për fatin e mbretëreshës së fundit të Francës, së cilës, më 16 tetor 1793, ia prenë egërsisht kokën në gijotinë? Pak kohë më parë i qe prerë koka nga revolucioni burrit të saj, Mbretit Luigj i 16. Çuditërisht, mllefi i popullit në rrugët e Parisit pati qenë më i egër ndaj mbretëreshës sesa ndaj tij. Ishte një analogji e hamendësim imi pa sens në atë kohë. Data 16 tetor, për Nexhmijen, përkundrazi, ishte e shenjtë. Ishte data e saj e fatit. Plot 115 vite pas asaj date të vrasjes makabër dhe ogurzezë në Paris, në Gjirokastër do të lindte Enveri i saj.
ARMIQËSI TË
FSHEHTA
Nuk përjashtohet të ketë qenë Nexhmija, e cila si ish-shok të hershëm në rininë komuniste dhe tani si krushq, ta ketë mbrojtur Ramizin në valën e goditjes për festivalin e “gabuar”, duke e garantuar të shoqin për besnikërinë politike të tij. Por edhe vetë Enveri i vitit 1973 nuk ishte më djaloshi i vitit 1945, kur lejoi, në kulmin e puritanizmit të tij parimor, të pushkatohej kunati i tij, Bahri Omari. Ai kishte qenë atëherë i ri, i sapongjitur në majat e pushtetit, me jetën përpara e vrull revolucionar, disi çakmak, pushtetar i ri, por i pasigurt dhe ndoshta prej kësaj nuk i njihte mëshirën dhe faljen. Kurse tani kishte hyrë në moshën e tretë, kur pas pak muajve do të pësonte infarkt në zemër, çka ndoshta e pat zbutur dhe ndërgjegjësuar për raportet e reja në rrugëtimin e mëtejshëm të jetës, që e afronte përditë e më tepër, pashmangërisht, natyralisht, me vdekjen.
Por falja dhe konfirmimi tashmë i Ramizit, si njeri i familjes Hoxha, ngjalli ose zgjoi djaj. Nga kandidaturë e shpërfillur, e nënvlerësuar në rivalitetet e atëhershme për trashëgiminë e postit të Enverit, ai u shfaq befas si konkurrent i rrezikshëm, kandidaturë potenciale. Ramizi po i krijonte kështu vetes një armik të egër e të fuqishëm, që quhej Mehmet Shehu, atëherë kryeministër dhe prej shumë kohe pasardhësi i shpallur publikisht i Enverit.
Ramizi e ndjeu armiqësinë e Mehmetit, u ndie i kërcënuar dhe i pasigurt nëse ai bëhej i pari i vendit. Dhe reagoi menjëherë. “Djali i mirë e i qetë” nxori kthetrat e fshehura. Siç e ka rrëfyer vetë Enveri, ai i paraqiste këtij, në mënyrë konfidenciale, herë pas here, ankesa për qëndrimet e veprimet e Mehmetit ndaj të tjerëve e ndaj tij. Ishte një sulm mbrojtës paraprak që Enveri ta kishte parasysh se në duart e kujt po e linte krushkun.
Ato pakënaqësi në lidhje me Mehmetin ka shumë mundësi t’i ketë sinkronizuar e pleqëruar më parë me krushkën, Nexhmijen, e cila edhe ajo nuk ndihej komode në komunikime pune me Mehmetin, për shkak të karakterit disi të ashpër dhe mungesës së taktit, politesës të tij; por sidomos edhe sepse nuk e gëlltiste dot mënyrën se si e proklamonte Fiqirete Shehu padurimin e saj për t’u bërë sa më parë “Shoqja e parë” e ardhshme e Shqipërisë. Kështu, kur shtëpia e Enverit në Bllok u zgjerua nën mbikëqyrjen e Nexhmijes me një ndërtesë shtesë, fill më pas, një zgjerim dhe rikonstruksion total u krye edhe te vila ekzistuese e Mehmetit. Kur u rikonstruktua vila e Enverit në “Ujin e ftohtë” në Vlorë, një rikonstruktim më i gjerë dhe më luksoz u krye, fill më pas, po aty, edhe tek e ashtuquajtura Vila nr. 1 e Mehmetit. Sapo Nexhmija pat punësuar një infermiere si kujdestare për fëmijët e vegjël në shtëpinë e saj, të njëjtën kërkesë kishte bërë edhe Fiqiretja për të vetët. Nëse në shtëpinë e Enverit, Drejtoria e Pritjes, e cila e kishte në administrim, sillte një qilim të madh apo mobilie të re, Fiqiretja do të ankohej pse nuk i sillnin edhe asaj të njëjtat. Fiqiretja ishte xheloze dhe kurioze të dinte gjithçka ndodhte në familjen Hoxha. Megjithëse Mehmeti nuk kishte të njëjtën gjendje shëndetësore delikate si Enveri, sepse nuk vuante as nga diabeti, as pati pësuar infarkt në zemër dhe bënte rregullisht ecje të gjata e mbante regjim dietetik të shëndetshëm, Fiqiretja krijoi një ekip me dy mjekë dhe disa infermiere në dispozicion të tij e të familjes.
