Sociale

Kontrolli i Lartë i Shtetit: Deficiti i skemës së pensioneve, s’janë përmbushur objektivat

19:30 - 16.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Prej vitit 2014, ka nisur implementimi i skemës së re të pensioneve, por mesa duket kjo skemë ka dështuar. Sipas raportit më të fundit auditues, realizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, reforma nuk ka rezultuar e suksesshme në përmbushjen e objektivit që konsistonte në uljen e deficitit në 1% të PBB-së deri në vitin 2018.
Problematikat




Aktualisht në Shqipëri përfitojnë pensione 621,2 mijë pensionistë dhe paguajnë kontribute 752,4 mijë kontribues. Norma e varësisë së sistemit është 1,22, që do të thotë se 122 kontribues mbulojnë 100 pensionistë. “Të ardhurat e mbledhura nga kontributet janë të pamjaftueshme për të mbuluar të gjitha shpenzimet për përfitime dhe, për rrjedhojë, diferenca mbulohet nga buxheti i shtetit. Deficiti i skemës në vitin 2018 përbën 20% të fondit të ISSH-së dhe 5,12% të total buxhetit të shtetit apo 1,6% të PBB-së. Edhe pse në vitin 2014 u ndërmor një reformë e re në sistemin e sigurimeve shoqërore, ku një nga objektivat e saj ishte ulja e deficitit në 1% të PBB-së deri në vitin 2018, mesa duket reforma nuk ka rezultuar e suksesshme në përmbushjen e këtij objektivi”,-thuhet në raportin e KLSH-së. Ndërkohë në këtë të fundit bëhet me dije se një nga shkaktarët e deficitit të skemës së pensioneve është evazioni i lartë i kontributeve për shkak të përqindjes së ulët të pjesëmarrjes së të punësuarve në skemën e sigurimeve shoqërore. Sipas INSTAT numri i të punësuarve në vitin 2017 ka qenë 1,195 mijë ndërsa sipas ISSH numri i kontribuesve ka qenë 752.4 mijë, pra nga kjo nënkuptohet se 442.6 mijë të punësuar nuk paguajnë kontribute. KLSH thotë se përveç kësaj, faktorë të tjerë që ndikojnë negativisht në skemën e pensioneve janë niveli i lartë i emigracionit, niveli i ulët i lindshmërisë dhe plakja e popullsisë. Gjatë katër viteve të fundit kanë emigruar 152 mijë persona, ku pothuajse të gjithë janë në moshë pune, ndërkohë që norma e lindshmërisë ka ardhur në ulje nga viti në vit, duke pësuar një rënie prej 6.3%, krahasuar me një vit më parë. Norma e ulët e lindshmërisë dhe emigrimi i të rinjve po ndikojnë në plakjen e popullsisë. “Nëse shohim shkallën e zëvendësimit të pensioneve, e cila llogaritet si raport i pensionit mesatar me pagën mesatare, ajo është në nivele të ulëta, që do të thotë se pensionistët përfitojnë një pension shumë më të vogël sesa paga mesatare. Një pensionist rural që merr pension familjar, përfiton një pension në vlerën e 11,3% të pagës mesatare në vitin 2017, e nëse merr pension pleqërie e përfiton në vlerën e 40% të pagës mesatare”,-bën me dije Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Deklarimi i pagave
Sakaq, nivelet e ulëta të përfitimeve nga kontributet në skemë janë pjesërisht pasojë e rritjes së informalitetit dhe deklarimeve jo reale të pagave mbi të cilat më pas llogariten kontributet e pensioneve. “Në rast se kjo situatë prevalente do të vazhdojë, me gjasë ajo do të krijojë barrë mbi shërbimet sociale në të ardhmen dhe do të çojë potencialisht në përkeqësime të mëtejshme me kalimin e kohës. Nëse vazhdojnë këto nivele të ulëta të pjesëmarrjes, një përqindje e konsiderueshme e popullatës nuk do të mund të përfitojë nga pensionet derisa të mbushin moshën 70 vjeç për të përfituar pension social”,-theksohet në raportin auditues.

