EKONOMI

PS kërkoi shkarkimin e Malajt, BSH: Rastet kur shkelet Kodi i Etikës

14:55 - 18.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas shkresës që grupi parlamentar i partisë socialiste i dërgoi Kuvendit për shkarkimin e Arben Malajt nga anëtar i bordit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ka reaguar Banka e Shqipërisë. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare Banka nuk ka përmendur direkt anëtarin e saj me emër, por sqaron Kodin e Etikës së Bankës së Shqipërisë të miratuar në qershor të vitit 2003, duke cituar rastet të cilat përbëjnë shkelje etike. “Banka e Shqipërisë shprehet e vendosur në qëndrimin e vet se, gjatë ushtrimit të detyrave, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës duhet të respektojnë kufizimet e Kodit të Etikës mbi veprimtarinë e tyre politike dhe publike, të vendosura ligjërisht dhe për shkak të natyrës së veçantë të pozicionit dhe funksionit të tyre. Çdo qëndrim individual që bie ndesh me karakterin publik të rolit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe detyrimin e tyre për të promovuar besimin publik në integritetin, paanësinë dhe efektivitetin e Këshillit Mbikëqyrës, duhet detyrimisht të trajtohet si jopërfaqësues i institucionit dhe në kundërshtim me rregullat e Kodit të Etikës”-thuhet në njoftimin e BSH-së. Pas publikimit të njoftimit ka reaguar anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë Arben Malaj, i cili thekson se për këtë çështje mund të shprehet vetëm këshilli dhe jo banka.




Kodi
Kodi i Etikës përcakton shprehimisht se çdo veprimtari tjetër e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës, e cila kryhet jashtë detyrave të tij të përcaktuara në Ligjin për Bankën e Shqipërisë, nuk duhet të ketë ndikim negativ mbi detyrimet që ai ka ndaj Bankës së Shqipërisë dhe nuk duhet të dëmtojë imazhin e saj. “Çdo qëndrim individual që bie ndesh me karakterin publik të rolit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe detyrimin e tyre për të promovuar besimin publik në integritetin, paanësinë dhe efektivitetin e Këshillit Mbikëqyrës, duhet detyrimisht të trajtohet si jopërfaqësues i institucionit dhe në kundërshtim me rregullat e Kodit të Etikës” – thuhet në deklaratë. Sipas Bankës Qendrore çdo anëtar i Këshillit Mbikëqyrës ka të drejtë të ndajë qëndrimet e veta në artikujt shkencorë por duhet ta qartësojë se këto qëndrime nuk përfaqësojnë institucionin financiar në të cilin ai bën pjesë. “Në publikimin e artikujve shkencorë, apo akademikë, anëtari mund të qartësojë se artikulli mund të mos përfaqësojë qëndrimin zyrtar të Këshillit Mbikëqyrës apo të Bankës së Shqipërisë”- thuhet në deklaratë.