Nëse çiftet e të rinjve dhe të familjes Hoxha dërgoheshin në Paris për probleme mjekësore, e njëjta gjë, si në një garë, do të bëhej edhe për ata të familjes Shehu. Madje këta, ndryshe nga Nexhmija, ndodhte që i shoqëronte edhe vetë Fiqiretja. Në një rast, ndërkohë që Fiqiretja ndodhej në Paris, e strehuar në apartamentet e ambasadës, aty mbërriti edhe Pranvera, vajza e Enverit, për një problem shëndetësor që kërkonte ndërhyrje kirurgjikale. Ambasadori Maxhun Peka, duke besuar se Fiqiretja mund t’i qëndronte pranë asaj në vend të Nexhmijes, duke i ofruar afeksion prindëror, e strehoi atë në apartamentin tjetër, ngjitur me atë ku qëndronte Fiqiretja, në të njëjtin kat. Mirëpo, për çudinë e ambasadorit, Fiqiretja e kishte thirrur e zemëruar dhe i kishte bërtitur që ai, pa e pyetur, i kish cenuar privatësinë. Madje i kërkoi ta ngjisnin vajzën një kat më lart. Në fakt, ambasadori nuk e lëvizi, mbase sepse falë një komunikimi telefonik me Tiranën erdhi urdhri përkatës. Por çfarë ndjenje do të ketë krijuar dhe çfarë përshtypje do të ketë lënë ky episod i sjelljes së Fiqiretes te Nexhmija, si grua, si nënë dhe si “shoqe e afërt”, e pretenduar e saj? I gjithë ky rivalitet i heshtur mes dy shoqeve partiake më të larta të Bllokut ndodhte ndërkohë që Mehmeti ende nuk e pati bërë gabimin fatal të fejesës së djalit.
Sikur të mos mjaftonte episodi i mësipërm, në fillimin e vitit 1981 ndodhi një tjetër ngjarje e papritur, të cilën është vështirë ta gjykosh tani retrospektivisht, nëse ishte e paqëllimshme e paparamenduar apo, përkundrazi, ishte mesazh domethënës i vetësigurisë së pjesëtarëve të familjes Shehu dhe demonstrim publik i fuqisë pushtetore vendimmarrëse të tyre ndaj pjesëtarëve të familjes Hoxha, pavarësisht se Enver Hoxha ishte ende gjallë. Protagonist i këtij episodi u bë Vladimir Shehu, djali i madh i Mehmetit. Ai ishte inxhinier i talentuar, mjaft inteligjent, energjik dhe me sa kuptohet nga bisedat konfidenciale të tij me Spartak Ngjelën, të cilat janë bërë të njohura në librat e botuar nga ky i fundit, ishte partizan i ndryshimeve dhe kritik ndaj regjimit dhe personalisht ndaj Enverit. Vladimiri, ose Ladi, siç e thërrisnin shkurt pas mbarimit të Fakultetit të Inxhinierisë Elektronike (të njëjtin pat mbaruar pak vite më vonë edhe Sokol Hoxha) shkoi vullnetarisht për të punuar dhe banuar, bashkë me të shoqen, Bardhën, në Durrës, me detyrë kryeinxhinier i uzinës së televizorëve. Atje ata, si çift, patën krijuar një rreth shoqëror aktiv, mjaft simpatik dhe ndiheshin më të lirë dhe shumë më të kënaqur jashtë ambientit të Bllokut sesa brenda tij. Mirëpo, pa pritur, në fillimin e vitit 1981 Vladimiri zhvendoset nga Durrësi në Tiranë dhe emërohet nga ministri përkatës me detyrën e shefit apo drejtorit pikërisht të një qendre të vogël me profil elektronik në ekipin e të cilit bënte pjesë si specialist i thjeshtë edhe Sokoli. Ky, por dhe drejtuesi i tij në detyrë dhe askush tjetër nga ekipi i asaj njësie nuk ishin informuar paraprakisht për këtë ndryshim të beftë, as për arsyet dhe motivet e tij. Me sa duket, asnjë komunikim mes djemve të dy udhëheqësve më të lartë nuk ekzistonte. Pasoja e