OPINION

Mrekullia e ikonave dhe mungesa shqiptare

18:00 - 16.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Luan Rama – Kur Shqipëria jeton kaq shumë me këtë politikë aktuale të mbrapshtë, mes thirrjeve të urrejtjes, atmosferën e vrasjeve, kriminelëve, burgimeve, është e kuptueshme që jo rrallë vlerat e trashëgimisë shqiptare harrohen dhe lihen tutje, pasi institucionet e kulturës, me oshilacionet e tronditjet partiake, me një buxhet të vogël apo të papërfillshëm, studiuesit i ka lënë pa mbështetje, duke mos bërë të mundur botimin e studimeve të tyre në gjuhë të huaja, digjitalizimin dhe krijimin e hapësirave mbarëshqiptare, për t’u integruar pastaj fuqishëm në hapësirat e mëdha kulturore, ballkanike dhe europiane. Kam parasysh një botim të mrekullueshëm nga serbët në gjuhët frënge dhe angleze, ku ikonat e tyre mesjetare vendosen mes ikonave më të bukura botërore, duke përfshirë dhe veprat e famshme të piktorit rus Andrei Rublev. Në të kishte ikona dhe nga Maqedonia, Mali i Zi apo dhe nga manastiri i Deçanit me tri ikona, por nga Shqipëria, asnjë ikonë. Piktura mesjetare shqiptare mungonte, po jo vetëm në atë botim serb, por dhe në botime të tjera ndërkombëtare ku shkruhet për artin e mesjetës dhe në zonat ballkanike.




S’ka shumë kohë që në sallat e muzeut të “Petit Palais”, në zemër të Parisit, është hapur një ekspozitë mjaft interesante: “Ikonat e artit të krishterë të Orientit”, me portrete dhe kompozime nga jeta biblike dhe veçanërisht portretet e Shën Gjergjit, Shën Marisë, Shën Baptistit dhe ndonjë shenjtori lokal, të cilat janë sjellë nga Greqia (shumë prej tyre nga Kreta), nga Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, por më kot të kërkosh të shohësh në këtë ekspozitë ikona të piktorëve tanë të famshëm si Onufri, i biri Nikolla, David Selenicasi, Shpataraku, Zografi, etj. Janë ikona të shekujve XVII-XVIII që shquhen për mjeshtërinë dhe origjinalitetin e tyre edhe në kuadrin botëror. E megjithatë, në këto lloj ekspozitash, jo rrallë, arti shqiptar mbetet jashtë, jo për vlerat që ka, por për pamundësinë e komunikimit me organizatorët, specialistët dhe studiuesit ndërkombëtarë dhe kjo si shkak i një njohje të kufizuar të artit mesjetar shqiptar në botën e sotme. Dhe sigurisht, nuk është faji i studiuesve tanë, prej të cilëve ka një punë të lavdërueshme në studimin dhe restaurimin e tyre, por ne s’duhet të kënaqemi apo të mburremi me atë çka bëhet brenda hapësirës sonë kulturore shqiptare. Institucionet, duhet t’u bëjnë të mundur studiuesve që ata të jenë të pranishëm në organizatat apo forumet ndërkombëtare. Nëse “Arti Mesjetar shqiptar” u prezantua së fundi në një nga sallat e Unescos, kjo ishte diçka e kënaqshme, por ne duam që kur flitet më gjerë për vlera të mirëfillta të kulturës, trashëgimisë dhe identitetit tonë, që Shqipëria të jetë pjesë e këtyre ekspozitave përfaqësuese. Mesazhet në ekspozicionet kolektive ndërkombëtare janë më të fuqishme dhe përcjellin më fortë mesazhin që duam e që lidhet me përkatësinë shqiptare.

Le të shpresojnë që me një politikë të re dhe një klasë tjetër politike, Shqipëria të jetë më e pranishme në ngjarje të tilla ndërkombëtare, ku të dalë në pah dhe gjenia e popullit tonë.

66636307_485698948663857_5655766879885590528_n 66790033_453304852171576_9078856682380984320_n 66801288_753200801761269_7732140356388519936_n 66580963_2119340631510609_1562321141631025152_n
<
>

STUDIMET E LETËRSIA E AUTORIT

Luan Rama është autor i shumë studimeve mbi pikë takimet e kulturave franko-shqiptare, në vijim të zbulimit të personaliteteve të botës shqiptare në Evropë duke ndriçuar nga arkivat franceze dhe italiane shenjtorët ilir, fisnikët arbër, artistët dhe poetët shqiptarë më me ndikim në qytetërimin Perëndimor. Luan Rama është kineast, studiues arti, publicist, shkrimtar, dhe ka lobuar si ambasador (1991-1992) në Paris, Francë dhe diplomat kulturor i Shqipërisë (1997-2001), duke e përfaqësuar vendin edhe në UNESCO. Autori krijon e punon në Universitetin INALCO (Institut des Langues et Civilisations Orientales) Paris, Francë. Ai është diplomuar për Gazetari në Universitetin e Tiranës, dhe është profilizuar për Audiovizual e Kinematografi në Universitetin e Parisit “Denis Diderot”. Luan Rama është skenarist i katër filmave të prodhuar nga Kinostudio Shqipëria e Re, ndër të cilët mund të veçojmë filmin “Vajzat me kordele të kuqe”. Disa nga veprat më të zëshme kohët e fundit janë studimet në rrafshin kulturor:

  • Dorëshkrimet e purpurta – studim ku shtjellohen edhe Kodikët e Shqipërisë shikuar si vlera botërore që nga kodikët e Beratit, Vlorës, Korçës, apo Voskopojës.
  • Parisi letrar – studim ku shpaloset jeta e panjohur njerëzore dhe itinerari artistik i shkrimtarëve të shquar francezë.
  • Pikëtakim me Jean Cocteau(Zhan Kokto) – jeta pasionale dhe vepra poliedrike e poetit francez,
  • Jean Moréas, Jani nga Moréa- studim mbi poetin simbolist arvanistas,
  • Kalorësit e Stuhisë – normandët, frankët dhe shqiptarët -studim ku dëshmohet roli i stratiotëve dhe lidhjeve të aristokracive anzhuine dhe arbërore,
  • Santa Quaranta – Romani trajton historinë e qëndrimit të balerinës Isadora Duncan në Sarandë,
  • Shkëlqimet e Meteorëve – Libri sjell përvojën e aktoreve franceze në sheshin e xhirimit,
  • Origjina e Botës – Romani intrigohet tek historia e nudos së piktorit Courbet e porositur nga Halil beu, ambasadori shqiptar në Paris i Perandorisë Osmane.
  • Dino – Shtegtari i Portës Sublime – Monografi e piktorit Abedin Dino dhe saga e familjes shqiptare Dino nga Çamëria.
  • Krushq të largët – Libri i parë i autorit ngritur mbi pikëtakimet franko-shqiptare, Pont entre deux rive (Ura midis dy brigjeve).

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.