EKONOMI

Guvernatori Sejko: Institucionet, të angazhuara me programe zhvilluese

17:00 - 17.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani – Sfidat e kohës, për vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore janë zbutja e emigracionit, rritja e punësimit dhe edukimi. Në këtë konkluzion doli konferenca me temë: “Demografia, punësimi dhe rritja ekonomike”, ku mori pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.




Konferenca
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në konferencën e dytë të nivelit të lartë me temë “Demografia, punësimi dhe rritja ekonomike: Duke përshkuar të ardhmen në vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore”, organizuar nga Banka Kombëtare e Kroacisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Dubrovnik, Kroaci. Në këtë konferencë, përveç përfaqësuesve të lartë të FMN-së, merrnin pjesë rreth 15 guvernatorë e ministra të financave nga vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore (EQJL), përfaqësues nga Banka Botërore, Komisioni Evropian, Banka Ndërkombëtare për Rregullim, si dhe nga institucione të tjera financiare dhe bota akademike. “Punimet e kësaj konference u fokusuan kryesisht në çështje që lidhen me lëvizjet demografike të popullsisë së vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore, rritjen ekonomike, punësimin dhe edukimin, si dhe masat që duhen ndërmarrë në të ardhmen për të ulur nivelin e papunësisë dhe ekonomisë informale, në mënyrë që të garantohet një rritje ekonomike e qëndrueshme dhe e qenësishme për këto vende. Gjatë punimeve të konferencës, pjesëmarrësit diskutuan mbi zhvillimet e ndryshme politike dhe ekonomike në vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore gjatë dekadës së fundit, dhe efektet që kanë dhënë në ecurinë ekonomike fenomene të tilla si rritja e emigracionit, plakja e popullsisë dhe rënia e fuqisë punëtore” njofton Banka e Shqipërisë. Gjatë konferencës, Guvernatori Sejko ishte pjesë e tryezës së diskutimit të drejtuar nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang.

Ashtu si konferenca, edhe kjo tryezë u përqendrua në trajtimin e sfidave demografike me interes të përbashkët dhe reformat për trajtimin e tyre. Zbutja e emigracionit, rritja e punësimit dhe edukimi janë sfidat e kohës me të cilat përballen ekonomitë e këtyre vendeve dhe për këtë arsye, qeveritë përkatëse kanë vendosur prioritete për kapërcimin e tyre. Sipas njoftimit, në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi se këto fenomene vërehen dhe ndiqen me shqetësim edhe në ekonominë shqiptare. Prandaj, për trajtimin e tyre, institucionet shqiptare janë angazhuar me programe zhvilluese që rrisin produktivitetin e punës dhe ngadalësojnë emigrimin e kualifikuar.

Qëllimi është jo vetëm rritja e produktivitetit të forcës punëtore profesionale në vend, por mbi të gjitha ofrimi i mundësive për punësim në sektorë të ndryshëm të ekonomisë të rinjve të talentuar, në mënyrë që ata të investojnë dijet e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë kontekst, vijimësia e reformave strukturore është mjaft thelbësore, ku midis tyre, një vend të veçantë duhet të zënë domosdoshmërish reformat e fokusuara drejt ngritjes së nivelit arsimor, zhvillimit të aftësive teknike dhe kualifikimit profesional, për të shtuar potencialet ekonomike dhe krijuar vende të reja pune. Në përfundim, Guvernatori Sejko shtoi se një element mjaft i rëndësishëm dhe me rol kyç në arritjen e suksesit e këtyre përpjekjeve, është edhe bashkëpunimi me vendet partnere dhe me institucione prestigjioze financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, për të marrë eksperiencën e praktikave më të mira, por dhe orientimet e duhura në këtë drejtim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.