EKONOMI

Gropa në buxhet, mungojnë 30 milionë euro

18:00 - 18.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të ardhurat që janë mbledhur nga tatimet, doganat, sigurimet shoqërore e të tjera në 6 muajt e parë të vitit ishin 225.5 miliardë lekë, sipas statistikave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, këto të ardhura janë rritur me 3.9% (+8.4 miliardë lekë), të ndihmuara nga tatimi mbi të ardhurat personale, tatim fitimi, taksat vendore, kontributet e sigurimeve shoqërore, ndërsa TVSH-ja është zëri me rendimentin më negative në buxhet në gjysmën e parë të këtij viti. Në raport me planin, të ardhurat janë 3.6 miliardë lekë, ose 30 milionë euro më pak, që mungojnë nga planifikimi fillestar i buxhetit.




TVSH-ja
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ka vijuar të kontribuojë negativisht, pasi në 5 muaj arkëtuar rreth 65.9 miliardë lekë, apo 6.3 miliardë lekë më pak se parashikimi i bërë për këtë periudhë. Përpos efekteve të kursit të këmbimit, mosmbledhja e TVSH tregon edhe tkurrjen e konsumit dhe dinamizmin e dobët të ekonomisë. Ndërsa paralelisht janë rimbursuar 8.6 miliardë lekë, apo rreth 1.5 miliardë më shumë se e njëjta periudhë e një vitit më parë. Po ashtu, negativisht kanë kontribuuar taksat nacionale, ku janë mbledhur rreth 2 miliardë lekë më pak se plani dhe në total 17.5 miliardë lekë. TVSH-ja, që është taksa që sjell më shumë të ardhura për buxhetin, me 29% të totalit për janar-qershor ka shënuar një rënie me 3%, duke arritur në rreth 66 miliardë lekë. Në raport me planin mungojnë 6.3 miliardë lekë, duke pasur mosrealizimin më të lartë të planit. TVSH-ja është një tregues direkt i qarkullimit në ekonomi dhe mosmbledhja e të ardhurave nga ky zë tregon një tkurrje të konsumit. Financat kanë deklaruar më herët se arsyet e rënies së të ardhurave nga TVSH janë projektet e TAP e Devollit që po shkojnë drejt përfundimit dhe kanë ulur aktivitetin, uljen e eksporteve të energjisë dhe ndalimi i aktiviteteve të lojërave të fatit. Rënia e të ardhurave nga TVSH-ja është kompensuar nga rritja e ndjeshme e zërit të Tatimit mbi të Ardhurat personale, të ardhurat nga i cili u rritën me 27% dhe ishin 2 miliardë lekë më shumë se plani. Kjo rritje lidhet me faktin që kompanitë e mëdha po shpërndajnë dividendët e prapambetur, pasi në bazë të ligjit të ri kanë të drejtë të shpërndajnë dividendë të prapambetur deri në fund të shtatorit, në mënyrë që të përfitojnë nga ulja e tatimit nga 15 në 8%. Operatori i telefonisë celulare, “Telekom Albania” njoftoi më parë se ai kishte shpërndarë fitimet dhe rezervat e periudhës 2001-2010 prej vitit 400 milionë euro si dividend. Vetëm nga kjo kompani shteti ka arkëtuar 32 milionë euro. Në rritje ishin edhe të ardhurat nga tatim fitimi, me 14%, ose 2 miliardë lekë më shumë sesa plani.

Pushteti vendor
Pushteti vendor ka mbledhur 31% më shumë të ardhura si 6 mujor nga taksat lokale (kryesisht taksa e ndërtimit në infrastrukturë), ndërsa taksa mbi pronën ka ngecur sërish, pas rritjes së fortë në muajin mars. Të ardhurat nga fondet speciale (sigurimet shoqërore e shëndetësore) u rritën me rreth 6% me bazë vjetore për janar-qershor, ndërsa ato jotatimore ranë me 9.1%.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.