Njoftimi i bankës
“Si institucion i pavarur kushtetues, Banka e Shqipërisë i shërben interesit publik dhe konsideron llogaridhënien dhe transparencën në themel të mirëqeverisjes së institucionit. Respektimi i këtyre parimeve nga anëtarët e organeve të saj drejtuese dhe nga punonjësit është jetësor për sigurimin e besueshmërisë së publikut, medias dhe organeve legjislative dhe ekzekutive të Republikës së Shqipërisë ndaj institucionit. Mbështetur mbi këto standarde dhe në harmoni të plotë me frymën e Kodit të Sjelljes për Zyrtarët e Lartë të Bankës Qendrore Evropiane, Këshilli Mbikëqyrës ka miratuar, në qershor 2003, Kodin e Etikës së Bankës së Shqipërisë, i cili përcakton rregullat e integritetit dhe të sjelljes që duhet të zbatohen nga anëtarët e organeve drejtuese dhe punonjësit e Bankës së Shqipërisë. Kodi i Etikës reflekton praktikat më të mira në fushën e bankingut qendror, duke njohur, njëkohësisht, karakteristikat e veçanta institucionale të Bankës së Shqipërisë dhe pavarësinë politike të saj”,-thuhet në njoftim. “Në përcaktimin e parimeve bazë të sjelljes së anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, Kodi i Etikës sanksionon detyrimin e tyre për të qenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e detyrave dhe të përgjegjësive të tyre, pasi përfaqësojnë organin më të lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës duhet të veprojnë në interesin më të mirë të Bankës së Shqipërisë, si dhe të sistemit bankar në Shqipëri (pika 1.3). Në këtë kuadër, Kodi i Etikës përcakton shprehimisht se çdo veprimtari tjetër e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës, e cila kryhet jashtë detyrave të tij të përcaktuara në Ligjin për Bankën e Shqipërisë, nuk duhet të ketë ndikim negativ mbi detyrimet që ai ka ndaj Bankës së Shqipërisë dhe nuk duhet të dëmtojë imazhin e saj (pika 2.3). Kodi i Etikës parashikon vetëm një rast kur anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës i lejohet të ndajë qëndrimet e veta nga ato të Bankës së Shqipërisë. Në publikimin e artikujve shkencorë, apo akademikë, anëtari mund të qartësojë se artikulli mund të mos përfaqësojë qëndrimin zyrtar të Këshillit Mbikëqyrës apo të Bankës së Shqipërisë (pika 2.3). Mbështetur mbi sa më sipër, Banka e Shqipërisë u ka bërë të ditur, në vazhdimësi, të gjithë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës detyrimin për të mbajtur parasysh se, që nga momenti i emërimit, deri në përfundim të mandatit, ata përfaqësojnë, në çdo situatë, organin më të lartë drejtues të institucionit dhe se me deklarimet apo veprimet e tyre mund të dëmtojë imazhin e tij. Ky qëndrim institucional është në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, të cilat u kërkojnë zyrtarëve publikë të kujdesen që gjatë përfshirjes në debate politike apo publike, të mos dëmtojnë besimin e publikut në aftësinë e tyre për t’i përmbushur detyrat me paanësi dhe besnikëri”-thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.

Reagimi i Malajt: Kam respektuar në maksimum Kodin e Etikës

Menjëherë pas njoftimit të bankës ka reaguar anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë Arben Malaj. “Për këtë debat nuk shprehet Banka e Shqipërisë si institucion, por vetëm Këshilli Mbikëqyrës. Kam respektuar në maksimum Kodin e Etikës, nuk marr pjesë në asnjë strukturë të asnjë partie, këtë kërkon ligji i Bankës, nuk jam i angazhuar në asnjë aktivitet politik, sapo mbaruan zgjedhjet vendore kjo konstatohet lehtë. Po ngatërrohet me keqdashje dallimi midis angazhimeve apo aktiviteteve publike me angazhimet dhe aktivitetet politike. Kam plotësuar me integritet dhe profesionalizëm mandatin e dhënë nga Kuvendi vendit tim në rastin e parë me 100 % të votave dhe në rastin e dytë me vetëm dy vota kundra. Reagimi në emër të Bankës Shqipërisë sot pas kërkesë së deputeteve dhe jashtë hapave ligjore dhe institucionale që në këtë rast është vetëm Këshilli Mbikëqyrës, përbën cenim të kredibilitetit dhe Pavarësisë së Bankës së Shqipërisë. Kredibiliteti publik dhe pavarësia reale e Bankës së Shqipërisë duhet të jenë të shenjta dhe duhen ruajtur me përgjegjshmëri maksimale nga çdo pozicionim publik jashtë kornizave institucionale. Kam qenë unë që pas mandatit të ri kam kërkuar që rezoluta e kuvendit për vitin 2018 që ka detyra për vitin 2019 të diskutohej në Këshill dhe me detyrat e dhëna nga Kuvendi të njihej Këshilli dhe stafi drejtues i Bankës dhe për detyrat konkrete Këshilli të ndërtonte një plan veprimi përmbushjes së detyrave të lëna nga Kuvendi. Qëndrimet si gjatë mandatin plotësues dhe aktualisht janë të dokumentuara në procesverbalet e Këshillit Mbikëqyrës. Ky sqarim është në respekt të institucionet të BSH”-shkruan Arben Malaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.