këtij spostimi ishte që Sokoli, djali i Enverit, tash e tutje do të bëhej vartës i djalit të Mehmetit. E thënë ndryshe, hierarkia ekzistuese mes etërve të tyre me këtë akt kthehej përmbys te bijtë. Pyetjet që lindnin natyrshëm lidhur me këtë ndodhi të çuditshme ishin disa: Pse Ladi zgjodhi pikërisht këtë kohë për t’u zhvendosur në Tiranë? Mes varianteve të shumta dhe shumë më prestigjioze krejtësisht të mundshme të punësimit të tij, pse zgjodhi këtë qendër të vogël, me kushte modeste, ku do të kishte Sokolin vartës? A e kishte biseduar paraprakisht këtë lëvizje me të atin? Po ministri që e firmosi atë emërim a e kishte konsultuar dhe a kishte marrë edhe ai miratimin nga Mehmeti kryeministër? Mister ishte edhe motivi që e kishte shtyrë Ladin për t’u zhvendosur, sepse arsyeja nuk ishte thjesht kthimi te prindërit në Bllok për favoret dhe privilegjet përkatëse. Ai dhe e shoqja, Bardha, ishin persona me sedër dhe me integritet. Edhe pse apartamentin te vila e rikonstruktuar dhe e zgjeruar e prindërve e kishin gati në dispozicion të tyre, Ladi ua kishte bërë të qartë atyre se ai me familjen e vogël të tij nuk do të banonte me ta, por në ndonjë apartament jashtë Bllokut. Mehmeti ishte mërzitur shumë për këtë refuzim, madje, në njërin nga takimet tij me Enverin, pas “fejesës së gabuar” të Skënderit në javët e para të shtatorit 1981, Enveri ka shkruar në ditarin e tij se Mehmeti i qau atij hallin, si prind, që “edhe Ladi po e braktiste, nuk donte të banonte me ta”. Siç kuptohet, Sokoli dhe e shoqja, Liljana, në ato rrethana u habitën, u mërzitën dhe reaguan duke ia bërë të ditur atë që kishte ndodhur Enverit. Me sa është thënë në media, ai i kishte dëgjuar me vëmendje dhe vetëm kishte pyetur: “Kishte dijeni drejtori?”.
Arsyeja ta thotë që me vete ai duhet të ketë pyetur: “Po kryeministri a kishte dijeni? Sidoqoftë, as Enveri dhe as Nexhmija nuk ndërhynë për ta anuluar emërimin në dukje provokativ të Ladit. Sokoli, me sugjerimin dhe mbështetjen e miqve personalë të tij dhe të Liljanës, iku nga puna ku ishte dhe zuri vendin vakant të nëndrejtorit të Posttelekomunikacionit. Më pas, kur Enveri nuk rronte më, ai me vendim të Ramiz Alisë, u emërua aty drejtor. Në këtë mënyrë përmbysja në hierarki e familjes Hoxha nga familja Shehu u evitua te bijtë. Por kur Mehmeti dhe Fiqiretja po dëshmonin me aktet e tyre padurimin plot adrenalinë për t’u bërë të parët e vendit, fati do të ndihmonte dikë tjetër, Ramiz Alinë, që gafa e çuditshme e rivalit të tij, e miratimit të “fejesës së gabuar” të ndodhte dhe të përmbyste gjithçka në favorin e vet. Pas kësaj, edhe pse Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu ishin ende gjallë, të padënuar, Ramizi nga numri 6 në hierarki u bë numri 2. Më pranë Enverit se kurrë ndonjëherë. Sa kohë Enver Hoxha merrte ende frymë, e bekoi atë haptazi si pasardhës të tij. Asnjë meritë, asnjë vepër të re të veçantë nuk pat bërë Ramizi, përveç sigurisë që kishte krijuar si me magji tek Enveri për besnikërinë e vazhdimësinë e përhershme të tij. Fundja nuk ke çfarë të thuash. Fati kur të do, të do. Hapi derën. Dhe pikë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.