Pesha në buxhet dhe PBB
Ndërkohë, në nenin 67 të ligjit për sigurimet shoqërore përcaktohet se shpenzimet e fondit të sigurimeve shoqërore përfshijnë: pagesat në para e në natyrë të përfitimeve për sigurime, ndihma dhe pensione; shpenzimet administrative. Kur shpenzimet për sigurimet shoqërore nuk mbulohen me të ardhurat e parashikuara në nenin 66, diferenca mbulohet nga Buxheti i Shtetit. Sipas raportit të KLSH-së ku janë paraqitur të ardhurat dhe shpenzimet e fondit të pensioneve, vihet re që buxheti i shtetit financon një pjesë të konsiderueshme të kësaj skeme. “Një pjesë e financon në formën e të ardhurave për fondin ku paguan kontribute për kategori të veçanta dhe mbulon skemat suplementare, programet dhe trajtimet e veçanta, ndërsa pjesën tjetër e financon në formë subvencioni për të mbuluar deficitin. Nëse shohim peshën që zë financimi i buxhetit të shtetit në total buxhetin e ISSH-së, rezulton se për vitin 2015 zë 39,16% të të ardhurave të të gjithë skemës, e cila 17,5% ishte për financimin e pagesave, kontributeve e trajtimeve të veçanta dhe 21,65% për të mbuluar deficitin. Në vitin 2016, buxheti i shtetit ka financuar 42,28% të skemës së pensioneve, në vitin 2017 ka financuar 40,19% të skemës dhe në vitin 2018 ka financuar 38,32% të skemës së pensioneve. Nëse e shohim në vlerë, financimi i skemës nuk ka ardhur në rënie, ashtu siç tregohet në raportet e mëposhtme që janë në përqindje, pasi rritja e buxhetit të ISSH nga viti në vit ka qenë më e madhe sesa rritja e financimit nga buxheti, dhe për rrjedhojë jep një raport në përqindje më të ulët”,-thuhet në raport.

Konkluzionet e auditimit:

† Reforma e vitit 2014 nuk është një reformë e mirëfilltë. Nëse i referohemi përkufizimeve doktrinale, me “reformë” nënkuptohen ndryshimet thelbësore të pasqyruara në legjislacion. Reformat legjislative/ ligjore kërkojnë vëmendje të posaçme dhe duhet të hartohen me kujdes, me qëllim që të jenë lehtësisht të zbatueshme dhe t’i qëndrojnë kohës, duke reflektuar zgjidhje për problematikat e konstatuara. Reforma e vitit 2014 u pasua sërish me amendime të tjera ligjore: ligjin nr. 144/2015; ligjin nr. 111/2016 dhe ligjin 25/2017, duke treguar kështu mungesën e efektivitetit të vetë reformës së vitit 2014.
† Reforma e vitit 2014 nuk i përgjigjet problematikave me të vetëpunësuarit në bujqësi.
† ISSH nuk ka një Strategji Institucionale ku përcaktohen objektivat dhe prioritetet e veprimtarisë së saj. Gjithashtu ISSH nuk ka hartuar as Plane Veprimi për vënien në zbatim të Dokumentit të Politikave të Pensioneve.
† Sektorët e ISSH-së dhe DRSSH-të nuk kanë përgatitur dhe nuk disponojnë regjistra të përditësuar risku ku evidentojnë në mënyrë të materializuar listimin e risqeve.
† Regjistrat e përgjithshëm të riskut të ISSH-së paraqiten të njëjtë nga viti 2015-2018, duke mos evidentuar risqe të reja, por duke hartuar një regjistër risku “copy-paste” nga viti në vit.
† Statuti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore nuk është përditësuar me ndryshimet që solli reforma e vitit 2014.
† ISSH nuk ka dhënë shpërblim për çdo fëmijë të lindur në masën që përcaktohet në nenin 29 pika 2 të ligjit për sigurimet shoqërore si dhe ka deformuar të dhënat që i ka vënë në dispozicion grupit të auditimit.
† ISSH nuk ka implementuar dhe vënë në zbatim VKM-në nr. 425, datë 10.5.2017, “Për Rregullat e Organizimit, Funksionimit të Komisionit për Dhënien e Dëshmisë së Statusit të Punonjësve të Industrisë së Naftës dhe të Gazit, Kriteret dhe Procedurat për Lëshimin e Vërtetimit të Posaçëm Zyrtar”, që pas hyrjes së saj në fuqi.
† ISSH nuk ka përdorur një terminologji të harmonizuar, në përpilimin e akteve ligjore dhe nënligjore.
† Rregullorja për organizimin e Detyrave Funksionale në Drejtorinë e Përgjithshme të ISSH-së nuk përputhet me strukturën dhe organigramën e ISSH-së, duke përcaktuar kështu rregulla për Drejtori të cilat nuk janë pjesë e strukturës aktuale të këtij institucioni.
† Ligji dhe Statuti i ISSH-së nuk përmbajnë asnjë përcaktim tjetër ligjor, me qëllim evidentimin e saktë dhe të qartë të funksioneve që ka komisioni revizionit dhe përbërjes së tij.
† Rregullorja Financiare, Rregullorja e Brendshme e Drejtorisë së Kontributeve, Rregullorja e Drejtorisë së auditimit të Brendshëm dhe Rregullorja që përcakton detyrat funksionale të Drejtorisë së Financës nuk janë hartuar nga ISSH në përputhje me elementët formal që kërkohen në përpilimin e akteve nënligjore.
† ISSH nuk ka përditësuar me aktet e tjera ligjore e nënligjore në fuqi Rregulloren Financiare.
† Numri i punonjësve dhe struktura administrative e ISSH-së ka ndryshuar nga 144 në vitin 2014 në 158 në aktualisht, megjithatë pavarësisht ndryshimeve të reflektuara, ISSH nuk i ka mbështetur këto ndryshime mbi argumente ligjore dhe objektive.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.