EKONOMI

Raporti i INSTAT për 6 mujorin, eksportet tkurren me 3.7% për 6 mujorin

18:30 - 18.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Eksportet kanë vijuar me tendencën e tyre negative edhe gjatë muajit qershor. Sipas statistikave të INSTAT, në qershor u shitën jashtë vendit mallra me vlerë 25 mld lekë, duke u ulur me 4,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 8,2 %, në krahasim me muajin maj 2019. Ndryshe nga viti i kaluar, kur rritja ishte dy shifrore, ky vit nuk ka qenë i mbarë për një nga sektorët kryesore për futjen e valutës në Shqipëri. Në 6 muajt e parë të vitit, eksportet arritën në 152.3 miliardë lekë, me një rënie prej 3.7% me bazë vjetore. Të tre grupet kryesore të eksporteve “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, “Materiale ndërtimi dhe metale” janë në rënie. “Tekstilet dhe këpucët”, që zënë 41% të eksporteve shqiptare kanë rënë me gati 2% me bazë vjetore për 6 mujorin e parë. Aktorët e tregut pohojnë se kjo ecuri e dobët lidhet me rënien e euros, që po u ul fitimet dhe po i bën më pak konkurrues, shtimi i konkurrencës nga vendet e Afrikës së veriut (Tunizia), krijimi i stoqeve, kjo për sektorin e këpucëve. Ulja e konkurrueshmërisë për shkak të kursit dhe ngurrimi në hezitimin e kontratave të reja edhe për shkak të krizës kanë ndikuar në shitjet e sektorit jashtë vendit.




Florian Zekja, përfaqësues i Unionit të Fasonistëve Shqiptarë, tha se muajt e fundit shumë ndërmarrje me 20-40 punëtorë kanë dalë në shitje. Nëse vazhdohet me këtë ritëm, shumë shpejt si efekt domino i situatave aspak të favorshme do të kemi falimentimin e biznesit fason dhe pasojat do të jenë katastrofike, ka paralajmëruar ai. “Materialet e ndërtimit” dhe metalet janë grupi i dytë më i eksportuar, me gati 16% të totalit. Ato kanë shënuar një rënie prej 10% për 6 mujorin. Tkurrja ishte më e fortë në qershor, me 16%. Burime nga kompania Kurum, eksportuesi më i madh i këtij grupi, pohuan se qershori në përgjithësi është një muaj i dobët, pasi teksa fillon sezoni në prill dhe maj, tregtarët mbushen me stoqe dhe ulin kërkesën. Për më tepër qershori i këtij viti përkoi me muajin e Ramazanit në Kosovë (që është tregu kryesor i Kurum), çka reduktoi më tepër kërkesën. Në rënie ishin dhe shitjen e “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, që shënuan dhe tkurrjen më të thellë me 23% për 6 mujorin.

Arsyet janë disa. Së pari, janë reduktuar eksportet e energjisë për shkak të motit të thatë, ndryshe nga viti i kaluar kur reshjet e bollshme favorizuan shitjet jashtë të energjisë. Së dyti, eksportuesi më i madh në vend, Bankers Petroelum, që shfrytëzon me koncesion fushën më të madhe naftëmbajtëse në vend, Patos Marinzën, ka eksportuar më pak. Burime zyrtare nga Bankers pohuan se ndonëse ata kanë rritur prodhimin me 15% në 6 muajt e parë të vitit, kanë rritur shitjet brenda vendit me 60% tek kompania Tosk Energji, çka ka ndikuar në reduktimin eksporteve jashtë. Tendencë pozitive kishte grupi “ushqime pije dhe duhan”, me rritje vjetore prej 12% Rritjen më të fortë edhe në vlerë absolute e shënoi grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, që u zgjerua me 23%, duke përbërë gati 7% të totalit të eksporteve. Investimet e viteve të fundit në fabrikat për pjesët për automjete, që punojnë me sistemin e materialit të porositësit kanë ndikuar në këtë tendencë. Sipas INSTAT, eksportet, gjatë këtij gjashtëmujori janë ulur me -3,7 %, krahasuar me një vit më parë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.