OPINION

Marrëzia e PPP-ve tona

07:40 - 16.07.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Departamenti Amerikan i Shtetit  publikoi të enjten datë 11 korrik raportin mbi klimën e biznesit në botë për vitin 2019. Në pjesën për Shqipërinë, ndërsa vlerëson kuadrin ligjor si tërheqës për investimet e huaja të drejtpërdrejta, raporti qorton praktikat e deritanishme të ndjekura nga autoritetet tona, si edhe paaftësinë e sistemit tonë të drejtësisë për t’i mbrojtur këto investime. Ai  nënvizoi se investituesit e huaj tek ne përmendin si probleme të tyre në vijimësi(që nuk zgjidhen) korrupsionin në gjykata dhe në administratën shtetërore, mungesën e transparencës në prokurimet publike dhe zbatimin e dobët të kontratave. Raporti i cilëson të 200 kontratat koncesionare të lidhura nga qeveria qendrore deri në fund të vitit 2018, me formën e partneritetit publik-privat (PPP-një partneritet publik-privat ndryshon nga kontrata klasike e koncesionit, pse nëse tek e dyta rreziku i mbetet tërësisht privatit dhe shteti nuk angazhon para të taksapaguesve, por thjesht jep një leje-koncesion- të shfrytëzimit të një pasurie publike, tek e para rreziku ndahet dhe shteti paguan nga buxheti), si mjete që kanë pakësuar mundësitë për konkurrencë reale mes investituesve vendas dhe të huaj në garën për fitimin e fondeve të shtetit shqiptar. Më parë, për programin e investimeve madhore(sidomos në infrastrukturë) të qeverisë nëpërmjet kontratave PPP, kanë shprehur shqetësimet dhe dhënë këshillat e rekomandimet e tyre institucione të ndryshme vendase dhe të huaja. Në vend, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar, nëpërmjet kryetarit të tij Bujar Leskaj ndërprerjen e përkohshme të dhënies së kontratave PPP, me qëllim realizimin e studimeve të thelluara të raportit kosto-përfitime prej tyre. Banka e Shqipërisë ka kërkuar që Ministria e Financave dhe e Ekonomisë të zbatojë standardet ndërkombëtare në raportimin dhe regjistrimin e detyrimeve që lindin nga marrëveshjet PPP, duke i përfshirë detyrimet e tyre për buxhetin e Shtetit në borxhin publik.




Fondi Monetar Ndërkombëtar ka reaguar në dy rrugë. Nëpërmjet përfaqësuesit të zyrës së tij në Shqipëri, në prill 2018, duke kërkuar ndërprerjen e pranimit nga qeveria të ofertave të pakërkuara të biznesit për kontratat PPP. Sikurse edhe me gjetjet dhe rekomandimet e misioneve të tij në nëntor 2018, maj 2019, si dhe të diskutimeve për Monitorimin e Dytë Pas-Programit të financimit të butë të Fondit ndaj Shqipërisë 2014-2017, të publikuara më 3 korrik 2019. Në materialet e 3 korrikut 2019, FMN thekson:  “Shqipëria përballet me boshllëqe të konsiderueshme në infrastrukturë, në krahasim me vendet e ngjashme si ajo në rajon, të cilat aktualisht po trajtohen përmes përdorimit të gjerë të PPP-ve. Më shumë se 200 projekte PPP (31 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto(PBB) të vendit, ose mbi 3.4 miliardë euro) janë kontraktuar, me rreth 15 për qind të PBB-së në investim e sipër. Megjithatë, PPP-të nuk janë të integruara mirë në kuadrin e përgjithshëm të menaxhimit të investimeve publike, për të përfituar nga një proces i veçantë – krahasuar me projektet e prokurimit tradicional- për vlerësimin e leverdishmërisë, përballueshmërisë dhe rreziqeve. Në të njëjtën kohë, pagesat buxhetore vjetore të projektuara për PPP-të (të financuara nga qeveria) po i afrohen tashmë kufirit të ligjshëm të 5 për qind të të ardhurave fiskale të vitit të kaluar”. (faqe 12 e raportit, në fund. https://www.imf.org/en/Publications/CR/Issues/2019/07/03/Albania-Second-Post-Program-Monitoring-Discussions-Press-Release-and-Staff-Report-47082). Ç’duan të thonë këto shqetësime të institucionit më të njohur dhe të besuar në botë për mirëmenaxhimin e financave publike të një vendi? Duan të thonë se për PPP-të shqiptare po afrohet vija e kuqe. Pra gati po cekim tavanin prej 5 për qind të të ardhurave nga taksat dhe tatimet e vitit të kaluar, si pagesa vjetore të buxhetit tonë të shtetit për të përballuar detyrimet nga PPP-të.

Pra, nuk mund të marrim përsipër kontrata të reja PPP, pse nuk do të kishim mundësi pagimi nga buxheti i të gjithë shqiptarëve. Kjo tregon se marrëzia e këtyre 200 kontratave, të cilësuara tre ditë më parë si problematike nga Departamenti Amerikan i Shtetit, të rekomanduara për ndërprerje apo përmirësim në menaxhimin e tyre muaj e muaj më parë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga Banka e Shqipërisë, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nga Banka Botërore e deri tek Ambasada Amerikane në Tiranë, jo vetëm na kanë rrezikuar jo vetëm të ardhmen e fëmijëve tanë, duke rënduar buxhetin e shtetit me taksa të reja te domosdoshme për vitet që vijnë, për të përballuar pagesën e tyre. Përveç kësaj, sot ato na kanë lënë edhe pa miell fare(pra pa mundësi nga buxheti i Shtetit), për të nënshkruar ndonjë kontratë të re investimi PPP, që mund të jetë i domosdoshëm për vendin për muajt dhe vitet që vijnë. Këtë rezultat ka patur kjo bredhje si pulë kokëprerë e drejtuesve të mëparshëm të ministrive tona të Financave dhe të Energjetikës pas “magjisë” së koncesioneve me formulën partneritet publik-privat. Sikurse e thekson Fondi Monetar Ndërkombëtar dhjetë ditë më parë, ministria jonë e Financave dhe Ekonomisë duhet të luajë rolin e “portierit” të “derës” së PPP-ve (në anglisht, “PPP’s gatekeeper”), për të mos lejuar më autogola kaq të kushtueshëm për të ardhmen e fëmijëve tanë. Qeveria duhet urgjentisht të miratojë ndryshimet në ligjin e Koncesioneve dhe të Partneriteteve Publikë-Privatë, që krahas ndalimit të pranimit të ofertave të pakërkuara nga biznesi, të sigurojë një drejtim më cilësor të investimeve publike nëpërmjet tyre. Duke i mbrojtur financat publike, veçanërisht në fazën e studimit të leverdishmërisë së këtyre kontratave, kaq të ndërlikuara dhe që kërkojnë njohuri tejet specifike. Këto kontrata deri tani kanë rezultuar të rrezikshme, duke e futur buxhetin e të gjithë shqiptarëve në detyrime për të financuar projekte infrastrukturore me kosto nganjëherë të tejfryrë deri në 200 për qind(rasti i aksit rrugor Vorë-Kashar që fatmirësisht u kthye mbrapsht nga qeveria), ose me shërbime të dështuara ndaj popullatës(rasti i kontrollit mjekësor falas “Check-up”).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.